IPKO - Transakcionet dhe Politika

Një prej protagonistëve të përmendur në hetimet e autoriteteve sllovene ndaj “Telecom Slovenije” që u kuptuan rreth dhjetë ditë më parë, Bujar Musa, tregon për shitjen e aksioneve në Ipko Telecomunications, lidhjet e kësaj kompanie me ish-sekretaren amerikane të shtetit Madeleine Albright dhe miqësinë e tij me kryeministrin Hashim Thaçi.

Musa e Akan Ismajli (tash ambasador në SHBA) përmenden në një raportim të gazetës Dnevnik si njerëz që kishin përfituar nga vendimet e drejtuesve në “Telecom Slovenije”. Këta të fundit dyshohet se kanë dëmtuar shtetin slloven duke kryer pagesa pa zvogëluar peshën e aksionarëve tjerë në kompaninë që bleu operatorin e parë privat të telefonisë mobile në Kosovë.

Ismajli nuk u përgjigj kur u kontaktua nga gazeta nëpërmjet Ambasadës së Kosovës në SHBA.

Ai e Musa zhvilluan kompaninë “Ipko net”, ofruesin e shërbimeve të internetit në Kosovë.

Në vitin 2006, sllovenët blenë 75 për qind të aksioneve të kompanisë për 16.5 milionë euro.

“Të gjithë aksionarët e vegjël tashmë i kanë kthyer kreditë. Bujar Musa

Fillimisht telekomit slloven i ishin kërkuar 25 milionë euro në këmbim të blerjes së këtyre aksioneve, por oferta nuk ishte miratuar. 

“Ne kemi hyrë në pazar. Pazari ka zgjatur një muaj. Në këmbim të shitjes së 75 për qind e jo vetëm të 51 për qind të aksioneve, ne kemi kërkuar që ngritjet e kapitalit të na i financojë telekomi slloven”, thotë Musa. “Me një fjalë, na kanë dhënë kredi”.

Ai thotë se sigurimi i kredive për ngritje të kapitalit të aksionarëve të vegjël ishte brenda marrëveshjes së shitblerjes së aksioneve.

Telekomi slloven, sipas Musës, kishte pranuar që të siguronte huamarrje nga bankat në Slloveni për interes të aksionarëve të vegjël.

Ai thotë se aksionarët e vegjël morën paratë e shitjes së aksioneve si dhe morën para nga huamarrja dhe kështu kishin mundësi të rrisnin kapitalin e tyre brenda kompanisë Ipko Telecomucations, të krijuar në kohën e marrjes së operatorit.

“Të gjithë aksionarët e vegjël tashmë i kanë kthyer kreditë”, thotë Musa. 

Shitje të aksioneve në IPKO kishte pasur edhe në vitin 2009.

Musa thotë se kjo parashihej në bazë të marrëveshjes së vitit 2006.

Aksionarët e vegjël kishin pranuar të përcaktohej një afat kur do të mund të shitnin aksionet që mbanin në kompani.

“Telecom Slovenije” në vitin 2009 rriti aksionet në 93 për qind, sa i ka edhe aktualisht.

Me këtë rast aksionet e Musës ishin zvogëluar nga 8 në vetëm rreth 1 për qind.

Telekomi slloven pasi kishte blerë 75 për qind të aksioneve kishte vendosur që një pjesë t’ia transferonte kompanisë  “Factor Banka”

“Factor Banka”, që në fillim i kishte 15 për qind të aksioneve në IPKO Telecomunications, në vitin 2009 i mbante vetëm 1.4 për qind të aksioneve pasi tjerat i kishte blerë “Telekom Slovenije”.

Aktualisht telekomi slloven ka 93 për qind të aksioneve. http://gazetajnk.com/?cid=1,987,3058

Aksionari Bujar Musa thotë se nuk është marrë në pyetje nga autoritetet sllovene.  Ai shton se nuk ka edhe pse të merret në pyetje.

