12 Orët E Votimeve Të 3 Nëntorit

Shkrimi është botuar fillimisht më 3 nëntor 21:50

Ambasadorët 

Disa nga ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë, duke përjashtuar incidentet në veri, zgjedhjet i vlerësuan të rregullta. Ata dolën në terren për t’i parë ato nga afër. 

“Në pjesët tjera të Kosovës çdo gjë ka shkuar në rregull. Kam udhëtuar në Kosovën qendrore, si në Graçanicë dhe komuna tjera, ku kam vërejtur procesin zgjedhor duke u zhvilluar qetë”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, ambasadori I Norvegjisë Jan Braathu. 

Ai i quajti shqetësuese lajmet nga veriu. 

Por ambasadori britanik Ian Cliff, që ishte në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan gjatë ditës, nuk tha të ketë vërejtur ndonjë problem. 

“Në përgjithësi mund të them se për kohën sa kam qëndruar atje nuk kam vërejtur ndonjë parregullsi të madhe”, tha Cliff. 

Ai i cilësoi normale paqartësitë e  serbëve lidhur me fletëvotimet, pasi tha se ata po marrin pjesë për here të pare në zgjedhjet e Kosovës. 

Zgjedhjet i vlerësoi pa problem edhe ambasadori i Holandës Robert Bosch. Ai monitoroi procesin zgjedhor në Prishtinë.

“Procesi zgjedhor në Prishtinë ka qenë i qetë dhe nuk është karakterizuar me ndonjë problem” tha Bosch.

Shefat e shtabeve zgjedhore 

Njësoj si ambasadorët, zgjedhjet i vlerësuan edhe përfaqësuesit politikë të partive kryesore kosovare.

Lah Nitaj nga Shtabi Zgjedhor i PDK-së, i kontaktuar rreth orës 17:00 nga gazeta, ka thënë se nuk ka pasur probleme dhe procesi sipas tij ka shkuar në rregull. 

Zëdhënësja e Shtabit Zgjedhor të LDK-së Vjosa Osmani i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se procesi i zgjedhjeve ka shkuar si duhet. 

Ernest Luma vlerëson se i gjithë procesi ka shkuar shumë mirë dhe ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën.

Lëvizja Vetvendosje, përmes një komunikate, tha se “kemi pjesëmarrje të jashtëzakonshme të qytetarëve në këto zgjedhje. Kjo pjesëmarrje e lartë, është sinjal i qartë se qytetarët janë të gatshëm për ndryshime në Kosovë.” 

Ibrahim Makolli, nënkryetari i AKR-së, i ka thënë gazetës se megjithë incidentet e raportuara, procesi i votimit i plotëson standardet për t’i cilësuar si zgjedhje të lira dhe fer.  

Yll Rugova i Partisë së Fortë tha se procesi ka qenë i mërzitshëm dhe monoton, ndërsa shtoi se ka shpresuar që së paku në Prishtinë të kishte më shumë incidente. 

Adriana Hoxhiq, kandidate për kryetare në Mitrovicën e Veriut është shprehur e dëshpëruar me Komisionin Europian, OSBE-në dhe Qeverinë e Kosovës. 

“Gjithë ditën kemi pasur njerez të veshur me të zeza që janë sillur përgjatë qytetit të lirë, pa i penguar askush, duke incizuar njerëzit që hynin nëpër vendovtime, duke i kërcënuar, e për të cilët askush nuk ka ndërmarrë asgjë”, tha Hoxhiq në një deklaratë të lëshuar gjatë ditës së zgjedhjeve. 

Dragisha Kërstoviq kandidat i Partisë Liberale Serbe SLS, për Gazetën Jeta në Kosovë, e vlerësoi të rregullt procesin zgjedhor në Leposaviq, mirëpo shtoi se vendvotimet janë mbyllur para orës 19:00, për shkak të pengesave. 

“Një grup i organizuar kanë penguar procesin, por nuk kanë qenë agresivë dhe nuk janë sjellë dhunshëm”. 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerësoi “se zgjedhjet komunale të 3 nëntorit janë mbajtur në një atmosferë përgjithësisht të qetë dhe të pranueshme me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve, në pjesën më të madhe të vendit”.

Por ajo shprehu indinjatën e thellë dhe dënoi fuqishëm frikësimin dhe pengimin e qytetarëve të komunitetit serb, që jetojnë në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës.

