Dyshimet që Rëndojnë Mbi Jeton Sadikun

Jeton Sadiku, biznesmeni 42 vjeçar që bëri bujë në gusht të vitit 2011 kur bleu “Llamkosin”, njërën prej ndërmarrjeve më në zë në Kosovë, është duke u mbajtur në paraburgim nën dyshimet për falsifikim të dokumenteve dhe dëmtim të kreditorëve.

Biznesmeni i panjohur deri para tre vjetësh kishte blerë në mënyrë të diskutueshme nga Agjencia Kosovare e Privatizimit fabrikën e llamarinës që gjendet në Vushtrri.

Gazeta Jeta në Kosovë pati zbuluar në shkurt të vitit 2012 se Sadiku lidhi marrëveshje me AKP-në si drejtor i “Corestel DMCC” me bazë në Dubai, por një kompani tjetër e tij, “Corestel Ag” me seli në Zvicër, ishte në procedurë të falimentimit.

Në vitin 2009, “Fortis Bank”, e cila kësaj firme ia ka huazuar një shumë të panjohur parash, kishte kërkuar pranë Gjykatës së Lartë të Londrës falimentimin dhe mbylljen e kësaj firme dhe shpagimin e borxheve ndaj saj.

Sipas rregullave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pjesëmarrja në tender u ndalohet “personave fizikë dhe juridikë të cilët gjenden në procedura të falimentimit ose likuidimit”.

Por AKP-ja mbronte shitjen e bërë duke thënë se janë kryer të gjitha kontrollet përkatëse.

http://gazetajnk.com/?cid=1,987,1286

Por privatizimi i promovuar si investim i suksesshëm vetëm një vit e gjysmë më vonë ndali prodhimin dhe iu vu dryni nga blerësi i saj.

Ndërkaq një vit pas mbylljes, në dhjetor të vitit 2013, problemet në këtë ndërmarrje u thelluan.
Në dhjetor të vitit 2014  pronari i ndërmarrjes Jeton Sadiku u dërgua në paraburgim nën dyshimet për  veprat penale -mashtrim dhe dëmtim i kreditorëve.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar kallëzimin penal kundër Sadikut që Njësia e Hetimeve për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Mitrovicë e ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, më 27 dhjetor 2014 vendosi që Jeton Sadiku, pronar i ndërmarrjes “Llamkos”, të mbahet për një muaj në paraburgim duke nisur nga 26 dhjetori deri më 26 janar 2015. Gjyqi më 26 janar vendosi që Sadikut t’i vazhdohet paraburgimi, konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë, Ismet Ujkani, prokuror i këtij rasti.

Ujkani mori vendimin për nisjen e hetimeve bazuar në kallëzimin penal të ngritur nga policia dhe kërkoi nga gjykata që të caktojë vendim për paraburgimin e tij.

Kallëzimi penal tregon për veprimet e Sadikut, blerës i “Llamkosit”, që ka ndërmarrë dhe që për hetuesit policorë janë të dyshimta.

Jeton Sadiku, pronar i “Corestell Sh. P.K” në Vushtrri më datën 26 shkurt 2014 në Bankën Ekonomike në Vushtrri ka lidhur marrëveshje kreditore në vlerë prej 480 mijë eurove.

“Kjo është bërë duke lënë në hipotekë pronën e cila më parë në mënyrë të kundërligjshme përmes dokumenteve të falsifikuara me një aktvendim për lirimin e hipotekës të datës 10 janar 2013 në Zyrën Kadastrale në Vushtrri është liruar nga hipoteka e disa marrëveshjeve të mëparshme kreditore në vlerë prej 13 milionë  e 982 mijë eurove me “Standard PLC Bank” nga Londra, obligimet ndaj së cilës ende nuk i kishte kryer”, thuhet në kallëzimin penal të Policisë Rajonale në Mitrovicë.

Sipas hetuesit policor, “Standard Bank” me bazë në Londër asnjëherë nuk kishte marrë vendim që të lirohen nga hipoteka ngastrat e lëna në hipotekë nga Sadiku.

Njësia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Mitrovicë gjatë hetimeve në këtë rast kishte kërkuar raport nga “Standard Bank”.

