Aplikacione të Pasuksesshme të Biznesmenit të Fuqishëm

Më 3 korrik të këtij viti është refuzuar një kërkesë për licencimin e një pike të Kosova Petrol-it në Istog për shitjen e dizelit dhe benzinës nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. 

Ky është refuzimi më i fundit që i është bërë kompanisë së Bedri Selmanit, biznesmenit të lidhur me kryeministrin Hashim Thaçi dhe nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet Kadri Veseli. 

Nafta nuk mund të tregtohet në asnjë formë në Kosovë ose jashtë saj nëse Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk jep licencë për të ushtruar këtë veprimtari, sipas ligjit për naftën. 

Por në profilin e saj në webfaqen e vet Kosova Petrol thotë se është udhëheqës në furnizim me naftë në tregun kosovar me një rrjet prej 35 pikash të shërbimit. 

“Kosova Petrol është udhëheqës në furnizim me naftë në tregun kosovar me një rrjet prej 35 pikash të shërbimit. Webfaqja e Kosova Petrol

Divizioni për Rregullimin e Tregut të Naftës në MTI thotë se aktualisht Kosova Petrol nuk ka asnjë licencë shitje. Adnan Burrniku, zyrtar në zyrën e licencave, thotë gjatë këtij viti kompania ka shtruar pesë kërkesa për licencim dhe në të gjitha i është dhënë përgjigje negative.

Në refuzimin e fundit, të datës 3 korrik, shkruan se “subjekti afarist nuk është në marrëdhënie kontraktuale mbi qiradhënien me poseduesin e pronës së paluajtshme”.

Më 3 mars të këtij viti, gazeta Koha Ditore raportoi se licencimi i pikave të shitjes së Kosova Petrol-it do të binte ndesh me rregulloret e MTI-së. Sipas udhëzimit administrativ për licencimin e kompanive për tregtimin e naftës, nga parashtruesi i kërkesës ndër të tjera kërkohej edhe fletë poseduese ose kontratë mbi shfrytëzimin e pronës.

Visar Bajraktari, shef i zyrës së licencimit në departamentin për rregullimin e tregut të naftës, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se arsyeja e mosdhënies së licencës për Kosova Petrol-in është moszgjidhja e pronës. “Ne kemi kërkuar dokumentin e pronësisë”, thotë ai. “Nga Agjencioni Kosovar i Pronës kemi marrë përgjigjen se nuk kanë marrëveshje kontraktuale me Kosova Petrol”. 

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi së pari më 9 prill 2012 se Agjencia Kosovare e Privatizimit, përgjegjëse për administrimin e të gjitha ish-ndërmarrjeve shoqërore në vend, e përshkruante Kosova Petrol-in në një raport të vitit 2011 si ndërmarrje okupuese të pronës shoqërore pasi kompania figuronte 23 herë si okupues i pompave të INA-s në pika të ndryshme të vendit. Njëjtë e llogarisnin edhe autoritetet kroate si Drejtoria Qendrore e INA-s si dhe Qeveria e Presidenca Kroate pasi që drejtuesit shtetërorë kroatë patën kërkuar nga Qeveria e Kosovës që uzurpatorëve t’u pamundësohet shfrytëzimi i pasurisë së kësaj ndërmarrje shoqërore. 

“Selmani ka qenë këshilltar i Hashim Thaçit kryeministrit aktual, deputet i PDK-së në pushtet si dhe përfaqësues për Kroaci i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gazeta pati gjetur se Bedri Selmani kishte përfituar nga shfrytëzimi i pompave të naftës pa paguar asgjë për së paku dhjetë vjet, duke i dëmtuar institucionet e Kosovës me miliona euro.

Selmani në të kaluarën ishte këshilltar i Hashim Thaçit kryeministrit aktual, deputet i PDK-së në pushtet si dhe përfaqësues për Kroaci i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në janar 2012, Gazeta Jeta në Kosovë raportoi edhe se Bedri Selmani uzurpoi pronën shoqërore për të ndërtuar “Hotel Victory” në Prishtinë dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit e më herët Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) për 11 vjet rresht nuk kishin mundur të “zbarkojnë” në këtë objekt ku i mbante mbledhjet partia që drejton edhe sot qeverinë. 

Në shtator 2012, gazeta raporti se “Hotel Vicotry” dhe një tjetër biznes i Selmanit “Kolegji Victory” ishin konsumatorë të Kobit Pc, një biznes që udhëhiqej nga ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Kadri Veseli. Ky i fundit sot është nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. 

