Zvarritja e Shtetit Dështon Afatin e Kryerjes së Rrethrrotullimit

Një prej 35 pikave të derivateve të naftës të kompanisë Kosova Petrol që operojnë pa licencë, po mban pezull punimet në ndërtimin e rrethrrotullimit dhe zgjerimit të rrugës  në hyrje- dalje të Prishtinës, në drejtim të magjistrales Prishtinë – Ferizaj.

Një ekskavator që ka gërryer dheun përreth biznesit në pronësi të Bedri Selmanit është ndalur në afërsi të tij. Nuk mund të shkojë tutje. 

Ishte paraparë që makineritë e kompanive të kontraktuara për kryerjën e këtij projekti të zhvendoseshin nga aty para tre muajve. 

Më 22 tetor të vitit të kaluar parashihej përfundimi i projektit që peshon 5.4 milionë euro, i bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës me 3 milionë dhe Ministria e Infrastrukturës me 2.4 milionë euro. 

Përveç ndërtimit të rrethit, projekti parasheh edhe ndërtimin e nënkalimit për qytetarë dhe tunelit me katër korsi që kalon nga Termokosi e deri afër lagjes së spitaleve, për të mundësuar lëvizjen nga Prishtina në drejtim të rrugës për Ferizaj.

Por kjo nuk mund të realizohet pa u rrënuar pika e karburantit e kompanisë “Kosova Petrol”. 

Kompania vazhdon të shesë derivate të naftës në këtë pike, përkundër mungesës së licencës dhe për shkak të zvarritjës së autoriteteve për të inicuar procedurat e shpronësimit që do t’i hapnin rrugë përfundimit të projektit të bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovës.

Shpronësimi u iniciua gati një vit me vonesë

Punimet e nisura më 22 tetor të vitit 2012 është dashur të përfundojnë më 22 tetor të vitit 2013.

Por, inicimi për shpronësimin e kësaj pike të karburantit është bërë 11 muaj pas nisjes së punimeve. 

Kërkesat për inicimin e shpronësimeve dërgohen te Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila kryen shpronësimin në koordinim me Ministrinë e Financave.

“Departamenti i Shpronësimit është duke vepruar konform ligjit në rastin e shpronësimit të pronave të “INA Zagreb”, pasi që Ministria e Infrastrukturës me 18 shtator 2013 ka bërë inicim të procedurave të shpronësimit”, deklaroi Gëzime Hasani, zëdhënëse në Ministrinë e Mjedisit gjatë muajit nëntor. 

Ministria e Infrastrukturës ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë se pse është iniciuar kërkesa për shpronësim, gati një vit me vonesë në Ministrinë e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor.

Ministria e Infrastrukturës nisi procedurat tek 11 muaj pas nisjes së punimeve dhe vetëm një muaj para se punimet do të duhej të përfundonin zyrtarisht. Afati i kryerjes së punimeve ka kaluar qe tre muaj dhe pika e derivateve të naftës që pengon projektin ende nuk është shpronësuar. 

Kjo ministri udhëhiqet nga Fehmi Mujota i Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet. Deputet i kësaj partie dhe ish-këshilltar i kryeministrit Hashim Thaçi ishte pronari i Kosova Petrol-it, Bedri Selmani. 

Ish-zëdhënësi i Komunës së Prishtinës Asdren Osaj pati deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë se punimet kanë nisur më 22 nëntor të vitit 2012 dhe afati për përfundimin e tyre është një vit.

Ndërkaq Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thotë se po e kryen në afat shpronësimin  e tokës ku është i vendosur “Kosova Petroli”.

“Departamenti i Shpronësimit gjatë periudhës 18-22 tetor 2013 i ka propozuar qeverisë miratimin e vendimit preliminar. Pas miratimit të vendimit preliminar dhe pasi Ministria e Financave të përfundojë vlerësimin, DSh-ja do t’i propozojë Qeverisë miratimin e vendimit përfundimtar”, tha Hasani.

INA ftohet si titullare e pronës 

Hasani tha se me 2 tetor të vitit të kaluar i ishte propozuar qeverisë miratimi i vendimit për shqyrtimin e kërkesës për shpronësim dhe pasi është miratuar ky vendim, sipas saj, më 28 tetor 2013 ishte mbajtur edhe dëgjiimi publik. 

“Në dëgjim publik, kanë marrë pjesë përfaqësues nga Komuna e Prishtinës dhe përfaqësuesit e “INA Zagreb”, Shoqëria e Avokatëve SCRL Partners nga Prishtina”, tha Hasani.

Qeveria e Kosovës publikoi në Gazetën Zyrtare më datën 29 nëntor 2013 vendimin preliminar rreth shpronësimit të pronave, që deri tani kanë penguar punimet në projektin e rrethrrotullimit.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk është përgjigjur nëse deri më tash i është propozuar qeverisë vendimi përfundimtar për shpronësimin dhe sa do të kushtojë ai.

As Ministria e Financave ende nuk është përgjigjur se sa do të kushtojë shpronësimi i pronës problematike.

