Lavdimi Kthehet në Gjysmën e Lokalit të Tij

Lavdim Mehmeti është vendosur në njërën pjesë të lokalit të cilin e ka blerë në vitin 2011 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për një shumë prej mbi 80 mijë euro.

Pasi që kishte kuptuar nga raportimi i Gazetës Jeta në Kosovë se Besim Miftari, ndaj të cilit kishte ngritur padi, nuk po gjendej nga autoritetet shtetërore, Lavdim Mehmeti kishte vendosur që të shkonte ta vërtetonte te lokali i tij nëse Miftari gjendej ende aty. 

Ai ka kuptuar se në lokalin e tij është duke e shfrytëzuar dikush tjetër, që sipas Mehmetit, kanë qenë duke i paguar qira një personi tjetër të quajtur Hasan Potera.

Pasi që i ka treguar se prona të cilën ata po e shfrytëzojnë është ilegalisht e uzurpuar, shfrytëzuesit kanë vendosur ta lirojnë atë.

Lavdim Mehmeti së bashku me anëtarë të tjerë të familjes së tij janë duke qëndruar në lokalin e liruar, duke e ruajtur atë, pasi që siç tregon ai, ka pasur kërcënime nga Hasan Potera.

Gazeta ka kontaktuar me Hasan Poterën i cili ka thënë se nuk do ta lirojë pronën, pasi që thotë se ka investuar në të. 

Ai thotë se ka bërë padi në Dhomën e Posaçme kundër AKP-së dhe ka mohuar akuzat e Mehmetit për kërcënim.

“Unë kam bërë padi në Dhomën e Posaçme pasi që kam investuar në atë lokal. Andaj pres nga AKP-ja që të më orientojë se çfarë do të më ndodhë me paratë që kam investuar,” thotë Potera.

Ai thotë se Mehmetin e ka paralajmëruar se duhet ta lëshojë lokalin, para se ai t’ia dërgoj sigurimin fizik të kompanisë së tij ose djemtë e tij.

Por zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi thotë se AKP-ja nuk është e informuar se Potera ka bërë padi.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk është e informuar se ka ndonjë kërkesë/ankesë në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Kaloshi.

Shkrimi është publikuar fillimisht me 28.04.2014 

Lokali që Shpërfaq Pazotësinë e AKP-së

Edhe pse pagoi mbi 80 mijë euro për të blerë një pronë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në vitin 2011, Lavdim Mehmeti nuk e ka shfrytëzuar asnjëherë atë pronë.

Një pronë e blerë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, i ka sjellë më shumë problem sesa përfitim Lavdim Mehmetit. 

Ai e bleu këtë pronë në tetor të vitit 2011 por kanë kaluar gati dy vjet e gjysmë dhe nuk ka mundur ta zotërojë atë.

Prona, e cila Mehmetit i ka kushtuar mbi 80 mijë euro, mbahet e uzurpuar nga dy persona të cilët refuzojnë të lirojnë atë. 

Lokali prej 64 metrash katrorë, që gjendet në lagjen “Lakrishte” në Prishtinë, është i ndarë përgjysmë nga Shaban Durmishi dhe Besim Miftari, të cilët e zhvillojnë biznestin e tyre të papenguar nga shteti. 

Në pjesën që i përket Durmishit, bazuar në këtë ndarje, është hapur një dyqan i shitjeve me pakicë, kurse në pjesën e Miftarit është një dyqan i rrobaqepësisë.

Mehmeti thotë kur ka blerë këtë pronë ka menduar se organet përgjegjëse do të merreshin me uzurpatorët.

 “Por, përveç një kërkese që AKP-ja u ka dërguar uzurpatorëve për ta liruar lokalin, AKP-ja  nuk ka ndërmarrë asgjë tjetër,” thotë Mehmeti.  

Në një prej shkresave që Mehmeti i kishte dërguar AKP-së në tetor të vitit 2011 kishte përmendur rastin e ndërhyrjes së këtij institucioni shtetëror në fermën e pulave në Lipjan. 

Në maj të vitit 2012, AKP-ja me ndihmën e Policisë së Kosovës kishte dëbuar nga ferma e pulave biznesmenin Abdurrahman Konjufcën, mixhën e deputetit të Vetëvendosje Glauk Konfjuca.

Në atë kohë AKP-ja kishte thënë se pronën në fjalë e ka konsideruar si pronë shoqërore dhe se pas refuzimit të pronarit të kompanisë “Adi” që ta lirojë atë, ka dhënë urdhër që ta largojë nga prona.

