Anëtari i KQZ-së në Konflikt të Mundshëm Interesi

Betim Gjoshi, aktualisht përfaqësues i PDK-së në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), është edhe kryeshef i ndërmarrjes publike Trainkos, që merret me operimet e trenave të Hekurudhave të Kosovës.

Ky aktivizim i tij në dy poste publike mund të jetë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë. Nenin 61.8, pika E e ligjit, përcakton se zyrtari nuk ka të drejtë të jetë anëtar i KQZ-së “nëse është zotërues i një posti të lartë publik ose i një posti të lartë në parti politike”.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovës parasheh se ku nuk mund të punojë një anëtar i këtij institucioni, por se “duhet të zbërthehet se çka i bie post i lartë publik”.

Ky ligj nuk e definon se çka është “zyrtari i lartë publik”.

Por këtë e bën ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, neni 4, që thotë se kryetari dhe anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor hyjnë në kategorinë e zyrtarëve të lartë publikë.

Përfaqësuesi i PDK-së, Betim Gjoshi, thotë se rasti nuk përbën konflikt interesi. “Nuk përbën konflikt, sepse unë kam hequr dorë nga paga ime në KQZ”, thotë ai.

As ligji për parandalimin e konfliktit të interesit dhe as ligji për zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë nuk përcaktojnë çështjen e lirimit nga paga.

Hasan Preteni, drejtori i Agjencisë Anti-Korrupsion (AKK), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se rasti i Gjoshit është duke u trajtuar.

“Të dhënat për këtë rast bëhen publike vetëm pasi të nxirret vendimi final”, thotë Preteni.

 
Betim Gjoshi  

 

Edhe Liridon Restelica, aktualisht Këshilltar në Kuvendin e Prishtinës nga PDK-ja, është zv.kryeshef ekzekutiv në ndërmarrjen publike Trainkos.

Restelica ka deklaruar në AKK se në Hekurudha merr pagë vjetore 14 mijë e 400 euro ndërsa si këshilltar në Komunën e Prishtinës ka pagë vjetore prej 3 mijë eurosh.

“Jam ithtar i zbatimit të ligjeve me përpikëri dhe ato do t’i respektoj çdo herë”, tha Restelica për gazetën. “Por, mbajtja e këtyre dy pozitave nuk është në kundërshtim as me ligjin për ndërmarrjet publike dhe nuk kemi të bëjmë me konflikt interesi”.

Restelica shton se në këtë pozitë ishte emëruar në shkurt të vitit të kaluar nga një panel i përbërë prej ish-kryeshefit ekzekutiv dhe një personel tjetër, pjesë e menaxhmentit.

Edhe ai do të hetohet nga AKK-ja. Drejtori Hasan Preteni thotë se pas pyetjeve nga ana e Gazetës Jeta në Kosovë , agjencia do ta trajtojë rastin.

Asambleistët hyjnë në kategorinë e zyrtarëve publikë sipas ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit.

Ramadan Sejdiu, drejtor i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik , thotë se ligji për ndërmarrjet publike, neni 21.1, përcakton se zyrtarët e lartë të ndërmarrjes – kryeshefi ekzekutiv, zyrtari kryesor dhe i financave, sekretari dhe auditori –  emërohen nga Bordi i Drejtoreve.

Sipas Sejdiut, bordi i drejtoreve, në bazë të nenit 21.3 të të njëjtit ligj, nëse vlerëson të nevojshme për shkak të madhësisë ose llojllojshmërisë se veprimtarisë së ndërmarrjes, ka të drejtë që me një vendim dhe rregullore të vendosë që të këtë një apo dy zëvendës-kryeshef ekzekutivë. “Mirëpo, punësimi i tyre duhet të jetë transparent dhe në bazë të kushteve që i përcakton rregullorja e brendshme e ndërmarrjes dhe ligji i punës”.

Hasan Ibraj, kryesues i bordit të Trainkos-it, thotë se emërimi i zëvendës-kryeshefit ekzekutiv është bërë në përputhje me një rregullore të ndërmarrjes dhe me konkurs të hapur.

Në nenin 21.3 të ligjit për ndërmarrjet publike, i cili përcakton përbërjen e ndërmarrjes publike, nuk përmendet pozita e zëvendës-kryeshefit ekzekutiv.
 
Kryeshefi i “Ibër Lepencit” zgjedhet kryetar dege i PDK-së

Në kuvendin zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjakovë, të shtunën më 19 janar, është zgjedhur kryetar dege Hajdar Beqa.

Beqa mban edhe pozitën e kryeshefit ekzekutiv në ndërmarrjen publike “Ibër Lepenc” që nga shtatori i vitit 2009. Kjo ndërmarrje me seli në Prishtinë furnizon industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë me ujë të papërpunuar si dhe prodhon energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit.

