Ramadan Muja: Supermarketi, Jezu Krishti dhe Çokollata

“…nuk je në supermarket për të zgjedhur, por në gjykatë,”. Kur gjykatësi Vladimir Mikula ia tha këtë kryetarit Ramadan Muja, tregoi për fuqinë që ka autoriteti gjyqësor.
Por që nga 23 tetori i vitit 2013 kur Muja u zmbraps nga ky “urdhër” i gjykatësit, kanë kaluar gati 23 muaj.

Zhvillimet e mëpastajme kanë zbehur fuqinë e këtij deklarimi. E kanë bërë të pavlefshëm. 
Trupi gjykues i kishte prerë dënimin Mujës. Dy vjet burgim me kusht dhe 30 muaj mosushtrim të funksionit publik.

Por Gjykata e Apelit rrëzoi këtë vendim dhe e ktheu në rigjykim rastin e politikanit që gjyqtari Mikula thoshte se po sillej si në supermarket.

Gjykatësi ishte nervozuar kur Muja kërkonte mosvazhdimin e seancës, pasi që avokati i tij nuk ishte prezent. Thoshte se ishte nisur drejt Shqipërisë.

Përveç kësaj kërkese, Muja kishte bërë edhe kërkesa tjera paradoksale. Nuk i ishin pranuar, por megjithatë Muja e kishte bërë këtë.

Derisa në vende tjera politikanë që janë pjesë e proceseve gjyqësore tërhiqen nga garat zgjedhore, Muja e kishte bërë të kundërtën.

Kërkoi që të mos shqetësohej nga gjyqi gjatë kohës së fushatës zgjedhore të vitit 2013, ku po kërkonte një mandat të tretë si kryetar.

Muja arsyetonte se po e ndiente veten të pabarabartë në garë pasi që po obligohet të paraqitet në gjyq.
Këtë ndjesi të pabarabarësisë do t’ia zhdukte përkrahja politike.
Hashim Thaçi, kryeministër më 2013 gjatë vizitës në Prizren më 24 tetor, me homologët e tij turk e shqiptar, Erdogan e Rama, e quajti Mujën “kryetar të tashëm dhe të ardhshëm të Prizrenit”.
Parashikimi i Thaçit doli të jetë i saktë.

Dënimi

Ishte marsi i vitit 2014 kur Muja bashkë me të tjerët u dënuan nga Gjykata Themelore e Prizrenit për veprat penale të “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.. Hetimet në këtë rast kishin filluar në shtator të vitit 2011, ndërsa aktakuza ishte ngritur në shkurt të vitit 2013.

Mbi ta rëndonin akuza për keqpërdorime me prona komunale dhe prona shoqërore të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Procesi gjyqësor kishte nisur një vit  më herët, më 25 mars të vitit 2013.

I njohur si refuzues i debateve televizive ku kërkohej përballja me kundërshtarë politikë të tij, Muja ishte vënë në siklet edhe nga pyetjet e prokurores kur i bëheshin pyetje lidhur me keqpërdorimin e pronave.

“Zonja prokurore e nderuar po përpiqet që të më vendosë në kryq si Jezu Krishti, mjaft jam torturuar nga prokuroria,” kishte thënë Muja.

Vetëkrahasimi me  Jezu Krishtin nuk kishte ndikuar që gjyqi të tregohej më zemërgjerë më të.
E kishte dënuar në kohën kur kishte bërë pak më shumë se 100 ditë si kryetar i Prizrenit në mandatin e tretë.

Muja, për katër pikat e aktakuzës, për keqpërdorim të detyrës zyrtare u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Dënime u shqiptuan edhe për të tjerët të përfshirë në rastin Muja.

Gjyqi konkludoi se Muja dhe të tjerët i dhanë kundërligjshëm në shfrytëzim pronën biznesit Gulistan  një shkollë private dhe biznesit Kamilja një fabrikë e çokollatave.

Kërkesa për dorëheqje

Menjëherë pas dënimit ishin bërë më të zëshme kërkesat për dorëheqje të Mujës nga opozita lokale dhe shoqëria civile.

Ai ishte përballur edhe me një protestë të të rinjve të organizuar nga “Qytetarët Aktiv Për Prizrenin”.
Muja nuk ishte lëkundur.

“…një kërkesë e tillë është shumë naive, sepse ka edhe dy shkallë tjera të gjykatave, është Gjykata e Apelit dhe Supreme atje merren vendimet, unë nuk do të rri në gjumë, do të ankohem,” pati thënë Muja.