Por Ylli Kaloshi, zyrtar për marrëdhënie me publikun në AKP, thotë se rasti në Lipjan nuk ishte i ngjashëm me këtë në Prishtinë.

“Është rast tërësisht i ndryshëm, pasi që kjo ndërmarrje ka qenë e përfshirë në procesin e komercializimit për periudhë dhjetëvjeçare me kontratë, me kushte të veçanta”, thotë Kaloshi. 

Ai nuk ka sqaruar se pse AKP-ja ka trajtim ndryshe ndaj një biznesmeni që shkel kontratën e komercializimit duke u shndërruar më pas në uzurpator dhe ndaj një biznesmeni që uzurpon fillimisht pronë shoqërore dhe nuk përfill asnjë rregull të Agencisë së Privatizimit. 

Megjithatë, Kaloshi thotë se blerësi i lokalit në  lagjen “Lakrishte” në Prishtinë është njoftuar paraprakisht se objekti është i uzurpuar dhe se AKP-ja nuk jep garanci se lokali do të lirohet. 

“Blerësit kanë të drejtën e paraqitjes në prokurori, ose gjykatë uzurpatorin e mundshëm të pronës së tij”, thotë ai. 

Kaloshi thotë se AKP-ja po ashtu ua ka tërhequr vërejtjen shfrytëzuesve të hapësirës së lokalit të ish-ndërmarrjes shoqërore “Gërmia”, duke i njoftuar se duhet ta lirojnë atë, pasi që do të tenderohet për shitje.

Megjithatë, sipas tij, këto konteste duhet t’i zgjidhë gjykata përkatëse në territorin e të cilës ndodhet lokali.

Rregullat e privatizimit nuk lejojnë kthimin e mjeteve në këto raste, pasi që AKP-ja arsyetohet se ka njoftuar blerësin potencial se lokali është i uzurpuar.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar edhe më herët për raste që tregojnë për pazotësinë e institucioneve shtetërore për të liruar pronat të cilat uzurpohen nga individët. 

AKP-ja nuk ka mundur të bëjë asgjë për të ia mundësuar blerësve të ndërmarrjeve shoqërore që të shfrytëzojnë pronat e tyre. 

Zakonisht individët ndaj të cilëve shteti nuk ka mundur të ndërmarrë masa të shpejta janë të lidhur biznesmenë të fuqishëm të lidhur me politikën apo ish-komandantë të UÇK-së që vazhdojnë të kenë ndikimin në zonën ku jetojnë. 

Nexhat Kastrati një biznesmen shqiptar nga Finlanda, në nëntor të vitit 2012 akuzonte Kasim Beqirin dhe Bekim Shytin – i pari biznesmen e tjetri ish-komandant në UÇK – se nuk po ia lironin pronën që ai e kishte blerë nga AKP-ja dhe se po ashtu i kishin bërë presion që të mos nënshkruante kontratë të shitblerjes me Agjencinë e Privatizimit. 

Ndërkohë në janar të këtij viti  Xhevat Sadriaj, që merret me biznesin e patundshmërive dhe industrinë e sigurimeve në Zvicër, ankohej se prona që e kishte blerë nga AKP-ja mbahej e pushtuar nga Rrustem Rukolli, pronar i “Bab Club-it”.

Denoncimi i kërcënimit 

Histori të ngjashme si Kastrati e Sadriaj ka edhe Mehmeti që përveç pazotësisë së institucioneve për t’i ndihmuar, edhe ishte kërcënuar nga uzurpatorë të lokalit.

Ishte AKP-ja që ishte përpjekur t’i ndihmojë nëpërmjet shkresave zyrtare.

Për të liruar pronën, AKP-ja i kishte dërguar një letër Shaban Durmishit dhe Besim Miftarit përmes së cilës i njoftonte që ata duhet të lirojnë pronën, pasi që e njëjta është blerë nga një person tjetër.

Megjithatë në letrën, një kopje të së cilës e ka parë gazeta, zyrtari i AKP-së Ekrem Ademi nuk jep ndonjë afat të caktuar ligjor për lirimin e pronës.

“[…] Prandaj, ne ju njoftojmë që ju duhet ta lironi lokalin afarist në fjalë sa më parë që të jetë e mundur nga momenti i pranimit të këtij njoftimi”, thuhet në letrën dërguar Durmishit dhe Miftarit në tëtor të vitit 2011.

