Mburrjet e Kritikuara të Thaçit

Kryeministri Thaçi më 8 janar 2014, një ditë para se të fillonte vitin e shtatë të qeverisjes, përmes një postimi në rrjetin Facebook u komunikoi qytetarëve të Kosovës arritjet që sipas tij janë shënuar në gjashtë vjet qeverisjeje nga ai.

Thaçi, i ardhur në pushtet më 9 janar të vitit 2008 pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, përmendi shumë suksese të arritura duke filluar nga shpallja e pavarësisë. 

PDK-ja e udhëhequr nga kryeministri mbetet më e madhja në skenën politike përkundër humbjes së Mitrovicës e Ferizajt në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. 

Ai ruan kontrollin në PDK si lider i pakontestuar përkundër kundërshtimeve nga njerëz të fuqishëm si Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi. 

Problemet mes figurave qendore në PDK rrodhën në publik nëpërmjet aferës “Pronto”.

Kryemistri Thaçi nuk përmendi ndonjë ngecje ose dështim gjatë udhëheqjes së tij dhe vlerësoi se gjatë kësaj periudhe u shënuan rezultate të prekshme. 

 “Çdo politikan duket edhe më serioz nëse e pranon se është duke u ballafaquar me sfida dhe ngecje”, thotë Ardian Arifaj analist politikë.

Vonohet liberalizimi i vizave

Thaçi në nëntor të vitit 2010, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për t’u bërë kryeministër për herë të dytë, thoshte se brenda 15 muajve kur ai ta ketë marrë mandatin, do të bëhej edhe liberalizimi i vizave që i binte të ndodhte në maj të vitit 2012. 

Por, nga shkurti i vitit 2011, kur nisi punën qeveria Thaçi II, kanë kaluar gati tre vjet, ndërsa ende kosovarët nuk lëvizin lirshëm në Zonën Schengen të Evropës. 

Kosova mori udhërrëfyesin për heqjen e vizave në korrrik të vitit 2012. Aty përcaktohen kriteret që vendi duhet të pëmbushë për lëvizjen pa viza të banorëve të tij. 

Sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar janë çështje në të cilat Kosova duhet të përmirësohet nëse dëshiron liberalizim të vizave. 

 “Unë mendoj se ajo ka qenë si rezultat i mosnjohjes së procedurave që duhet të kalojë një vend për të përmbushur udhërrëfyesin”, deklaroi ministrja e integrimeve Vlora Çitaku kur u pyet për premtimin elektoral të kryeministrit në emisionin Jeta në Kosovë të transmetuar më 16 janar të këtij viti.

Ndërkohë Çitaku kur morri pjesë në një konferencë të organizuar nga Qendra për Politika Evropiane në Bruksel më 14 janar të këtij viti deklaroi se Kosova ka përmbushur shumicën e kërkesave për liberalizim të vizave dhe se pret që procesi të përmbyllet sa më shpejt.

Samuel Zhbogar, kreu i zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, në një intervistë për emisionin Jeta në Kosovë më 17 prill të vitit të kaluar thoshte se beson që Kosova do të fitojë liberalizimin e vizave me vendet e Schengenit para se atij t’i skadojë mandati i tij në Kosovë në vitin 2016. 

Por, tash Thaçi në rrjetin social Facebook përmendi se pret që në vitin 2014 të ndodh liberalizimi i vizave dhe shkroi se se ekzekutivi ka bërë mjaft për sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit që janë kritere për liberalizimin e vizave.

Raporti i Transparency International për vitin 2013 tregon se korrupsioni në Kosovë është rritur vitin e kaluar.

Sipas raportit, Kosova më 2013 ishte radhitur në vendin e 111 në listën e vendeve më të korruptuara, ndërsa në vitin 2012 gjendja ishte më mirë, pasi Kosova ishte listuar si e 105-ta. 

Raporti i Progresit i vitit 2013 kritikon sistemin kosovar të drejtësisë, për arsyen se në të po ndërhyn politika. Aty përmendet diskutimi për rastin Kiqina në Kuvendin e Kosovës, marsin e vitit 2013. 

