OeSD: EU Consulting Nuk Ishte e Autorizuar të Pranonte Pagesa

Shkrimi fillimisht u botua më: 18.02.2013 03:31:41

Ministria e Brendshme e Kosovës thoshte dy javë më parë se nga kontrata e qershorit 2011 për pasaportat me kompaninë vjeneze OeSD, në vlerë të 14,127,003.24 eurove, kishte paguar gjithsej 3,361,283.25 euro me pagesën e fundit të kryer në gusht 2012.

Sipas një dokumenti që ia kishte lëshuar gazetës përmes së drejtës për qasje në dokumente zyrtare, MPB thoshte se të gjitha pagesat qenë kryer përmes “Eu Consulting” me pronar Natali Veliajn.

Kontrata, e shkëputur më 31 janar 2013, e obligonte OeSD-në të prodhonte 1,328,000 pasaporta biometrike si dhe të sillte në Kosovë pajisje për personalizimin e këtyre dokumenteve.

Reinhart Gausterer, drejtor i përgjithshëm i OeSD-së, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se deri më tash kompania ka bërë liferimin me kohë të gjithsej 280,000 pasaportave tek Ministria e Brendshme e Kosovës, një numër të madh prej të cilave veç i janë dorëzuar qytetarëve kosovarë.

“Dërgesat e para sipas kësaj kontrate i janë paguar OeSD-së nga MPB, në pajtim me kontratën dhe kushtet e pagesave të përcaktuara në të”, thotë Gausterer. “Aktualisht, MPB i ka borxh OeSD-së një shumë të konsiderueshme parash për liferimin e pasaportave që e para i ka pranuar”.

 
Reinhart Gausterer | Foto: OeSD  

Kompania nuk ka treguar se kur ka pranuar pagesa nga MPB-ja dhe sa para saktë i konsideron të munguara. Ministria e Brendshme nuk ka kthyer përgjigje kur është pyetur se a ka kryer pagesa direkt ndonjëherë për OESD-në.

Natali Velija, pronarja e kompanisë “Consulting EU Sh.P.”, ishte arrestuar më 12 nëntor për shkak të dyshimeve se ka keqpërdorur 1.4 milionë euro në tenderin e pasaportave duke vepruar si përfaqësues i autorizuar i OeSD-së.

Në bazë të kontratës ndërmjet Ministrisë dhe OESD-së, ministria ishte e obliguar të lëshonte miratim për autorizimin e “Eu Consulting” nga kompania vjeneze. Këtë miratim ajo nuk e kishte lëshuar.

Më 20 dhjetor gazeta kishte zbuluar se Natali Velija – gjatë kohës sa punonte në kontratën e furnizimit me pasaporta – ishte duke u paraqitur në gjykatë ku po përballej me akuzat e prokurorit publik për keqpërdorimin e 7,400 eurove, të cilat ishin ndarë për renovimin e një shkolle në fshatin Pobërgjë të Deçanit.

Drejtori i prokurimit të MPB-së, Agim Islami, i kishte thënë gazetës se OeSD-ja kurrë nuk e kishte ngritur çështjen e pagesave që bëheshin rregullisht nëpërmjet “Eu Consulting” dhe nuk kishte kërkuar që ato të bëheshin ndryshe.

“Ne e kemi marrë autorizimin origjinal, të vulosur e nënshkruar ku tregohet se në atë llogari bankare duhet të bëjmë të gjitha pagesat dhe detyrimet”, thotë Islami.

Edhe Nuhi Paçarizi, avokat i Natali Veliajt, thotë se ekziston autorizimi që kompania OeSD ka kërkuar nga EU Consulting që nëpërmjet saj të kryhen shërbimet dhe pagesat. “Autorizimi është pa kufizime, përfshirë edhe të gjitha financat në lidhje me këtë tender”, thotë ai.

Por drejtori austriak Gausterer thotë se “obligimet e MPB-së për t’i kryer pagesat OeSD-së për shërbimet e ofruara sipas kontratës së lidhur mbesin të paprekura dhe ende nuk janë shlyer”.

“Subjekti kosovar Consulting EU sh.p.k. (znj. Velija) është nënkontraktuar vetëm falë njohurive të gjuhës shqipe dhe gjermane nga znj.Velija dhe për nevoja të përkthimit dhe detyrave tjera ndihmëse në lidhje me përmbushjen e kontratës, si dhe për përkrahje me logjistikën e dërgimit të pasaportave”, thotë ai.

“Në asnjë moment, Consulting EU sh.p.k. nuk ka pasur autorizim për të pranuar pagesa në emër të OeSD-së sipas kontratës së zbatueshme”, shton Gausterer.

Sipas tij, çështja e pagesave të kryera ishte e rregulluar me kontratë.

Neni 26, pika 2, e saj thotë se “pagesat që duhet të bëhen nga autoriteti kontraktues do të bëhen në llogarinë bankare të dhënë në formularin  për identifikim financiar që e plotëson kontraktuesi”.

Sipas Gausterer, “Në këtë kontratë përcaktohet se OeSD, me seli të regjistruar në Vjenë, dhe MPB janë të vetmet palë kontraktuese dhe se OeSD është i vetmi pranues i pagesave që do të kryhen në bazë të kontratës”.

