Thirrje Për Bojkot Në Veri

Derisa Prishtina zyrtare synon që përmes zgjedhjeve lokale të shtrijë autoritetin e saj në veri të vendit, grupe të caktuara po bëjnë përpjekje për ta ulur numrin e pjesëmarrësve serbë në këtë proces.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kandidatë për kryetar në komunën e Mitrovicës Veriore, thonë se ka kërcënime ndaj votuesve potencialë serbë në atë zonë.

“Ka grupe të njerëzve të paautorizuar, të qytetarëve të cilët qëndrojnë jashtë dhe i kërcënojnë qytetarët e përkatësisë serbe të mos votojnë. Pra është një thirrje për bojkot”, tha Valdete Daka, kryetare e KQZ-së në konferencë për media. 

Oliver Ivanoviq, kandidat i Iniciativës Liri, Demokraci dhe Drejtësi tha se janë vërejtur raste kur ka pasur kërcënime të serbëve te hyrja e vendvotimeve. 

“Kërcënimi më i madh janë personat që rrinë te dera e vendvotimeve dhe i sulmojnë, ose i kërcenojnë kryesisht pleqtë. Ky duhet të jetë proces demokratik”, deklaroi Ivanoviq. 

Ai tha se numri i serbëve që po dalin të votojnë ende është i vogël. 

Por, Agim Deva kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar në Mitrovicën e Veriut tha se procesi po shkon shumë mirë.

“Është mirë. Nuk ka shumë popullatë, por [gjendja] është e tensionuar. Ka raste që po dalin serbët me kontrollu, e po kërcënojnë”, tha ai. 

Por, Besim Hoti, zëvëndëskomandant i Policisë në veri të Kosovës, deklaroi se nuk ka asnjë rast të raportimit të kërcënimit nga “grupe njerëzish të paautorizuar”. 

“Ka protesta të njerëzve që bëjnë thirrje për bojkot të zgjedhjeve. Është e drejtë e njerëzve që të protestojnë. Tjetër gjë është që protesta për bojkot mund të ndikojë psikologjikisht te njerëzit dhe të mos dalin në votime”, deklaroi Hoti.  

Ndërkohë Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur edhe përqindjen e daljes së votuesve nëpër komunat e Kosovës.

Dalje më e ulët vërehet në katër komunat veriore, ku deri më tani kanë votuar:  4.55 për qind në Zubin Potok, 3.63 për qind në Zveçan, 2.09 për qind në Mitrovicën e Veriut dhe 5.01 për qind në Leposaviq.

Thirrjet për bojkotimin e zgjedhjeve të organizuara nga autoritetet kosovare, kishin nisur muaj më parë në pjesën veriore të vendit, ndërsa ishin sulmuar disa serbë që po garonin për parti të caktuara në këto zgjedhje.

Në zgjedhje do të marrin pjesë 103 subjekte politike, 50 prej të cilave shqiptare, 31 serbe dhe të tjerat nga komunitetet minoritare.