EULEX-i i Shqipton Një Muaj Paraburgim Naser Kelmendit

Një prokuror i EULEX-it në Gjykatën Themelore të Prishtinës, me kërkesë të një prokurori tjetër të misionit europian në Prokurorinë Speciale të Kosovës, i shqiptoi masën e paraburgimit prej një muaji, Naser Kelmendit, të kërkuarit nga Bosnja për krim të organizuar, thuhet në një komunikatë të EULEX-it të lëshuar të enjten.

EULEX-i arrestoi Kelmendin të martën, ndërsa të mërkurën nisi seanca për caktimin e masës së paraburgimit, pa arritur ndonjë përfundim juridik.

Kelmendi sipas kësaj mase do të qëndrojë në arrest deri më 7 qershor. Paraburgimi do t’i llogaritet nga data e arrestimit prej EULEX-it.

Gjykata Nuk Arrin Të Marrë Vendim Për Rastin “Kelmendi”

19: 02

Seanca për caktimin e masës së paraburgimit, e cila ishte e mbyllur për media është mbajtur nën drejtimin e gjyqtares Cornelia Peeck.

Besnik Berisha, njëri ndër avokatët e të paditurit tha se pritet që gjykata të enjten të dalë me një vendim.

Avokati Berisha tha se të gjitha akuzat ndaj klientit të tij janë politike, meqë sipas tij Naser Kelmendi ka sponsorizuar më herët një parti politike në Bosnjë, e cila tash është në opozitë dhe se akuzat janë një lloj hakmarrje, për këtë.

Sipas tij prokurori special Erik Larsson, ka pretenduar se Kelmendi gjendet në listën e zezë të SHBA-ve, por se për këtë nuk ka ofruar argumente.

Gjithnjë sipas Berishës Prokurori special ka pretenduar se Kelmendi përveç nënshtetësisë boshnjake dhe kosovare ka edhe nënshtetësi malazeze.

Besnik Berisha po ashtu deklaron se Naser Kelmendi nuk ka të bëjë me krimin e organizuar, por se është një afarist i suksesshëm dhe se përveç Bosnjës nuk ka pasur probleme me ligjin në asnjë vend tjetër të botës, bile as për kundërvajtje.

Berisha shpjegoi se mbrojtja i ka propozuar gjykatës që në vend të masës së paraburgimit Naser Kelmendit t’i caktohet një masë alternative, ku ai do paraqitej në gjykatë gjithmonë kur të ketë nevojë.

Avokati Berisha tregoi se prokuroria e akuzon Kelmendin për krim të organizuar, trafikim me drogë dhe vrasjen e një rivali në Bosnjë.

16:30

EULEX-i nëpërmjet një komunikate të lëshuar të mërkurën, përgëzoi Policinë e Kosovës për aksionin  e kapjes së të kërkuarit me fletarrest ndërkombëtar Naser Kelmendit, duke bërë me dije se i tërë aksioni është zhvilluar pa ndihmën e misionit.

Policia e Kosovës arrestoi të dielën Kelmendin, duke iu përgjigjur një kërkese të Interpolit, të ashtuquajturit “Njoftimit të kuq”.

“Njoftimi i kuq” i Interpolit sipas EULEX-it është kërkesë zyrtare për kryerjen e arrestimit të personave të dyshuar të cilët gjenden jashtë juridiksionit ku ata janë të akuzuar për ndonjë krim.

Më tutje në komunikatën e EULEX-it thuhet se Naser Kelmendi është duke iu shmangur drejtësisë boshnjake, ku akuzohet për vrasje në tentativë dhe shitje e shpërndarje të substancave narkotike të  paligjshme në Amerikën Jugore, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtete tjera të Evropës Perëndimore.

Misioni evropian sqaron gjithashtu se ka nisur një hetim ndaj Naser Kelmendit, me të njëjtat vepra, me të cilat ai ngarkohet në Bosnjë, ndërsa hetimi do të përfshijë një grup të përzier me prokurorë vendas dhe ata nga EULEX-i.

EULEX-i në komunikatë bën me dije se nuk ka mandat të ekstradojë qytetarë të Kosovës të kërkuar nga vendet tjera, pasi vepron nën juridiksionin e ligjeve kosovare, të cilat ndalojnë ekstradimin drejt një shteti, nëse me të nuk kanë marrëveshje ekstradimi.

Pasi Bosnja nuk e ka njohur Kosovën, vendi ynë nuk ka marrëveshje ekstradimi me këtë shtet.

EULEX-i nëpërmjet komunikatës ka ofruar si mundësi lehtësimin e kontakteve mes dy shteteve për çështjen e ekstradimit.

EULEX-i Merr Mbi Vete Rastin “Kelmendi”

Policia e EULEX-it nga njësia për hetimin e krimit të organizuar ka arrestuar të martën mbrëma Naser Kelmendin, pasi të njëjtit I kaloi masa e paraburgimit prej 48 orësh- thuhet në një komunikatë të lëshuar nga misioni europian.

Kelmendi është arrestuar me urdhër të një prokurori të EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në përputhje me një hetim të nisur ndaj tij, vazhdon komunikata.

Sipas EULEX-it arrestimi është bërë në koordinim të plotë mes prokurorëve vendas dhe ndërkombëtarë, ndërsa Kelmendi po hetohet mes tjerash, edhe për krim të organizuar.

Bosnja kërkon ekstradimin e Naser Kelmendit

Policia e Kosovës thotë se Naser Kelmendi, i cili u arrestua të dielën në Prishtinë, pas përfundimit të arrestit 48 orësh pritet t’i dorëzohet prokurorisë së shtetit.

