Shteti e Çon në Gjyq Kosova Petrol-in

Kompania e Bedri Selmanit, ish-këshilltarit të kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish-deputetit të PDK-së, do të përballet me drejtësinë, për shkak të shitjes së derivateve të naftës pa pasur licencë për këtë veprimtari. 

Kompania posedon gjithsej 35 pompa të shitjes së derivateve të naftës me të cilat është duke operuar me licenca me afat të skaduar.

Ndaj Kosova Petrolit, inspektorati i naftës  gjatë muajve shtator dhe nëntor të 2013-ës, ka ngritur fletëparaqitje për operim të paligjshëm të 18 pompave të kësaj kompanie.

Fletëparaqitjet deri më tash janë ngritur për katër pika të shitjes në Prishtinë, tri në Ferizaj, dy në Kamenicë, dy në Istog, dy në Gjilan dhe nga një pikë në Fushë Kosovë, Suharekë, Klinë, Viti dhe Deçan. Për këto pika deri tash janë paraqitur paditë nga inspektorati i tregut, për mungesë licence.

Muharrem Pozhegu kryeinspektor në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se kanë marrë masat e duhura ndaj këtij biznesi të derivateve.

Ai deklaroi se kërkesat janë bërë për inicim të procedurës për kundërvajtje në gjykatat themelore të komunave ku operojnë pompat e derivateve të Kosova Petrol-it. 

Kryenspektori Pozhegu, thotë se ende nuk kanë informata nga gjykatat për fillimin e punës rreth këtyre lëndëve.

Në shumicën prej gjykatave themelore të komunave kanë konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se lënda për kundërvajtje ndaj Kosova Petrolit ka arritur, por se është lëndë e re dhe se ende nuk është trajtuar. 

Bedri Selmani që prej dimrit të viteve 1999-2000 pas një marrëveshje me UNMIK-un kishte marrë 64 pika të ish INA-s së Zagrebit. 

Duke ngritur kështu biznesin Kosova Petrol, ku sipas vebfaqes së  vet Kosova Petrol thoshte se është udhëheqëse në furnizim me naftë në tregun kosovar, me një rrjet prej 35 pikash aktive të shërbimit. Kjo vebfaqe më nuk është aktive http://www.kosova-petrol.com/ 

Gazeta Jeta në Kosovë pati gjetur se Bedri Selmani kishte përfituar nga shfrytëzimi i pompave të naftës, pa paguar asgjë për së paku dhjetë vjet, duke i dëmtuar institucionet e Kosovës me miliona euro. 

Bedri Selmani, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë nuk komentoi pretendimet e autoriteteve shtetërore kundër tij për borxhet milionëshe. 

Arsyet e refuzimit 

Departamenti për Rregullimin e Tregut të Naftës në MTI thotë se aktualisht Kosova Petrol-i nuk posedon asnjë licencë për veprimtari me produkte të naftës dhe se pas refuzimeve të fundit nuk ka pasur kërkesa të reja.

Visar Bajraktari, shef i Zyrës së Licencimit që operon brenda këtij departmenti, thotë se refuzimi i fundit i kërkesës së Kosova Petrolit për licencë për shitje me pakicë të dizelit dhe benzinës është bërë me datën 3 korrik ku përfshihen edhe 5 pika të shitjes.

Ai ka thënë se Kosova Petroli është njoftuar gjithmonë për vendimet e refuzimit te përfaqësuesi i tyre, në ditën e marrjes së vendimeve, ose disa ditë pas vendimeve për refuzim.

Gazeta gjatë muajit gusht pati raportuar për përgjigjet negative që MTI-ja i kishte dhënë Kosova Petrolit. 

Bajraktari pohoi se për këtë rast është mbajtur edhe një takim me pronarin Bedri Selmani, ish-ministren Mimoza Kusari-Lila dhe zyrën e licencave me datën 27 maj 2013, një muaj pas kërkesave për licencim që janë bërë nga Kosova Petrol.

