Kandidatë: Kreu i Prokurimeve Dhe Pretendenti Për Guvernator

Kreu i Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik, Safet Hoxha, të dielën është kandiduar për anëtar të Këshillit Drejtues të PDK-së.

Në dhjetor, Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar se ditën kur deputeti Ramë Vataj u rizgjodh kryetar i degës së PDK-së në Suharekë, zyrtari kryesor i tenderëve publikë, Safet Hoxha, ishte i pranishëm në atë kuvend.

Hoxha, ish-asambleist i PDK-së në Suharekë, cili tash udhëheq KRPP-në si një institucion të pavarur nga ekzekutivi, thoshte se atëherë mori pjesë në tubim vetëm si mysafir.

Por, të dielën ai u kandidua në mesin 275 delegatëve, si delegat nga Suhareka, për të zënë një vend në Këshillin Drejtues të përgjithshëm të PDK-së, që do t’i ketë 151 anëtarë.

Hoxha i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ligjërisht nuk e ka të ndaluar që të jetë pjesë e strukturës së një subjekti politik. “Nuk jam i interesuar për të punuar në kundërshtim me ligjin dhe në rast se ligji më ndalon një gjë të tillë unë jam i gatshëm të heq dorë nga strukturat partiake”, i tha Hoxha Gazetës Jeta në Kosovë.

Me ligjin për prokurimin publik, anëtarët e bordit të KRPP-së propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi i Kosovës, kurse nuk ka ndonjë kufizim decidiv kundër emërimit të anëtarëve të partive politike në bord.

Po ashtu, edhe sipas ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, “zyrtari i zgjedhur si përfaqësues i partisë politike ruan të drejtën e ushtrimit të funksionit në parti politike nëse me ligj të veçantë nuk është paraparë ndryshe”.

Në mesin e kandidatëve për Këshill Drejtues të PDK-së është edhe ish-ministri i financave Bedri Hamza. Ai është zyrtarisht kandidat për guvernator të Bankës Qendrore.

Neni i 6 ( gjashtë), i Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës thotë se BQK “ anëtarët e organeve vendimmarrëse ose personeli i saj, nuk do të marrin udhëzime nga ndonjë person apo subjekt tjetër, duke përfshirë subjektet qeveritare”.

“Pavarësia dhe autonomia e Bankës Qendrore respektohet në çdo kohë dhe asnjë person apo subjekt nuk do të provojë të ndikoj anëtarët e organeve vendimmarrëse apo të personelit të Bankës Qendrore në realizimin e detyrave të tyre apo të ndërhyjë në aktivitetet e Bankës Qendrore”, vazhdon neni.

 
Betim Gjoshi dhe Bedri Hamza në konventën zgjedhore të PDK-së, 27 janar 2013  

 

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci i tha Gazetës Jeta në Kosovë, se deri tash janë numëruar rreth 20 për qind të votave të konventës qendrore të kësaj partie për Këshillin Drejtues, organin e saj kryesor vendimmarrës, kurse rezultati final, sipas tij, pritet të dihet pas dy ditësh.

Gazeta Jeta në Kosovë po ashtu raportoi të hënën se Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që nga viti 2008, Betim Gjoshi, gjendet në konflikt të mundshëm interesi pasi ai është edhe kryeshef i ndërmarrjes publike Trainkos. Edhe ai ishte delegat në konventë.

Në Trainkos punon edhe një asambleist i Prishtinës nga PDK-ja Liridon Restelica, ndërsa kryeshefi ekzekutiv i “Ibër Lepencit”, Hajdar Beqa, ishte zgjedhur javën e kaluar kryetar dege i kësaj partie në Gjakovë.

Përfaqësues të shoqërisë civile kritikojnë Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për emërim të përkrahësve partiakë dhe familjarëve nëpër borde drejtuese të institucioneve që ligjërisht janë të pavarura.

Agron Demi, drejtor në Institutin për Studime të Avancuara (GAP),  thotë se Kuvendi i Kosovës, tek i cili KRPP është përgjegjës, duhet te kërkojë shkarkimin e Safet Hoxhës.

“Kur kihet parasysh se organi që duhet të vendosë për rregullsinë e tenderëve, po ashtu udhëhiqet nga PDK, atëherë kemi përzierjen e politikës në procedurat e prokurimit publik”, Demi i tha të hënën Gazetës Jeta në Kosovë.

“Përkundër asaj se Komisioni Europian ka kritikuar mënyrën e prokurimin publik në Kosovë, partia në pushtet si duket nuk është e interesuar që të prishë komforin e saj për hatër të integrimeve europiane”, shtoi ai.

Sipas tij, mbi 80 për qind e organizatave buxhetore udhëhiqen nga ana e PDK-së.

“Tani haptas po tentohet që të vendosen njerëzit e kësaj partie në të gjithë trupat e pavarur”, shtoi Demi.

Më 24 dhjetor Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se Blerim Rexha ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë në kohën kur ishte nominuar të udhëheqë një institucion të pavarur – Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Në zgjedhjet që u mbajtën më 22 dhjetor,  Rexha mori votat e nevojshme për të qenë anëtar i Këshillit Drejtues të degës ani pse ai vetëm një muaj e gjysmë më herët ishte propozuar nga kryeministri Hashim Thaçi për pozitën e kryetarit të bordit të AKP-së.

Në të kaluarën, ai ishte zëvendësministër për Energji dhe Miniera në qeverinë “Thaçi 1” dhe ish-shef për teknologji në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, një trupë e formuar nga PDK-ja në kohën kur ishte në opozitë.

Në një hulumtim që gazeta kishte bërë në dhjetor të 2011-ës, po ashtu kishte rezultuar se shumë nga drejtorët e bordeve në ndërmarrjet publike ishin politikë ose të lidhur me politikën.

Hulumtimi nënvizonte se Rexhë Gjonbalaj anëtar i bordit të PTK-së ishte edhe anëtar i degës së PDK-së në Pejë.

Anëtarët e bordit të KEK-ut Agim Nika, Izet Ibrahimi e Mujë Rugova vinin nga radhët e PDK-së.

Anëtarët e bordit të drejtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Bislim Zogaj dhe Besnik Krasniqi ishin anëtarë të PDK-së.