“Grupi Limaj Mbushi Xhepat me Ryshfete”

Fatmir Limaj udhëhoqi një grup të organizuar kriminal qëllimi i të cilit ishte që t’i jepte tenderë publikë të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit kompanive që tregonin vullnet të paguanin ryshfet.

Fatmir Limaj dhe familja e tij përshkruhen si mjaftë me ndikim në Kosovë. Ndikimi i tyre, ndër të tjera, ilustrohet nga fakti që shumë njerëz kishin vendosur të kompensonin harxhimet e tij të mbrojtjes ligjore gjatë gjykimit në Tribunalin e Hagës e që shkonin në mbi 1 milion euro.

Por, Grupi Limaj, pasi ish-MTPT kishte në dispozicion një buxhet të madh për infrastrukturë, përdori paaftësinë e autoriteteve të vendit me qëllim të përfitimit vetanak.

“Disa prej anëtarëve të grupit i referoheshin si “daja”, e pastaj “shefi” prej 2008 deri më 2012” 

Limaj udhëhoqi grupin e organizuar dhe kishte pushtetin e vendimmarrjes në të. Ai vazhdoi ta ushtronte këtë autoritet edhe prej kur nuk është ministër, deri më tash. Disa prej anëtarëve të grupit i referoheshin si “daja”, e pastaj “shefi” prej 2008 deri më 2012.

Limaj akuzohet për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës, përfshirje në kontrata të dëmshme, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autoritetit, pranim të ryshfetit, pastrim parash, pronësi-kontroll-posedim-ose-përdorim të paautorizuar të armëve dhe mosdeklarim të parave të pranuara për fushatë zgjedhore.

Florim e Demir Limaj akuzohen të dy për krim të organizuar dhe pastrim parash. Endrit Shala akuzohet për hyrje në kontrata të dëmshme, abuzim të pozitës zyrtare ose autorizimit, pranim të ryshfetit si dhe për pengim të hetimit. Nexhat Krasniqi akuzohet për krim të organizuar, keqpërdorim në detyrë, hyrje në kontrata të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit dhe pranim të ryshfetit.

Florim Zuka akuzohet për hyrje në kontrata të dëmshme, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe dhënie të ryshfetit. Gani Zogaj akuzohet për shkatërrim ose fshehje të materialit arkivor.

Kontratat dhe ryshfetet

Më 26 maj 2008, kompania “Tali” ishte shpallur fituese për një tender rruge të bashkëfinancuar nga ministria dhe komuna e Gjilanit, me ofertën e saj 576.345,50 euro. Të njëjtën vlerë e kishte ofruar edhe  Zuka Commerce.

Të dy kompanitë drejtohen nga familja Zuka, sipas prokurorisë. Ekspertët e saj në një opinion të 5 majit 2012 konkluduan se “kishte aranzhim të çmimit me kompaninë konkurruese Zuka” dhe se edhe vetë procedura dhe shpallja e fituesit duhej të shiheshin me dyshim.

Sipas prokurorisë, Nexhat Krasniqi, nënshkruesi i kontratës, ka përgjegjësi për favorizim të qëllimshëm të Talit.

Fatmir Limaj ishte personalisht i përfshirë dhe është përgjegjës për ndikim joligjor. Ai kishte shkëmbyer mesazhe dhe ishte takuar me Mehmet Shkodrën, pronar i kompanisë “Intereuorpa” që garonte në tender dhe pohonte se tenderi i ishte premtuar. Prokuroria sjell sms të Shkodrës dërguar Limajt.

Endrit Shala e dinte por me sms-të e tij të verës 2008 kishte shfaqur mbështetje për “Talin” përkundër se ajo po e rregullonte rrugën me defekte. “Nëse të thërret dikush, u thuaj që ke folur me mua”, i thotë Shala Zukës, në telefon. Në gusht 2008, Shala kishte ofruar mbështetje për të mbuluar edhe gjatësinë e shtresës edhe pse Zuka brengosej se komisioni nuk do ta pranonte. “Hahaha…Ti je kral”, i thoshte Zukaj.

Gabimet ishin evidentuar më vonë nga ekspertët e punësuar prej prokurorisë.

Fatmir Limaj diskutoi edhe pranueshmërinë e referencave të punës derisa tenderi ishte shpallur me Mehmet Shkodrën.