Raporti i Jonathan David Gordon Holmes, menaxher në “Standard Bank” në Londër, që citohet nga hetuesit policorë në Mitrovicë, thotë se pronat që Sadiku më pas i kishte lënë në hipotekë në Bankën Ekonomike ende janë të regjistruara si hipotekë në marrëveshjet kreditore mes “Standard Bank PLC” dhe “Corestel Sh.p.k”.

Menaxheri i bankës thekson në raport se “Hipoteka është në fuqi dhe me efekt të plotë”.
Gazeta Jeta në Kosovë i dërgoi pyetje bankës me bazë në Londër, por ende nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarët e saj lidhur me rastin e biznesmenit Jeton Sadiku.

Deklarata e Sadikut në hetuesi

Më datën 26 dhjetor 2014 në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar Jeton Sadiku, pronar i kompanisë “Corestel DMCC” me seli në Dubai, ku deklaron se në gusht të vitit 2011 ka bërë privatizimin e “Llamkosit” në bazë të procesit të likuidimit të aseteve të “Llamkosit” në vlerë prej 6 milionë e 400 mijë eurove dhe se ka marrë përsipër borxhet e “Llamkosit” në vlerë prej 900 mijë eurove.

Gjithnjë, sipas të dyshuarit, para participimit në procesin e tenderit kanë marrë një aprovim nga “Standard Banka” për marrjen e kredisë në shumë deri 25 milionë euro.

Sipas tij kjo kredi i është aprovuar kompanisë me seli në Dubai.

Kompania e tij kishte tërhequr katër shuma milionëshe nga kjo bankë.

Në gusht të vitit 2011 kishte tërhequr dy herë. Një herë 9 milionë e 457 mijë euro dhe njëherë tjetër 3 milionë euro. Në nëntor të vitit 2011 kishte tërhequr 1 milionë e 25 mijë euro dhe në janar të vitit 2012 kishte tërhequr  500 mijë euro.

Sadiku ka thënë para hetuesve policorë se e ka nënshkruar personalisht marrëveshjen për kredi me Bankën Ekonomike në mënyrë që t’ua paguajë pagat e punëtorëve.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar Enver Isufin, kryetarin e  Sindikatës së Punëtorëve të “Llamkosit”, për ta pyetur nëse Sadiku kishte shpenzuar paratë e marra në Bankën Ekonomike për të paguar pagat.

Isufi e ka mohuar këtë.

“Prej ndaljes së prodhimit (dhjetor 2013) askush prej punëtorëve nuk ka marrë paga. Na është thënë se do të na japin nga 170 euro gjatë kohës sa nuk jemi në punë. Por kjo nuk ka ndodhë asnjëherë”, tha Isufi.

Ndërkohë Sadiku, gjatë intervistimit në polici, ka thënë para hetuesve se ka nënshkruar pa e lexuar dokumentin bazë të kredisë që tregon për pronat e lëna hipotekë në Bankën Ekonomike.

Sipas Jeton Sadikut, vënia nën hipotekë e këtyre parcelave nuk ishte pjesë e marrëveshjes me Bankën Ekonomike.

Në kallëzim penal shkruan se Sadiku ka deklaruar se kanë ngritur padi për kontestimin e dokumentit që fut këto parcela në hipotekë në Bankën Ekonomike.

Sadiku u referohet parcelave që aktualisht janë nën hipotekë në Bankën në Londër.
Sadiku të njëjtën deklaratë e dha edhe para trupit gjykues në seancën e mbajtur më 27 dhjetor në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Sadiku ka deklaruar se nuk e ka lexuar draftin e marrëveshjes me Bankën Ekonomike që i vë në hipotekë pesë parcelat që janë të hipotekuara edhe në “Standard Bank” në Londër.

“Tek më vonë e kam kuptuar se ekziston klauzola se kanë mbetur në hipotekë katër parcelat”, ka thënë Sadiku.

Avokat mbrojtës i Sadikut në këtë seancë gjyqësore ishte Basri Jupolli.
Gazeta Jeta në Kosovë është përpjekur për të marrë përgjigje nga Jupolli.

Ai ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këtë rast.

Banka Ekonomike nuk dha përgjigje se a ka bërë verifikime të dokumentacionit me të cilin Jeton Sadiku ka aplikuar për kredi.