Zvarritjet e dyshimta

Avokatët mbrojtës, të pakënaqur me vendimin e shkallës së parë, asaj të Gjykatës Themelore të Prizrenit, lëndën e kishin apeluar në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Kishin konkluduar se vendimi përbën shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, shkelje të ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.

Prokuroria në përgjigjen e dërguar në Apel kundërshtoi këtë pretendim.

“Nuk ka mospërputhje në mes të gjendjes faktike dhe përmbajtjes së arsyetimit të aktgjykimit,” thuhej në përgjigjen e prokurorisë ndaj ankesës së mbrojtjes.

Megjithatë, ankesa e bërë në muajin maj të vitit 2014, sipas avokatëve mbrojtës, ishte pranuar tek pas katër muajsh.

Zyra Ligjore e EULEX-it kishte arsyetuar zvarritjen me faktin se ishte dashur kohë për përkthimin e ankesave nga shqipja në anglisht.
Kjo ishte një vonesë e paparë në praktikë edhe pse Kodi i Procedurës Penale nuk parasheh ndonjë afat kohor për dërgimin e lëndës në shkallën e dytë, në rastet kur kemi të bëjmë me personat që nuk janë në paraburgim.

Mirëpo, duke marrë parasysh faktin se vepra penale për të cilën Muja së bashku me pesë zyrtarët komunalë ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit bën pjesë në grupin e veprave penale të korrupsionit, lëndë këto të cilat gjyqësori është zotuar që do t’ i trajtojë me prioritet, vonesa prej katër muajve ishte vonesë e tejzgjatur.

Zvarritjet në lëndën kundër Mujës dhe zyrtarëve tjerë komunalë nuk kishin të ndalur. Për t’ u shqyrtuar ky rast i korrupsionit me “prioritet” në Gjykatën e Apelit nga dita e shpalljes së aktgjykimit u deshën edhe një vit kohë.

Njëjtë sikur te dorëzimi i lëndës, edhe për fillimin e shqyrtimit gjyqësor në Apel, kodi nuk parasheh ndonjë afat kohor kur kemi të bëjmë me personat që nuk janë në paraburgim.

Gjatë kohës sa nuk caktohej gjykimi ndaj Mujës dhe të tjerëve, KALLXO.com, ishte interesuar për të marrë informata se çka po ndodhte me këtë lëndë.  Përgjigjja zyrtare ishte “arsyeja pse po shtyhet kjo lëndë në gjykatën tonë është se nuk ka gjyqtar të EULEX-it “.
Pas 15 muaj shtyrje, i erdhi radha edhe kësaj lënde.

Me 9 qershor 2015 në Gjykatën e Apelit u mbajt seanca dëgjimore në të cilën mbrojtësit dhe të akuzuarit i arsyetuan edhe një herë ankesat e tyre dhe e kundërshtuan vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit si gjykatë e shkallës së parë.

Vendimi i Gjykatës së Apelit

Apeli vendosi që lënda të kthehet në rigjykim.

Konkludoi se janë bërë shkelje esenciale të nenit 370 i cili nen flet për përmbajtjen e aktgjykimit.
Sipas apelit, hyrja e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë nuk i përmban plotësisht elementet të cilat përcaktohen me Kodin e Procedurës Penale, pasi që në të është futur në tërësi aktakuza e ngritur nga prokuroria, e që kjo sipas apelit nuk është në përputhshmëri me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Po ashtu, në aktgjykim nuk është emri dhe mbiemri i procesmbajtësit, nëse të akuzuarit kanë qenë të pranishëm në shqyrtim gjyqësor, emri dhe mbiemri i prokurorit të shtetit etj.
Gjykata e Apelit, ka konstatuar se këto shkelje më së miri mund të zgjidhen me ndryshimin e aktgjykimit të shkallës së parë.

Pos shkeljeve në hyrje të aktgjykimit, apeli ka gjetur edhe shkelje të nenit 384 paragrafi 1, pika 1.12 të cilat shkelje kanë të bëjnë me dispozitivin e aktgjykimit.
Sipas apelit, aktgjykimi është i pakuptueshëm, i paqartë dhe kundërthënës me arsyetimin dhe faktet vendimtare të paraqitura nga gjykata e shkallës së parë.

Në mënyrë specifike, është e paqartë se cilat fakte dhe veprime janë vërtetuar me cilat prova nga gjykata themelore, sepse nuk ka asnjë përshkrim faktik i cili do të mund t’i qartësonte veprimet e caktuara inkriminuese të të akuzuarit.

Sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë, nuk arrin të identifikojë palët e dëmtuara në mënyrë të qartë, e që është arsyeja pse palët e tilla të dëmtuara udhëzohen që të paraqesin kërkesë pronësore-juridike, një mjet juridik të cilin ata kanë të drejtë ta kërkojnë në procedurë civile.
Kryetari i Kolegjit Mendim Mospajtues Për Vendimin e Apelit

Risia më e madhe e këtij rasti, deri më tani asnjëherë i aplikuar në Gjykatën e Apelit nga gjyqtarët vendorë, është mendimi mospajtues i gjyqtarit të EULEX-it, Piotr Bojarzcuk, i cili mendim i është bashkangjitur aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

“Në kundërshtim me aktgjykimin, unë konsideroj se është mjaft e qartë se cilat fakte dhe veprime kanë qenë të vërtetuara nga gjykata themelore. Gjykata themelore në mënyrë të qartë i ka paraqitur arsyet për secilën pikë të aktgjykimit. Unë nuk po shoh mungesë të arsyetimit në vërtetimin e ekzistimit të veprës penale si edhe përgjegjësisë penale të të akuzuarit,” ka shkruar gjyqtari Bojarczuk në letrën mospajtuese.

Në kundërshtim me gjetjet, gjyqtari i EULEX-it thotë se është mjaft e qartë se kush ka përfituar nga veprimet dhe kush është pala e dëmtuar.

“…për pikën 1 është Minir Krasniqi, Myrvete Qollaku dhe Jetish Avdullahu të cilët kanë siguruar dobinë pasurore në vlerën prej 30.050 euro, për pikën 2 është QE ‘Gulistan’, e cila ka përfituar 20.120 euro për shkak të lirimit nga qiraja dhe për pikën 3, gjykata e shkallës së parë ka pohuar se fabrika ‘Kamila’ ka pasur dobi pasurore në vlerën prej 4.500 eurove në formë të shfrytëzimit pa pagesë të pronës së komunës,” thotë gjyqtari Bojarzcuk.

Ai, në fund shpreh fuqimisht mospajtimin me vendimin e Gjykatës së Apelit, pjesë e së cilës ishte edhe vetë.

“Për mendimin tim, Gjykata e Apelit nuk ka të drejtë që ta anulojë aktgjykimin vetëm për shkak se do të preferonte shqiptimin e një dënimi më të butë, apo më të ashpër. Gjykata e Apelit duhet ta pranojë dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë kur llogaritja e dënimit bëhet brenda intervalit të përcaktuar me ligj. Për këtë arsye nuk ka hapësirë për ta anuluar aktgjykimin në fjalë,” përfundoi gjyqtari i EULEX-it.

Vetë reagimi mospajtues dhe e i paprecedent më parë i gjyqtarit të EULEX-it, i cili ishte edhe kryetar i Kolegjit të Apelit, lë të kuptohet se në rastin Muja brenda trupit gjykues ka pasur vlerësime te ndryshme lidhur me rastin.

Pjesë e panelit të Apelit në rastin Muja kanë qenë Driton Muharremi dhe Abdullah Ahmeti.
Driton Muharremi është djali i Halit Muharremit, ish-kryetarit të Këshillit Gjyqësor. Driton Muharremi kishte pasur problem me mos dekretim nga Jakup Krasniqi në kohën kur ishte ushtrues detyre i Presidentit.

Ndërsa Abdullah Ahmeti më herët ka qenë i përfshirë në një shkelje procedurale.

Ndërkohë 76 vjeçari Muja, i cili e fitoi “fronin” e të parit të qytetit të Prizrenit në vitin 2007, vazhdon të jetë kryetar i Prizrenit edhe për një mandat katërvjeçar të cilin e fitoi në nëntor të vitit 2013.

Rasti Muja, tani zyrtarisht i kthyer në rigjykim pritet që të vazhdojë në muajin tetor të këtij viti.

Ndërkohë Prokuroria e pakënaqur me vendimin e Apelit dorëzoi ankesë në Gjykatën Supreme.
Nga ana tjetër ende pa vendosur Gjykata Supreme për ankesën e prokurorit se a duhet që lënda të rigjykohet apo t’ i kthehet edhe njëherë Apelit për rivendosje, gjykatësi i EULEX-it, Vladimir Mikula, i cili e gjykoi këtë lëndë në shkallë të parë, duket se është i interesuar që çështjen në rigjykim ta fillojë dhe ta përfundojë brenda muajit të ardhshëm.