Dy Milionë Euro Për Autobusë Të Rinj

Asambleja komunale e Prishtinës gjatë muajit shkurt votoi për dhënien e dy milionë eurove për Trafikun Urban, me destinim blerjen e autobusëve të rinj. Dhe në bazë të kësaj Komuna e Prishtinës ka filluar procesin e tenderimit.

Numri i autobusëve që do të blihen nuk dihet pasi, sipas zëdhënësit të Komunës, Asdren Osaj, çmimi i tregut është ai që përcakton këtë numër.

Vendimi për blerjen e autobusëve të rinj, për ekspertë të komunikacionit e të mbrojtjes së ambientit shihet si pozitiv, nëse bashkë me të do të ketë hulumtim të nevojave të qytetarëve dhe organizim më të mirë të linjave të autobusëve.

Inxhinieri i komunikacionit Muhamet Krasniqi thotë se prezenca e autobusëve të rinj e rrit sigurinë e gjithmbarshme në transportin publik.

Mirëpo Krasniqi thotë se duhet të bëhet një ridizajnim i vijave dhe orarit të linjave brenda qytetit, dhe se kjo duhet të përcillet me një hulumtim që duhet bërë me të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, për të shikuar nevojat e tyre se në çfarë kohe dhe në çfarë drejtimi u duhet të shfrytëzojnë trafikun urban.

“Që të sigurohet qarkullim sa më i mirë, duhet të bëhet një rishikim i sinjalizimit vertikal dhe horizontal brenda qytetit, me qëllim që shfrytëzuesit e këtyre shërbimeve transportuese sa më shpejt që është e mundur të mbërrijnë në destinacion”, shton Krasniqi.

Drejtori i Qendrës Rajonale të Mjedisit, Agron Bektashi, thotë se transporti urban është një ndër tre ndotësit më të mëdhenj të ambientit.

Sipas Bektashit, efektet pozitive të shtimit të autobusëve mund të arrihen vetëm nëse plotësohen konditat mjedisore.

“Nëse këta autobusë i plotësojnë kushtet e djegies së naftës në bazë të direktivave europiane, ndërrohen të gjithë autobusët e vjetër dhe ka organizim e shpërndarje të barabartë të linjave, do të ketë ndikim pozitiv”, thotë ai.
 
Sipas ekspertëve të komunikacionit dhe atyre të mjedisit, tash nevojitet një marrëveshje më e mirë ndërmjet të gjithë operatorëve që veprojnë brenda Prishtinës, qoftë atyre privatë ose publikë.
 
“Duhet të bëhet një rishikim, për shkak se kemi rritje të qytetit, dhe kemi rritje të kërkesave për shërbime të reja transportuese”, thotë inxhinieri i komunikacionit Muhamet Krasniqi.

Krasniqi shton se duhet të bëhet edhe një fushatë vetëdijesimi, për anët pozitivie të një trafiku urban efikas.
 
Sipas tij, qyteti i Prishtinës bie në sy për “një automobil-një vozitës”, dhe e gjithë kjo thotë ai, për shkak të vonesave të transportit publik.

Ai thotë se duhet të shikohet kur janë flukset më të mëdha të udhëtarëve dhe trafiku urban t’u përgjigjet atyre nevojave. “Në mëngjes duhet të ketë autobusë sa më të shpeshtë dhe në përfundim të orareve të punës”.

E gjithë kjo sipas Krasniqit duhet të plotësohet duke krijuar një vebfaqe efektive ku qytetarët do të kenë qasje në çdo informatë rreth trafikut urban.