IPKO - Mbi 50 Mijë $ Bursë Të Parregullt Për Djalin e Limajt

 Durim Limaj në vitin 2009 ka përfituar nga reputacioni, respekti dhe dhembshuria që njerëz të profilit të lartë të biznesit treguan për babain e tij, Fatmir Limajn, derisa drejtonte Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit. 

I biri i Limajt, Durimi, në 2009-ën ka përfituar në mënyrë të parregullt një shumë prej 51 mijë e 243 dollarësh, nga Fondacioni Ipko, ku Akan Ismaili shërbente si anëtar bordi. 

Fondacioni është entitet i ndarë ligjor nga kompania e telefonisë mobile Ipko, ku Ismaili ishte drejtor ekzekutiv. 

Milioneri dhe ambasadori Akan Ismaili, që tash përfaqëson Kosovën në superfuqinë botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa drejtonte kompaninë e dytë telefonike në vend Ipko dhe përpara se të merrte këtë post, njihte njerëzit më me ndikim të Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet, Hashim Thaçin dhe Fatmir Limajn.

Thaçi, të cilin Ismaili e njihte personalisht, i ofroi postin e ambasadorit në ShBA, ndërsa Limaj ishte përfitues nga Ismaili, përmes bursës që djali i tij mori nga ky fondacion. 

Detaje rreth procedurave të parregullta gjatë dhënies së bursës për Durim Limajn, janë paraqitur për herë të parë në aktakuzën e rastin të njohur gjyqësor si MTPT I,  ku Fatmir Limaj akuzohet se derisa ishte ministër i Telekomunikacionit, udhëhoqi një grup kriminal në Ministrinë e Transporteve që u merrte ryshfet kompanive private, në këmbim të dhënies së tenderëve. 

Aktakuza e prokurorit special Johannes Pickert kundër Grupit Limaj, e ngritur më 5 dhjetor 2012, gjykimi i së cilës ka filluar këtë prill, e bën ish-ministrin, përgjegjës edhe për takime personale me operatorë ekonomikë, derisa tenderët ishin në vazhdim dhe për marrje ryshfeti. 

Ismaili ishte një ndër dëshmitarët e shumtë që kishte dëshmuar gjatë hetimeve të zhvilluara ndaj Limajt nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Dokumentet gjyqësore nga ky rast gjyqësor, të cilat i posedon Gazeta Jeta në Kosovë, ofrojnë detaje të dëshmisë së Akan Ismailit dhënë para prokurorisë, ku përmenden arsyetimet që ambasadori i ofroi organit të ndjekjes, kur u pyet për shkeljen e procedurave në dhënien e bursës për Durim Limajn. 

Ismaili, që në aktakuzën e rastit përmendet për dhënien në mënyrë të kundërligjshme të bursës në vlerë prej 51 mijë e 243 dollarësh për Durim Limajn, pasi ishte paralajmëruar se duhej të thoshte të vërtetën, kishte dëshmuar më 11 nëntor 2011 për më shumë se një orë pranë Prokurorisë Speciale të Misionit Europian për Sundim të Ligjit-Eulex, në cilësinë e dëshmitarit.

Gazeta Jeta në Kosovë pyeti ambasadorin Ismaili për deklarimet e tij në prokurori, por ai nuk dha një përgjigje lidhur me to. ndërsa Durim Limaj dha vetëm disa përgjigje në pyetjet e gazetës.

Akan Ismaili | Foto: MPJ

Ismaili: Limaj kishte reputacion të madh dhe respekt të lartë

Përveç Thaçit nga Partia Demokratike, Akan Ismajli njihte edhe Fatmir Limaj dhe vëllanë e tij Demir Limajn, ndonëse nuk ishin të afërt sipas dëshmisë.

“Normalisht që jam takuar me të”, është përgjigja që Ismaili kishte dhënë, kur ishte pyetur nëse kishte takuar Limajn në 2009-ën, vitin kur i ishte dhënë bursa Durimit. 

Sipas deklaratës, Ismaili ka takuar Limajn më shumë në ngjarje shoqërore, derisa drejtonte kompaninë Ipko, por asnjëherë nuk ishte takuar vetëm me të.

Djali i ish-nënkryetarit të PDK-së, përfitoi bursë nga fondacioni Ipko, për të studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Aktakuza e ngritur nga Eulex-i konkludon se bursa është dhënë në mënyrë të kundërligjshme. 