“Kam qenë prezent në takimin e pronarit, z. Selmani, me Ministren e Tregtisë dhe Industrisë në MTI, ku është diskutuar për dokumentin e pronësisë ose të kontratës së qiradhënies, të cilin e kërkon struktura ligjore për licencim” tha Bajraktari.

Gazeta ka provuar të flasë me Bedri Selmanin, mirëpo ai ende nuk është përgjigjur në pyetjet e gazettes, edhe pse gazeta ka pritur një muaj për këto përgjigje.

Mimoza Kusari-Lila ish-ministre e Tregtisë dhe Industrisë, në emisionin Jeta në Kosovë, deklaroi  se zyrtarët e Kosova Petrolit disa herë kishin paraqitur një dokument të UNMIK-ut, por sipas saj ai ka qenë dokument i skaduar.

“Kosova Petroli ka vepruar pa licencë dhe ne këtë e kemi thënë. Unë kam refuzuar ta trajtoj por e kam dërguar çështjen për interpretim në zyrën e kryeministrit që është trashëgimtar i qeverisjes së UNMIK-ut në këtë rast kemi kërkuar dy herë sqarime nga zyra ligjore në ZKM”, tha Mimoza Kusari-Lila.

Kur Kusari-Lila u pyet se nuk është mbyllur deri tash kompania Kosova Petrol që operon pa licencë për pika të shitjes ajo deklaroi se kjo çështje është shqyrtuar brenda ministrisë që drejtonte. 

“Nuk kemi dashur që kjo të merret me pompozitet për shkak se kemi thënë se Kosova Petroli nuk ka licencë dhe presim sqarimin mbi atë se çfarë do të ndodhë me definimin e pronës”, tha ajo.

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar se biznesmeni Selmani bazohet në një urdhëresë të UNMIK-ut që i lejonte atij shfrytëzimin e pompave të INA-s së Zagrebit.

“Lejimi është bërë si masë për të siguruar furnizimin me produkte nafte gjatë kësaj periudhe vitale të dimrit”, thuhet në urdhëresën e datës 25 janar 2000 të Gerhard Fischer shef i departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe Administratës së Burimeve Natyrore. 

Gazeta Jeta në Kosovë  po ashtu ka raportuar se INA Zagreb kërkon ktimin e pronave të saj që nga viti 2005 nëpërmjet një padie të ngritur në Odën e Veqantë të Gjykatës Supreme.

Kosova Petrol nuk ka licencë për import 

Ndërkohë, shefi i Zyrës së Licencave tha për Gazetën Jeta në Kosovë se në secilin grup të lëndëve, me rastin e shqyrtimit të tyre nga Komisioni i Brendshëm, subjekti është kontaktuar përmes telefonit për të sjellë dokumentin e kërkuar. 

“Dokumenti nuk është sjellë dhe lëndët janë refuzuar”, tha ai.

Sipas Barjaktarit me datën 12 qershor 2013 është marrë vendim edhe për refuzimin e kërkesave për import të dizelit dhe benzinës.

Sipas zëdhënësit të doganave të Kosovës Adriatik Stavilecit, Kosova Petroli importin e fundit ka pasur në vitin 2012, ose  shtatë muaj para se t’i refuzohej kërkesa për import.

“Kompania të cilës ju i referoheni, sipas shënimeve të Doganës importin e fundit të derivative e ka bërë në nëntor të vitit 2012 dhe që nga ajo datë nuk ka importuar produkte të naftës”, tha Stavileci për gazetën Jeta në Kosovë.

Pronari i Kosova Petrol-it ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë se pse nuk ka importuar naftë që nga nëntori i vitit 2012. 

Ndërkohë Bajraktari, zyrtari i MTI-së, gjithashtu tha se me datën 1 korrik, kanë pranuar përgjigjen nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit, ku ndër të tjera ai citon:  

“…Agjencia ju informon se nuk është në marrëdhënie bashkëpunimi apo kontraktuale mbi qiradhënien apo shfrytëzimin e këtyre stacioneve të benzinës me kompaninë “Kosova Petrol” apo ndonjë subjekt tjetër…”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar në prill të vitit 2012 se AKP-ja e llogarit biznesin Kosova Petrol si uzurpator të pronës shoqërore.