Më 29 shkurt 2008, Inter-Europa, Tali, Magjistralia dhe Eurokos ofertuan për mirëmbajtjen e rrugëve rajonale në Gjilan. Tali dhe Eurokos kishin çmime të njëjta. Florim Zuka akuzohet për aranzhim të çmimit, kurse Nexhat Krasniqi për përgjegjësi për procedurë jotransparente. Kontratën e kishte fituar Magjistralja, që nuk duhej, sipas prokurorisë.

Pasi kishte humbur, Shkodra i Inter-Europës kishte shkuar në MTPT dhe ishte takuar me zëvendësministrin Adem Grabovci ku ishte ankuar. Limaj kishte shkuar deri te dera dhe i kishte thënë: “Mos fol dhe tenderi për mirëmbajtjen verore të rrugëve më 2009 është i yti”.

Fatmir Limaj i ishte zotuar se do t’ia përgatiste dokumentacionin e tenderit.

“Mos fol dhe tenderi për mirëmbajtjen verore të rrugëve më 2009 është i yti”. 

Por edhe tenderin për mirëmbajtje verore dhe dimërore, më 2009/2010, e kishte fituar Tali.

Florim Zuka i thoshte Endrit Shalës me sms se kishte dhënë 5,000 euro për PDK-në. Limaj ishte në dijeni dhe në kontakt me Endrit Shalën për dhënien e këtij tenderi Talit.

Pa i ditur këto bisedime në prapaskenë, Mehmet Shkodra i kërkoi kryetarit të Gjilanit Qemajl Mustafa ta shoqëronte në takim në MTPT. Ky i fundit nuk kishte kohë. Shkodra shkoi vetë.

“Jam Mehmeti, jam rrugës, në çfarë kohe duhet të kalojë kah zyra jote?”, i shkruante ai Limajt.

Pak më vonë. “Po të pres”.

Limaj, sipas aktakuzës, e shtyu takimin dhe kurrë nuk e përgatiti dokumentacionin e Inter-Europës.

Shkodra shkoi tek Nexhat Krasniqi e i tha: “E di që i doni 10 për qind, por s’kam para”.

Nexhat Krasniqi iu përgjigj: “Ne do të deponojmë 20 për qind të shumës totale në avanc, dhe ti do të na japësh neve këtë shumë”.

Mehmet Shkodra kishte arritur të takonte pastaj Limajn por pa sukses. Marrëveshja në prapaskenë ndërmjet Endrit Shalës e Talit kishte marrë formë. “Endrit shefi…do tua japë 25 shin me katër zero”, i thoshte Zuka, Shalës. “Puna është kryer, por nëse nuk e mban premtimin kjo kthehet në diçka të keqe”, ia kthente Shala.

“Tali” e fitoi tenderin në vlerën 1 milion e 192 mijë e 844 euro, më 25 mars.

Bisedat e Mehmet Shkodrës me Qemajl Mustafën

Mehmet Shkodra i tregonte Qemajl Mustafës, kryetarit të Gjilanit, se Fatmir Limaj nuk kishte mbajtur premtimet. “Ai është një gënjeshtar”, thoshte Shkodra.

Pronari i Inter-Europës kërcënohej se do të tregonte gjithçka publikisht.

Dhe ai shkoi fillimisht në Agjencionin Kundër-Korrupsion (AKK). Pastaj bëri deklarime në lidhje me këto zhvillime edhe në EULEX.

Mehmet Shkodra po merrte sugjerime që të tërhiqte akuzat e tij. Mes atyre inkurajuesve ishte edhe Qemajl Mustafa.

Në EULEX, ai kishte thënë se kishte marrë kërcënime nga dy njerëz përmes telefonit. “Dini të shkruani shumë mirë, por unë do t’i pres gishtat”,  tregonte ai për njërin kërcënim.

Shkodra ishte ndjekur edhe nga një i ri me “Opel-kadet”.

“Rreth një muaj më vonë, Mehmet Shkodra vdiq në një aksident trafiku më 21 shkurt 2010 afër Vjenës, derisa ishte në rrugë me autobus nga Kosova për në Gjermani. Policia austriake nuk ka gjetur ndonjë aktivitet kriminal të ndërlidhur me vdekjen e tij”, thuhet në aktakuzë.

