Rritjet e Kontestuara Ekonomike të Kryeministrit Thaçi

Kryeministri Hashim Thaçi që hyri në vitin e shtatë të pushtetit, shpeshherë përgjatë viteve ka dhënë deklarata të kontestuara për rritje ekonomike.

Deklarimet e tij jo rrallë kanë rënë ndesh me të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, por nuk janë përputhur as me të dhënat e raportuara nga  Ministria e Financave e qeverisë së drejtuar nga vetë Thaçi dhe të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Kur Thaçi mbajti një ligjëratë më 12 qershor të vitit 2013 në universitetin John Hopkins, që është një ndër universitetet më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmendi shpesh fjalën ekonomi dhe  lavdëroi punën qe Kosova ka bërë për fuqizim ekonomik.  

Por, kur tregoi rritjen ekonomike për vitet 2010, 2011 dhe 2012,  kryeministri dha shifra që nuk përputhen me raportet e institucioneve të tjera.  

Ai ka dhënë shifra më të larta të përqindjes së rritjes ekonomike për secilin vit, krahasuar me institucionet e tjera që masin rritjen ekonomike që përfshin-dinamikën e Produktit të Brendshëm Bruto, nivelin e inflacionit, nivelin e papunësisë, mirëqenien, ecurinë e bilancit tregtar si dhe treguesit financiarë. 

Vetëm më 2009 deklarimi i kryeministrit ishte i ngjashëm me raportimin e Ministrisë së Financave dhe më 2010 deklarimi i tij ishte i ngjashëm me të dhënat e raportuara nga Banka Botërore.

Ndërkohë deklarimet e Thaçit për rritje ekonomike për vitet 2011, 2012 dhe 2013 nuk ishin të ngjashme me të dhënat e asnjë institucioni financiar ndërkombëtar e vendor.


Kryeministri Hashim Thaçi, gjatë ligjeratës në Kolegjin AAB | Foto: kryeministri-ks.net

Viti 2009

Kryeministri Thaçi para studentëve dhe stafit akademik të kolegjit AAB, më 7 korrik të vitit 2010 kishte thënë se Kosova në vitin 2009 shënoi rritje prej 4,4 për qind.

Por ish-guvernatori i Bankës Qendrore te Kosovës, Hashim Rexhepi,  në konferencën të quajtur “A Ka Para të Mjaftueshme në Kosovë?” të mbajtur vetëm një muaj më herët, më 9 qershor të 2010-ës, kishte thënë se rritja ekonomike ishte vetëm 4 për qind për vitin 2009.

Por, shifrat e dhëna nga zyrtarët kosovarë nuk përputhen me ato të Bankës Botërore. 

Bazuar në raportin e Banka Botërore për Evropën Juglindore, të titulluar “Rimëkëmbja e ngadaltë”, publikuar në dhjetor të vitit 2013, Kosova në vitin 2009 ka pasur rritje prej 2.9 për qind.

Sipas Raportit Vjetor për vitin 2012 të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës në qershor të vitit 2013, rritja për vitin 2009 ka qenë 3.5 për qind

Ndërkohë ish-ministri Ahmet Shala në konferencën e fundvitit në dhjetor të vitit 2009 raportonte se vendi shënoi një rritje ekonomike prej 4.4 për qind,  një shifër e njëjtë me atë të deklaruar nga kryeministri Thaçi. 

Viti 2010  

Në ligjëratën para studentëve të universitetit John Hopkins në SHBA, Kryeministri Thaçi kishte thënë  se Kosova kishte shënuar rritje ekonomike prej 3.9 për qind gjatë vitit 2010.

Mirëpo, të pyetur për rritjen e atij viti nga Gazeta Jeta në Kosovë, Ministria e Financave është përgjigjur se rritja ka qenë 3.2 për qind.  

Deri sa në raportin e  FMN-së  publikuar më 28 qershor të viti 2013, raportin vjetor të BQK-së dhe nga përgjigjet e  Ministrisë së Financave vlerësohet se rritja ka qenë 3.2 për qind në vitin 2010, Banka Botërore përmes një raporti të publikuar më 18 dhjetor të vitit 2012 për vendet e Evropës Juglindore, vlerëson se në vitin 2010  rritja ka qenë 3.9 për qind.

