Policia Arreston të Birin e Naser Kelmendit

Burime të sigurta në Policinë e Kosovës i kanë thënë të shtunën Gazetës Jeta në Kosovë se Elvis Kelmendi kërkohet nga shteti i Bosnjës për një rast tentim-vrasje.

Arrestimi i tij është konfirmuar nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Elvisi është djali i Naser Kelmendit i cili kërkohet po ashtu nga shteti i Bosnjës për një varg veprash penale.

Naser Kelmendi, 55-vjeçar, sipas Departamentit të Thesarit, dyshohet se ka udhëhequr njërën nga familjet më të forta kriminale shqiptare në Ballkan.

Ka kohë që ai është i dyshuar për drejtimin e një organizate të madhe që merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik, një lëndë e parë që përdoret në prodhimin e heroinës, dhe në Europë transportohet nëpërmjet Ballkanit.

Naser Kelmendi, djemtë e tij Elvisi, Liridoni dhe Besniku, si dhe vëllai i tij Beqiri, thuhet se zotërojnë një numër të bizneseve në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë, duke përfshirë hotele dhe një kompani kamionësh.

foto  
Fotot: Interpol