Larg për të Qenë Shkolla Evropiane

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Gjimnazit “Hamëz Jashari” në Skenderaj, pati thënë se Kosova është përcaktuar fuqishëm për ngritjen e kapaciteteve arsimore dhe edukative në vend.

“Ky është treguesi më i mirë që gjeneratat e sotme të jenë konkurrente me gjeneratën e tregut evropian dhe botëror”, pati thënë kryeministri Thaçi, më 5 korrikut të vitit 2013. 

“Për Kosovën Evropiane” ka qenë edhe një prej motove të Partisë Demokratike të Kosovës, në dy palë zgjedhjet e kaluara.

Nisur nga kjo, ministri i arsimit Ramë Buja dhe ish-ministri i arsimit Enver Hoxhaj në Qeverinë Thaçi I, nëpër përurimet që  kanë bërë në pesë vjetët e fundit, kanë përmendur se Kosova po përgatit shkolla me standarde evropiane.

Derisa nxënësit në shtetet evropaine, kanë dhoma mësimi me më pak nxënës që mësimet teorike i kthejnë shpejt në punë praktike brenda laboratorëve të shkollës, një hulumtim i Gazetës Jeta në Kosovë tregon se shkollat në Kosovë kanë mungesë të laboratorëve e pajisjeve për ushtrime praktike të nxënësve.

Po ashtu klasat e mësimit në Kosovë, mesatarisht kanë rreth 30 nxënës, ku në disa raste mungojnë gjërat elementare siç është ngrohja në ditët e ftohta të dimrit.


Kryeministri Hashim Thaçi, gjatë vënjes së gurthemelit “Hamëz Jashari” në Skenderaj | Foto: kryeministri-ks.net

Buja: “Laboratorët janë e dëshirueshmja” 

Ramë Buja, ministri i arsimit, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se përmasat planifikuese të ndërtimit të këtyre shkollave me të vërtetë janë evropiane.

“Por, a ka lajthitje në përplotësimin e asaj që është nevojë për kabinete, e them me plot gojën që po”, tha Buja kur u pyet se pse shkollat nuk kanë laboratorë ku nxënësit mund të bëjnë mësimet praktike. 

Ministri Buja, pranoi se janë larg asaj që dëshirojnë në lidhshmërinë  e punës teorike me atë praktike. 

“Laboratorët nuk janë tërësia, ajo e dëshirueshmja, e pritshmja”, tha Buja.

Kjo sipas tij ndodh për shkak se zhvillimi ekonomik në Kosovë është i vogël dhe kjo nuk i lejon Ministrisë së Arsimit të ngrejë aftësitë profesionale të nxënësve. 

Në pesë vjetët e fundit në Kosovë, Ministria e Arsimit ka ndërtuar 37 objekte shkollore, prej të cilave 28 shkolla fillore, tetë shkolla të mesme të larta dhe një qendër burimore-shkollë speciale e ndërtuar për fëmijë që kanë dëmtime intelektuale, në të parë dhe të dëgjuar. 

Ndërtimi i 37 objekteve në katër vjetët e fundit, buxhetit të shtetit i ka kushtuar rreth 46 milionë e 592 mijë euro. 

Edhe pse kanë marrë “epitetin” e shkollave evropiane, në 12 shkolla të vizituara nga Gazeta Jeta në Kosovë përpos numrit të vogël të kompjuterëve, janë evidentuar mungesa të mjeteve tjera konkrete për laboratorët e kimisë, biologjisë, fizikës, gjuhës, e lëndëve të tjera profesionale.  

Dukagjin Pupovci, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës që njëkohësisht është edhe profesor në UP, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se shkollat e Kosovës kanë  pak laboratorë për shkenca të natyrës dhe këtu nuk duhet pritur ndonjë përmirësim të shpejtë të gjendjes, për faktin se laboratorët e tillë janë të shtrenjtë për mundësitë buxhetore të vendit. 

“Në kohën kur teknologjia informative është zhvilluar shumë dhe është e kapshme edhe për mundësitë buxhetore që i kemi këtu, laboratorët mund të zëvendësohen, në masë të madhe me pajisje për demonstrim siç janë kompjuterët dhe projektorët, ku mund të shfrytëzohen video-klipe dhe animacione nga interneti”, i tha gazetës Pupovci.

