Ish-Ndjekësi i Korrupsionit Dënohet me Pesë Vjet Burg

Një panel i Gjykatës Themelore të Pejës dënoi të enjten me 5 vjet burg ish-kreun e Task-Forcës Antikorrupsion dhe prokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Nazmi Mustafin.

Mustafi përveç kalimit të kësaj kohe prapa grilave, do të paguajë edhe një gjobë prej 10 mijë eurosh.

Atij gjykata gjithashtu ia ka ndaluar për tre vjet ushtrimin e çfarëdo veprimtarie ose detyre zyrtare.

Mustafi u akuzua nga gjykata në dy pika për shpërdorim detyre, ndërsa në pikën e tretë për armëmbajtje pa leje.

Bashkëpunëtorët e tij, vëllezërit Reshad e Xhelal Zherka nga paneli i njëjtë të enjten u dënuan me nga katër vjet burg secili.

Edhe vëllezërit Zherka do të paguajnë nga 10 mijë euro gjobë, përveç dënimit me burg.

Reshad e Xhelal Zherka akuzoheshin nga prokurori Cezary Michalczuk për ushtrim ndikimi dhe shtytje të shpërdorimit të detyrës zyrtare.

Mirela Ndoci, e akuzuar për ndihmë pas kryerjes së veprës penale, u dënua me 6 muaj burg dhe 10 mijë euro gjobë.

Ndoci është e lirë të udhëtojë në Kosovë, Shqipëri dhe Zvicër.

Avokatët e të dënuarve kanë paralajmëruar shfrytëzimin e së drejtës për ankesë.

Nazmi Mustafi do të mbahet në paraburgim, derisa vendimi i gjykatës të bëhet i plotfuqishëm. Aktualisht ish-prokurori është duke e pritur ardhjen e transporterit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, me të cilin do të transferohet në Burgun e Dubravës.

Ai ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Nazmi Mustafi sipas akuzës nëpërmjet vëllezërve Zherka i kishte kërkuar Pashk Mirashit, një likuidatori të Bankës Kreditore të Prishtinës, dega në Gjakovë, 50 mijë euro për të pushuar ndaj tij ndjekjen penale dhe arrestin shtëpiak.

Mustafi, bashkë me vilezërit Zherka, gjithnjë sipas aktakuzës, kishin mbërritur që t’ia zhvasin Mirashit 30 mijë e 250 euro.
 
Para të tilla Mustafi kishte kërkuar edhe nga punonjës tjerë të sistemit bankar të Kosovës, të dyshuar për keqpërdorim detyrash. Këtë e kishte bërë edhe nëpërmjet Mirela Ndocit gjatë vitit 2011.

Mustafi gjatë gjykimit kishte mohuar se ka marrë para nga Pashk Mirashi, edhe pse kishte pohuar se paratë i duheshin.

Gazeta Jeta në Kosovë më parë raportoi detajet e aktakuzës.

Dënimin e Mustafit dhe të tjerëve, të enjten e konfirmoi edhe EULEX-i, nëpërmjet një komunikate.