“Gabimi” i Kushtueshëm i Investitorit nga Finlanda

Blerja e ndërmarrjes së re “Ylli” në qendër të Mitrovicës prej Agjensionit Kosovar të Privatizimit (AKP) i ka dalë investitorit Nexhat Kastrati nga Finlanda shumë më e komplikuar sesa që e kishte menduar. (shih kontratën me AKP)

Ai është duke u privuar nga e drejta e tij e pronës që i ka kushtuar rreth 200 mijë euro, pasi që shfrytëzuesit aktualë të lokalit nuk pranojnë ta lirojnë objektin.

Këtë verë, Kastrati që e ka Mitrovicën vendlindje, kishte udhëtuar nga Finlanda, ku jeton qe 20 vjet, për të privatizuar ndërmarrjen “Ylli” e cila jepej në valën e 55 të privatizimit. Sipas një shpallje të AKP-së, të 13 marsit 2012, “ndërmarrja përbëhej nga lokali me një sipërfaqe të përafërt prej 242 metrash katrorë, që gjendet në katin përdhes të objektit për banim në qendër të Mitrovicës, rruga Agim Hajrizi Pn, përballë shtëpisë së mallrave LUX”.

“Lokali që do të tenderohet për shitje është në vend të përshtatshëm dhe ofron kushte shumë të mira për qëllime komerciale dhe tregtare”, vazhdonte shpallja e AKP-së.

Oferta për blerjen e saj ishte hapur në maj, kurse tre javë më pas, përkatësisht më 21 qershor Kastrati ishte ftuar nga AKP-ja për të nënshkruar kontratën. 

Ligji për investimet e huaja, i cili në Kosovë aplikohet që nga viti 2006, u garanton investitorëve që ata dhe investimet e tyre do të mbrohen në pajtim të plotë me parimin e sundimit të ligjit.  

Por, investimi në Kosovë përmes procesit të privatizimit ka dalë të jetë i mundimshëm për Kastratin dhe ende i parealizueshëm. Për aspekte që nuk kishin të bënin me ato që shkruheshin në shpalljen e AKP-së.

 
Nexhat Kastrati  

 

“Për kafe” në Skënderaj

Nexhat Kastrati thotë se që nga dita kur është nisur për në zyrat e AKP-së, që të nënshkruajë kontratën për blerjen e ndërmarrjës, ai ka filluar të pranojë kërcënime.

Ai akuzon Kasim Beqirin dhe Bekim Shytin – i pari biznesmen e tjetri ish-komandant në UÇK – se i kanë bërë presion duke i kërkuar fillimisht të mos e nënshkruajë kontratën e më pas shitjen e pronës së tij atyre për vlerën sa ai e kishte privatizuar lokalin.

Telefonata e parë, sipas Kastratit, kishte ndodhur më 21 qershor. 

“Personi i cili e ka me qira lokalin, Kasim Beqiri, më 21 qershor kur AKP-ja ka marrë vendim, më ka thirr në telefon dhe ka dashtë me pi një kafe me mua”, thotë Kastrati.  

Kasim Beqiri është pronar i rrjetit të shitoreve “Florenti”, njëra prej të cilave është e vendosur me qira në objekin e ndërmarrjes “Ylli”, tash i privatizuar nga investitori Krasniqi. (shih regjistrimin e biznesit ne ARBK)

Beqiri e ka në shfrytëzim këtë objekt që nga viti 2006. Sipas tij, ai i ka paguar qira menaxhmentit të ndërmarrjes nën AKP rreth 170 mijë euro dhe ka investuar 120 mijë të tjera. 

Edhe AKP e kishte konfirmuar në shpalljen e kësaj shitje se “Florenti” i paguante qira menaxhmentit të caktuar prej saj. Ndërsa, sipas rregullave të saj, për të gjitha pohimet e palëve të prekura në privatizim – si investimet – do të vendosë një autoritet likuidues që do të ngritet prej saj. 

Kastrati thotë se kishte pranuar të takohej, pas insistimeve të biznesmenit Kasim Beqiri.

Takimi ishte caktuar në Skenderaj, ngase, në atë kohë, Kastrati po shkonte atje për të takuar disa anëtarë të familjes. 

Kastrati tregon se Kasimi i kishtë thënë atij se kishte gabuar kur kishte ofertuar për të privatizuar  ndërmarrjen “Ylli” dhe se duhej të tërhiqej.

“Kur jemi taku në Skenderaj, ai më ka thanë ‘ti s`ke ba mirë që ke ofertu, është dashtë me ardhë me na vet neve së pari për atë lokal’”, thotë Kastrati. 