Pupovci thotë se përcaktuesi kryesor i cilësisë nuk janë objektetet e bukura shkollore, por puna që bëhet brenda tyre. 

“Disa hulumtime kanë treguar se nxënësit kanë vështirësi me lexim-shkrim që në klasën e dytë dhe të tretë, ndërsa testi kombëtar që zhvillohet në fund të klasës së pestë tregon arritje të ulta në matematikë”, tha Pupovci. 

Mungesë hapësirash, pajisjesh dhe laboratorësh 

Hulumtimi i Gazetës Jeta në Kosovë ka treguar se ka mungesë të mjeteve konkrete të punës praktike varësisht prej laboratorëve që janë nëpër shkolla, siç janë mikroskopët, epruvetat, reagentët kimik, skelëtët, mungesë e mjeteve konkrete për laboratorët e gjuhës, historisë, informatikës e të tjerë.

Në laboratoret e gjuhës ka mungesë të mjeteve përcjellëse të zërit, fjalor e libra të tjerë që do t’i ndihmonin nxënësit të kenë më të lehtë mësimnxënien. 

Laboratorët e historisë, kanë  mungesë të fotove të cilat përshkruajnë ngjarjet në kohë të ndryshme, mungesë të hartave dhe vizatime të tjera.

Në shkollën fillore “Astrit Bytyqi” në Ferizaj, e ndërtuar gjatë 2009-ës nga Ministria e Arsimit për një shumë prej rreth 1 milion e 200 mijë eurosh, tashmë nuk ka ngrohje të mjaftueshme.  

Muret e shkollës janë mykur dhe pengojnë nënësit gjatë mësimit.

Kjo shkollë ka rreth 710 nxënës, por ka vetëm një kabinet të informatikës me dhjetë kompjuterë.

Drejtori Ejup Ajvazi tregon se janë ndarë tri klasa për laboratorë, por deri tash ato nuk kanë mjete konkrete edhe pse thotë se kanë bërë kërkesa në drejtorinë komunale të arsimit.

Agim Berisha, ish drejtori i arsimit në Ferizaj, ende nuk ka dhënë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë lidhur me këtë kërkesë.

Një shkollë tjetër fillore në Gjilan, e cila gjendet në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, në të cilën mësimi ka filluar në tetor të 2009-ës, e që pas më shumë se tre vjetësh punë ende nuk është emërtuar, ka vetëm një kabinet të informatikës me kompjuter të vjetruar. 

Kjo shkollë është ndërtuar nga fonde të Komisionit Evropian dhe ka kushtuar rreth 500 mijë euro. 

 “Nuk punojnë, sepse në to nuk ka mjete konkrete, kemi bërë kërkesë në drejtorinë e arsimit, por janë arsyetuar se nuk ka buxhet”, thotë drejtori i shkollës Fatmir Shabni kur pyetet se pse dy kabinetet për ushtrime praktike janë joaktive.

Ejup Uruqi, ish drejtori i arsimit në Gjilan, tha se janë të interesuar të furnizojnë shkollat me mjete konkrete për laboratorë, por se nuk kanë buxhet dhe se kanë kërkuar ndihmën e Ministrisë së Arsimit.


Kabineti i “përgjithshëm” në shkollën “Luigj Kurakuqi”, Nashec, Prizren

Shkolla fillore “Luigj Gurakuqi” në fshatin Nashec të Prizrenit, e cila është ndërtuar në vitin 2011 i kushtoi kësaj komune rreth 1 milion euro,ndërsa ka 303 nxënës.

Merita Mazreku, drejtoresha e shkollës, tregon se ata kanë një kabinet të informatikës me 13 kompjuterë dhe një dhomë tjetër që e kanë kombinuar me mjete të përgjithshme didaktike, për lëndët e biologjisë, kimisë dhe fizikës. 

Në Prizren gjendet edhe shkolla e mesme ekonomike “Ymer Prizreni”, e ndërtuar gjatë vitit 2009 nga Ministria e Arsimit, e cila tashti ka 1900 nxënës. Ndërtimi i saj ka kushtuar rreth 2 milionë euro.

Drejtori i shkollës Vahit Halimi, thotë se kanë mungesë të kabineteve, por më shqetësuese për të është mungesa e hapësirës.