Zëdhënësja e policisë Sabrie Kamberi i tha gazetës se “prokuroria që nga fillimi ka qenë e informuar me rastin dhe është duke e përcjellë atë”.
 
Por zyrtarisht gazetës nuk i është konfirmuar nga prokuroria ecuria e mëtejshme e rastit.

Nuk ka ende ndonjë vendim nëse do kërkohet caktimi i paraburgimit për Kelmendin, ndërsa është duke u diskutuar edhe mundësia që lënda të bartet tek një prokuror i EULEX-it.

Ndonëse ligjet e Kosovës parandalojnë ekstradimin e shtetasit Naser Kelmendi, i njohur si bos i drogës në Ballkan, autoritetet boshnjake kanë thënë se një kërkesë e tillë do të bëhet gjithsesi.

Ministri boshnjak për siguri, Fahrudin Radonciq, ka thënë të hënën se arrestimi i Kelmendit është bërë në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga prokuroria e Bosnjës, ku ai akuzohet për vrasje dhe krim të organizuara.

Radonciq ka thënë se Kelmendi është gjurmuar nga Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës e Bosnjës, ndërsa u arrestua nga policia.

Edhe pse Bosnja nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike me të,  Radonçiq ka thënë se vendi do të kërkojë ekstradimin e Kelmendit për t’u gjykuar në Sarajevë.

“Kosova ka rregulla kushtetuese dhe ligjore për të mos lejuar ekstradimin e personave të lindur në Kosovë në vendet e tjera”, tha Radonçiq.

“Zyrtarisht na është thënë se ata duan që ai të gjykohet në Kosovë, por ne do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë ai.
 
“Do të përpiqemi që përmes rrugëve diplomatike dhe rrugëve tjera  të kërkojmë nga autoritetet  e Kosovës që të bëhet një përjashtim në rastin e Kelmendit dhe ai të gjykohet në Sarajevë”,  ka sthuar Radoniciq.

Boris Grubeshiq nga zyra e Prokurorisë së Bosnjës tha se institucionet policore dhe gjyqësore duhet të bëjnë gjithë atë që është e mundur për të bërë që ekstradimi të ndodhë.

Kjo sipas Grubeshiqit është e rëndësishme sepse i dyshuari është ndjekur penalisht në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se ky është rasti më i madh në luftën kundër krimit të organizuar në Bosnen e post-Dejtonit..

Derisa Bosnja dhe Kosova nuk kanë komunikim direkt,  Ministria e Drejtësisë boshnjake duhet ta dërgojë kërkesën për ekstradim nga Prokuroria e Bosnjës tek autoritetet e Kosovës përmes EULEX-it dhe policisë ndërkombëtare në Prishtinë.

Agjencitë policore të Bosnjës ishin në kërkim të Kelmendit gjatë aksionit të gjerë me emrin e koduar “Lutka”, të kryer vitin e kaluar në disa qytete rreth Bosnjës ku u arrestuan dhjetëra persona.

Dyshohej se Kelmendi kishte ikur në vendlindjen e tij në Kosovë ku u arrestua të dielën së bashku me Fuad Nikqin i cili dyshohet që e kishte ndihmuar atë.

Familja Kelmendi e udhëhequr nga Naseri ka në pronësi kompani tregtare që operon në Dubai, biznese që merren me patundshmëri në Mal të Zi, hotele e restorante në Sarajevë, biznese të tregtisë me naftë e vetura si dhe argjendari në Kosovë.

Mali i Zi: Hetimi i Kelmendit është çështje e Bosnës

Agjencia Kombëtare për Siguri e Malit të Zi, kërkon nga policia e Bosnjës për të verifikuar pretendimet se disa punonjës të kësaj agjencie kishin lidhje me tregti të dyshuar të drogës.

Ministri malazez i drejtësisë Dusko Markoviq thotë se përgjegjësia kryesore për hetimin e Naser Kelmendit i bie Bosnës.

Agjencia Kombëtare e Sigurisë së Malit të Zi i ka kërkuar kreut të Policisë Federale të  Bosnjës Dragan Lukac, që të sjellë të dhëna që mbështesin pretendimet e tij  se individë të kësaj agjencie kanë pasur kontakte me Naser Kelmendin, biznesmenin e lindur në Kosovë e të portretuar nga SHBA-të si një diler i drogës.

Lukac kishte deklaruar në mediat vizive, të enjten se ai kishte marrë “të dhëna operative” që konfirmojnë këtë fakt disa vite më parë.

Një hetim i mëhershëm nga organet e drejtësisë në Mal të Zi kishte ardhur në përfundim se Kelmendi kishte shkelur ligjin me ndërtimin e hotelit Casa Grande në Ulqin në vitin 2009.

Muajin e kaluar prokuroria malazeze bëri një marrëveshje me Kelmendin për një dënim prej 10 mijë eurosh në vend të ndjekjes penale.

Më 21 shtator të vitit 2012 Policia e Kosovës kishte arrestuar edhe djalin e Naser Kelmendit, Elvis Kelmendin që po ashtu kërkohej në Bonjë.

Autoritet boshnjake po kërkonin Elvis Kelmendin si të  dyshuar për tentim vrasje të rëndë në vitin 2010.

Arrestimi i Elvis Kelemendit nga Policia e Kosovës u bë duke marrë për bazë një urdhër arrest ndërkombëtar.

Pas ndalimit 48 orësh, në mungesë të marrëveshjes për ekstradim në mes të Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës ai është lënë i lirë për tu arrestuar nga EULEX-i më 24 shtator.

Naser Kelmendi, djemtë e tij Elvisi, Liridoni dhe Besniku, si dhe vëllai i tij Beqiri, thuhet se zotërojnë një numër të bizneseve në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë, duke përfshirë hotele dhe një kompani kamionësh.