Shifra e dhënë nga Banka Botërore është e njëjtë me atë të Thaçit.

Por, shifra e përmendur nga Thaçi përkundër që ishte më e lartë se sa e institucioneve tjera përveç Bankës Botërore, ishte me e vogël krahasuar me zotimet që Thaçi kishte dhënë për rritje ekonomike të Kosovës.

Në maj të vitit 2010, në një konferencë të përbashkët në Prishtinë pas arritjes së marrëveshjes për financim me vlerë prej 110 milionë eurosh nga ana e FMN-së, kryeministri Thaçi kishte thënë se rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2009 është 4.4 për qind, dhe pritet që të arrijë deri në 6 për qind për vitin 2010.

“Sukseset e Qeverisë së Republikës së Kosovës deri më tani janë të qarta në këtë drejtim, në kohën kur kriza ekonomike botërore ka ndalur rritjen e shteteve më të zhvilluara, Republika e Kosovës ishte e vetmja në rajon me rritje pozitive ekonomike prej 4.4 për qind,” kishte thënë në atë kohë kryeministri Thaçi.

“Së bashku, me FMN-në është bërë planifikimi i duhur ekonomik, që i garanton Republikës së Kosovës rritje ekonomike rreth 6 për qind në vit”,  ishin pritjet e kryeministrit Thaçi në atë kohë, të cilat nuk u realizuan sipas FMN-së, BQK-së, dhe Ministrisë së Financave.


Ndërtesa e Fondit Monetar Nderkombëtar | Foto: imf.org

Viti 2011 –  Shpërputhje në të dhëna

Fondi Monetar Ndërkombëtar, ku Kosova u anëtarësua më 25 qershor të vitit 2009, po në raportin e 28 qershorit të vitit 2013, vlerësonte rritje më të madhe se sa Ministria e Financave.  

FMN për vitin 2011 kishte vlerësuar rritje prej 5.2 për qind, kurse Ministria është përgjigjur se rritja për këtë vit ka qenë 4.8 për qind. 

Kryeministri Thaçi edhe në këtë rast ka dhënë shifër më të lartë se institucionet e tjera, por në krahasim me vitet e kaluara, shpërputhja është e vogël.  Thaçi kishte thënë se Kosova ka pasur rritje prej 5.3 për qind.  

BQK-ja për vitin 2011 rritjen ekonomike e vlerësoi në shifrat 4, 5 për qind, sipas Raportit Vjetor të saj.

Në vitin 2011, sipas të gjitha raporteve nga këto institucione, ka qenë rritja më e madhe e Kosovës që nga viti 2009 e deri më 2013.

Rritjen më të madhe ekonomike që prej vitit 2009 e vlerëson edhe Banka Botërore, e cila për vitin 2011 vlerëson se ka pasur rritje prej 5.0 për qind.

Viti 2012 –  Dallime të mëdha mes Thaçit dhe FMN-së e Bankës Botërore

Në kohën kur ishte miratuar Projektbuxheti për vitin 2012, kreu i qeverisë Hashim Thaçi, kishte deklaruar se ky buxhet do të jetë garanci për rritje ekonomike. Sipas projeksioneve të qeverisë, rritja ekonomike për vitin 2012 planifikohej të ishte rreth 5 për qind.   

Kryeministri Thaçi në ligjëratën në universitetin John Hopkins kishte thënë se rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2012 ka qenë 4.4 për qind.

Por, bazuar në përgjigjet  e të Ministrisë së Financave, kjo rritje ka qenë 2.5 për qind, duke demantuar kështu deklarimet për rritje ekonomike të  kryeministrit Thaçi.

Në anën tjetër, sipas Raportit Vjetor 2012 të BQK-së rritja ekonomik në këtë vit ka qenë 2.9 për qind, kurse FMN-ja raportoi rritjen më të ulët për atë vit, me 2.3 për qind. 

Shifrat e Bankës Botërore për 2012-ën ndaleshin te  2.7 për qind rritje, sipas raportit për vendet e Evropës Juglindore të publikuar në dhjetor të atij viti. 