Transkript i sms-ve, 20 maj 2009: [Mehmet Shkodra]: “Përshëndetje, nëse mirëmbajtja verore nuk anulohet, do të publikoj gjithçka të hënën”. [Qemajl Mustafa]: “Do ta dëmtosh më shumë veten se Limajn”. “O burrë, mos e ekzagjero, do të bëhet më mirë. E vetmja gjë që mund të bësh është të dëmtosh punën tënde dhe PDK-në. E di që ke bërë disa investime, edhe unë kam investuar 100 mijë kesh dhe i kam humbur. Ditën e mirë shok” [Mehmet Shkodra]: “A po di që kjo punë është thyer. Fatmiri e dinte këtë dhe ai nuk qëndroi prapa premtimit të dhënë. Ky njeri nuk shqetësohet as për partinë as për askënd. Vetëm për përfitim personal ai e la respektin anash, votat dhe çdo gjë që kemi bërë për të. Gjithkush po punon këto ditë e ne po rrimë”.

“Fatmiri e dinte këtë dhe ai nuk qëndroi prapa premtimit të dhënë. Ky njeri nuk shqetësohet as për partinë as për askënd. Vetëm për përfitim personal ai e la respektin anash, votat dhe çdo gjë që kemi bërë për të. Gjithkush po punon këto ditë e ne po rrimë”

[Qemajl Mustafa]: “Vetëm me durim dhe në komunë do të arrijmë të shkojmë përpara vetë”. [Mehmet Shkodra]: “Fatmiri, Nexhat Krasniqi dhe … dinin për këtë punë dhe ata tash s’mund të ankohen”. [Mehmet Shkodra]: “Shpresoj që në jetën tjetër gjërat do të jenë më mirë; ka marrë fund në këtë.” [Qemajl Mustafa]: “Jo, Mehmet mos u dorëzo… jeta është e gjatë.”

Mehmet Shkodra]: “Ask IZ, ai do të tregojë më mirë.” [Qemajl Mustafa]: “Cili IZ? Çka ka të bëjë ai me këtë punë? Mos vet….a IZ po e bën këtë punë? A e dëgjoi atë duke kërkuar ryshfet” [Mehmet Shkodra]: “Pse po bën hajgare? Ti je i vetëdijshëm për këtë, por të gjitha do t’i zbulosh prej të hënës.” [Qemajl Mustafa]: “Nuk e di, mik, pse ke folë me IZ për këtë?” [Mehmet Shkodra]: “Kjo punë i ishte dhënë Talit në janar këtë vit, dhe çdo gjë që Fatmiri po thoshte në takimet tona qenë rrena”. [Qemajl Mustafa]: “Merre shtruar. A do të vish për ngushëllime tek Fatmiri të shtunën?” [Mehmet Shkodra]: “Meka pushoftë në paqe, është shumë keq por s’mund të vij”. [Qemaijl Mustafa]: “Shihemi njeri”

Borxhet, blerjet e tokave, armët

Demir Limaj kishte të ardhura shumë të vogla dhe obligime të mëdha për të paguar kreditë në banka mes 2008-tës dhe 2010-tës, që ai i mori për të blerë prona.

Sipas aktakuzës, edhe pse Demir Limaj ishte financiarisht i paaftë për të dhënë hua, ai mori pagesa për “kthime borxhesh” dhe “transfer” secila nga 20,000 euro si dhe shumën 9,950 euro si “Pagesa për plotësim të obligimeve”.

“Mund të konkludohet se dhënia e borxheve ishte kryer përmes mjeteve të ryshfetit që Fatmir Limaj merrte”.

“Florim Limaj jepte shuma të konsiderueshme për persona të ndryshëm që kërkonin para dhe dhurata”, vazhdon aktakuza.

“Florim Limaj jepte shuma të konsiderueshme për persona të ndryshëm që kërkonin para dhe dhurata”

Më 2009 dhe 2010 ishin paguar 70.136,05 për Spitalin e Përgjithshëm dhe Golden Cross Hospital në Vjenë, Austri, për shërimin e gruas së ndjerë të Limajt. “Nga ato 36.555 nuk kanë kontra-hyrje në xhirollogaritë e deklaruara kosovare nga Florim Limaj, Zahirje Limaj, Demir Limaj, Durim Limaj ose Fatmir Limaj. As pronësia e atij keshi nuk ishte deklaruar zyrtarisht nga Fatmir Limaj dhe Demir Limaj në AKK”.

