Naser Kelmendi Ka Perandorinë e Tij

“Njeri i dhënë pas veturave dhe femrave”, është përshkrimi që i ka bërë vetës biznesmeni kontrovers Naser Kelmendi, kur para një viti ka dhënë një intervistë ekskluzive për një medium malazias.

“I dua veturat. I dua femrat. Por ajo çka fillimisht mua më shkon në mendje janë vetëm femrat”. Madje, thotë ai, në Serbi shkon vetëm hatri tyre.

Kur është pyetur se çka e lidhë atë me Serbinë, Kelmendi është përgjigjur shkurt: “Më pëlqejnë femrat”.

“Jam 54 vjeçar e droga nuk më ka interesuar kurrë. Jam thjeshtë një biznesmen”, pati thënë vitin e kaluar Kelmendi, për Vijest-in, një shtëpi mediale në Mal të Zi.

Sivjet ai ka 55 vjet dhe është në listë të zezë të SHBA-së pasi që vlerësohet se udhëheq një rrjet kriminal ballkanik që merret me biznesin e drogës.

“I dua veturat. I dua femrat” Naser Kelmendi

Departamentit Amerikan i Thesarit dyshon se Kelmendi udhëheq një nga familjet më të forta kriminale shqiptare në Ballkan e cila merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik, një lëndë e parë që përdoret në prodhimin e heroinës, dhe në Europë transportohet nëpërmjet Ballkanit.

Emri i tij në listë të zezë të Shtëpisë së Bardhë u vu përkrah liderit të kartelit meksikan të drogës Hoze Antonio Sota Gastemula si dhe tregtarit afgan Sajed Vazir Shah.

Kelmendi është duke u kërkuar nga Policia e Bosnjë e Herzegovinës e cila ka marrë një aksion të gjerë për kapjen e tij.

Një flet-arrest ndaj tij është lëshuar më 19 shtator edhe nga autoritetet në Kosovë pasi autoritetet boshnjake e kërkojnë Kelmendin përmes Interpol-it.

Por, Naser Kelmendi ende nuk është kapur edhe pse dyshohej se kishte hyrë në vend prej datës 10 shtator. Zyrtarët policorë e kishin parë në Pejë duke pirë kafe por nuk kishin mundur ta arrestonin në mungesë të ndonjë urdhri përkatës.

Pas lëshimit të flet-arrestit, policia kosovare zuri një person tjetër që i kishte përngjarë si Kelmendi, por e ka liruar më vonë. Ajo nuk e di nëse Kelmendi, që ndërkohë u bë i padukshëm, ende qëndron në Kosovë.

Por djali i tij Elvisi tashmë është arrestuar.

Problematike mbetet ekstradimi i tyre në Bosnjë edhe nëse autoritetet arrijnë të arrestojnë Naser Kelmendin pasi që Kosova dhe ky shtet nuk kanë marrëveshje për këtë çështje.

Gjatë këtij muaji, Naser Kelmendi kishte qëndruar edhe në “Hotel Dukagjini”, pronë e biznesmenit Ekrem Lluka.

“Hoteli është publik. Aty mund të rrijë kushdo”, i ka thënë Lluka gazetës, përmes telefonit.

Kelmendi kishte provuar burgun kur kishte vetëm 19 vjet

Biznesmeni nga Peja me nofkën “Meto”, i lindur më në shkurt të vitit 1957 kishte rënë në burg 19 vite më pas në shkurtin e vitit 76.

Ai ishte dënuar nga një gjykatë në Pejë me 18 muaj burgim për shkak të një tentim vrasje.

Veç Naserit, edhe tre anëtarë tjerë të familjes së tij janë dënuar më herët nga gjykata në Sarajevë.

Beqir Kelmendi në vitin 2004 u dënua për blerje dhe mbajtje të një arme pa leje.

“Beqir, Elvis dhe Liridon Kelmendi, të tre anëtarë të familjes së tij janë dënuar më herët”

Elvis Kelmendi në vitin 2009 ishte dënuar nga një gjykatë në Sarajevë për shkak të sjelljeve të dhunshme. Ai kishte goditur tri herë në fytyrë një burrë ndërsa kishte grushtuar edhe një grua.

Po ashtu edhe Liridon Kelmendi ishte dënuar në vitin 2006 pasi që kishte armë e municion pa leje.

Ndërkohë Naser Kelmendi, bazuar në të dhënat e The Organized Crime and Corruption Reporting Project (OCCRP), një organizatë  jo-profitabile që merret me gazetari në Bosnjë, edhe pas lirimit kishte qenë i dyshuar nga autoritetet për sjellje të dhunshme.