Një prej dështimeve në  sundimin e ligjit më 2013  ishte dënimi me pesë vjet burg për mitëmarrje i Nazmi Mustafit njeriut të cilin kryeministri më 2010 e kishte emëruar udhëheqës të Task Forcës Anti Korrupcion

Liberalizimi i vizave, sipas analistit Ardian Arifaj, mund të ndodhë vetëm “nëse BE-ja, siç bën shpesh, vendos që me një vendim politik të ndihmojë qeverinë aktuale para zgjedhjeve apo diçka ngjashëm”.

 

100 njohjet 

Kryeministri Thaçi e renditi te sukseset edhe një premtim të tij-njohjet ndërkombëtare. Kur u shpall pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008, Thaçi pati thënë se brenda tre muajsh pavarësinë do ta njohin 100 shtete. 

Në qershorin e 2013-ës, sipas ministrit të Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, Jemeni u bë shteti i 100-të që njohu Kosovën. 

Kosova arriti 100 njohjet pesë vjet më vonë sesa premtimi i Thaçit. 

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike e konsideron pozitive, rritjën e numrit të njohjeve.

 “Kosova është ndihmuar nga shtetet e BE-së, sidomos Britania e Madhe, Gjermania, por edhe nga Amerika. Ky është gradualisht një sukses për Kosovën, por nuk mund të them që ky sukses mund t’i atribuohet vetëm qeverisë së vendit”, thotë Korenica. 

Por, Thaçi vlerësoi si suksese të vendit në arenën ndërkombtare njohjen nga 104 shtete deri më tash si dhe anëtarësimin e saj në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombtar dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kreu i qeverisë  më 1 tetor të vitit 2012 ishte ftuar në interpelancë për diplomacinë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. 

“Edhe unë dua që t’i kemi 100 njohje, por nuk po mund t’i arrijmë. Është e vërtetë që na kishin premtuar por ato njohje janë ngadalësuar…” pati deklaruar  Thaçi para deputetëve.

Rritja ekonomike 

Sipas publikimit të kryeministrit Thaçi në facebook, Kosova gjatë këtyre gjashtë vjetëve sa ai ka qeverisur, i ka arritur vendet e rajonit sa i përket mirëqenies sociale. 

Ai shembull ka marrë rritjen e pagave të mësimdhënësve, një premtim të mbajtur, të dhënë në nëntorin e 2010-ës. 

Paga mesatare e mbi 28 mijë punonjësve të arsimit parauniversitar deri në janar të vitit 2011 ishte 240 euro në muaj. Qeveria e drejtuar nga Thaçi pati rritur pagat  për 50 për qind.

Megjithatë qeverisja e tij kritikohet për  mos përmirësim të mirëqenies sociale. 

“..ka rritje të numrit rë qytetarëve që kërkojnë ikjen në perëndim. Atëherë duket se mirëqenia nuk është përmirësuar aq sa do të dëshironin qytetarët e Kosovës”, thotë Arifaj. 

Këtë e dëshmojnë edhe shifrat nga Bashkimi Evropian në bazë të së cilave numri i azilkërkuesve nga Kosova për vititn 2012 është rritur në krahasim me 2011. 

Ndërkaq Korenica përmend si problem në ekonomi rënien e investimeve të huaja për shkak të ambientit korruptiv në Kosovë. 

Pikërisht, organizata e Korenicës, kur mbajti një konferencë për politikën gjermane ndaj Kosovës më 15 janar 2014, tregoi se investimet e Gjermanisë në Kosovë po shënonin rënie.

Investimet e huaja ndikojnë në rritjen ekonomike të nje vendi.

Por, sipas një hulumtimi të bërë po në janar, Gazeta Jeta në Kosovë ka vërejtur që prej vitit 2009, kryeministri Thaçi në shumicën e viteve ka ngritur shifrat e rritjes ekonomike.  

Shifrat e kryeministrit kanë qenë më të larta se shifrat e deklaruara nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, por edhe Ministria e Financave, që është institucion vartës i kryetarit të qeverisë. 

Megjithtatë gjatë vitit 2013 Kosova shënoi sukses në ekonomi  për sa i përket renditjes në matjet e Bankës Botërore për klimën e të bërit biznes.

