Ministria: Nuk Do të Ketë WC Tek “Zahir Pajaziti”

Punimet në sheshet “Ibrahim Rugova” dhe “Zahir Pajatziti” – që kapin hapësirën prej hotelit Grand deri tek ndërtesa e Parlamentit – kishin filluar në mars përkatësisht korrik 2012 dhe e kanë transformuar këtë zonë duke e zgjeruar atë dhe duke e bërë estetikisht më përmbushëse, por një aspekt i projekteve mund të mos zbatohet.

Në të dy sheshet ishte planifikuar ndërtimi i WC-ve publike.

Në sheshin “Ibrahim Rugova” WC-të, sipas projektit, duhej të ndërtoheshin jo larg prej selisë së Qeverisë së Kosovës. Ato nuk janë ngritur ende.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thotë se tash është arritur pajtueshmëri me komunën e Prishtinës që të mos ndërtohen as tualetet publike në lagjen ish-Avalla.

Zëdhënësja e kësaj ministrie Gëzime Hasani i tha gazetës Jeta në Kosovë, se “qytetarët nuk kanë nevojë të shqetësohen më për lokacionin e këtyre tualeteve sepse ato nuk do të ndërtohen”.

Ajo tha se ministria kishte folur me komunën pas pranimit të një peticioni nga qytetarët kundër planit për WC-të.

Arkitekti Korab Syla, koordinator për projekte në kompaninë projektuese “Smart Project” e cila  ka bërë projektin për sheshin Zahir Pajaziti, thotë se ndërtimi i tualeteve ka qenë i paraparë në projekt.

“Nderimit i tualeteve ka qenë i paraparë edhe në projekt, prezantimi i të cilit është bërë më 1 shkurt të vitit 2012”, tha Syla. “Ndërtimi i tyre është paraparë të bëhet në nëntokë dhe mbi to është paraparë të ketë masë gjelbëruese”, tha Syla.

Ndërtuesit nuk janë të njoftuar nga komuna se WC-të nuk do të ndërtohen.


Nën trekëndëshin në të gjelbër parashiheshin wc-publike | Foto: Smart Project

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, nuk konfirmoi se ka ndonjë marrëveshje për mosndërtim të WC-ve.

Osaj tha se punimet për tualete janë paraparë në të dyja sheshet Zahir Pajazit dhe Ibrahim Rugova.

“Nuk ka dhe nuk bëhet fjalë për asnjë ndryshim të projektit”, tha Osaj.

Sipas tij, gjatë debateve publike me qytetarë për projektet në fjalë është folur edhe për këto tualete dhe ndërtimi i tyre është bërë si kërkesë e vetë qytetarëve të Prishtinës.

Por, zëdhënësja e ministrisë Hasani tha se tualetet nuk ishin prezantuar në projektet fillestare dhe se ato ishin shtuar më vonë.

Sipas saj, inspektorati i ministrisë ka zhvilluar një vizitë inspektuese në Drejtorinë për Infrastrukturë Lokale të komunës së Prishtinës, me ç’rast është parë projekti dhe është konstatuar se ka pasur shkelje të Ligjit të Planifikimit Hapësinor, Ligjit të Ndërtimit dhe dispozitave tjera që kanë dalë nga këto dy ligje.

Banorët e lagjes ish-Avalla në Prishtinë kishin protestuar tek lokacioni ku zhvilloheshin punimet duke mos lejuar kështu kompaninë punë kryese të vazhdonte ndërtimi e këtyre tualeteve.

Më shumë në lidhje me këtë temë:
Sheshet “Radioaktive” Kaos Tenderësh