Taksat e OeSD-së u Regjistruan Si të Ministrisë

Artikulli fillimisht u botua më: 04.02.2013 02:00:36

Ministria e Punëve të Brendshme regjistroi Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar për pasaportat biometrike dhe pajisjet tjera që i solli në Kosovë kompania austriake edhe përkundër faktit që ky ishte obligim kontraktual i OeSD-së.

“Që furnizimet të importohen në vendin e autoritetit kontraktues (v.j.MPB-së), duhet të përfshihen të gjitha pagesat dhe tatimet e zbatueshme për importimin e tyre, duke përfshirë edhe TVSH-në”.

Kështu lexon neni 16 në kontratën “furnizimi me pasaporta elektronike dhe pajisje teknologjike për personalizimin e dokumenteve”, të nënshkruar më 16 qershor 2011 mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kompanisë austriake OESD, një kopje të së cilës MPB e ka lëshuar për Gazetën Jeta në Kosovë pas kërkesës për qasje në dokumente zyrtare.

Kontrata në vlerë 14,127,003.24 euro për prodhimin e 1,328,000 pasaportave të zakonshme, diplomatike, zyrtare etj., si dhe furnizimit me pajisje të paspecifikuara teknologjike e sistemit për personalizimin e dokumenteve është ndërprerë të enjten, më 31 janar, pasi OESD refuzonte të paguante TVSH-në.

Sipas nenit në fjalë, OeSD obligohej të paguante TVSH-në.

Por gazeta ka zbuluar se, qysh në qershor të 2012-tës, problemet në lidhje me këtë nen kishin filluar të dalin në sipërfaqe.

Një raport auditimi i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm i publikuar në atë muaj, në lidhje me aktivitetet e MPB-së më 2011, thoshte se OESD, në pajtim me kontratën, duhej të regjistrohej në regjistrin e shoqërive tregtare dhe emrave tregtarë të Kosovës “brenda një afati të arsyeshëm kohor pas dhënies së kontratës”.

“OESD nuk i është përmbajtur kushteve të kontratës, respektivisht nuk ka arritur të kompletojë dokumentacionin për themelimin e njësisë së saj deri më datën 27 shtator 2011. Në të njëjtën datë ajo ka qenë e obliguar t’i sjellë dhe t’i vejë në funksion pajisjet për prodhimin e pasaportave biometrikë”, thuhet në raport.

Në web-faqen e Agjencionit Kosovar për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), si datë e konstituimit të kësaj kompanie në vend figuron 23 shkurti 2012. Ajo ka aplikuar për regjistrim një ditë më vonë.

“Në mungesë të kompletimit të dokumentacionit për themelimin e degës në Kosovë (çertifikatës së numrit fiskal, çertifikatës së Tvsh-së dhe çertifikatës së doganës), më 14 shtator 2011 dhe me datë 19 shtator 2011 operatori ekonomik ka sjellë pajisjet në kufi”, vazhdon raporti. “Dogana e Kosovës nuk e ka lejuar operatorin ekonomik nga Austria të fusë pajisjet në Kosovë pa dokumentet e nevojshme”.

Pas kësaj, sipas raportit, pajisjet “janë zhdoganuar në emër të MPB-së” ku kjo e fundit paraqitet si importues.

“Përfaqësues i MPB-së ishte paraqitur Agjencioni Doganor ‘Shala Trade’”, thotë raporti. “Ne kërkuam nga MPB autorizimin për lejimin e importit në emër të MPB-së, mirëpo nuk na është ofruar një dokument i tillë. Sipas zyrtarëve të MPB-së, asnjë person fizik ose juridik nuk kishte autorizim për importimin e pajisjeve”.

Sipas raportit, pagesat për këto pajisje ishin bërë në muajin dhjetor 2011 dhe pajisjet ishin në gjendje fizike dhe kapacitet të prodhimit sikur kërkohej në kontratë.

“Në këtë muaj është bërë edhe korrigjimi i Dokumenteve Unike Doganore (DUD)”. (shih dokumentin)

Ministria nuk ia ka lëshuar as Gazetës Jeta në Kosovë këtë dokument autorizimi. Edhe doganat thonë se dokumenti nuk mund të lëshohet aktualisht pasi rasti po hetohet nga EULEX-i.

Përveç pajisjeve, agjencioni Doganor “Shala Trade” ka kryer edhe shërbimet e plotësimit të DUD-ave (dokumentit me të cilin tregohet se ç’mall hyn dhe cilës kategori i takon sipas rregullave tarifore) edhe në katër raste të futjes së vetë dokumenteve të udhëtimit – të gjitha më 2011.

Ky agjencion është autorizuar nga MPB-ja që nga viti 2009 për të kryer këso shërbimesh për të. Pronari Idriz Shala thotë se ka pasur kontratë deri më 31 dhjetor 2011 me MPB-në.

“E kam pas kontratën, autorizimin prej MPB-së”, thotë Shala.  “Austriakët pasaportat në mënyrë fizike i kanë sjellë deri në kufi, në Pejë ose aeroport. Ne ishim vetëm ndërmjetësues, që ato dokumente që kanë ardhur në doganë t’i qesim në DUD dhe t’i dorëzojmë prapë në doganë”.

