Politikanët Fantazojnë Në Kërkim Të Votës

Partia Demokratike e Kosovës në pushtet të gjitha tubimet elektorale nëpër komuna i nisë dhe i përfundon me tupanë e surle, instrumente këto orientale, ndërsa kudo premton shndërrimin e vendbanimeve kosovare në europiane, nëse i jepet besimi edhe për katër vjet. 

Kjo parti pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në kohën kur gjithashtu udhëhiqte vendin, është kapur tash për një gjë tjetër të madhe-ëndrrën europiane të kosovarëve, të cilën e ka kryefjalë të fushatave në pesë vjetët e fundit. 

Kosova është i vetmi vend ballkanik që nuk mund të lëvizë lirshëm në Zonën europiane Shcengen, ndërsa vetëm në pranverën e vitit të ardhshëm mund të bëjë hapin e parë serioz drejt BE-së, nëse me Bashkimin Europian nënshkruhet Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. 

Dy ministritë kryesore, ajo e integrimeve dhe e brendshmja, mbi të cilat bie barra kryesore e çuarjes së vendit drejt Europës, udhëhiqen nga PDK-ja. 

Prokuroria e Eulex-it që nga nëntori i vitit të kaluar po heton keqpërdorimet e tenderit të pasaportave biometrike, të shpallur nga MPB-ja dhe të fituar atëherë nga kompania austrike OeSD, me dyshimet se 1 milion e 400 mijë euro nuk i kanë shkuar kësaj kompanie për pagesë të prodhimit të pasaportave, por u janë dhënë ryshfet disa zyrtarëve. 

Pasaportat biometrike, janë kusht për lëvizje të lirë të qytetarëve, kur Kosovës t’i mundësohet heqja e vizave. 

Por këto ngjarje nuk e pengojnë partinë më të madhe kosovare që të paktën gjatë fushatës elektorale Kosovën ta shikojë me syze europiane.

Franca në Lipjan

Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, kur shkoi për ta mbështetur kandidatin e PDK-së për komunën e Lipjanit, Shukri Bujën, në tubimin e hapjes së fushatës në këtë komunë, më 4 tetor, e kishte gojën plot Europë. 

Për Hoxhajn, Lipjani nuk u ngjason qyteteve kosovare, por atyre të vendeve të zhvilluara.

“Shumë njerëz nga Prishtina do të vijnë e të jetojnë në Lipjanin e bukur, i cili i përngjet më shumë Francës sesa dikujt tjetër”, tha Hoxhaj, të premten e katër tetorit në Lipjan, një ditë pas nisjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të Kosovës.

Francën të gjithë e njohin përmes kryeqytetit të saj Parisit, që është edhe qyteti më i madh këtij shteti, e që simbolizohet me Kullën e Eiffel-it.

Parisi ka pak më shumë banorë se krejt shteti i Kosovës, rreth 2 milionë e 2 mijë banorë në një sipërfaqe prej 105.4 kilometra katrorë. Kosova ka 10 mijë e 887 kilometra katrorë dhe 1 milion e 739 mijë e 825 banorë, sipas regjistrimit të vitit 2011.

Lipjani si vendbanim shtrihet në pjesën qendrore të Kosovës dhe njihet si komunë që gjendet në afërsi të drejtpërdrejtë me qendrat tjera të mëdha të Kosovës. Lipjani ka rreth 422 km² dhe afërsisht 72 mijë banorë.

Ndoshta e “përbashkëta” e Parisit dhe Lipjanit është se këto dy qytete kanë nga një lum. Lipjani shtrihet përreth luginës së lumit Sitnica, derisa përmes Parisit, duke e ndarë në dysh, rrjedh lumi Sena.

Raportet e institutit GAP për vitin 2012 alarmojnë për derdhjen e kanalizimit edhe në Sitnicë dhe kundërmimin e rëndë të rrjedhës së këtij lumi, përderisa në Senë ka edhe plazhe, për t’ua improvizuar detin parisienëve. 

Premtimet europiane të fushatës nga subjektet politike, njohësit e procesit të integrimeve në BE, i quajnë politikisht të pamoralshme. 

“Nuk ka aspak moral dhe etikë politike në fushatën zgjedhore dhe tanimë është bërë trend që të thuhet diçka që politikanët as vetë nuk i besojnë. Të krahasohet Lipjani me Paris është një llapsus politik. Edhe pse tani shoqeria nuk ka fuçi te reagojë, do i ndjek prapa ata që përdorin manipulimin si mjet politik për të arritur ose mbajtur pushtetin, thotë Shenoll Muharremi, drejtor ekzekutiv i Development Group LL.C, një kompanie këshillëdhënëse për zhvillimin ekonomik dhe integrimet europiane të Kosovës.

Edhe Gazmend Qorraj,  profesor në Fakultetin e ekonomisë që mban gradën Jean Monnet Chair, titulli më i lartë akademik i BE-së për integrime europiane, thotë se karahasime të tilla mes qyteteve kosovare dhe europiane nuk duhet të bëhen. 