Banka Botërore njoftoi nëpërmjet një kumtese për media më 29 tetor të vitit të kaluar se Kosova është në mesin e 10 vendeve më reformatore në rregullimin e mjedisit biznesor që përfshinë shkurtimin e kohës e uljën e kostos në dhënien e lejeve të ndërtimit, regjistrimin e pronës e funksionalizimin e shërbimit të noterisë.

Rrugët dhe Shkollat

Në deklarimin e kryeministrit Thaçi në facebook si suksese në ekonomi gjatë qeverisjes së tij ai ka përmendur “përmirësimin optimal të furnizimit me energji elektrike” dhe  “investimet në infrastrukturë rrugore”. 

Qeveria e Kosovës shumë shpejt pritet që të fillojë ndërtimin e autostradës që lidh Prishtinën me Shkupin. Para kësaj, është ndërtuar Rruga e Kombit drejt Shqipërisë, kontrata e të cilës asnjëherë nuk është bërë publike.  

Fatmir Limaj, që udhëhoqi MTPT parardhësen e MI-së, gjatë mandatit të tij pohonte në konferenca shtypi se kontrata me konzorciumin “Bechtel-Enka”nuk mund të nxirrej në publik për shkak të sekreteve afariste.

Kryeministri Thaçi pohonte në hapje të konventës së PDK-së në janar të vitit të kaluar se gjatë qeverisjës së tij ishin ndërtuar mbi “1 mijë kilometra infrastrukturë moderne rrugore”. 

Haki Abazi nga shoqëria civile beson  se Kosova është dashur që të investojë më shumë në stimulimin e prodhimit vendor, ashtu siç kanë vepruar shtetet e rajonit.

Sipas tij Maqedonia dhe Greqia kanë shfrytëzuar fondet e BE-së për ndërtim rrugësh, kurse fondet i veta i kanë përdorur për stimulim të prodhimit vendor.

“Me 1.2 miliard euro që kemi dhënë për autostradën në prioritet do të duhej të forcohej sektori privat prodhues në Kosovë që më pas rruga të jetë në shërbim të tregtisë dhe zhvillimit ekonomik të përgjithshëm”, tha Abazi në emisionin Jeta në Kosovë të transmetuar më 16 janar të këtij viti.

Por kur kryetari i qeverisë përmblodhi gjashtë vitet e tij në pushtet, në postimin e tij në facebook në janar të këtij viti,  vlerësoi se janë bërë shumë reforma edhe në sistemin e arsimit në Kosovë dhe se është investuar në ndërtimin e shkollave  që është një prej prioriteteve të tij krahas ndërtimit të infrastrukturës rrugore. 

Por, njohësi i çështjeve të arsimit Dukagjin Pupovci, deklaroi për Gazetën Jeta ne Kosovë se  përcaktues kryesor i cilësisë së arsimit nuk janë objektet e bukura shkollore, por puna që bëhet brenda tyre.

Një hulumtim i Gazetës Jeta në Kosovë, zbuloi se në shkollat e ndërtuara gjatë pesë vjetëve të fundit, kabinetet për mësim praktik janë jofunksionalë, pasi që në ta nuk ka mjete të punës.  

Ramë Buja, ministri i arsimit, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se përmasat planifikuese të ndërtimit të këtyre shkollave me të vërtetë janë evropiane. 

“Laboratorët nuk janë tërësia, ajo e dëshirueshmja, e pritshmja”, tha Buja në dhjetor të vitit të kaluar kur u pyet se pse shkollat nuk janë të standardeve evropiane.

Në vitin 2013, nuk ishte shënuar sukses i lartë në testin e maturës shtetërore, si tregues i gjendjes së arsimit në Kosovë.  

Mesatarja e diturisë, ose aftësimit të përgjithshëm të maturantëve arriti në  2.8 për qind, që i bie se maturantët vitin e kaluar u vlerësuan me notën “mirë(3). 

Mustafë Kadriu, zv.drejtori i Maturës Shtetërore në MASHT, pohoi në korrik të vitit të kaluar se rezultatet kanë mundur të jenë edhe më të mira, por se sipas tij shkollat profesionale e ulin përqindjen.

“…Filozofia e arsimit profesional është që kandidatët me aftësitë që i kanë marrë të jenë të aftë për tregun e punës e jo për vazhdimin e studimeve”, pati deklaruar Kadriu.