Mirëpo, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se ky mall, në bazë të ligjit për TVSH, nuk përfshihet si “importim i liruar”.

Për këtë, më 13 dhjetor 2012, Dogana e Kosovës – Sektori i Auditimit të Brendshëm, nxjerr një aktvendim me të cilin thotë se importuesi MPB obligohet që të paguaj obligime doganore prej 354,052.20 eurosh.

“Sektori i auditimit…konstaton se me rastin e deklarimit të zhdoganimit të mallit nuk është vepruar drejtë”, thuhet në aktvendim. “Malli lëndor duhet t’i nënshtrohet pagesës së taksave importuese me shkallën prej 27.6 për qind”. (shih dokumentin)

Sipas doganave, kodi tarifor ishte shkruar gabimisht dhe malli duhej të figuronte jo si “letër për printimin e pasaportave biometrike” por si “dokumente identifikuese, pasaporta elektronike-biometrike”.

Gati dy javë më vonë, më 26 dhjetor 2012, MPB ankohet kundër vendimit. “Në bazë të kontratës (me OeSD) MPB-ja është vetëm blerës e jo edhe importues i pasaportave elektronike, ashtu siç pretendon Dogana e Kosovës. MPB me rastin e pranimit të faturave për mallin e blerë i ka paguar kompanisë çmimin e secilës pasaportë duke përfshirë të gjitha taksat doganore, tatimet dhe TVSH-në”.

“Këto obligime duhet të kryhen nga OeSD-ja ose përfaqësuesi i autorizuar i OeSD-së i regjistruar në Kosovë”, thotë ankesa. (shih dokumentin)

Më 24 janar 2013, doganat nxjerrin sërish një aktvendim duke refuzuar ankesën e MPB-së dhe duke i thënë se mund të ankohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në vendim, ajo ia përsërit se, sipas legjislacionit, debitor konsiderohet deklaruesi (MPB-ja).

“Po ashtu, është evidente se MPB-ja edhe përkundër faktit se malli është zhdoganuar në muajt shtator-nëntor 2011 dhe i njëjti me gjithë dokumentacionin përcjellës është pranuar nga MPB-ja dhe derisa është lëshuar aktvendimi nga ana e doganës, MPB-ja nuk i ka kundërshtuar fare DUD-at në kuptimin që ajo nuk duhet të jetë deklarues i mallit por OeSD-ja dhe të kërkojë anulimin e deklaratave”, vazhdon vendimi. (shih dokumentin)

Agim Islami, drejtor i prokurimit në MPB, pohon se agjencionit doganor “Shala Trade” kontrata me këtë ministri i ka mbaruar më 2010.

“MPB është vetëm blerës”, thotë Islami. “Ata (OeSD) sipas të gjitha gjasave e kanë marrë një shpediter që më parë ka qenë i MPB-së por kontrata e të cilit me ne kishte mbaruar më 2010”.

Ai po ashtu fajëson doganën që ka lëshuar mallin me kod të gabuar. “Nuk është dashur t’i lëshojnë”, tha Islami.

Por zëdhënësi Adriatik Stavileci thotë se dogana nuk bën kontrollim fizik të të gjithë transportuesve sepse kështu, shton ai, do të bëheshin bllokime komunikacioni dhe po ashtu se kjo është praktikë standarde doganore. “Ne operojmë me risk dhe normalisht që risku për MPB-në nuk konsiderohet i lartë”.

Idriz Shala nga “Shala Trade” thotë se mallrat janë pranuar nga MPB-ja. “Ato faktikisht kanë qenë letër A4, katër faqe, që kanë qenë letër speciale për procesimin e pasaportave”, thotë ai.

OeSD nuk është përgjigjur në telefonatat e gazetës dhe as në pyetjet e dërguara me email. Por drejtori i saj, Reinhard Gausterner, i ka thënë Kohës Ditore të premten se “OeSD në mënyrë strikte po i përcjell të gjitha procedurat legale në bazë të ligjit kosovar ashtu siç e kemi paralajmëruar MPB-në”.

 
Fillimi i lëshimit të dokumenteve biometrike | Foto:kryeministri-ks.net  

Ministria nuk kishte lëshuar miratim për EU Consulting

Zyra për Marrëdhënie me Publikun e MPB-së thotë se “fillimisht kompania OeSD e ka deklaruar përfaqësues ligjor për projektin për furnizim me pasaporta elektronike kompaninë Consulting EU”.

Drejtori i prokurimit të MPB-së, Agim Islami, thotë se OeSD kishte sjell në ministri një autorizim për EU Consulting.

“Ne e kemi marrë autorizimin origjinal, të vulosur e nënshkruar ku tregohet se në atë llogari bankare duhet të bëjmë të gjitha pagesat dhe detyrimet”, thotë Islami.

“Këta (OeSD) kanë marrë deri më tash 3 milionë e diçka përmes këtij përfaqësuesi, EU Consulting. Ne kemi bërë shtatë apo tetë pagesa”, shtoi ai. 