“Ne kemi bërë negociata për shitje aksionesh. Ata kanë mundur të na i paguajnë edhe 50 milionë euro aksionet. Le të hetohen ata nëse e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit të vet”, thotë Musa.

 
Akan Ismajli dhe Bujar Musa në takim me ish-shefin e UNMIK-ut Michael Steiner | Foto: Facebook  

Lidhja me Thaçin dhe Albright-in

Biznesmeni e konfirmoi se aktualisht kryeministri i vendit jeton në banesën e tij në lagjen “Bregu i Diellit”.

“Nuk mund të flas se sa është shuma e qirasë, por (Thaçi) banon me qira në banesën time”, tha ai.

Kur konzorciumi ku bënte pjesë Ipko e pati fituar tenderin e operatorit të dytë, në fillim të 2007-tës, Partia Demokratike e Kosovës e Thaçit, atëherë në opozitë, nuk kishte kundërshtuar tenderin në Parlament.

Tani, Musa thotë se ka “miqësi personale me kryeministrin”.

“Por nuk do të thotë se kam përfitim prej asaj pune”, tha ai Musa.

Biznesmeni shtoi se takohet shpesh me Hashim Thaçin dhe bisedon me të për politikë e jo për biznes pasi, sipas tij, kryeministri nuk ka shumë dijeni për sa i përket kësaj fushe.

“Unë mburrem me atë punë. Atë lidhje e ruaj shumë dhe e çmoj. Por, nuk kam pasur nevojë dhe as nuk e kërkoj ndihëm financiare prej tij”, shtoi Musa.

Ai pohon se është biznesmen që nuk ka të fituara prokurime publike nga Qeveria e udhëhequr nga Thaçi të cilin, sipas tij, e kishte njohur rastësisht në restaurant në vitin 2005 dhe se tash e ka mik të mirë. 

Musa thotë se e voton partinë e Kryeministrit të vendit.

“Unë besoj që Hashimi është njeri i mirë. Është lideri më i mirë në Kosovë. Besoj në vizionin e tij. Bujar Musa

“Unë jam i rreshtuar te PDK-ja pa kurrfarë ekuivoke (thënë troç). Vota ime gjithnjë ka shkuar për PDK-në”, thotë Musa. 
 
Në këtë parti e çmon si njeri liderin e saj.

“Unë besoj që Hashimi është njeri i mirë. Është lideri më i mirë në Kosovë. Besoj në vizionin e tij”, thotë Musa.

Por, hisedar në kompaninë Ipko është edhe Madeleine Albright, ish-sekretarja amerikane e shtetit. Një firmë e themeluar prej saj kishte konkurruar për të blerë Post-Telekomin e Kosovës vitin e kaluar në një tender që drejtohet nga Qeveria e Thaçit. 

Në Ipko Telecomunications, Albright është aksionare e vogël.

Musa thotë se kishte kërkuar ndihmën e Albright-it nëpërmjet James O’Brien, një aksionar tjetër në Ipko, i cili është pjesë e Albright Stonebridge Group.

Në biznes është i nevojshëm një njeri i fuqishëm, thotë ai, dhe e përshkruan Albright-in si ndihmëse dhe lobuese të jashtëzakonshme për kompaninë kosovare.

“Ne nuk kemi pasë me i pagu për ndihmën (kompaninë e Albright). Kishim pasë qejf me i pagu. I kemi vetë se a mund t’ua japim juve do aksione? Ata kanë pranuar”, thotë ai.

Por kjo, sipas tij, nuk është e mjaftueshme për të paguar atë çfarë Albright kishte bërë për Ipko-n. Albright, sipas Musës, kishte ndihmuar kompaninë ku ai është aksionar me synimin për të përkrahur një biznes kosovar për t’u zhvilluar.

“Është shumë e nevojshme. Na ka dhënë këshilla strategjike. Na ka dhënë kontakte. Ndihma e tyre (Albright Stonebridge) është e madhe dhe nuk mund ta paguajmë kurrë atë çfarë ata kanë bërë për ne”, thotë Musa.