“Mendoj se secili qyetet ka vlerat e veta qoftë kulturore qoftë ekonomike, prandaj qytetet e Kosoves nuk duhen krahasuar me metropolet europiane ose botërore, por duhet punuar për t’i zhvilluar ato dhe për t’i bërë funksionale për qytetarët që jetojnë dhe punojnë në to”, thotë Qorraj. 

Zyrtarët e lartë të PDK-së në Prizren | Foto: Facebook, Enver Hoxhaj

Mitrovica-Wembley i Londrës 

Por të njëjtën ditë kur Hoxhaj e bëri Lipjanin qytet francez, një premtim edhe më të çuditshëm e dha kryetari dhe kandidati për kryetar i Mitrovicës nga PDK-ja Avni Kastrati, kur krahasoi stadiumin Adem Jashari me Wembley të Londrës. 

Kryetari i qytetit të ndarë që nga paslufta, vendosi të merret në fushatë me vendin ku do të zhvillohen lojërat, edhe pse gjatë tërë mandatit të tij është sfiduar nga probleme serioze, e më të mëdha. 

“Stadiumi ‘Adem Jashari’ brenda katër vjetëve do të duket sikur ‘Wemblley’ i Londrës”, tha Kastrati gjatë hapjes së fushatës në Mitrovicë.

Stadiumi “Adem Jashari” është më i madhi në Kosovë dhe i vetmi stadium olimpik, por tribunat e tij ku mund të zënë vend 29 mijë shikues, i bëjnë hije dhe zënë një pjesë të rrugës automobilistike e të asfaltuar në dalje të tij. 

“Wembley” i Londrës gjendet në pjesën veriperendimore të këtij qyteti dhe konsiderohet si një shtëpi e famshme për sportistët. 

Është hapur në vitin 2007, pasi është ndërtuar në vendin e njëjtë ku ka qenë Wembley i vitit 1923. Ai zë 90 mijë spektatorë, ndërsa është i dyti për nga madhësia në Europë, pas stadiumit të Barcelonës Camp Nou. 

Kryeministri Thaçi në të njëjtin tubim premtoi 150 milionë euro investime në komunën e Mitrovicës, nëse qytetarët ia besojnë përsëri komunën Avni Kastratit. 

Tramvajet e Fushë-Kosovës 

Të martën e tetë tetorit, një koleg i Kastratit nga PDK-ja, kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës Naser Grajçevci, në emisionin e transmetuar në RTV 21 “Debatet Zgjedhore 2013”, premtoi linjë tramvajesh për qytezën pranë Prishtinës. 

Grajçevci tha se projekti do të finalizohet në bashkëpunim me institucionet qendrore, pasi është i kushtueshëm. 

Komuna e Prishtinës, e drejtuar nga LDK-ja, në projektet zhvillimore, parasheh një linjë të tramvajeve elektrikë që do të lidhin Prishtinën me aeroportin e Sllatinës. Kjo mund të bëhet pas vitit 2020. 

Një tramvaj elektrik i firmës kroate “Rade Konçar” që do të ishte më lehtë të blihej, kushton 5 milionë e 300 mijë euro. Komuna e Fushë-Kosovës aktualisht funksionon me një buxhet prej më pak se dhjetë milionë euro. 

Ajo nuk mund t’i blejë as dy tramvaje të tillë me paratë publike që i jepen, ndërsa rrjeti energjitik kosovar duhet të jetë shumë stabil për tramvaje të tillë. 

100 Milionë për Prizrenin 

Kryeministri Thaçi u tregua dorëlirë me fjalë edhe në Prizren, kur për votimin e sërishëm të Ramadan Mujës nga qytetarët, premtoi 100 milionë euro. 

Muja është duke u përballur me proces gjyqësor, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit, kur po konkurron për mandatit e tij të tretë. 

Të enjten e 10 tetorit, fushatën ia ndërpreu seanca gjyqësore, ndërsa një tjetër ballafaqim me gjyqin ai do ta ketë më 24 dhe 25 tetor, edhe pse ka kërkuar që të mos shqetësohet gjatë fushatës, pasi po e ndien veten të pabarabartë në garë. 

Të enjten kur Muja kërkoi shtyrjen e seancës për mungesë avokati, kryetari i trupit gjykues i tha: “nuk je në supermarket për të zgjedhur, por në gjykatë”. 

Ai është njëri ndër nëntë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës që janë duke u hetuar nga gjykatat e vendit.

Prizreni është qyteti që vizitohet më së shumti nga turistët në Kosovë, për vlerat e tij historike dhe frymën kosmopolite, ndërsa në 11 vjetët e fundit është bërë i njohur edhe për organizimin e festivalit të filmit dokumentar “Dokufest” që hapjen e pati në vitin 2002. 