“Kasimi më tha ‘më mirë me u largu, se pa u faru na s’ki me mujtë me e marrë lokalin’”, shtoi ai

Beqiri ka pranuar se ka kontaktuar me Kastratin me të cilin ka pasur disa takime, por ka hedhur poshtë akuzat për kërcënime.

Ai këtë e ka bërë përmes një letre të cilën ia ka drejtuar redaksisë së gazetës. 

“Jemi takuar në Skenderaj me kërkesën e Nexhatit. Nuk është e vërtetë që e kam kërcënuar”, thuhet në letrën e Beqirit.

“Kam pasur takime me të, por nuk i kam kërkuar të tërhiqet nga privatizimi. Kam kërkuar ta kuptojë realitetin, që ai ka gabuar edhe ta pyes dikënd më të vjetër për këtë çështje”, shton Beqiri. 

 
Letra e Kasim Beqirit  

 

Pastaj, telefonata nga ish-komandanti në UÇK

Mirëpo, edhe pas takimit me Beqirin, Nexhat Kastrati nuk ishte bindur që të tërhiqej nga privatizimi i lokalit. 

Më 26 qershor, disa ditë pasi ishte shpallur fitues nga AKP-ja, ai ishte nisur të kryente pagesën e këstit të parë. Po atë ditë, ai ka pranuar telefonatën e radhës, thotë Kastrati, ku i kërkohej prapë që të tërhiqej nga privatizimi. 

Personi që e kontaktone, sipas tij, tash ishte Bekim Shyti. 

“Është paraqitur me emrin Bekim Shyti dhe më ka thënë që ‘atë objekt që e ke ble, tu kisha lut si vëlla me u tërhjek e ne t`i japim paret…’”, thotë Kastrati.

Sipas Kastratit, Shyti i kishtë thënë në telefon se ai “ka kontribu për Kosovën”. 

Shyti është ish komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, zonën e Shalës. 

Por kur Shyti kishte vërejtuar se Kastrati nuk mendonte të tërhiqej, ai, sipas këtij të fundit, kishte thënë “po e shoh se s`po ta nin, kështu që pushka top tu baftë”. 

Në njërën ndër telefonatat që Kasim Beqiri ia kishte bërë Nexhat Kastratit, i kishte thënë se Bekim Shyti është ortak i tij por në agjensionin për regjistrimin e bizneseve nuk figuron emri i Shytit si bashkëpronar i rrjetit të shitoreve “Florenti”. 

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Bekim Shyti ka mohuar të gjitha akuzat e Kastratit për kërcënim, ndërsa nuk ka pranuar të përgjigjet në interesimin e gazetës se a punon ai me “Florentin”. Shyti ka thënë se Kasim Beqiri është më kompetent për të folur lidhur me këtë rast. 

Nexhat Kastrati, megjithatë, kishte paguar këstin në llogarinë bankare të AKP-së. Dhe ai i ka kryer të gjitha obligimet ndaj agjencisë së privatizimit. 

Më vonë, biznesmeni Kasim Beqiri i kishte ofruar Kastratit që tia blente lokalin për vlerën me të cilën ky i fundit e kishte blerë atë në AKP. 

“Në takimin e dytë, ne i kemi ofruar atij kthimin e parave që ai të mos del i dëmtuar”, tha Beqiri.

Sipas kushteve të privatizimit, objekti duhet të lirohej nga 1 shtatori por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

“Qëllimi im, për të mos e liruar lokalin është se Nexhati me blerjen e këtij lokali po rrezikon që t’i lë në rrugë 20 familje”, tha Beqiri.

Ndërkohë, Kastrati ka nënshkruar kontratën me AKP-në dhe e ka regjistruar ndërmarrjen e privatizuar në emrin e tij në Agjensionin Kadastral të Kosovës që vepron brenda komunës së Mitrovicës.

Ngritet kallëzim penal kundër Kasim Beqirit dhe Bekim Shytit

Ngjarjet që po zhvilloheshin në mes tij dhe shfrytëzuesve të objektit të privatizuar, Kastrati i ka paraqitur në Policinë e Kosovës.

Bazuar në ankesën e paraqitur nga Kastrati policia ka zhvilluar hetime.

“Kemi pranuar këtë informatë dhe pasi që është marrë parasysh vlera, rasti është drejtuar nga hetuesit, janë intervistuar palët dhe rasti është inicuar si detyrim”, thotë Besim Hoti, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës. 