Në një përgjigje të shkruar, Banka Ekonomike tregoi se ka nisur procedurat për t’i regjistruar në emër të vetin pronat e lëna në hipotekë nga Sadiku,

 “Lidhur me rastin “Coreestel” Sh.p.k, Banka Ekonomike ka filluar procesin përmbarimor me  dt.25.07.2014, me qëllim të realizimit të kërkesave për inkasimin e obligimeve në vonesë”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë Blerim Xharavina, koordinator i Zyrës Ligjore në Bankën Ekonomike.

 “Si mbulesë për produktet kreditore të shfrytëzuara, Banka Ekonomike ka të regjistruar në favor të saj hipotekën e rendit të parë në pasurinë e paluajtshme të “Coreestel” Sh.p.k, dhe mjetet tjera fikse si peng të regjistruara në MTI-Zyra për Regjistrimin e Pengut, konform të gjitha dispozitave ligjore dhe rregullave në fuqi”, tha Xharravina.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ndëshkon Sadikun

Ylli Kaloshi,, zyrtar i lartë për marrëdhënie me publikun në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, tha se ky institucion nuk i komenton veprimet e organeve hetuese.

Sipas tij AKP-ja nuk ka qenë në dijeni për vendosjen e pronave të ndërmarrjes “Llamkos” në hipotekë nga ana e blerësit.

“Por edhe kontrata nuk e ndalon një gjë të tillë. Bazuar në kontratën e shitjes për Ndërmarrjen e Re ‘Llamkos’, nuk ka ndonjë kufizim për blerësin, mbi vendosjen e pronave të ‘Llamkosit’ në hipotekë”, tha Kaloshi.

“ AKP-ja nuk ka informata se sa për qind e pronave është vënë në hipotekë nga ana e blerësit në bankën e përmendur”, tha Kaloshi.

Kaloshi tregoi se bazuar në kontratën e lidhur mes palëve, AKP-ja nuk ka mundësi të bëjë shkarkimin e pronave nga hipoteka, sepse shitja e këtij aseti është realizuar përmes likuidimit.

Por Kaloshi tregoi se Agjencia e Privatizimit ka aplikuar ndëshkime financiare për blerësin e ndërmarrjes “Llamkos”, pas shkeljeve të kushteve të kontratës që janë bërë nga ana e tij.

  “Deri me tani ndëshkimet që janë aplikuar për blerësin e Ndërmarrjes se Re “Llamkos’’ janë 1.686.459.21 euro.

Kaloshi thotë se me vendim të Bordit të AKP-së janë aplikuar ndëshkimet prej 10 % për pjesën e papërmbushur të zotimeve që kanë qenë 14 milionë e 214 mijë e 645 euro, e që i bie 1 milion e 451 mijë e 464 euro.

Sadiku obligohet të paguajë edhe 234 mijë e 995 euro interes për shkak të mospagesës me kohë të ndëshkimit.

Përveç ndëshkimeve financiare që Sadiku obligohet të paguajë, ai ka edhe borxhe tjera.
Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar në shtator të vitit 2014 se “Llamkosi” kishte blerë nga “Trepça” koncentrat të zinkut e plumbit.

Kontrata mes palëve ishte nënshkruar më datën 9 korrik të vitit 2013.

Kontrata obligonte kompaninë “Corestel” që të paguante në avanc rreth 70 për qind të shumës dhe pastaj të merrte koncentratin. Kompania pagoi rreth 10 milionë euro si avancë.

Gjithçka kishte shkuar në rregull deri kur nuk ishte paguar një sasi prej 1 mijë e 343 tonë koncentrat të plumbit dhe 1 mijë e 500 tonë koncentrat të zinkut.

Rreth 500 mijë euro ishte llogaritur vlera e këtij koncentrati.

Ahmet Tmava, drejtor në Ndërmarrjen “Trepça”, pati thënë se ata janë duke përgatitur një padi ndaj kësaj ndërmarrjeje, për shkak të borxhit të mbetur.

“Kjo është një shumë e madhe dhe nuk duam që edhe punëtorët tanë të rrezikohen për paga”, tha Tmava.

Ndërkaq Vehbi Selmani, drejtor i “Llamkosit”, pati thënë se  ky obligim do të kryhet pas stabilizimit të gjendjes.

http://gazetajnk.com/?cid=1,987,8915