Ndihma e ish-sekretares i kishte bërë më të fuqishëm aksionarët e Ipko-së dhe tashmë Washingtoni ishte i prekshëm për ta.

“Kemi kërkuar ndihmë prej tyre për zhvillim. Na e ka hapur derën EXIM Bank, që është prej bankave më të njohura. Na kanë pritur me tepih të kuq. Kemi shku edhe te OPIC (Korporata për Zhvillimin e Investimeve Private)…”, thotë Musa. “Në Washington ne kemi hyrë si në shtëpi”.

“Kështu funksionon Washingtoni…”, shprehet ai.

Albright Capital Menagment , ku ka aksione “Albright Stone Bridge Group” një kompani  e themeluar nga ish-sekretarja amerikane e shtetit në gusht të vitit të kaluar, ishte parakualifikuar nga Qeveria e Kosovës për të marrë pjesë në tenderin për privatizimin e PTK-së.

Por në dhjetor një zyrtar i ACM-së i konfirmoi Gazetës Jeta në Kosovë se kompania tashmë ishte tërhequr nga gara për blerje të aksioneve në PTK.
http://gazetajnk.com/index.php?cid=1,1018,4238

Komisioni kosovar i konkurrencës paralajmëronte se nëse konzorciumi ku ACM bënte pjesë do të dilte fitues, do ta shikonte rastin për të parë nëse kishte rrezik monopoli në treg, duke aluduar në lidhjet mes firmës amerikane dhe Ipko Telecomunications, operatorit të vetëm privat në vend në telefoninë mobile.

Hetimet në Slloveni

Gazeta sllovene Dnevnik raportoi më 28 e 29 mars për hetimet që po zhvillonte Zyra Kombëtare për Hetime ndaj telekomit slloven, një ndërmarrje në pronësi publike.

Kjo zyrë, sipas Dnevnik-ut, po heton hyrjen e Telekomit të Sllovenisë në tregun kosovar si dhe rastet e blerjeve të firmave në Slloveni (Najdi.si) dhe në Maqedoni (On.net).

Nëntë persona të dyshuar janë pjesë e procedurës.

Gazeta raportoi se pjesë e procedurës janë katër ish-anëtarë të bordit drejtues të Telekom Slovenija –  Bojan Dremel, Dushan Mitiq, Zhelko Puliiq dhe Filip Ogris Martiq – ish-anëtarët e Factor Banka si Ciril Dragonja dhe Boris Pesjak, ish-pronarja e ndërmarrjes Najdi.si, Zvone Jagodiç, Aleksander Sasho si dhe biznesmeni nga Kosova, Ekrem Lluka.

Të hetuarit dyshohen për abuzim të të drejtave dhe abuzim të autoritetit ose besimit në aktivitet ekonomik, të dënueshme deri në tetë vjet burg.

Hetuesit sllovenë kanë konstatuar se në këto transaksione Telekomi Slloven ishte dëmtuar për 25 milionë euro.

Bastitsjet janë kryer nga një grup prej rreth 100 hetuesve e oficerëve policorë.

Në rastin e Kosovës Bujar Musa e Akan Ismaili përmenden si njerëz që përfituan nga këto transkasione në të cilat u dëmtua telekomi slloven. Edhe Albright Group përmendet si përfitues nga vendimet e sllovenëve.

Veç parave të dhëna për blerje aksionesh, telekomi slloven iu kishte siguruar aksionarëve edhe kredi të cilat do t’iu shërbenin për rritje të kapitalit brenda kompanisë.

Një tjetër biznesmen Ekrem Lluka përmendet nga “Dnevnik” se po hetohet për marrjen e një provizioni në vlerë prej 10 milionë eurosh me rastin e investimit prej 200 milionë eurove të telekomit slloven në Kosovë.

Lluka fillimisht kishte dalë fitues në tender, por ishte tërhequr.

Më vonë D3 Mobile, një kompani e tij, nënshkroi marrëveshje për t’u bërë operator virtual i Ipko-së në Kosovë.