Viti 2013 –  FMN-ja vlerëson rritjen ekonomike përgjysmë më pak se sa kryeministri Thaçi

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 30 dhjetor 2013, kryeministri Thaçi deklaroi se rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2013 është mbi 5 për qind, shifër e cila është ndryshe nga Ministria e Financave, e cila për vitin që e lamë pas ka vërejtur që rritja ka qenë dukshëm më e ulët.  

Sipas Zyrës për Komunikim Publik të kësaj ministrie, rritja ekonomike për vitin 2013 ka qenë 3.2 për qind. 

Gazeta ka pyetur ministrinë se cilat nga të dhënat janë të sakta-ajo e kryeministrit apo e ministrisë,  por nuk ka marrë përgjigje për këtë çështje.

Po ashtu, gazeta pyetje i ka dërguar edhe Zyrës së Kryeministrit, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Njejtë kanë vepruar edhe Zyrat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Prishtinë, por edhe Banka Qendrore e Kosovës.

Në anën tjetër, një delegacion i Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë qëndrimit në Kosovë në nëntor të vitit 2013 kishte lavdëruar punën e qeverisë për forcimin e menaxhimit makrofinanciar.

Por sipas raportit vjetor të FMN-së, rritja ekonomike nuk del të jetë ashtu siç e ka thënë kryeministri Thaçi.

Sipas FMN-së, rritja ekonomike për vitin 2013 ka qenë 2,6 për qind, e që është vetëm gjysma e asaj çfarë ka deklaruar kryeministri Thaçi.

Ndërkaq Banka Botërore në raportin e saj për Evropën Juglindore, të titulluar “Rimëkëmbja e ngadaltë”, publikuar në dhjetor të vitit të kaluar, shënoi se Kosova ka pasur rritje prej 3 për qind ne vitin 2013. 

Kurse per vitin 2014 Banka Botërore parasheh rritje në shifrat 4.0.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për 2014-ën ka paraparë një rritje prej 4 për qind. Kështu kishte thënë Johannes Ëiegand më 18 nëntor në Prishtinë, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave Besim Beqaj.

Ndërsa Ministri i Financave Besim Beqaj deklaroi në konferencën për media më 30 dhjetor të vitit të kaluar se kjo rritje do të jetë 4.1 për qind. 

Në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitet 2014-2016, të hartuar nga Ministria e Financave, thuhet se rritja mesatare për periudhën 2014-2016 do të jetë 4.6 për qind.  


Ndërtesa e Bankës Botërore | Foto: worldbank.org

Në këtë kornizë, thuhet se rritja për vitin 2014 do të jetë 4.2 për qind, duke u rritur në vitin 2015 në 4.5 për qind dhe në vitin 2016 deri në 5.1 për qind.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve ekonomike, Alban Zogaj, beson se shpërputhjet në të dhëna ndodhin për arsye se institucionet vendore përfshirë edhe kryeministrinë shpeshherë paraqesin shifra më të larta se ato realet.

“Ka vazhdimisht shpërputhje ne deklarime, për arsye se institucionet vendore janë të prirura të paraqesin norma më të larta te rritjes ekonomike, kurse institucionet ndërkombëtare kanë paraqitjet reale të këtyre normave. Kjo situatë, pastaj, rezulton qe opinioni te mos besoje institucionet vendore kur ato paraqesin normat e rritjes, por edhe statistikat tjera në përgjithësi,” ka thënë Zogaj.

Në këtë kontekst, Zogaj mendon se Kryeministri Thaçi nuk e ka qëlluar rritjen ekonomike të Kosovës për vitin 2013.  

Zogaj thekson se rritja aktuale ekonomike nuk është aspak e mjaftueshme krahasuar me nevojën për rritje ekonomike në Kosovë. Ai mendon se kjo rritje duhet të jetë 8 deri në 10 për qind.

“Kjo rritje ekonomike nuk është aspak e mjaftueshme për zbutjen e shperputhjeve aktuale ekonomike. Për te përmirësuar mirëqenien sociale ne Kosove, për te ulur nivelin e lartë të papunësisë, duhet te kemi rritje ekonomike 8% deri ne 10%. Për fat te keq, aktualisht, me ketë nivel te investimeve private dhe me ketë nivel te eksportit, jemi larg këtyre normave te dëshiruara,” ka thënë ai.