Megjithatë, INA Zagreb është ftuar në dëgjim publik nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pasi që figuron si titullare e kësaj prone. Edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit e llogarit INA-n si titullare të pronës dhe  biznesmenin Bedri Selmani e konsideron uzurpator.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi në prill të vitit të kaluar se AKP-ja e përshkruan Kosova Petrol-in si ndërmarrje  okupuese të pronës shoqërore, në një raport ku pasqyrohen “asetet e uzurpuara nga individë, institucione lokale, institucione qendrore dhe institucione ndërkombëtare

Biznesmeni Bedri Selmani bazohet në një urdhëresë të datës 25 janar 2000 të Gerard Fischer-it, shefit të Departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe Administratës së Burimeve Natyrore në UNMIK, e cila e lejonte që të shfrytëzonte përkohësisht pompat e INA-s. 

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi Luan Pllanën, përfaqësuesin e INA-s në Kosovë, i cili rekomandoi që lidhur me shpronësimin të kontaktohet përfaqësuesi ligjor në Kosovë. 

Gazeta ka kontaktuar me përfaqësuesin ligjor të INA Zagrebit në Kosovë, Blerim Prestreshi i SCRL Partners, i cili nuk e ka dashur të prononcohet pasi këtë sipas tij e ka të ndaluar me kontratë. 

Megjithstë  “INA” kishte ngritur padi në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës ku kërkon kthimin e të gjithë pronave të saj,  prej vitit 2005, mirëpo ende nuk ka ndonjë vendim. 

Labinota Ismajli, nga Zyra e Regjistrimit të Lëndëve në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme, tha se për këtë lëndë prej vitit 2010 janë ndërruar tre gjyqtarë. 

“Tani kjo lënda ka kaluar të gjyqtari i ri Gabriel Chifan”, tha ajo.

Ndërkaq, gjyqtari Gabriel Chifan kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë përmes postës elaktronike, tha se “është duke marrë masa në mënyrë që të përmbyllë procedurën me shkrim dhe të caktojë seancën dëgjimore përfundimtare”.

Bedri Selmani, pronari i Kosova Petrolit dhe zyrtar të kësaj kompanie  nuk kanë kthyer përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë lidhur me këtë rast, duke vepruar ngashëm sikur në rastet e mëparshme, kur është raportuar për aktivitetin e kësaj kompanie.

Kundërshtimet Komunë-Ministri 

Asdren Osaj ish-zëdhënës i komunës pati deklaruar  se qeveria ka zvarritur detyrat që ia ngarkon ligji, pasi që sipas tij procesi i shpronësimit është dashur të fillojë krahas fillimit të punimeve. 

“Qeveria e Kosovës është kompetente për shpronësimin e pronave me pronësi shoqërore, siç është rasti i pikës se karburantit. Një gjë të tillë qeveria nuk e ka bërë, megjithëse ajo ishte pajtuar për një gjë të tillë edhe në momentin e fillimit të punimeve”, pati thënë Osaj për Gazetën Jeta në Kosovë në qershor të vitit të kaluar.

Sipas Osajt, komuna kishte shprehur vullnet ta ndihmojë qeverinë në këtë projekt, pasi që kjo rrugë sipas tij është rrugë magjistrale dhe nuk bie në kompetencë të pushtetit lokal.

“Por edhe përkundër këtij vullneti dhe financimit që po i bën komuna këtij projekti, pasi që komuna e financon 70 për qind këtë projekt, qeveria nuk ka shprehur vullnet që t’i hyjë këtij procesi”, kishte thënë Osaj.

Kur Gazeta Jeta në Kosovë raportoi për moskryerjen me kohë të punimeve në rrethrrotullim, në muajin qershor, Lah Nitaj, këshilltar politik në Ministrinë e Infrastrukturës, deklaroi se në bazë të marrëveshjes, komuna e Prishtinës është bartëse e tërë projektit të shpronësimit.

“Të gjitha shpronësimet duhet të kryhen nga Komuna e Prishtinës”, thotë Nitaj.

Sipas tij, vetëm shpronësimi i një pike të “Kosova Petrolit” bëhet nga komuna dhe ministria bashkë.

Pika e pestë e marrëveshjes së nënshkruar në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës lidhur me shpronësimet në kuadër të këtij projekti që e posedon gazeta, thotë: 

“Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Infrastrukturës do të iniciojnë bashkërisht procedurat e shpronësimit në Ministrinë e Financave dhe të Ambientit e Planifikimit Hapësinor, lidhur me shpronësimin e objektit të pompës së karburanteve ( Kosova Petrol), duke pasur parasysh se kjo është rrugë me karakter regjional”.

Por, Ministria e Infrastrukturës ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë se pse e dërgoi një vit pas nisjes së punimeve kërkesën për inicimin e shpronësimit.

Qeverisja e re e komunës së Prishtinës, në krye me Shpend Ahmetin e Vetëvendosje, ka pohuar se do të largohet pompa problematike e derivateve që pengon projektin e rreth rrotullimit.

Zyrtari për informim Adonis Tahiri ka informuar se komuna është në kontakt me qeverinë për shpronësimin e pronës.

“Jemi në kontakt me Qeverinë qendrore që shpronësimi në atë pjesë të bëhet sa më parë që është e mundur, në mënyrë që të fillojmë me punimet. Gjithsesi se do të largohet pompa e benzinës”, tha Tahiri për Gazetën Jeta në Kosovë.