Prishtina e Kritikuar Synon Përmbyllje të Projekteve (TV)

Komuna e Prishtinës thotë se është duke u angazhuar që të realizojë projektet e saj përpara zgjedhjeve të reja lokale, teksa përballet me kritikë. 

Një raport i Iniciativës për Progres (INPO), i publikuar në muajin mars të këtij viti, bënte të ditur se një nga të metat e komunës së Prishtinës është teprica e buxhetit.

Sipas këtij raporti, në vitin 2012 teprica e buxhetit ishte 12 milionë e gjysmë, ose 20.3 për qind e tij.

Me mjetet e bartura nga viti 2011, suficiti buxhetor arrinte vlerën gjithsej 21 milionë euro.

Osman Bllaca nga Iniciativa për Progres thotë se komuna nuk është e përkushtuar sa duhet që të përmbyllen projektet e parapara për vitin 2012.

Sipas tij, ndër projektet që kanë qenë të vitit 2012 e janë bartur për vitin 2013, janë ndërtimi i rreth-rrotullimit në rrugën magjistrale në fund të Veternikut, vazhdimi i rrugës “Enver Maloku”, ndërtimi i rrugës “Ndue Përlleshi” etj.

Rreth-rrotullimi i Veternikut

Kostoja e ndërtimit të rreth-rrotullimi në fund të Veternikut, që ka filluar në nëntor të vitit 2012, kap shumën e 5.5 milionë eurove, prej të cilave 2 milionë i ka ndarë Ministria e Infrastrukturës.

Sipas komunës, afati për përfundimin e punimeve të këtij rreth-rrotullimi është një vit.

Zëdhënësi Osaj thotë se zvarritja e projektit për rreth-rrotullim në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj është bërë pasi ka pasur vonesa në procedurat e shpronësimit të pronave afër vend punimit.

Bazuar në kontratën e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunës, sipas tij, shpronësimi ka qenë nën përgjegjësi të ministrisë dhe është dashur të kryhej në vjeshtën e vitit të kaluar.

“Për shkak të neglizhencës së qeverisë kemi vendosur dhe i jemi futur vetë procesit të shpronësimit”, thotë Osaj.

Por Lah Nitaj këshilltar politik në Ministrinë e Infrastrukturës i tha gazetës se në bazë të marrëveshjes komuna e Prishtinës është bartëse e tërë projektit të shpronësimit.

“Të gjitha shpronësimet duhet të kryhen nga Komuna e Prishtinës”, thotë Nitaj.

Sipas tij, vetëm shpronësimi i një pike të “Kosova Petrolit” bëhet nga komuna dhe ministria bashkë.

Pika e pestë e marrëveshjes së nënshkruar në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës lidhur me shpronësimet në kuadër të këtij projekti, që e posedon gazeta, thotë: “Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Infrastrukturës do të iniciojnë bashkërisht procedurat e shpronësimit në Ministrinë e Financave dhe të Ambientit e Planifikimit Hapësinor, lidhur me shpronësimin e objektit të pompës së karburanteve ( Kosova Petrol), duke pasur parasysh se kjo është rrugë me karakter regjional”.

Projekti shkruan se është në menaxhim të komunës.

Lagjja Mati

Zëdhënësi i komunës Asdren Osaj thotë se punimet për rrugën “Enver Maloku” dhe “Ndue Përlleshi”, në lagjen Mati, do të nisin së shpejti.

Rruga “Enver Maloku” ka një gjatësi prej 1024 metarsh. Komuna thotë se janë duke u bërë vlerësimet e ofertave dhe se ende nuk është zgjedhur punëkryesi.

Kurse për rrugën “Ndue Përlleshi”, gjatësia e së cilës është 2 kilometra, komuna thotë se ka nënshkruar kontratën në fillim të muajit mars dhe se punëkryesi ka afat të kryejë punimet në afatin kohor prej 180 ditësh pune.

Sheshet

Sheshet Zahir Pajaziti dhe Ibrahim Rugova janë dy nga projektet kapitale për përmbylljen e të cilave komuna thotë se është duke u punuar në mënyrë intensive.

Sipërfaqja e përgjithshme e sheshit “Zahir Pajaziti” është 17 mijë metra katrorë, ndërsa vlera e përgjithshme e ndërtimit është 4,772,150 euro.

Punimet në këtë shesh kanë filluar në fund të muajit korrik të vitit të kaluar kurse afati kohor për përfundimin e punimeve është 180 ditë punë.

Sipërfaqja e përgjithshme e sheshit “Ibrahim Rugova” është 16 mijë metra katrorë, me vlerë të përgjithshme të ndërtimit prej 4,351,218.00 eurove.

Punimet për këtë shesh kanë filluat në mars të vitit 2012 dhe sipas kontratës janë paraparë të kryhen në një afat kohor prej 280 ditësh .

Komuna thotë se deri më tash punët në këto dy sheshe janë kryer në masën prej 90 për qind.

Pritjet e tyre janë që punimet në këto dy sheshe të kryhen në qershor.