Isa Mustafa, gjatë hapjes së fushatës në Prishtinë | Foto: Facebook, Isa Mustafa

“Rikthehet” Prishtina e Vjetër 

Edhe partia më e madhe opozitare i bëri premtimet e saj. 

Kryetari i tanishëm i Prishtinës dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, paralajmëroi se do ta ndalojë qarkullimin e automjeteve në pjesën e vjetër të kryeqytetit, për ta ndërtuar një shesh me kalldrëm. 

Më gjashtë tetor, ky ishte premtimi i kryetarit Mustafa, teksa ai pinte çaj dhe prezantonte programin e tij zgjedhor para prishtinasve, në përurimin e rikonstruktimit të Hamamit të Prishtinës. 

“Në pjesën ku ndodhen disa nga xhamitë kryesore, Muzeu Kombëtar si dhe “Sahatkulla”, do të ndërtohet një shesh me kalldrëm, i cili do të përkufizojë pjesën e vjetër të qytetit”, tha Mustafa para prishtinasve, teksa bën thirrje që ta votojnë edhe për një mandat të tretë. 

“Dëshirojmë që këtë pjesë të qytetit ta konservojmë. Të ndalim qarkullimin e automjeteve në këtë pjesë dhe do ta bëjmë një shesh të vjetër të qytetit, të cilën do ta përdorin të gjithë qytetarët”, shtoi Mustafa. 

Rruga që Mustafa premtoi se do të konservohet është linja kryesore që çon për parkun “Gërmia”. 

Mimoza Kusari-Lila gjatë hapjes së fushatës në Gajkovë | Foto: Facebook, AKR

“Ateroni në Gjakovë” 

Edhe AKR-ja, partneri i vogël i koalicionit qeveritar, e drejtuar nga biznesmeni Pacolli nuk po frikohet ta premtojë kudo zhvillimin ekonomik, por në Gjakovë, Mimoza Kusari premtoi fluturime komerciale në aeroportin e këtushëm të mbajtur nga NATO-ja. 

Mimoza Kusari-Lila, që deri një ditë para fillimit të fushatës e ka mbajtur postin e ministres së tregtisë dhe industrisë, tashti kërkon për herë të dytë besimin e gjakovarëve, ndërsa më 3 tetor shoqërohej nga Pacolli, kur foli për aeroportin. 

Mimoza Kusari-Lila, para qytetarëve të saj tha “së bashku do të shohim aeroplanët duke u ngritur dhe ateruar nga Aeroporti i Gjakovës”. 

Kosova ka vetëm aeroportin “Adem Jashari”, ndërsa aeroporti i Gjakovës që para luftës ishte aeroport bujqësor është rindërtuar pas vitit 1999 nga ushtarët italianë të KFOR-it, ndërsa shfrytëzohet prej tyre. 

Kusari-Lila kishte formuar një komision të MTI-së për të negociuar dorëzimin e aeroportit te autoritetet civile të vendit në vitin 2013. Planifikohet që italianët të largohen nga aeroporti deri në fund të vitit, por Kusari-Lila nuk ka folur para gjakovarëve se si do ta bëjë këtë. 

“Unë jam i befasuar nga fakti se si marrin guximin politikanë të caktuar të bëjnë premtime pa asnjë mbështetje profesionale. Madje edhe një pjesë e tyre që nuk kanë arsimin themelor e që fatkeqësisht udhëheqin mekanizma të rëndësishëm qoftë në Qeveri, por edhe në Parlament”, thotë profesori Gazmend Qorraj, kur flet për premtimet e mëdha dhe ato europiane të subjekteve kosovare. 

“Skandalet janë produkt i kësaj shkolle të qeverisjes ku abuzohet me administratë publike dhe resurse kyçe, për te pasur kontroll në vendimmarrje të rëndësishme”, e mbështet profesorin Qorraj, Shenoll Muharremi. 

Partitë që premtojnë “pak” 

Por LVV-ja dhe AAK-ja janë kujdesur që të mos japin premtime të forta. 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në vendlindjen e tij në Deçan, më tetë tetor ka thënë që ta votojnë partinë e tij dhe kryetarin e tanishëm Rasim Selmanaj, pasi sipas tij fjalët e të tjerëve janë vetëm kozmetike. 

Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht i është drejtuar elektoratit të saj me fjalët që të mos votojnë të korruptuarit që po bëjnë premtime të mëdha. 

Haradinaj, fjalë të ngjashme si në Deçan, tha edhe në Prizren më gjashtë tetor. 

“Mos u mashtroni nga premtimet milionëshe që po bëhen në Prizren gjatë kësaj fushate zgjedhore”, deklaroi ai, duke iu referuar Partisë Demokratike të Kosovës. 

Kur qytetarët do të kërkojë llogari për premtimet, më së lehti do të shpëtojë Partia e Fortë. 

Të “Fortët” kanë thënë: “ne premtojmë se nuk do ta mbajmë asnjë premtim”. 

Partia e Fortë duke prezentuar projektin e rezidencës së kryetarit |Foto: Facebook, PF