Dnevnik raporton se hetuesit kanë gjetur se Lluka bleu një shtëpi në një bregdet më 22 qershor 2007, vetëm katër ditë pasi Telekom dhe Factor Banka nënshkruan kontratën për Ipko-n.

Ekrem Lluka nuk dha përgjigje në pyetjet e gazetës rreth hetimeve.

EULEX paralajmëron bashkëpunim

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, thotë se misioni europian nuk ka nisur ende një hetim rreth rastit por kjo, sipas tij, mund të ndodhë në të ardhmen.

“Prokuroria është duke i shikuar mundësitë e bashkëpunimit me autoritetet sllovene sa u përket informatave të njëjta të cilat mund të shfrytëzohen për hetime në të dy vendet”, thotë Krasniqi.

Prokuria e Shtetit në Kosovë ndërkohë thotë se autoritetet sllovene nuk kanë kërkuar ndihmë për hetime në këtë rast dhe se asnjë hetim nga prokuroritë vendore nuk është ndërmarrë.

Policia sllovene nuk dha përgjigje kur u pyet se për çka hetoheshin të përfshirët në hetimet në rastin IPKO.

VV: Shteti nuk inkasoi çekun nga Kozmocelli i Ekrem Llukës

Pas publikimit të lajmit nga gazeta sllovene se hetimet në Slloveni kishin nisur, në Kosovë Vetëvendosja kërkoi nga autoritetet kosovare që të hetojnë mënyrën se Ipko fitoi në tenderin për marrjen e licencës për të operuar si operator i dytë i telefonisë mobile.

VV-ja përmend mosinkasimin nga shteti të garancionit bankar në vlerë prej 16.2 milionë eurosh. 

Kompania “Kosmocell”, lidere e konzorciumit, kishte fituar në tender dhe më vonë ishte tërhequr pasi që nuk kishte mundur të paguante paratë në afatin e paraparë nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, ART. 

Rregullat e tenderit obligonin konkurrentin që të depozitonte një shumë parash në formë garancioni. Sipas tyre, pasi ishte tërhequr, Kosmocell i detyrohej 16.2 milionë euro buxhetit të Kosovës.

Të drejtën për licencë pas tërheqjes së konzorciumit fitues e kishte fituar e dyta në garë, Ipko Telecomunications.

Konzorciumi “Kosmocell” kishte ofruar 81 milionë euro për të marrë licencën ndërsa Ipko kishte ofruar 75 milionë.

Konzorciumi Kosmocell kishte dorëzuar një dokument që thoshte se paratë ishin të garantuara në një bankë italiane. Në një raport të vitit 2011, ART-ja do të konstatonte se nuk ekzistonte institucion financiar në adresën e shënuar nga konzorciumi fitues dhe se paratë nuk mund të inkasoheshin.

“Në Slloveni, hetimet janë filluar për shkak se është dëmtuar interesi publik. E njëjta vlen më shumë për Kosovë”, thuhet në kumtesën e Vetëvendosje.

VV-ja thotë se llogari duhet të japin Bajram Rexhepi i cili ishte kryeministër në vitin 2004 në kohën kur ishte zhvilluar tenderi i parë si dhe Agim Çeku që ishte kryeministër në kohën kur po zhvillohej tenderi i dytë. 

“Në Slloveni, hetimet janë filluar për shkak se është dëmtuar interesi publik. E njëjta vlen më shumë për Kosovë. Vetëvendosje

Po ashtu llogari sipas VV-së duhet të japë edhe Anton Berisha që kishte pozitën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit.

Berisha më vonë kishte shërbyer si ambasador në Slloveni. 

Edhe aksionari në Ipko Telecomunications Akan Ismajli tani është ambasador në SHBA. Ai është shënuar në listën e dëshmitarëve të ftuar nga prokuroria në aktakuzën në rastin e korrupsionit “Fatmir Limaj-MTPT” për financim të studimeve në SHBA të djalit të ish-ministrit të transportit përmes Ipko Foundation.