Zëdhënësi Osaj thotë se ekipet mbikëqyrëse të komunës kontrollojnë vazhdimisht punimet në sheshe.

Sipas tij, gjatë pranimit teknik të shesheve do të bëhet kontroll i detajuar rreth shtresimit të pllakave dhe punimeve të tjera, ashtu që të verifikohet se gjithçka është punuar sipas planit të paraparë.

Osaj thotë se pllakat [për sheshet] janë të prodhuesit gjerman, dhe se prodhuesi, përveç monitorimit që po u bën punimeve në shtresimin e pllakave, ka dhënë edhe një garancion prej 10 vjetësh.

Më 2007, kur ishin vendosur pllakat e mermerit në sheshin “Nënë Tereza”, kishte pasur debate të shumta në lidhje me mungesën e kontrollit të radioaktivitetit dhe më pas me cilësinë e pllakave të cilat ishin shfaqur të dëmtuara vetëm brenda disa muajsh.

WC-të publike

Një aspekt i projekteve deri tash ka mbetur i pazbatuar.

Në të dy sheshet ishte planifikuar ndërtimi i WC-ve publike. Vendosja e tyre është bërë problematike pas protestimit të banorëve përreth.

Sipas zëdhënësit të komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, fillimisht ndërtimi i WC-ve publike në sheshin Ibrahim Rugova ishte ndërprerë nga Qeveria.

“Në sheshin Ibrahim Rugova nuk ka lejuar Qeveria që të ndërtohen, na i kanë ndërprerë punimet në mënyrë ta them kështu të rreptë dhe s`ka lejuar që të ndërtohet ai tualet publik, gjoja që po e rrezikon sigurinë e institucioneve qeveritare”, tha Osaj.

Në sheshin Zahir Pajaziti ndërprerja e punimeve për tualete u bë nga Ministria e Ambientit, pas kërkesave të banorëve të asaj pjese.

Sipas, kësaj ministrie tualetet publike nuk do të ndërtohen në atë pjesë. Por, një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga komuna .

Zëdhënësi Osaj, thotë se ndërtimi i këtyre tualeteve ishte paraparë pasi ka qenë kërkesë e vetë banorëve.

Trafiku Urban dhe parkingjet

INPO në raportin e saj ka identifikuar si probleme kryesore në kryeqytet për vitin 2012 edhe mungesën e parkingjeve, mosefikasitetin e ndërmarrjes publike komunale “Trafiku Urban”, procesin e legalizimit, si dhe mbikalimet e nënkalimet.

Ne këto fusha, sipas këtij raporti, do të duhej të punohej me më shumë urgjencë.

Sipas INPO-së komuna një hap të duhur për parkingjet e ka ndërmarrë me fillimin e punimeve për ndërtimin e një parkingu mbitokësor në lagjen e spitalit.

Osman Bllaca thotë se ky parking do të përmirësojë sado pak gjendjen e parkingjeve në kryeqytet.

Parkingu ende nuk është kryer. Nuk ka ndonjë parking tjetër ku është duke u punuar.
uNë muajin shkurt kuvendi komunal i Prishtinës votoi për dhënien e 2 milionë eurove për trafikun urban, me destinim blerjen e autobusëve të rinj.

Komuna thotë se është duke negociuar me qeverinë japoneze për një donacion në kuadër të këtij projekti për trafik urban.

Me këtë donacion parashihet blerja e rreth 50 autobusëve.

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës Asdren Osaj thotë se procedurat tenderuese për këtë projekt janë në zhvillim e sipër.

“Menjëherë sa të përfundojnë procedurat tenderuese ne do t’i blejmë autobusët dhe do t’ua japim ose do t’ua dërgojmë ndërmarrjes së trafikut urban”, tha Osaj.

Iniciativa për Progres thotë se gjendja e autobusëve të tashëm vazhdon të jetë problem për qytetarët.

Sipas INPO-s shumë herë ndodh që gjatë rrugës autobusët të prishen dhe qytetarët duhet pritur autobusin tjetër, ose të gjejnë ndonjë mënyrë tjetër udhëtimi.

“Gjatë verës kur temperaturat po arrijnë edhe 40 gradë, këta autobusë nuk kanë klimë, kurse gjatë stinës së dimrit nuk u funksion ngrohja”, thotë Osman Bllaca, nga Iniciativa për Progres.

Ndërtimet pa leje

Një problem tjetër për Prishtinën mbetet edhe legalizimi i ndërtimeve pa leje. Pjesë e kësaj liste janë edhe vetë zyrtarët e komunës të cilët kanë ndërtuar objekte pa pasur leje paraprakisht.

Në listën prej rreth gjashtë mijë aplikuesve janë edhe gjashtë zyrtarë të Komunës së Prishtinës dhe një ish zyrtare e cila tani është deputete e Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë ndërtuar objekte pa pasur leje për ndërtim.

Sipas raportit të INPO-s gjatë vitit 2012 u legalizuan mbi 100 objekte, ndërsa numri i kërkesave për legalizim sillet rreth 3500. Dy mijë kërkesa tjera pritet që të rifuten përsëri në procedurë për legalizim.