Kelmendi tash, 35 vite më vonë pas atij dënimi, është i martuar me Fatima Kelmendi dhe ka tre fëmijë Elvisin, Liridonin e Besnikun.

Të tre djemtë e tij punojnë bashkë me të në bizneset e familjes e po ashtu edhe gjysmë vëllai i tij Beqir Kelmendi.

Familja e tyre zyrtarisht merret me biznes të patundshmërive, hotele, argjendari, tregti të naftës e veturave por autoritetet në Bosnjë vazhdimisht kanë dyshuar se Kelmendët  merren me biznesin e drogës , kontrabandës me naftë e duhan, trafikim me njerëz , pastrim parash e zhvatje.

Policia kantonale e Sarajevës deri më tash ka ngritur 13 kallëzime penale ndaj Naser Kelmendit e djemve të tij për çështje që kanë të bëjnë me vrasje e tentim vrasje.

Në një rast Policia e kishte ndaluar Naserin dhe e kishte marrë në pyetje rreth vrasjes së Ramiz “Celo” Deletic një tregtar boshnjak i drogës i cili kishte pasur përplasje me shqiptarët lokalë por në këtë rast nuk u ngrit ndonjë aktakuzë ndaj tij.

Ndërkohë OCCRP-së raporton se Interpol-i e Agjencia Shtetërore e Bosnjës për Mbrojtje dhe Hetime (SIPA) kanë të dhëna rreth lidhjeve të Naser Kelmendit.

SIPA mendon se pjesë e rrjetit të tij janë edhe Safet Sajo Kalic, një trafikant droge nga Mali i Zi, si dhe Muhammad Gashi, një tjetër shqiptar me bazë në Sarajevë i cili merret me zhvatje.

Intelegjenca serbe e lidh atë me mafien e Pejës si dhe liderë kyç politikë në Kosovë të cilët kishin drejtuar “krahun e luftës”.

Kelmendi kishte pasur marrëveshje biznese me disa biznesmenë të fuqishëm përfshirë Fahrudin Radoncic pronar i gazetës më të madhe në tregun e Bosnjës.

“Në raportin e SIPA-s thuhet se biznesmeni i patundshmërive Raduniqi ka në pronësi gazetën Dnevni Avaz. ‘Avaz’ dhe Kelmendi shkëmbyen patundshmëri në Zenicë dhe Sarajevë. ‘Avaz’ bleu veturë të blinduar nga Kelmendi”, raporton OCCRP.

Miq të Kelmendit përmenden njerëz si Ekrem Lluka, një biznesmen i fuqishëm në Kosovë, Naser Oric një komandant i forcabe boshnjake në Srebrenicë i cili shfrytëzon për të jetuar hotelin “Casa Grande”, si dhe Nihad Bojadzic që aktualisht është duke u gjykuar për krime lufte kundër kroatëve.

Autoritetet në Bosnjë përmendin si njeri të lidhur me Naser Kelmendin edhe Jasmina Babiq me të cilën Kelmendi ka lidhje jashtë martesore.

“Babiq lindi në Serbinë Perëndimore. Sipas të dhënave të Policisë ajo udhëton shpesh  Bar-Sarajevë me shumë para dhe i raporton tek autoritetet doganore. Disa kanë dalë të jenë të Kelmendit”, raporton OCCRP.

Kompanitë e Familjes

“Casa Grande”, një hotel dhe restorant në periferi të Sarajevës është në pronësi të Naser Kelmendit sikur edhe “Donata Company”, biznes i patundshmërive në Mal të Zi.

Kelmendi bazuar në deklarata dhënë prokurorëve në Sarajevë ka një kompani tregtare në Dubai që operon nëpër pikat doganore të këtij shteti.

Naser Kelmendi po ashtu ka pesë apartamente e dy shtëpi në Sarajevë si dhe një shtëpi e një apartament në Ulqin.

Ai po ashtu ka pesë apartamente  e dy shtëpi në Sarajevë si dhe një shtëpi e një apartament në Ulqin. Në pronësi të tij janë edhe veturat si “Hummer”, “Armored Jeep Cherokee”, “Audi A 8” dhe “BMW X5”.

Kelmendi po ashtu dyshohet që përfiton nga fajdet ku i jep huadhënie njerëzve me një kamatë prej 10 për qind.

“Adolado”, një fabrikë me bazë në Sarajevë që merret me prodhimin e akulloreve është në pronësi të Beqir Kelmendit

“Miss Donna”, një dyqan argjendarie në Pejë është në pronësi të Liridon Kelmendit.

“Dona Shell”, një kompani tregtare që ka në pronësi një stacion gazi, salon të veturave, markete, motele si dhe dyqan mobiliesh në Pejë. Ajo është pronë e Besnik Kelmendit.