Wikileaks: Dyshimet

Zhvillimin e tenderit për licencën e dytë të telefonisë mobile e kishte vëzhguar Zyra Amerikane në Prishtinë.

Një kabllogram i publikuar nga Wikileaks tregon për dyshimet për parregullsi të cilat shefja Tina Kaidanow i raportonte në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Në raportimin e rrjedhur të datës 16 mars 2007, Kaidanow raporton se tashmë fituesi ishte shpallur dhe përbehej nga Telecom Slovenije, IPKO dhe Albright Group.

Konzorciumi fitoi të drejtën pas tërheqjës së “Kosmocell-it”. Por, një konzoricum tjetër i përbërë nga Mobilkom Austria dhe Columbia Ventures Corporation ishte ankuar për mungesë transparence në vlerësimin e ofertave dhe kishte pohuar se kishte pasur parregullsi në vlerësimin e tyre.

Mobilkom Austria, sipas Kaidanow, kishte ngritur padi në gjykatat e Kosovës nëpërmjet të cilës kundërshtonte vendimin e autoriteteve në vend dhe kërkonte 100 milionë euro kompensim për dëme.

“Raportet e mediave hedhin dyshime se pronari i Kosmocell-it Ekrem Lluka ishte paguar nga kompania sllovene për të mos bërë pagesën si fitues i parë në mënyrë që të drejtën e licencës ta fitonte i dytë në garë që ishte Telecom Slovenije-IPKO-Albright Group”, thuhet në këtë kabllogram.

Konzorciumi i kryesuar nga sllovenët u shpall fitues më 20 shkurt 2007 dhe pagoi 75 milionë euro për të drejtën e shfrytëzimit të licencës. “Kosmocell”  kishte ofruar 81 milionë euro, por nuk i kishte paguar mjetet.

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet konzorciumit dhe Qeverisë së Kosovës u bë më 6 mars të vitit 2007.

Kaidanow kishte raportuar në SHBA se përfaqësuesi i kompanisë “Kujtesa”,  pjesë e konzorciumit të tërhequr, kishte pohuar para Zyrës Amerikane në Prishtinë se konzorciumi i kishte 81 milionë euro dhe ishte i gatshëm të paguante taksën për licencë, por Lluka kishte informuar shefin e ART-së Anton Berisha se grupi i tij nuk ishte në gjendje të bënte pagesa.

“Përfaqësues të Kujtesës kanë nënvizuar se kompania e tyre dhe partneri i tyre nga Italia pohonin se nuk kishin pasur ide që Lluka do të bënte një veprim të tillë”, thuhet në kabllogram. 

Po ashtu Kaidanow thoshte se Zyra Amerikane nuk ka ndonjë mënyrë për të verifikuar këto pohime dhe nuk është treguar ndonjë provë se konzorciumi “Kosmocell” në fakt i kishte këto para në dorë.

“Mediat lokale dhe disa biznesmenë kosovarë po i ndërlidhin disa akte të freskëta e të dyshimta të dhunës me këtë tenderë. Kabllogram

Por, Kaidanow shkruante se ka biznesmenë lokalë që besojnë se Lluka ka mundur të anashkalojë partnerët e tij duke i mos informuar se konzorciumi nuk kishte para për të paguar shumën e zotuar.

“Mediat lokale dhe disa biznesmenë kosovarë po i ndërlidhin disa akte të freskëta e të dyshimta të dhunës me këtë tenderë”, theksohet në kabllogram.

Më 28 shkurt Shërbimi Policor i Kosovës njoftoi se persona të panjohur kanë gjuajtur në veturën e shefit të ART-së Anton Berisha përderisa ai po udhëtonte nga Peja në Prishtinë.

Në fund të kabllogramit Kaidanow pohon se më vonë më 16 mars të vitit 2007 parashihej që Kuvendi i Kosovës të diskutonte për tenderin që fitoi IPKO.