 
Hajdar Beqa | Foto: Facebook  

 

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2012 në Agjencinë Kundër-Korrupsion, Hajdar Beqa ka shkruar se merr 34,313 euro pagë vjetore nga kjo ndërmarrje. Gjithashtu ai merr pension invalidor nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në vlerë prej 2,160 euro.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Hajdar Beqa, thotë se zgjedhja e tij kryetar dege nuk bie ndesh me rregullativën ligjore për ushtrimin e detyrës edhe si kryeshef.

“Ligji (për Ndërmarrjet Publike NR:03/L-087) thotë: ‘Të gjithë drejtorët përveç Kryeshefit Ekzekutiv duhet të jenë të pavarur…”, tha Beqa.
 
Prapë, thotë ai, nëse organet kompetente për interpretimin e ligjit konstatojnë se ka bërë shkelje të ligjit, ai do të japë dorëheqje.

“Unë zotohem se menjëherë pas marrjes së një konstatimi të tillë, do të jap dorëheqje nga njëra pozitë”, tha Beqa.

Ramadan Sejdiu, drejtor i Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike në ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, i tha gazetës se zyra e tij është interesuar që çdo veprim i ndërmarrjeve publike të  mbështetet në dispozita të qarta dhe jo kundërthënëse ligjore.

Sipas tij, ligji për ndërmarrjet publike e përcakton që të gjithë drejtoret përveç kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjeve publike duhen të jenë të pavarur.

“Ne rast së pretendohet se ky nen bie në kundërthënie me ndonjë nen të këtij apo ndonjë ligji tjetër atëherë interpretimin duhet kërkuar nga Zyra Ligjore e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës apo edhe Gjykata Kushtetuese”, tha Sejdiu.

Edhe Hasan Preteni, drejtor i Agjencionit Kundër-Korrupsion, thotë se sipas ligjit për parandalimin e konflikti të interesit, në këtë rast, nuk ka ndonjë konflikt të kësaj natyre.

“Zyrtari i lartë si përfaqësues i partisë politike ruan të drejtën e ushtrimit të funksionit në parti politike, nëse me ligj të veçantë nuk është paraparë ndryshe”, tha Preteni.

Por, Kodi i Etikës për Qeverisjen Korporative një dokument i prodhuar nga Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike e sheh këtë situatë si konflikt të mundshëm të interesit.

Në pikën 7 thuhet se Konflikti i Interesit mund të paraqitet kur një punëtor i ndërmarrjes – “është drejtor apo zyrtar i Ndërmarrjes dhe është i përfshirë në mënyrë aktive – ose ka për qëllim të përfshihet në mënyrë aktive – në ndonjë parti politike dhe /ose ka për qëlim të kandidojë për zgjedhje në një post publik”.

PDK në vazhdimësi ka emëruar zyrtarët e saj në poste publike

Më 24 dhjetor Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se Blerim Rexha ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë në kohën kur ishte nominuar të udhëheqë një institucion të pavarur – Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP). 

Në zgjedhjet që u mbajtën më 22 dhjetor,  Rexha mori votat e nevojshme për të qenë anëtar i Këshillit Drejtues të degës ani pse ai vetëm një muaj e gjysmë më herët ishte propozuar nga kryeministri Hashim Thaçi për pozitën e kryetarit të bordit të AKP-së.

Në të kaluarën, ai ishte zëvendësministër për Energji dhe Miniera në qeverinë “Thaçi 1” dhe ish-shef për teknologji në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, një trupë e formuar nga PDK-ja në kohën kur ishte në opozitë.

Më 10 dhjetor 2012, gazeta raportoi se Safet Hoxha, i cili mban pozitën e kryetarit të bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ishte i pranishëm në tubimin e PDK-së në Suharekë ku u rizgjodh për kryetar dege deputeti Ramë Vataj.

Hoxha i cili udhëheq një instituticion të pavarur nga ekzekutivi, dhe që është ndër të tjera, përgjegjës “për të vëzhguar dhe mbikëqyrur zbatimin e dispozitave të ligjit dhe të rregullave të prokurimit publik”e kishte pranuar se mori pjesë në tubim, por kishte thënë se aty ishte vetëm si mysafir.

Ai para se të emërohej në këtë pozitë në korrik të vitit 2010 kishte qenë asambleist nga radhët e
PDK-së në Kuvendin Komunal të Suharekës.

Në një hulumtim që gazeta kishte bërë në dhjetor të 2011-ës, po ashtu kishte rezultuar se shumë nga drejtorët e bordeve në ndërmarrjet publike ishin politikë ose të lidhur me politikën.

Hulumtimi nënvizonte se Rexhë Gjonbalaj anëtar i bordit të PTK-së ishte edhe anëtar i degës së PDK-së në Pejë.

Anëtarët e bordit të KEK-ut Agim Nika, Izet Ibrahimi e Mujë Rugova vinin nga radhët e PDK-së.

Anëtarët e bordit të drejtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Bislim Zogaj dhe Besnik Krasniqi ishin anëtarë të PDK-së.