Edhe pse mësojnë në një objekt me 6200 metra katrorë, Halimi  thotë se kanë pranuar më shumë nxënës, që këta të mos mbesin rrugëve. 

“Në shkollën tonë ekzistojnë katër kabinete dy të informatikës, një kabinet i firmës ushtrimore dhe një tjetër i administratës publike”, tha Halimi. “Të gjitha kabinetet i kanë edhe projektorët”. 

Në kabinetin e firmës ushtrimore nxësit mësojnë se si të regjistrohet një firmë ndërsa në kabinetin e administratës publike nxënësit mund të zhvillojnë zhvillojnë praktikën për administratë publike. 


Kabineti i firmës ushtrimore në shkollën ekonomike “Ymer Prizreni”, Prizren

“Emin Duraku” është një shkollë tjetër fillore e ndërtuar gjatë vitit 2010 në Prizren nga Ministria e Arsimit dhe ka kushtuar rreth 1 milion e 113 mijë euro.

Drejtori i shkollës, Rrahim Bekteshi, ka thënë se shkolla e tyre i ka tri kabinete. 

“Ka mjete, por jo sa duhet, ne kemi bërë kërkesa në Ministri, por ata thonë se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm”, tha Bekteshi. 

Nexhat Çoqaj, drejtori i Arsimit në Prizren, ka thënë se kabinete të informatikës kanë 12 shkollat e reja që janë ndërtuar në këtë qytet, por jo edhe mjete tjera konkrete për laboratorë. 

“Shkollat munden me ba kërkesa, por nuk  kemi buxhet me i furnizu me mjete konkrete laboratorike”. 

Shkolla fillore “Dardania” që gjendet në qendër të Pejës, nuk ka asnjë kabinet. Ajo është ndërtuar nga Komuna e Pejës në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe ka kushtuar rreth 900 mijë euro. 

Drita Myrtaj, drejtoresha e shkollës, deklaroi se 1 mijë e 40 nxënës mësojnë në mënyrë teorike.

Drejtori në largim i Arsimit, Smajl Shala, tregoi se në Pejë janë ndërtuar pesë shkolla të reja, e që sipas tij 90 për qind e tyre nuk kanë mjete konkrete për mësim praktik. 

“Shkollat kanë bërë kërkesa për mjete konkrete, disa janë të pajisura pak më mirë, e disa kanë më pak”, i tha Shala Gazetës. 


Kabineti i vetëm funksional në shkollën fillore “Emin Duraku”, Prizren

Në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, funksionon vetëm kabineti i informatikës. 

Ndërtimi i shkollës ka kushtuar rreth 1 milion e 200 mijë euro dhe është ndërtuar bashkërisht nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Arsimit.

Në këtë shkollë të ndërtuar në vitin 2010, mësimet ndjekin 1430 nxënës, të cilët kanë në funksion vetëm një kabinet të informatikës, edhe pse ekzistojnë edhe katër klasë të ndara për laboratorë, të cilat nuk kanë mjete. 

“Kemi bërë kërkesa në Ministri të Arsimit, por deri tash nuk kemi asgjë konkrete”, tha drejtori i shkollës Azem Jaha.


Kabineti i vetëm i informatikës në shkollën e mesme “Xhevdet Doda”, Prishtinë

Edhe “Shkolla e gjelbër” e Prishtinës që është ndërtuar gjatë vitit 2011, e tash ka më shumë se 600 nxënës filloristë, ka mungesë të mjeteve konkrete laboratorike. Ndërtimi i shkollës ka kushtuar rreth 2 milionë euro dhe është financuar nga Komuna e Prishtinës dhe agjencia qeveritare amerikane USAID.

Fahrije Latifi-Ratkoceri, drejtoresha e kësaj shkolle, ka thënë se shkolla e ka kabinetin e fizikës dhe kimisë. 

“Kabinetet janë funksionale, sa i përket kimisë ka pajisje të konsiderueshme, për fizikë pothuajse pak”, tha Latifi-Ratkoceri. 

Ajo thotë se kanë edhe kabinetin e informatikës me 30 llaptopë.

Drejtoresha e “Shkollës së Gjelbër”, tregon se kanë bërë kërkesa në Ministri të Arsimit për t’u pajisur me të gjitha mjetet për laboratorë, por akoma nuk kanë marrë përgjigje. 

