KQZ: Votuan 47.92 % e Votuesve

E plotësuar

20:40 Në faqen zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor figuron shifra prej 47.92 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve që kanë votuar, ose gjithsej 782 mijë e 692 votues.

Deri në orën 21:00 rreth dy mijë e 168 vendvotime nga dy mijë e 366 sa janë gjithsej, kanë dërguar të dhënat në KQZ ose 91.63 për qind e vendvotimeve.

Dalje më të lartë në zgjedhje ka pasur në komunat me shumicë serbe, si në Partesh ku kanë votuar 64 për qind e qytetarëve, në Kllokot 63 për qind dhe Gracaniçë 54 për qind.  

Ndërsa më së paku pjesëmarrje në zgjedhje ka treguar Dragashi me 39 për qind dhe Skënderaj  me 40 për qind.

Në faqen zyrtare të KQZ-së ende nuk figurojnë shifra të pjesëmarrjes së votuesve në komunat Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, ku janë raportuar disa probleme gjatë votimit.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se materiali zgjedhor është duke ardhur nga veriu dhe do të vlerësohet në Qendrën e Numërimit të Rezultateve.

16:12 Në konferencën e orës 15, Valdete Daka nga Komisioni Qendror Zgjedhor tha se sa i përket parregullësive deri në orën 15 janë paraqitur rreth “15 incidente, ose raportime nga qytetarë të ndryshëm”.

Numri i daljes në votime është rritur pas orës 12:00 dhe krahasuar me vitin e kaluar ky numër është më i madh, tha Daka.

12:33 KQZ: Rënie E Daljes Në Votime

Deri në orën 11 në tërë Kosovën kanë votuar 214 mijë e 29 votues, ose 12.03 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve, sipas kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor Valdete Daka.

“Krahasuar me vitin 2009 ka rënie të numrit të votuesve, sepse atëherë deri në këtë kohë kanë votuar 15.29 për qind të votuesve”, tha Daka.

Daka i bëri këto deklarata gjatë konferencës për shtyp të organizuar nga KQZ-ja. Konferenca po mbahet në ndërtesën e Qeverisë. 

KQZ-ja ka bërë të dituar edhe përqindjen e daljes së votuesve nëpër komunat e Kosovës.

Dalje më e ulët vërehet në katër komunat veriore, ku deri më tani kanë votuar: 4.55 për qind në Zubin Potok, 3.63 për qind në Zveçan, 2.09 për qind në Mitrovicën e Veriut dhe 5.01 për qind në Leposaviq.