“Për më tepër, OeSD në asnjë moment nuk e ka autorizuar MPB-në që të kryejë pagesat sipas kontratës së lidhur tek ndonjë subjekt tjetër, përveç llogarisë së përcaktuar në kontratë. Nuk ekziston asnjë ndryshim i kontratës që do të përcaktonte kushte tjera të pagesës”, shtoi ai.

OeSD thotë se e ka dorëzuar një deklaratë faktesh tek Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, ambasadori austriak në Prishtinë dhe EULEX-i. “OeSD beson fuqimisht tek autoritetet hetimore dhe të njëjtave u ka ofruar përkrahje të plotë”.

Johann Brieger, ambasadori i Austrisë në Kosovë, thotë se shteti i tij është shumë i interesuar që t’i shkojë deri në fund këtij rasti që ai të sqarohet plotësisht.

“Një hetim është nisur, që drejtohet nga EULEX-i dhe autoritetet vendore, dhe ne besojmë plotësisht në zotësinë e tyre për tu marrë me këtë rast”, tha Brieger.

Hasan Preteni, shefi i Agjencisë Kundër-Korrupsion, thotë se prokurori i EULEX-it e ka autorizuar AKK-në të kryej disa veprime hetimore në këtë rast.

“Nuk po trajtohet faza e ‘realizimit te kontratës’ – ajo veç është duke u trajtuar nga të tjerët, por faza që i ka parapri caktimit të fituesit, a janë zhvilluar procedurat prej publikimit të tenderit deri te faza e shpalljes se fituesit”, tha Preteni.

“Pas përmbylljes së hetimeve ne do të përgatisim një raport me të gjeturat tona”, shtoi ai.

Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, më 21 nëntor 2012, ka shkarkuar nga pozita e Këshilltarit Politik të MPB-së, Sedat Gashin, ka pezulluar nga puna me pagesë, Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj dhe drejtorin e Departamentit për Prodhim të Dokumenteve, Besnik Berisha.

Në komunikatën zyrtare të MPB-së është shkruar se shkarkimi i këshilltarit Gashi, është bërë për shkak të mospërmbushjes së detyrave dhe përgjegjësive si Këshilltar Politik, ndërsa pezullimi për zyrtarët, Camaj dhe Berisha, për shkak të keqmenaxhimit dhe marrëdhënieve të këqija ndër njerëzore me stafin.

Gjashtë ditë më vonë, me 27 nëntor 2012, MPB-ja ka marrë vendim gjithashtu  për pezullim nga puna me pagesë, drejtorin e Departamentit të Prokurimit, Agim Fejzullahu. Pezullimi i këtij zyrtari sipas versionit zyrtar, është bërë për shkak të keqmenaxhimit.

 
Natali Velija  

Dy njoftime për një ditë

Ditën që Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi zyrtarisht se ka shkëputur kontratën me kompaninë austriake OESD, edhe shpalli tenderin e ri për furnizim me pasaporta biometrike.

“Nuk është respektuar neni 3 i marrëveshjes (vj. çmimi), neni 16  i kontratës (vj. tvsh), dhe së fundi është refuzuar kërkesa jonë për zgjedhje miqësore në të gjitha pikat kontestuese”, shkruan në komunikatën zyrtare të MPB-së, të publikuar me 31 janar 2013.

Agim Islami, drejtor i prokurimit në MPB thotë se tash, pak më shumë se dy javë pas shpalljes së tenderit të ri, ka shumë kërkesa për pjesëmarrje nga kompanitë të cilat ofertat mund t’i dorëzojnë   deri më 19 shkurt.

“Interesimi është më i madh se në tenderin e parë. Deri më tash kemi dërguar mbi 20 aplikacione”, thotë Islami për Gazetën Jeta në Kosovë. “Kompanitë e interesuara janë vendore dhe ndërkombëtare”

Në njoftimin për tenderin e ri, ka më shumë kushte për kompanitë e interesuara sesa në tenderin e parë.

Një nga kërkesat në tenderin e ri, e shkruar në mënyrë të qartë, është regjistrimi i biznesit në Kosovë i kompanisë fituese, në rast se ajo është e huaj.

 “Kjo është bërë në mënyrë që taksat dhe tatimet të derdhen në Kosovë”, thotë Islami.

Dallim tjetër ndërmjet  dy tenderëve është edhe numri i pasaportave që kërkohen. Shifra është  gati përgjysmë më pak për të gjitha kategoritë.

Në tenderin e parë 14 milionësh, ishin kërkuar 1.3 milionë pasaporta të zakonshme, 5 mijë diplomatike, 10 mijë zyrtare, e 5 mijë dokumente të udhëtimit.

Në tenderin e ri kërkohen 800 mijë të zakonshme, 1000 diplomatike, 1000  zyrtare dhe 1 mijë të tjera dokumente të udhëtimit.  

Një kërkesë tjetër e re janë edhe kushtet që duhet të plotësojnë në rast se fitues shpallet ndonjë grup i operatorëve ekonomikë. Në raste të tilla, secili operator ekonomik kërkohet të sjellë dokumentet veç e veç, e në rast se njëri prej tyre përjashtohet, atëherë diskualifikohet i tërë grupi.

Në tenderin e ri gjithashtu është parashikuar që kompania fituese, brenda 90 ditëve të dorëzojë  kontingjentin e parë të pasaportave prej 10 mijë copë.

Kohëzgjatja e kontratës është e njëjtë, 36 muaj.