Shkolla e Gjelbër është pilot projekt, i relaizuar nga Komuna e Prishtinës dhe USAID, këtë shkollë e bën unike përzgjedhja e materialeve të gjelbëra, e cila ka për qëllim krijimin e ambientiti më të shëndetshëm.

“Në projektin e Shkollës së Gjelbër principet kryesore të cilat përdoren janë orientimi,përdorimi i materialeve të gjelbëra apo te recikluara si dhe teknologjia e re për ta reduktuar konsumin e energjisë e cila ndihmohet edhe me teknikat efikase të izolimit”, thuhet në faqën zyrtare të kësaj shkolle. 


Kabineti i fizikës në Shkollën e Gjelbër,  në të cilin nuk ka mjaftueshëm mjete konkrete të punës

Një shkollë tjetër ajo fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, e cila është hapur në shtatorin e vitit 2013, tash ka 1050 nxënës. 

 “Kemi kabinetin e biologjisë, kimisë, historisë, gjeografisë-ata janë të pajisur me të gjithë inventarin, por po presim shpejt me u furnizu me mjete konkrete për laboratorë”,  tha Valbona Hadri drejtoreshë e kësaj shkolle. 

Halim Halimi, ish-drejtori i arsimit në Komunën e Prishtinës, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se me buxhetin që kanë ata mezi mbulojnë shpenzimet tjera për ngrohje, si dhe për shumë vende të punës që janë të nevojshme nëpër shkolla. 

“Në Prishtinë, gjendja është pak më mirë, disa shkolla kanë laboratorë, edhe pse me jo shumë mjete, por shpresojmë se furnizimi me mjete konkrete do të ndodhë gjatë muajit janar”, tha Halimi. 

Ai thotë se kanë bërë kërkesa edhe në Ministri, por që deri tash nuk kanë marrë përgjigje. 


Njëri prej kabineteve jofunksional në shkollën e mesme “Zenel Hajdini”, Gjilan

Ndërkohë në tetorin e vitit të kaluar ka filluar punën edhe gjimnazi “Zenel Hajdini” në Gjilan, duke u përuruar nga ministri i arsimit Ramë Buja. 

Kjo shkollë është ndërtuar nga Ministria e Arsimit dhe ka kushtuar rreth 1 milion e 700 mijë euro. 

Faik Sahiti,zëvendësdrejtori i këtij gjimnazi, tha se në shkollën e re janë të ndara 20 klasa për laboratorë, por që nuk janë të pajisura me mjete konkrete të punës.

“Në këtë shkollë është paraparë te jenë edhe kabineti i muzikës, kabineti i gjuhëve, kabineti i psikologjisë si dhe dhoma e mjekut… duke përfshi edhe kabinetet tjera të fizikes, kimisë biologjisë”, tha Sahiti, për Gazetën Jeta në Kosovë.  

“Kemi bërë kërkesa në ministri dhe na kanë premtuar që prej janarit do të fillojë pajisja me mjete konkrete”, tha Sahiti. 

Arbër Morina zëdhënësi i Ministrisë  së Arsimit, tha se nga buxheti për investime kapitale janë duke bërë ndërtimin e shkollave te reja, si dhe pajisjen me inventarin e nevojshëm shkollor.

“Konkretizimi me mjetet konkrete laboratorike u mbetet komunave”, tha zëdhënësi Morina. 

Megjithatë, ministri Buja deklaroi se do të shqyrtojë mundësitë buxhetore për realizimin e kërkesave për pajisje me mjete laboratorike. Thotë se në zyrën e tij ka katër kërkesa të deritashme . Nuk përmend për cilat shkolla bëhet fjalë por tregon se do t’i shqyrtojë në këtë fillimvit.

Shkolla e përuruar në kohën e fushatës zgjedhore

Një shkollë u përurua në kohë fushate në komunën e Ferizajt që udhëhiqej nga PDK-ja në pushtet.  

Ministri Buja nuk e mohon këtë.

“Ne kemi pas edhe dy shkolla të gatshme para fushatës, por nuk i kemi inauguruar ato, që mos të duket fushatë zgjedhore”, tha Buja për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Por, Agim Aliu, ish-kryetari i Ferizajt nga radhët e PDK-së së bashku me zëvendësministrin e Arsimit Nehat Mustafën më 28 tetor të vitit të kaluar, në kohën kur zhvillohej fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale, përuruan Qendrën e Kompetencës në Ferizaj.