Më 2010, sapo avokati Kharim Kahn kishte filluar ta mbronte, Limaj kishte paguar përmes xhirollogarisë së tij 17 mijë euro. Ky ishte 65 për qind e mjeteve të tij të deklaruara zyrtarisht.

“Më 6 dhjetor 2011, Demir Limaj transferoi 316 900 euro si dhe më 24 janar 2012 edhe 120 000 të tjera në llogarinë e Karim Khanit në Holandë. Ato kanë ardhur nga disa shitje të dyshimta të tokës më 2011”, thuhet në aktakuzë.

Fatmir Limaj, po ashtu, sipas aktakuzës nuk kishte leje për një pistoletë 9mm si dhe një revole 22 LR Mini. Të dyja i ishin konfiskuar më 28 prill 2010.

Paratë e padeklaruara të fushatës

Më 18 tetor 2007, Ibrahim Mislimi, pronari i kompanisë gjermane BIBO (Baugesellschaft) GmbH, me bazë në Fliederweg 6 në Barsbüttel, Gjermani, kishte dhënë donacion prej 5 mijë eurosh si kontribut kampanje për Fatmir Limajn.

“Paratë ishin pranuar nga Fatmir Limaj në llogarinë e tij bankare, në pro-credit, më 22 tetor 2007. Njoftimi për transfer lexon ‘për kampanjë’”, thuhet në aktakuzë.

Donacioni ishte bërë nga Ibrahim Mislimi mbi bazën e simpatisë personale.

“Përkundër se kishte pranuar një donacion prej 5 mijë eurosh, ai nuk e deklaroi këtë kontribut tek autoritetet kosovare.”

Procedurat e pagesës ishin koordinuar mes Ibrahim Mislimit dhe Endrit Shalës kur Fatmir Limaj kishte vizituar Gjermaninë. Në atë kohë, Endrit Shala vepronte si menaxher i fushatës së Limajt.

“Përkundër se Fatmir Limaj ishte duke garuar për një pozitë zyrtare në zgjedhjet kosovare të 17 nëntorit 2007, dhe përkundër se kishte pranuar një donacion prej 5 mijë eurosh, ai nuk e deklaroi këtë kontribut tek autoritetet kosovare, gjë që përbën krim”, thotë aktakuza.

 “Askush i familjes s’ishte i përfshirë në çështjet e MTPT-së”

Në intervistat e tij në prokurori, ish-ministri Fatmir Limaj ndër të tjera kishte mohuar se ishte takuar me ndonjë kompani gjatë procesit të tenderimit.

Limaj po ashtu kishte thënë se anëtarët e familjes së tij nuk ishin përfshirë asnjëherë në çështjet e ministrisë.

Sa i përket Mehmet Shkodrës, Limaj kishte thënë: “Ai kurrë nuk mori tender prej nesh, dhe pastaj është tipike për shqiptarët të flasin në publik. Kurrë nuk i kam premtuar as atij as askujt tjetër diçka”.

“Kurrë nuk i kam premtuar as atij as askujt tjetër diçka” Fatmir Limaj

Në lidhje me armët, ai kishte thënë se kishte autorizim për një armë tjetër e cila nuk i funksiononte.

Më 11 shtator 2012, Limaj kishte preferuar të mbrohet i heshtur. Këtë e kishin zgjedhur edhe pesë të pandehurit tjerë.

Ndërkohë, Nexhat Krasniqi, ish-drejtori i prokurimit në MTPT, kishte thënë se nuk kishte takime me njerëz nga komunat në lidhje me tenderët për rrugë. Më 12 mars 2011, Krasniqi kishte thënë se e kishte njohur Limajn që prej 1992-tës, kohës së studimeve, por konsideronte se nuk mund ta quante Limajn mik.

Nexhat Krasniqi tha se nuk ishte mik as me Endrit Shalën dhe se kurrë nuk kishte diskutuar tenderët e MTPT-së me Florim Limajn.

“Nexhat Krasniqi tha se ‘ne’ i takuam kompanitë përpara se të hapej tenderi, respektivisht para se të nënshkruhej sepse ‘do t’u thoshim se ata duhet të sillnin garanci bankare dhe se duhet të përgatisin një draft-kontratë dhe ta nënshkruajnë atë’”.

Më 16 tetor 2012 edhe Krasniqi kishte vendosur të heshtte.