Analistët 

Edhe analistët politikë kosovarë, kanë thënë fjalë të ngjashme me ambasadorët dhe politikanët për procesin zgjedhor. Ata vlerësojnë se janë tejkaluar problemet e zgjedhjeve të kaluara, që u cilësuan me deformim të vullnetit të qytetarëve. 

“Ka qenë e rëndësishme që të ndryshohet trendi negativ, duke krijuar një proces pa manipulime, pa vjedhje, fer dhe demokratik”, tha Ardian Arifaj. 

Ai tha se ky proces nuk është karakterizuar me parregullsi të rënda, të hasura më herët, ndërsa nuk fajësoi autoritetet e vendit për veriun. 

Sipas Arifajt për gjendjen në veri fajin më së paku e kanë autoritet në Prishtinë .

“Fajin për gjendjen në veri me tepër e kanë BE-ja dhe faktikisht Beogradi, i cili e kontrollon atë pjesë”, tha Arifaj.

Leon Malazogu tha se zgjedhjet këndej Ibrit, këtë herë kanë qenë më mirë të organizuara, ndërsa sipas tij edhe vetë komisionarët nuk kanë tentuar kësaj radhe ta manipulojnë votën. 

“Zgjedhjet kanë qenë me të rregullta edhe pse ende nuk e di si do ta vlerësojnë ndërkombëtarët”, tha ai.

Agon Maliqi, duke u brengosur për dështimin e  mundshëm të procesit në veri, e vlerësoi pozitive daljem më të madhe të votuesve në Këto zgjedhje. 

Dita e zgjedhjeve nga ora në orë

Zgjedhjet lokale të Kosovës kanë filluar pa ndonjë problem serioz dhe në orën 7:00 të mëngjesit, siç ka raportuar Komisioni Qendror Zgjedhor. Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, përveç njërës në Mitrovicën e Veriut.

Gjatë orëve të para të votimit nuk janë raportuar incidente të rënda dhe votimi ka vazhduar pa u penguar. Të kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë rreth orës 10:30, zëdhënësit e partive kryesore në vend kanë vlerësuar se procesi në orët e para ka ecur përgjithësisht mirë.   

Para mesditës, duke vlerësuar daljen në zgjedhje deri në orën 11:00, në shifrat prej 12 për qind, KQZ-ja ka thënë se dalja është më e ulët në raport me matjen e njëjtë për zgjedhjet e 2009-ës. Atëherë kishin dalë mbi 15 për qind të zgjedhësve.  

Por në konferencën tjetër të KQZ-së, kur u vlerësua dalja deri në orën 15:00, shifrat e atyre që votuan u rritën, duke tejkaluar numrat e kësaj kohe, në zgjedhjet e 2009-ës. Përqindja deri në këtë kohë, doli të jetë 31.96 e qytetarëve me të drejtë vote. 

Deri në këtë kohë u rritën edhe incidentet. U raportua për një konflikt verbal në Drenas mes vëllait të Jakup Krasniqit, Avdylit dhe Bujar Gjoshit, vëllait të përfaqësuesit të PDK-së në KQZ, Betim Gjoshit. Për këtë gjë PDK-ja u ankua në Komisionin Zgjedhor  për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP). Abdyl Krasniqi është aktivist i Iniciativës Qytetare të Drenasit. 

KQZ-ja raportoi se deri në orën 13:00 për parregullsi të ndryshme janë arrestuar 11 persona. 

Rreth një orë para se të përmbyllej procesi i votimit, është raportuar edhe për një arrestim tjetër.  Besnik Hasanaj, vëzhgues i Lëvizjes Vetëvendosje në shkollën Kadri Kusari në Gjakovë, është arrestuar nga Policia e Kosovës.  

Përkundër thirrjeve për bojkot, në Partesh, Pasjan, Kllokot dhe komunat tjera me shumicë serbe këndej Ibrit, dalja e qytetarëve për të votuar ka qenë mjaft e lartë.   

Situata në veri ka qenë e përballueshme, megjithë tensionimet mes atyre që votonin dhe thirrësve për bojkot. Rreth dy orë para se të përfundojë procesi zgjedhor, lehtësuesit e OSBE-së janë evakuuar nga shkolla Sveti Sava në hyrje të Mitrovicës dhe nga dy qendra të tjera të votimit në veri, për shkak të paraqitjes së njerëzve me maska në këto qendra. 

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, në konferencën pas mbylljes së vendvotimeve, e përmendi incidentin në veri, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të merren me incidentin atje. 

Aktualisht po numërohen votat.