Qendra e Kompetencës në Ferizaj ka tetë profile të cilat do të përgatisin nxënësit për tregun e punës. Kostoja e ndërtimit të shkollës është rreth 4.5 milionë euro dhe është ndërtuar me fonde të Qeverisë së Luksemburgut dhe Qeverisë së Kosovës.

Nxënësit në këtë shkollë mund të regjistrohen në drejtimin ortoprotetikë, ortopedi, farmaci, teknikë dentare, audiometri, siguri e ushqimit dhe dieta, kujdes social dhe shëndetësor dhe për teknikë optikë. 

Ani pse në të gjitha këto drejtime nxënësve u duhet puna praktike, ata tash këtë e aplikojnë në institucione tjera private e publike jashtë shkollës, sepse laboratorët nuk janë ende funksionalë sipas zëvendësdrejtorit të shkollës Lirion Grainca. 

Njohësi i çështjeve të arsimit, Jonuz Salihaj, njëherit kryetari i Departamentit për Arsim në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit në shtatë vjetët e qeverisjes së tyre si objektiv kanë pasur ndërtimin e shkollave të reja në funksion të fushatës elektorale.

“Zhvillimi i procesit mësimor në fillim të mileniumit të tretë pa mjete të konkretizimit dhe me metodologji tradicionale mësimore, konsiderohet absurd për periudhën të cilën po e jetojmë”, tha Salihaj. 

Zhvillimi i mësimit në kabinete dhe laboratorë të pajisur me mjete shkollore dhe mësimdhënës të përkushtuar për shfrytëzimin e tyre, sipas Salihajt,  do ta bënte mësimdhënien shumë më atraktive  dhe më të kapshme për  nxënësit.


Agim Aliu, ish-kryetari i Ferizaj, përuron në kohën e fushatës Qendrën e Kompetencës në Ferizaj

Shkolla me laboratorë, fermë, serra e tokë bujqësore

Një shkollë tjetër që ishte përuruar në fillimin e shtatorit të vitit të kaluar, nga ministri i Arsimit Ramë Buja dhe ish-kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa është shkolla e mesme e agrobiznesit “Arbëria”. 

Është njëra ndër shkollat e vetme profesionale e cila ka krijuar kushte më të mira për punën praktike të nxënësve në këtë shkollë. 

Nehat Salihu drejtori i shkollës “Arbëria”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, se 90 për qind e punës zhvillohet në praktikë. 

 “Në shkollë e kemi laboratorin e teknologjisë ushqimore dhe agrokimisë”, tha Salihu. 

Ai ka përmendur se në pronësi të shkollës janë edhe 14 hektarë tokë, ku nxënësit zhvillojnë punën praktike në ambientet e jashtme të shkollës. 

Në kuadër të kësaj shkolle është edhe ferma e gjedheve me pikën përpunuese të qumështit, mishit dhe pemëve, dy serra me gjashtë arë sipërfaqe, dy hektarë pemë, gjysmë hektari rrush, më të gjithë mekanizimin përcjellës. 

Shkolla kushtoi rreth 1 milion e 300 mijë euro dhe është ndërtuar nga shteti i Danimarkës, përkatësisht Agjencia Daneze për Zhvillim Ndërkombëtar, DANIDA në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe komunën e Gjilanit.  

Aty mësojnë 556 nxënës në nëntë profile të ndara në teknologji ushqimore, fitofarmaci, agrobiznes, teknologji të prodhimit të drithërave, teknologji të prodhimit të frutave, hortikulturë, blegtori dhe veterinari. 

“Në shkollë janë edhe 22 kompjuterë, në të  cilët nxënësit do të mësojnë si regjistrohet një firmë dhe të gjitha procedurat tjera”, tha drejtori Salihu.  

Të gjitha punët praktike bëhen nga nxënësit në këtë shkollë, e cila gjendet 2 kilometra nga qendra e qytetit. Nxënësit barten me autobusë për atje.


Njëra prej serrave në shkollën e mesme të agrobiznesit “Arbëria”, Gjilan