AKP-ja nuk ka dhënë përgjigje se pse nuk është caktuar ndonjë afat për lirimin e pronës. 

Në tetor të vitit 2011 uzurpatorëve iu kishte dërguar letër nëpërmjet postës edhe blerësi Lavdim Mehmeti. 

Thotë se Shaban Durmishi i kishte kthyer përgjigje, duke e kërcënuar se është i gatshëm edhe për vëllavrasje për këtë lokal. 

Ai thotë se Durimishi i kthej përgjigje nëpërmjet një emaili – lë[email protected].

Lëvizja Popullore e Kosovës ende figuron si subjekt politik mirëpo Durmishi nuk figuron në struktura të larta të këtij grupimi politik.

Mehmeti thotë se e kishte lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës.

Zyra për Media e Policisë ende nuk ka dhënë detaje se deri ku ka shkuar ky rast i denoncuar nga Mehmeti. 

Por Durmishi i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë ka mohuar se e ka kërcënuar Mehmetin dhe ka thënë se nuk mund të ia lirojë lokalin atij, pasi që i ka investuar aty rreth 300 mijë euro.

Ai ka thënë se Lavdim Mehmeti është vetëm duke u shfrytëzuar nga njerëz të politikës, për të blerë atë lokal.

“Ju duhet të shkoni të pyesni atë personin [Lavdimin] se kush i ka dhënë paret atij për ta blerë këtë pronë”, ka qenë përgjigja e tij.

Por Mehmeti i  ka mohuar akuzat e Durmishit, duke thënë se askush nuk qëndron prapa tij dhe se paratë për të blerë lokalin i ka nga kursimet e tij.  

Mehmeti tha se paratë i ka siguruar nga puna e tij jashtë vendit dhe se Agjencia e Kosovare e Privatizimit që shikon prejardhjen e parave i ka verifikuar ato.

Ndërkaq Besim Miftari, personi tjetër që shfrytëzon një pjesë të lokalit, ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë. 

Miftarit i janë dërguar pyetje në emailin me të cilin janë bërë letërkëmbime mes tij e Dervishit me Mehmetin dhe ai nuk është gjetur në lokalin e tij kur është vizituar nga ekipi i Gazetës Jeta në Kosovë. 

 “Gjykata Themelore nuk mund të procedojë shpejt lëndën” 

Në anën tjetër, përveç AKP-së, Mehmeti u është drejtuar edhe organeve të drejtësisë, pasi që siç ka thënë ai,  ka dëshiruar të shmangë problemet me uzurpatorët.

“Unë ua kam lënë në dorë organeve të drejtësisë të merren me këtë rast, sepse nuk dua të kem probleme me ata njerëz”, thotë ai.

Megjithatë, edhe pse ka ngritur padi më 8 dhjetor të vitit 2011 në Gjykatën Themelore të Prishtinës “për vërtetimin e pronësisë dhe lirimin e saj nga të paditurit Shaban Durmishi dhe Besim Miftari”, 

Gjykata ende nuk ka marrë një vendim për rastin.

Sipas kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, gjykata ka dërguar paditë te të paditurit, por sipas tij, gjykata nuk ka marrë përgjigje dy herë nga Besim Miftari.

“Gjykata ka ndërmarrë veprime për gjetjen e adresës tjetër nga ajo që ishte theksuar në padi, duke i kërkuar paditësit (Lavdim Mehmetit) që të sigurojë adresën. Në mungesë të ndonjë adrese tjetër, të paditurit të dytë gjykata në datën 23 janar 2014 përsëri i ka dërguar padinë në të njejtën adresë”, thotë Ibrahimi. 

Por, sipas tij, padia është kthyer me vërejtjen se ky person nuk jeton në këtë adresë. 

Megjithatë, sipas Ibrahimit, është e pamundshme që në këtë gjykatë të bëhet procedim i shpejtë i lëndëve, për arsye të stërngarkesës me lëndë.

“Duhet të keni parasysh faktin se kjo gjykatë është e stërngarkuar me lëndë  civile dhe për shkak të ngarkesës me lëndë është e pamundur procedimi brenda afateve më të shkurta kohore”, ka shtuar ai.

Mehmeti i ka bërë kërkesë për të ndihmuar në  rastin e tij edhe EULEX-it.

Zëdhënësi i EULEX-it Miguel Carvalho de Faria ka thënë se parashtruesi i kërkesës pritet që në të ardhmen të marrë një përgjigje.