Selmani: Kam investuar mbi 10 milionë euro

Ish-përgjegjësi i i licencimeve në MTI, Ramadan Buzhala, i tha gazetës se Kosova Petrol-i kishte më parë licenca për rreth 75 për qind të pikave të saj. Këto licenca nuk ishin më të hershme se viti 2005. 

“Në atë kohë unë personalisht kam qenë kundër (v.j. dhënies së licencës), po kur jam konsultuar me ministrin thuhej se nuk jemi të thirrur me u marrë me atë biznes që dikush tjetër e lejon”, tha Buzhala. “Thjesht ne nuk kemi pas fuqi me ia ndalu (v.j. licencimin) edhe pse nuk ka qenë në rrugë valide”.

Tani ministria refuzon kërkesat e Kosova Petrol-it, por biznesmeni Bedri Selmani i tha Gazetës Jeta në Kosovë se MTI nuk mund ta kontestojnë licencimin e saj. “Ne e kemi të drejtën tonë për pronën të cilin e kemi qe 12 vjet dhe atë e kemi për 99 vjet në shfrytëzim”, tha Selmani. “Licenca me pronën s’ka asgjë”.

Sidoqoftë, shtoi ai, edhe prona është “në nivel të duhur me të gjitha konditat”.

“Thjesht ne nuk kemi pas fuqi me ia ndalu edhe pse nuk ka qenë në rrugë valide. Ramadan Buzhala

“E drejta jonë e shfrytëzimeve dhe investimeve të bëra është plotësisht legjitime”, tha Selmani. “Kemi bërë mbi 10 milionë euro gjatë këtyre 12 viteve dhe i kemi kryer të gjitha obligimet ndaj shtetit. Jemi njëra ndër kompanitë më të disiplinuara në sektorin e naftës”.

Ai tha se të drejtën e shfrytëzimit dhe të investimeve ia kishte dhënë një marrëveshje me UNMIK-un, e bërë në dimrin 1999-2000. Sipas Selmanit, madje marrëveshja i jepte të drejte për 64 pika por se i ka tash nën kontroll vetëm 34. Për 30 të tjera, tha ai, është në procedura gjyqësore për t’i marrë në shfrytëzim. 

Më 25 janar 2000, Gerard Fischer, shef i departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe Administratës së Burimeve Natyrore në UNMIK kishte nxjerrë urdhëresën me të cilën lejonte Selmanin të shfrytëzonte pompat e INA-s. Por aty thuhej se: “Lejimi është bërë si masë për të siguruar furnizimin me produkte nafte gjatë kësaj periudhe vitale të dimrit”.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, përmes zëdhënësit Ylli Kaloshi, thotë se përcaktimi i pronës mbi asetet që kontrollon Kosova Petrol-i do të bëhet veç e veç për secilin rast dhe se ato do të jenë nën mandatin e saj nëse vërtetohet se kanë qenë në pronësi shoqërore. Aktualisht, AKP i konsideron ato asete zyrtarisht si të padefinuara. 

Ruzhdi Shehu, krye-inspektor i inspektoratit të tregut, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se në rastet kur hasën biznese që ushtrojnë veprimtari pa licencë atëherë iniciohet procedurë në gjykatë. 

“Kundër Kosova Petroli-it nuk kemi iniciuar asnjë rast në gjykatë”, tha Shehu. “E kemi thënë disa herë se operatori ekonomik Kosova Petrol në shumicën dërmuese të pikave shitëse me pakicë i plotëson kushtet në aspektin teknik për ushtrimin e kësaj veprimtarie, por te kjo kompani problemi është i pronës gjë e cila me legjislacionin ne fuqi nuk është kompetence e inspektoratit të tregut”.

“Ne e kemi të drejtën tonë për pronën të cilin e kemi qe 12 vjet dhe atë e kemi për 99 vjet në shfrytëzim. Bedri Selmani.

Nazmi Bytyqi nga Shoqat e Naftarëve të Kosovës thotë se për rastin e Kosova Petrol-it u takon autoriteteve relevante të vendosin. Por, ai thotë se në mungesë të licencës, kompania mund të mos përgjigjet në lidhje me atë se si operon dhe mund të mos ketë kontrollim të rregullt të veprimtarisë së saj. “Tregu prishet nëse nuk funksionon ligji”, tha ai

Në Agjencionin për regjistrimin e biznesit figurojnë të regjistruara 919 biznese që aktivitetin primar e kanë tregtinë me pakicë, ndërsa 500 biznese janë të regjistruar për tregtinë me shumicë të naftës. Gazeta ka siguruar nga departamenti i rregullimit të tregut listën e bizneseve të naftës të licencuara dhe deri me datën 30 korrik si të licencuara janë 1004 kompani. Kosova Petroli nuk është në mesin e tyre.