OSBE-ja Dhe DnV-ja Ikin Nga Maskat Në Veri

E plotësuar

20:20 Sulmin e ka dënuar kandidati për kryetar të Mitrovicës Veriore nga Inicitativa Qytetare “Serbe”, Kristimir Pantiç.

“Incidenti ka për qëllim ndalimin e dëshirës së serbëve për të dalë në këto zgjedhje. Qëllimi i incidentit është ndalimi i përparimit të Serbisë dhe që serbët të mos ekzistojnë me në Kosovë,” tha ai. 

18:42 Misioni Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë ka dërguar pjesëtarë shtesë në veri, sipas zyrtares për informim të këtij misioni, Dragana Nikoliq-Solomon.

“EULEX-i është i vetëdijshëm për incidentet serioze që janë shfaqur në veri të Kosovës. Këto incidente kanë penguar procesin zgjedhor në një varg vendvotimesh dhe ne po i marim këto seriozisht”.

18:15 Në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Sveti Sava” ka hyrë një grup i njerëzve të maskuar të cilët kanë përdorur gaz lotsjellës, sipas kordinatorit të Demokracisë në Veprim Valmir Ismailit.

“Një grup njerëzish me maska kanë hyrë në qendër të votimit dhe kanë lëshuar gaz lotsjellës dhe kanë demoluar vendin”, tha Ismaili.

Sipas tij, qendra e votimit aktualisht është e mbyllur.

Ndërkohë, stafi i OSBE-së është tërhequr nga kjo shkollë për shkaqe sigurie.

“Siguria e stafit tonë është rrezikuar në tri qendra të votimit, në shkollën Sveti Sava dhe në dy shkolla të tjera”, tha zëdhënësi i OSBE-së Nikola Gaon.
 
“Për këtë arsye ne kemi tëhequr stafin tonë nga atje”.

Shkolla “Sveti Sava” gjendet në hyrje të Mitrovicës Veriore afër qendrës së qytetit.

Policia e Kosovës ende nuk është deklaruar lidhur me këtë incident.

Ndërkaq agjencia serbe e lajmeve, Tanjug, raportoi se zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare ta lejojë Serbinë të ndërhyjë në veri të Kosovës “për ta lehtësuar situatën”.