Këtë e ka pranuar edhe Akan Ismaili gjatë dëshmisë dhënë prokurorisë.

Ai gjatë deklaratës kishte thënë se bursa është dhënë në kundërshtim me rregullat e fondacionit.

“Bashkëthemeluesi i Fondacionit Ipko Akan Ismajli ka specifikuar para prokurorisë se Durim Limaj ka marrë grantin në kundërshtim me procedurën normale të fshehtë”, shkruan aktakuza.

Gazeta ka pyetur Fondacionin Ipko lidhur me kriteret e aplikimit dhe përzgjedhjes së bursistëve, por nuk ka marrë përgjigje.

Kriteret e dhënies së bursës janë të publikuara në faqen zyrtare të këtij fondacioni dhe aty thuhet se procedura e përzgjedhjes është e fshehtë.

“Procesi i përzgjedhjes është anonim”. Sipas kritereve të publikuara, Fondacioni Ipko përdor sistemin online përmes të cilit largohen të gjitha informatat identifikuese të secilit aplikues. Aty nuk shënon se nga cili vit aplikohet sistemi i fshehtë.

Në rastin e Durim Limajt, ky kriter nuk ishte zbatuar. 

“Unë kam aplikuar edhe online edhe e kam dërguar aplikacionin në kopje fizike”, tha Durim Limaj. 

“Kjo [kërkesa e Durim Limajt} ishte një nga dy rastet që ishin paraqitur në bordin e Ipko-s”, deklaronte Ismaili para prokurorisë. “Na është dorëzuar në dorë… nga dikush nga administrata”, 

Limaj në këtë kohë drejtonte Ministrinë e Telekomunikacionit, ndërsa Ismaili udhëheqte kompaninë telefonike Ipko. 

Akan Ismajli dhe Ministria e Punëve të Jashtme nuk janë përgjigjur në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë lidhur me dëshminë e tij në prokurori.

Por, Ismajli shpjegoi para prokurorisë, se pse djali i Fatmir Limajt kishte përfituar bursë studimi.

Arsyeja ishte reputacioni i Limajt dhe simpatia e dhembushuria që Ismaili ndjente për vuajtjet që Fatmir Limaj kishte kaluar në Hagë dhe luftë.

“…edhe unë personalisht kam pasur shumë simpati për Fatmir Limajn. Mendoj që e ka pasur shumë të vështirë në Hagë dhe në luftë dhe… ishte edhe një sinjal i mirë që djali i tij ishte një student i shkëlqyer dhe se ai kishte kaluar edhe Toefl-in [provimin për njohurinë e gjuhës angleze].”

Prokuroria, gjatë marrjes në pyetje i kishte thënë Ismailit se “problemi është se i keni dhënë bursë djalit të njeriut që drejtonte ministrinë që merrej me telekomunikacion”. 

Por, sipas deklarimeve të Ismailit, kompanitë e telekomunikimeve punojnë me Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit, ART, që është mbikqërës i tyre, ndërsa Ministria e Transportit e Postë-Telekomunikacionit ka përgjegjësinë e hartimit të polikave për telekomunikime.

Ismaili thoshte se ekziston një arsye tjetër se pse djali i Limajt përfitoi bursë. 

“…jemi duke folur për vitin 2009, kur ai [Fatmir Limaj] kishte reputacion të madh, e edhe respekt të lartë, kjo ishte ndjenja e përgjithshme në Kosovë dhe ta refuzosh atë – çdokush që do të vinte me atë aplikacion, çfarë mund të bënim ne…”, deklaronte Ismaili. 

“Këtu, desha të dilja”, deklaroi zyrtari i prokurorisë gjatë marrjes në pyetje. 

Fatmir Limaj | Foto: Facebook

Durim Limaj nuk figuron në listën e bursistëve të fondacionit Ipko 

Në fakt, të drejtë aplikimi për këtë bursë kanë vetëm studentët që janë të regjistruar në universitetet brenda Kosovës. 

“Vetëm studentët që janë të regjistruar në universitetet e akredituara mund të aplikojnë…” thuhet në faqen zyrtare të Fondacionit Ipko, aty ku sqarohen kriteret e aplikimit për këtë bursë.

Njëjtë ka deklaruar për gazetën edhe menaxherja e programit në Fondacionin “Ipko”, Abetare Gojani. Ajo kërkoi që t’i dërgohen pyetjet me e-mail, por gazeta ende nuk ka pranuar përgjigje nga fndacioni Ipko. 

