Zhytja në Borxhe e Gjigantit të Privatizuar

Ismet Munishi, lojtar me nam në Kosovë dhe trajner i klubit të futbollit “Llamkos”, ka një hall që pak kush prej trajnerëve në botë mund ta ketë.

Ai arriti që klubin e qytetit të Vushtrrisë ta shpallë kampion të Kosovës në futboll duke lënë prapa “FC Prishtinën”, një fitues tradicional të superkupës në vend. 

Vushtrriasit arritën që më 24 qershor të ngrenë kupën dhe të festojnë  për herë të parë kurorëzimin prej kampioni në elitën e futbollit që prej krijimit të klubit para 92 vjetësh-më 1922.

Por vetëm dy muaj më vonë ekipin e ka kapluar kriza financiare.

“Janë lojtarët e vetëm që janë kampionë e ushtrojnë pa rroga”, thotë Munishi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Qyteti përjetoi shkëlqimin e klubit të futbollit të mbështetur financiarisht nga ndërmarrja “Llamkos”, e blerë nëpërmjet privatizimit nga “Corestel DMCC” me bazë në Dubai. 

Kjo kompani me bazë në Dubai është një prej disa kompanive në të cilat është i përfshirë Jeton Sadiku,  biznesmeni me nënshtetësi britanike që figuron si blerës i “Llamkos-it”. 

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar në shkurt të vitit 2012 se Sadiku ishte i përfshirë në një biznes që afaronte në mënyrë të parregullt dhe se ishte i lidhur me një prej oligarkëve më të pasur rusë- Andrey Dobrov-in.

Por privatizimi i përmendur si i suksesshëm nga palët e përfshira në të –blerësi dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit-po përjeton ditët më të këqija. Kompania e Sadikut i kishte paguar AKP-së një shumë prej 5.1 milionë euro për blerjen e ndërmarrjes më të madhe në Vushtrri.

Prodhimi është ndalur dhe menaxhmenti i “Llamkos-it” ka lajmëruar punëtorët se nuk ka para për të dhënë pagat dhe se do të njoftohen kur të rinisë puna. 

Punëtorë të “Llamkos-it” janë edhe futbollistët e klubit të qytetit që mban emrin e ndërmarrjes.

“Nuk kemi marrë paga qe 6 muaj. Ky është muaji i 7-të”, vazhdon të tregojë Munishi për hallet e ekipit kampion.

Por durimi i kampionëve ka filluar të shteret. 

“Nëse nuk marrim pagat, e gjendja vazhdon e tillë, ne lojtarët kemi oferta edhe nga të tjerët”, thotë  Bahri Kera, kapiteni i ekipit “Llamkos Kosova”.


Bahri Kera, kapiteni i ekipit “Llamkos Kosova”

Ndërsa trajneri Munishi, thotë se  gjithë kjo vjen si pasojë e gjendjes që është në Fabrikën e Llamarrinës “Llamkos Galva Steel”.

“ Pa pasur prodhim në fabrikë, as në nuk mund të mbijetojmë”, shton trajneri.

Punëtorët e “ Llamkos Galva Steel” mbesin në shpresë të ndihmave

Përveç rastit të kampionëve që nuk marrin rroga, që përbën kuriozitet në botën e futbollit,  kriza ka prekur të gjithë punonjësit e ndërmarrjes më të madhe të qytetit.

Në derën e hyrjes në fabrikën e llamarinës në Vushtrri është vendosur një lajmërim nga menaxhmenti i ndërmarrjes.

Është vendosur aty që nga 3 qershori i këtij viti. Punëtorët njoftohen se që të gjithë duhet të shkojnë në pushim kolektiv.

“… të gjithë të punësuarve do t’u llogaritet paga minimale, sipas kësaj periudhe të pushimit kolektiv” , thuhet në njoftimin e menaxhmentit. Nuk përmendet se deri më cilën datë do të zgjasë ky pushim dhe nuk tregohet arsyeja se pse është ndalur prodhimi.


Njoftimi për pushim kolektiv, për punëtorët e “Llamkos Galva Steel”

Kjo fabrikë numëron 477 punëtorë.  Përveç tyre në listën e pagave figurojnë edhe 42 të tjerë të skuadrës së futbollit “Llamkos Kosova”.

Kjo fabrikë u privatizua në valën e 6-të të privatizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, më 25 gusht të vitit 2011. 

Menaxhmenti i ndërmarrjes në mars të vitit 2012 kishte njoftuar publikun se kishte nisur të eksportonte në tregjet ndërkombëtare.

Në një komunikatë të atëhershme të kësaj ndërmarrjeje thuhej se sasia më e madhe e eksportit ishte realizuar në Portugali.  

Thuhej në njoftim se një kompani portugeze kishte kontraktuar një sasi prej 400 tonelatash llamarinë të zinkuar.

Por 21 muaj më vonë- në dhjetor të vitit 2013- menaxhmenti kishte njoftuar se kishte ndërprerë prodhimin, por nuk kishte cekur se cilat ishin arsyet që e kishin shtyrë ta bënte këtë.

Enver Isufi, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të kësaj fabrike, është i painformuar lidhur me situatën.