Ministria nuk e ka ofruar këtë autorizim për gazetën. “Tash atë e ka marrë EULEX-i”, tha Islami.

Sipas kontratës, nenit 5.2, “kontraktuesi (OeSD) nuk mundet që, pa miratim paraprak nga autoriteti kontraktues (MPB), të transferojë kontratën ose një pjesë të saj, ose ndonjë përfitim apo interes nga ajo…”.

Kësi miratimi, ministra nuk ka lëshuar.

MPB thotë se “OeSD nuk ka qenë e obliguar të kërkojë autorizim” prej saj në lidhje me angazhimin e Eu Consulting.

Gazeta Jeta në Kosovë më 20 dhjetor kishte zbuluar se Natali Velija, pronarja e kompanisë “Consulting EU Sh.P.”, e cila është arrestuar më 12 nëntor për shkak të dyshimeve se ka keqpërdorur 1.4 milionë euro në tenderin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për prodhim të pasaportave biometrike — gjatë kohës sa punonte në kontratën e furnizimit me pasaporta — ishte duke u paraqitur në gjykatë ku po përballej me akuzat e prokurorit publik për keqpërdorimin e 7,400 eurove, të cilat ishin ndarë për renovimin e një shkolle në fshatin Pobërgjë të Deçanit.

Drejtori i prokurimit Islami thotë se OeSD po kërkon “1.4 milionë që po u mungojnë”.

“Ata nuk thonë se kjo faturë po na mungon, por vetëm thonë 1.4 milionë po na mungojnë”, thotë ai.

Sipas Islamit, OeSD po e konteston se “EU Consulting ka qenë përfaqësuese e tyre” ashtu që “MPB t’ua japë paratë”.

“Ne i kemi paguar këto 1.4 milionë euro. Kemi fatura, mund ta shohin këtë në bankë, paratë u kanë shkua në llogari”, tha ai.

“Neve nuk na intereson marrëveshja ndërmjet OeSD dhe EU Consulting, neve na intereson vetëm autorizimi nga OeSD-ja. OeSD e ka regjistruar më vonë degën e vet. Ne kishim mundur t’ia transferonim paratë direkt, por ata nuk na kanë kërkuar dhe as lajmëruar”, thotë Islami.

Natali Velija pretendon se të gjitha 1.4 milionët i ka transferuar në kontot e zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe një zyrtari të Ambasadës Austriake në Kosovë, ashtu siç e kishte udhëzuar kompania austriake OeSD.

“Ne kemi kërkuar nga kompania ta zbatojë kontratën”, thotë Islami. “Në kontratë janë dy variante në rast të mos përmbushjes së kontratës, përmes procedurave gjyqësore dhe arbitrazhit”.

MPB ka paguar 3,261,283.25 euro

Ministria e Brendshme e Kosovës ka lëshuar një dokument në lidhje me të gjitha pagesat që i ka kryer për OeSD-në, të gjitha përmes Eu Consulting, në vlerë totale 3,361,283.25 euro.

Pagesa e parë është bërë më 13 dhjetor 2011 në vlerë 64,596 euro. Pagesa e dytë, po atë ditë, më 13 dhjetor, në vlerë 738,240 euro si dhe pagesa e tretë në vlerë 1,550,414.60 euro.

Më 15 shkurt 2012 është bërë pagesa në vlerën 855,283.34 euro ndërsa më 21 shkurt pagesa në vlerën 12,365 euro.

Më 3 prill 2012 pagesa në vlerë 48,103.7 euro ndërsa më 26 korrik 2012 pagesa në vlerë 92,280 euro. (shih dokumentin)

OeSD e thekson kontratën me Kosovën në raportimin e zhvillimit të saj

Në raportin financiar të Kompanisë OeSD, që përfshin periudhën 1 prill 2011 deri 31 mars 2012,  thuhet se ajo periudhë u karakterizua nga kërkesa të shumta në tregun e brendshëm dhe fitimin e projekteve ndërkombëtare.

“Veçanërisht vlen të përmendet projekti për ofrimin e sistemit të personalizimit të pasaportave dhe pasaportave elektronike për Republikën e Kosovës, kontratë e fituar në një tender ndërkombëtar për afat 3 vjeçar”, shkruan në dokument.

“OeSD gjatë viteve të fundit është shndërruar si ofrues shërbimesh edhe jashtë vendit duke përfituar rezultate në projekte si në rastin e Kosovës me kontrata të mëdha dhe duke arritur vrullshëm në biznes”, vazhdon dokumenti.

Në dokument thuhet se asetet e përgjithshme të vlerësuara të kompanisë janë rritur për 2 milionë euro duke mbërritur në 58.3 milionë euro deri më 30 shtator 2011.

Sipas dokumentit, kjo ka ndodhur për shkak të rritjes në tregti dhe shërbime, sidomos në tremujorin e dytë 2011.

Në gjysmën e parë të vitit fiskal 2011/12, numri mesatar i të punësuarve në kompani ishte 148 persona.

Më 31 dhjetor 2012, ajo deklaronte 53,902,876 euro vlerë të aseteve.