Më 2009, para Fondacionit Ipko, ishin paraqitur dy kërkesa për bursë, një prej të cilave vinte nga Durim Limaj. Ai ishte regjistruar në një universitet jashtë Kosovës. 

Sipas dëshmisë së Ismailit, bordi kishte trajtuar vetëm dy aplikacione, edhe pse atë vit Ipko ndau gjithsej 18 bursa, bazuar në të dhënat online në faqen e fondacionit.

Emri i Durim Limajt ende nuk figuron si përfitues në website-n e fondacionit. 

Fondacioni kishte vendosur ta mbështeste Limaj juniorin edhe për shkak se ai ia kishte dalë të pranohej në një universitet amerikan.

Qëllimi i bursës që ofronte fondacioni Ipko  ishte zhvillimi i teknologjisë informative në Kosovë, por kur Akan Ismaili u pyet nga prokuroria se si shpjegohej zhvillimi i kësaj fushe duke dërguar Durim Limajn me studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ismaili deklaroi se kishin bërë përjashtim për të.

“Ky [Durim Limaj] ishte një nga dy përjashtimet, që kishte ardhur atë kohë tek ne në bord”, arsyetohej Ismaili.

Durim Limaj studion në Universitetin Amerikan në Washington D.C, bazuar në të dhënat që gjenden në llogarinë e tij në Facebook.

Në një intervistë telefonike Durim Limaj tha se ka përfunduar studimet në maj të këtij viti. Ai nuk sqaroi nëse bëhej fjalë për studime bachelor, ose master dhe kush financoi studimet e tij pas vitit 2009.

Emri i tij figuron edhe në faqen e Internetit të këtij universiteti ku shkruan se Durim Limaj është në drejtimin Administrim Biznesi dhe Studime Ndërkombëtare. 

Po ashtu, emri i tij ndodhet edhe në listën e mbështetësve që kanë ndihmuar financiarisht një projekt shkollor gjatë vitit 2013 që kishte për qëllim mbledhjen e 20 mijë dollarëve për të rregulluar një kopsht në njërën nga ndërtesat e universitetit.  

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi të marrë një koment nga Fatmir Limaj nëpërmjet Endrit Shalës, person kontaktues për media i ish-ministrit të transportit. Shala nuk dha një përgjigje lidhur me bursën qëperfitoi djali i Limajt.

Durim Limaj | Foto: Facebook

Njohja me Thaçin

Gjatë dëshmisë, Akan Ismaili, po ashtu ishte pyetur detajisht për lidhjet e tij me kryeministrin Hashim Thaçi.

“…më kanë ofruar postin e ambasadorit [në Washington D.C]. Zyra e Kryeministrit ma ka ofruar”, deklaronte Ismaili në prokurori, shtatë muaj para se t’i dorëzonte kredencialet presidentit amerikan Barack Obama, më 4 maj 2012. 

Presidentja Atifete Jahjaga e kishte dekretuar Ismailin në prill të vitit 2012.

Kur ai ishte pyetur për lidhjet e tij më kryeministrin Thaçi, kishte deklaruar se e njeh personalisht.

“Jemi takuar në vende të ndryshme. Bile, kryeministrin e njoh personalisht”, thuhet në dëshminë që dha Ismaili  para prokurorisë. “Ipko” është brend i njohur. Andaj si drejtor i “Ipko”-s jam njohur më atë [kryeministrin]. 

Arianit Bytyqi, zyrtar për informim në Zyrën e Kryeministrit, nuk dha përgjigje kur u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë për pohimet e Ismailit. 

Thaçi njihet edhe me aksionarin tjetër të kompanisë “Ipko”, Bujar Musën, që më 8 prill të këtij viti tha për Gazetën Jeta në Kosovë se e njihte përsonalisht kryeministrin.

Musa po ashtu kishte deklaruar për gazetën, se kryeministri banon me qira në banesën e tij në lagjen Bregu i Diellit në kryeqytet. 

Kryeministri Thaçi përveç njohjes personale me biznesmenët Musa dhe Ismaili, ky i fundit aktualisht ambasador, mbetet i ndërlidhur përmes vëllezërve të tij edhe me në një rrjet të gjerë e të fuqishëm biznesi ndërtimesh, mineralesh, nafte, energjie e të sigurimeve, siç raportoi Gazeta Jeta në Kosovë më 18 shkurt të këtij viti.