OSBE: Nuk Vërehen Tubime Afër Votimeve në Veri

Për dallim nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale që u mbajtën në Kosovë më 3 nëntor, zgjedhjet në pjesën veriore të vendit po zhvillohen pa incidente të raportuara deri më tani.

Nikola Gaon, zëdhënës i OSBE-së tha për Gazetën Jeta në Kosovë se “gjithçka ka shkuar në rregull që kur janë hapur qendrat e votimit në orën 7”.

“Janë 33 qendra votimi në Mitrovicën e Veriut dhe tri në Zveçan”, shtoi ai.

Por, Gaon tha se nuk ka vërejtur “ndonjë tubim jashtë qendrave të votimit”, duke iu referuar grupit të personave që më 3 nëntor kishin kërcënuar qytetarët serbë kur ata po dilnin për të hedhur votën e tyre.

Më 3 nëntor vëzhguesit e Demokracisë në Veprim dhe lehtësuesit e OSBE-së ishin larguar nga tri qendra votimi pas futjes në qendra të votimeve të njerëzve me maska.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka kishte deklaruar më 3 nëntor  se grupe të organizuara njerëzish po kërcënojnë qytetarët, duke u kërkuar të mos dalin të votojnë. Në Policinë e Kosovës nuk ishte paraqitur ndonjë rast kërcënimi për rajonin e Mitrovicës.

“Ka protesta të njerëzve që bëjnë thirrje për bojkot të zgjedhjeve. Është e drejtë e njerëzve që të protestojnë”, kishte deklaruar Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë në veri.