“Sa i përket procesit të legalizimit nuk është ndërmarrë asgjë nga komuna deri më tani, sepse akoma po vazhdohet me ritëm te njëjtë të legalizimit të objekteve”, thotë Bllaca.

Shtatorja Ibrahim Rugova

Komuna pati shpallur konkurs dy herë radhazi për propozimet e artistëve për shtatoren e presidentit Ibrahim Rugova, që parashihet të vendoset në sheshin që mban po këtë emër.

Gara u përsërit me arsyetimin se herën e parë mungonte cilësia. Numri i projekteve të pranuara për herë të dytë është 33, ndërsa janë kualifikuar 6 prej tyre.

Në njoftimin e rezultateve të konkursit për projektin, thuhet se tri vendet e para për punimet e shtatores janë: propozimi i Julian Muqollarit, me një çmim prej 135 mijë eurosh.

Në vendin e dytë është kualifikuar Luan Mulliqi për projektin propozues me kosto prej 89 mijë e 900 euro si dhe vendi i tretë i ka takuar Fatmir Hoxhës për projektin e tij propozues me kosto prej 170 mijë eurosh.

Zëdhënësi Osaj thotë se shtatorja e presidentit Rugova pritet te vendoset në shesh nga mesi i verës.

Rruga “B”

Sipas, komunës me prioritet janë edhe përfundimi i rrugës “B” të qytetit, rrugës mbi kolektor në lagjen Kalabria dhe ndërtimi i rreth-rrotullimit në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj në fund të Veternikut.

Faza e parë e rrugës B kishte përfunduar në qershor të vitit 2011. Ndërsa pjesa e dytë e kësaj rruge nuk ka përfunduar ende.

Pjesa së dytë të rrugës B, përfshinë një gjatësi prej 800 metrash, me një kosto prej 2.8 milionë eurosh ku hyjnë edhe ndërtimi i kolektorit dhe komplet infrastrukturës nëntokësore.

Sipas komunës, kjo rrugë ka një afat për kryerje të punimeve prej një viti dhe se afati për përfundim të punimeve është muaji qershor.

Rruga mbi kolektor në lagjen Kalabria gjatësia e së cilës është 924 metra, ka një kosto prej 700 mijë eurosh.  Afati për kryerje të këtyre punimeve është 1 vit.

Parku “Gërmia”

Një projekt tjetër i komunës së Prishtinës është edhe fillimi i rregullimit të parkut Gërmia.

Për rregullimin e këtij parku komuna ka paraparë të investojë 500 mijë euro. Projekti parasheh rregullimin e shtigjeve për këmbësorë, për çiklistë dhe terreneve sportive.

Sipas komunës, punimet do të fillojnë pas përfundimit të procedurave tenderuese të cilat janë në proces e sipër, por nuk është dhënë një datë e saktë.

“Po ashtu është paraparë që në parkun ‘Gërmia’ të ndërtohet ose të vihet në funksion për herë të parë në Kosovë treni ekologjik, që është i paraparë të fillojë prej rampës ku është tash pishina e Gërmisë, deri te Qendra Protokollare e Kuvendit të Kosovës”, thotë Osaj.

Si i sheh opozita projektet e Prishtinës

Shemsi Veseli, deputet i PDK-së në Kuvend të Prishtinës thotë se planifikimi i projekteve nuk është bërë si duhet.

“Çështja e projekteve kapitale nuk është me planifikim të mirëfilltë profesional, nuk bëhet analizë e mirëfilltë profesionale dhe bartja e buxhetit prej një viti në vitin tjetër, lë të kuptohet se nuk është bërë menaxhim i mirë i tij”, tha Veseli.

Sipas Veselit shembull i zvarritjes së punimeve është rruga B.

“Qe 3 vjet kanë filluar punimet në rrugën B që lidhë lagjen e Spitalit me lagjen e Matiqanit dhe ende nuk është përfunduar”, thotë ai.

Sadri Ramabaja deputet i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës thotë se arsyetimi për bartje të gati një të tretës së buxhetit nga viti 2012 në vitin 2013 nga kryetari i komunës ka qenë sipërfaqësor dhe pa mbulesë reale.

“Edhe ata që nuk kanë as njohuri elementare në fushën e ekonomisë, vërenin se diçka nuk është në rregull”, thotë Ramabaja.

Raporti i INPO-s po ashtu kritikon mosrifreskimin e faqes zyrtare të komunës me të dhëna të reja në të cilën nuk publikohen vendimet e marra dhe nuk ka transparencë për shpenzimet e komunës.

Në një analizë të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP me titull “Buxheti i Kosovës – transparenca dhe format e raportimit buxhetor për shpenzimet e parasë publike, në mars të këtij viti, komuna e Prishtinës del se rreth 50% të parave publike i shpenzon në investime kapitale.

Për paga dhe mëditje Prishtina harxhon 35 për qind të buxhetit në mallra dhe shërbime rreth 12 për qind si dhe në subvencione dhe transfere rreth 3 për qind.