Kandidatët e Dorëzuar Para Problemeve (TV)

Hafize Berisha, gruaja e kryetarit aktual të Fushë-Kosovës, tha se burri i saj Burimi, vetëm një herë kur janë fejuar, i ka qitur kafe, duke i thënë që të mos e harrojë këtë ditë,pasi kjo do të jetë kafja e fundit prej tij. Burim Berisha ende nuk e ka thyer këtë premtim.

Debatet zgjedhore të emisionit Jeta në Komunë, sivjet i portretizojnë kandidatët për kryetarë komunash me fjalët e partnerëve jetësorë, ose anëtarëve të familjes së tyre.

Më shumë kafe prej burrit pi Nexhmije Krasniqi, gruaja e Hasan Krasniqit, kandidatit për kryetar komune nga AAK-ja. Ajo thotë se që nëntë vjet martesë, kafen e mëngjesit e pi të servuar nga bashkëshorti.

Zonja Berisha zbuloi edhe se kryetari i Fushë-Kosovës u bie çiftelisë e sharkisë, ndërsa Kadrie Ademi, bashkëshortja e kandidatit të AKR-së, Shaban Ademit, tha se burri i saj dëgjon këngët e Dervish Shaqës, rapsodit të vdekur në vitin 1985.

Por, punët nuk janë për këngë dhe relaksim me instrumente në Komunën e Fushë-Kosovës. Raporti i institutit Gap, i titulluar “Problemet kryesore dhe trendët buxhetorë”, i publikuar një muaj para zgjedhjeve të 3 nëntorit, identifikon si njërin nga problemet kryesorë të qytezës, mungesën e ujit të pijshëm dhe cilësinë e dobët të tij.

Sipas raportit, vetëm pesë për qind e familjeve të Fushë-Kosovës, të lidhura në sistemin e ujësjellësit, kanë furnizim të pandërprerë, përderisa pjesa tjetër e qytetarëve që kanë qasje në ujësjellës, përballen me reduktime të ashpra.

Mesatarisht rreth 42 për qind e familjeve kosovare në nivel vendi, furnizohen pandërprerë me ujë. Përqindja e familjeve të tilla në Fushë-Kosovë është shumë më e vogël. Edhe cilësia e ujit me të cilin furnizohen fushë-kosovarët është më e dobët se mesatarja e vendit.

Problemi i furnizimit me ujë në komunë, përcillet i pazgjidhur nga zgjedhjet në zgjedhje, edhe pse kandidati i LDK-së Burim Berisha, njëherit edhe kryetar për dy mandate radhazi, kishte dhënë premtime që do të zgjidhet problemi i ujit, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Berisha, gjatë emisionit për Fushë-Kosovën të Jetës në Komunë, të transmetuar të martën mbrëma në RTV 21, tha se ka shtuar sasinë e ujit të pijshëm për 100 litra në sekondë, ndërsa nuk premtoi zgjidhje konkrete gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

Berisha nuk pati zgjidhje gjatë emisionit edhe për derdhjen e kanalizimeve në Sitnicë, Prishtevkë dhe Drenicë, tre lumenjtë që rrjedhin nëpër territorin e komunës. Ai për këtë fajësoi Prishtinën, duke thënë se sasia më e madhe e ujërave të zeza në Fushë-Kosovë vjen nga andej.

Zgjidhje për lumenjtë që kundërmojnë nga kanalizimet nuk patën as kandidatët Hasan Krasniqi (AAK), Shaban Ademi (AKR) dhe Ylber Islami (VV) që thanë se kolektorët e ujërave të zeza kushtojnë shtrenjtë. Kandidati i PDK-së Naser Grajçevci, tha se deri në vitin 2017 qytetarët nuk do ta derdhin kanalizimin në lumenj, nëse ai fiton besimin e tyre.

Kandidatët nuk e thanë saktësisht se si do ta shpenzojnë buxhetin prej më pak se dhjetë milionë eurosh, nëse bëhen kryetarë të Fushë-Kosovës, vetëm Burim Berisha përcaktoi fushat nga do të shkojë paraja publike e kësaj komune. Tha mes tjerash se do të investohet në infrastrukturë, arsim e ndriçim.

Përveç Naser Grajçevcit, kandidatët tjerë u ruajtën për të dhënë premtime të mëdha.

Kandidati i PDK-së Grajçevci, premtoi mes tjerash linjën e tramvajeve për Fushë-Kosovën, në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe zbatimin e politikës “një familje, një i punësuar”.

Kandidatët u pyetën edhe se çfarë do t’u ofrojnë komuniteteve pakicë të përqendruar në lagjet “02”, “07”, “028” dhe “029”. Aty jetojnë rreth pesë mijë banorë komunitetesh kryesisht romë që ankohen për probleme të ndryshme.

Kandidatët nuk premtuan ndonjë gjë të veçantë për ta, përveç se thanë që do t’i trajtojnë njësoj si shumicën, si pakicat.

Përfaqësuesit e kësaj zone thonë se problemet kryesore janë mungesa e çerdhes, mungesa e qendrës rinore, mungesa e ujit të pijes, mungesa e ndriçimit publik, mungesa e gjelbërimit dhe e hapësirave sportive dhe rekreative.

Fushë-Kosova ka vetëm një çerdhe funksionale publike, ka mungesë mbikalimesh e nënkalimesh për të kaluar rrugën e shpejtësisë së lartë prej tetë korsive, ndërsa banesat kolektive në këtë komunë thuajse janë ngjitur me njëra-tjetrën nga shpeshtësia e tyre.