“…punëtorët kanë mbetur ti presin vitra (ndihma) se kush po u jep diçka” tha Isufi, duke shtuar se menaxhmenti nuk e ka njoftuar se kur do të rinisë puna.

“Kurrkush kurrgjë s’na lajmëron”.

Aktualisht oborri i fabrikës  është i zbrazët dhe heshtjen e thyejnë vetëm dy punëtorë sigurimi që e ruajnë pasurinë e saj.

“Vetëm me dy roje sigurimi nuk sigurohet gjithë ajo fabrikë” , thotë Isufi.

Derisa shumica presin ditën kur menaxhmenti i “Llamkos-it” do t’i thërrasë në punë, ka prej tyre që kanë gjetur punë tjera. 

Ardian Pllana, një punonjës i “Llamkos-it”, tash e dy muaj ka filluar të punojë si kamerier dhe thotë se po përpiqet të mbajë familjen e tij-gruan dhe vajzën.

“Nuk kemi çka me bë, tash e 6 muaj as një cent se kemi marrë”, thotë ai.

Deris Pllana ka gjetur punë tjetër, ka prej tyre që varen nga ndihmat prej diasporës.

Naim Maxhuni, një punëtor tjetër i ndërmarrjes,  ka dy fëmijë që më 1 shtator duhet t’i nisë për në shkollë.

Thotë se gjendja financiare e familjes po vështirësohet përditshëm.

“Të vetmet të ardhura deri me tani, i kam nga mërgimi, sepse këtu (Kosovë) s’po muj me marrë kurrkund as një cent”, thotë ai.

Menaxhmenti: “’Llamkosi’ do të ringjallet përsëri”

Vehbi Selmani, drejtor gjeneral në këtë kompani, thotë se e gjithë kjo gjendje ka ardhur si pasojë e krizës financiare në Evropë.

Ai thotë se për “Llamkos Galva Steel-in”, në rend të parë është tregu i jashtëm dhe se këtë treg ata do ta kthejnë përsëri.

“Ne që nga e hëna (1 shtator) do ta stabilizojmë gjendjen në kompani”, tha Selmani.

Ai përmend konfliktin mes Ukrainës e Rusisë si faktor që ka ndikuar në prishjen e tregut botëror të llamarinës.

Selmani tha se ata do ta përmbushin dhe obligimin për dhënien e rrogave ndaj punëtorëve, të cilët nuk janë paguar që nga muaji mars.

“Pronari i ka siguruar disa fonde dhe na ka premtuar që nga e hëna do të stabilizohet gjendja dhe do të rriten edhe sasitë e prodhimit”, shtoi ai.

Por Agjencia Kosovare e Privatizimit thotë se blerësi i ndërmarrjes “Llamkos”, sipas marrëveshjes së  shitblerjes  është zotuar të punësojë një numër të caktuar të punëtorëve, ndërsa në rast se blerësi dështon të përmbush kënaqshëm zotimet për punësim, kontrata parasheh sanksione.

“Mospërmbushja e zotimeve për punësim përbën shkelje të marrëveshjes së zotimeve dhe sanksionohet sipas kushteve të kontratës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të AKP-së. 

AKP-ja në përgjigjet e saj nuk shpjegon se çfarë sanksione parashihen dhe se a janë të njoftuar se blerësi i “Llamkos-it” ka ndërprerë prodhimin.


Ahmet Tmava, drejtor në Ndërmarrjen “Trepça”

Problemet në  “Llamkos” ndikojnë edhe në Trepçë 

Mosfunksionimi i rregullt i fabrikës “Llamkos Galva Steel” ka ndikuar edhe te ndërmarrja shoqërore “Trepça”.

Blerësi i “Llamkos-it”, “Coresteel DMCC” me bazë në Dubai i ka borxh  kësaj ndërmarrjeje shoqërore një shumë prej afro gjysmë milionë eurove.

Kjo kompani kishte blerë nga “Trepça” koncentrat të zinkut e plumbit. Kontrata mes palëve ishte nënshkruar më datën 9 korrik të vitit 2013. 

Kontrata obligonte kompaninë “Corestel” që të paguante në avanc rreth 70 për qind të shumës dhe pastaj të merrte koncentratin. Kompania pagoi rreth 10 milionë euro si avanc.

Gjithçka kishte shkuar në rregull deri kur nuk ishte paguar një sasi prej 1 mijë e 343 tonë koncentrat të plumbit dhe 1 mijë e 500 tonë koncentrat të zinkut. 

Rreth 500 mijë euro ishte llogaritur vlera e këtij koncentrati.

Ahmet Tmava, drejtor në Ndërmarrjen “Trepça” tha se ata janë duke përgatitur një padi ndaj kësaj ndërmarrjeje, për shkak të borxhit të mbetur.

“Kjo është një shumë e madhe dhe nuk duam që edhe punëtorët tanë të rrezikohen për paga”, tha Tmava.

Ndërkaq Vehbi Selmani, drejtor i “Llamkos-it” tha se edhe ky obligimdo të kryhet pas stabilizimit të gjendjes që do të ndodhë prej 1 shtatorit. 

Tekstit i kontriboi edhe Behar Mustafa.