Sipas tij, pas kryerjes së hetimeve, policia ka ngritur kallximin penal pranë prokurorisë së qarkut në Mitrovicë. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar prokurorinë e Qarkut në Mitrovicë e cila ka konfirmuar se ka pranuar kallëzim penal kundër Kasim Beqirit dhe Bekim Shytit.

“Më 27 tetor kemi pranuar një kallzim penal. Rasti i është ndarë prokurores dhe pritet të hetohet. Bëhet fjalë për veprën penale të detyrimit”, thotë Ali Mehmeti, administrator në Prokurorinë e Qarkut të Mitrovicës.

Vepra penale e detyrimit është e dënueshme deri në 10 vjet burg, bazuar në Kodin Penal të Kosovës.

Kërcënimet e investitorëve të cilët privatizojnë prona nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit nuk janë të panjohura për këtë institucion.

Zyrtarët e AKP-së nuk janë të njoftuar nëse në këtë rast ka pasur kërcnime, megjithëse konfirmojnë se ka raste kur investitorët e privatizimit kërcënohen për tu tërhequr nga privatizimi.

“Nuk dimë nëse ka pasur kërcnim në këtë rast. Në raste të kërcnimeve ato duhet të raportohen në oraganet përgjegjëse tjera. Edhe nëse raportohen në agjenci, agjensia duhet ta raportojë në organet përgjegjëse”, thotë Ylli Kaloshi zëdhënës i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

 
Ali Mehmeti, administrator në Prokurorinë e Qarkut në Mitrovicë  

 

Kasimi nuk pritet të shfrytëzojë pronën e tij në një afat të shkurtër

Pesë muaj pas privatizimit të kësaj ndërmarrjë nga Kastrati, ajo vazhdon të jetë nën shfrytëzimin e Kasim Beqirit.

Ligjërisht, Agjencioni Kosovar i Privatizimit nuk obligohet që të sigurojë blerësin që të shfrytëzojë pronën e privatizuar.

“Nëse lokalet apo pronat janë të uzurpuara atëherë blerësit duhet të drejtohen tek organet kompetente”, thotë Kaloshi. 

Sipas tij, pas nënshkrimit të kontratës kur edhe prona del tek blerësi ai obligohet vet të ndërmarr veprimet ligjore që të mundësoj qasje në objekt.

Me kërkesë të blerësit, AKP-ja i ka dërguar dy shkresa qiramarrësit dhe i ka kërkuar që ta lirojë objektin, por ajo nuk ka informata nëse qiramarrësi ka liruar objektin. 

Pasi AKP-ja ka dërguar këto shkresa te qiramarrësi, Kastrati thotë të jetë kontaktuar sërish.

“Më 26 gusht e kam regjistru pronën në emrin tim. Kam shku në komunë dhe e kam marrë çertifikaten e pronës. Në atë rast, më ka thirr Kasim Beqiri dhe më ka thanë që AKP i ka lanë disa dokumente për me liru objektin dhe nuk po boni mirë që e keni ble.”

Në ndërkohë, Kastrati ka filluar porcedurë gjyqësore në gjykatën komunale për lirimin e pronës.

“Padia i është drejtuar në kompetencë reale edhe lëndore gjykatës komunale në Mitrovicë në shqyrtim, kësaj padie i janë bashkangjitur të gjitha provat materiale të cilat e justifikojnë të drejtën se z.Kastrati e ka blerë pronën kontestuese”, tha avokati i blerësit Ramë Dreshaj.

Dreshaj thotë se padisë i ka bashkangjitur edhe një urgjencë për të cilën nuk ka marrë përgjigje.

“Duke e parë gjendjen e ndjeshme e për mos me ardh deri te më e keqja, që mjerisht ndodhë në Kosovë, unë e kam parë të arsyeshme t`i dërgoj një urgjencë gjyqtarit, përmes së cilës e kam lutur që kjo lëndë të mos e pres radhën. Deri tani nuk kam marr ndonjë përgjigjje”, thotë Dreshaj.

Zyrtarët e gjykatës kanë konfirmuar pranimin e kësaj padie, mirëpo, sipas tyre, zgjidhja e kësaj lënde nuk pritet të ndodhë në një afat të shkurtër.

“Kjo lëndë hynë në lëndët të cilat nuk caktohen në këtë gjykatë për shkak të mungesës së lokalit, e kjo për arsyeje se ne punojmë gjashtë gjykatës në një zyrë. Kjo lëndë nuk tregohet e natyrës urgjente”, tha kryetari i gjykatës së Mitrovicës, Ramë Hyseni.

Lëndët e kësaj natyre mund të zgjasin me vite, sipas avokatit Dreshaj. “Kam lëndë të kësaj natyre prej 2003-2005 ende të pazgjedhura”.