Dy Gjeodetë Dëshmojnë në Gjykimin e Ramadan Mujës

Edhe në seancën e së martës, njësoj si në atë të 11 tetorit, në gjykatë u diskutua kryesisht rreth konkluzionit të Mujës që ua ndalonte punonjësve të kadastrës komunale, kryerjen e ekspertizave profesionale të kërkuara nga gjyqësia.

Në aktakuzë thuhet se Muja, i akuzuar për keqpërdorim të disa pronave të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe pasurive të patundshme komunale, për krijimin e dobive pasurore të të tjerëve, në periudhën 2008-2012, duke nxjerrë konkluzionin që ekspertët komunalë të kadastrit të mos u përgjigjen ftesave të gjykatave për ekspertizë, ka penguar hetimin e shkeljeve të tij me pronat.

Për të folur për shkeljet e mundshme ligjore të Mujës, si dëshmitar ishte ftuar Ismet Kryeziu, drejtor i Zyrës Juridike në Agjencionin Kadastral në Prishtinë.

Dëshmitari: gjeodetët komunalë nuk duhet kryer ekspertizat e gjykatës

Ai dëshiroi të dëshmojë në cilësinë e ekspertit, por gjykata ia sqaroi se është ftuar për ta thënë fjalën e tij si dëshmitar, prandaj duhet ta thotë betimin e dëshmitarit.

Dëshmitari tha se me ligjet në fuqi, gjeodetët e komunës nuk janë të obliguar që të marrin pjesë në gjykatë, për kryerjen e ekspertizave.

Prokurorja Vikari, e pyeti më pas Kryeziun se cila dispozitë ligjore ua ndalon gjeodetëve kryerjen e ekspertizave për gjykatat.

Kryeziu u përgjigj se dispozitat ligjore nuk ndalojnë as lejojnë ekspertizat e punonjësve të kadastrit për gjykatat, por përmendi praktikat perëndimore, sipas të cilave tha se për gjykatat në këto shtete të zhvilluara ekspertizat e tilla i kryejnë gjeodetët privatë.

Prokurorja katër herë gjatë seancës i kërkoi dëshmitarit ta sqarojë njërën nga këto praktika perëndimore, por dëshmitari nuk pati përgjigje.

Të martën dëshmuan edhe dy gjeodetë privatë, të licencuar për këtë veprimtari në vitin 2008. Njëri nga ta, Kadri Gashi kishte punuar më herët edhe në komunë.

Të dy e pranuan se kanë marrë vesh për konkluzionin e Mujës, nga gjykatat, kur u është kërkuar nga to që të kryejnë ekspertizat kadastrale, për shkak të ndalesës që me ekspertizat të merren gjeodetët  punësuar në komunë.

Gjeodeti privat Bajram Selmani tregoi se komuna e Prizrenit ka pesë gjeodetë privatë dhe dy zyra të licencuara për këtë punë, ndërsa nuk pati përgjigje për gjykatën, nëse ky numër i ekspertëve të tillë është i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e gjykatave komunale për ekspertiza.

Ai tregoi se shpesh thirret nga gjykata për ekspertiza në çështjet kontestuese pronësore, por nganjëherë i refuzon këto thirrje, ngase ka më shumë leverdi ekonomike të punojë privatisht.

Gjeodeti privat: ekspertizat për gjykatën marrin kohë

Gjeodeti Kadri Gashi që gjithashtu ushtron privatisht veprimtarinë e tij, shpjegoi pjesëmarrjen në një ekspertizë të kërkuar nga gjykata.

“Në një kontest pronësor, me ka thirrur gjykatësi i çështjes për të kryer ekspertizën. Në fillim nuk kam pranuar, pasi eksperti paraprak ka qenë nga komuna dhe kam propozuar që të ftohet i njëjti, por gjykatësi me njoftoi se komuna ka nxjerrë një konkluzion, me çka i ndalon ekspertët të marrin pjesë në gjykatë”, tha Gashi.

Gashi tregoi se për gjeodetët privatë është më vështirë të kryejnë ekspertiza për gjykatën.

“Duhet me bë kërkesë në drejtorinë e gjeodezisë për qasje në dokumente kadastrale dhe së bashku me një punëtor kadastral duhet me shiku dokumentacionin, pra duhet me ia përshtat kohën punëtorëve kadastralë, për përgatitjen e një ekspertize, ndërsa mundi është më i madh në këtë rast”, shpjegoi Gashi.

Me Mujën po akuzohen edhe Kadri Ukimeri, drejtor i Gjeodezisë dhe dy drejtorë të mëhershëm të këtij sektori Abdulah Tejeci e Avni Ademaj. Gjithashtu, të akuzuar janë edhe Minir Krasniqi, drejtor i Administratës dhe Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor.

Përveç juristit të Agjencionit Kadastral të Kosovës dhe dy gjeodetëve, të hënën dëshmoi Sefer rexhaj, asamblist dhe kryetar i fshatit Korishë, deri në vitin 2006.

Në fshatin Korishë ndodhet fabrika e çokollatave, e ndërtuar në pronën e quajtur “Boka-boka”, për keqpërdorimin e së cilës ngarkohen Muja dhe të tjerët.

Rexhaj tha se në këtë vend ishin grumbulluar mbeturina të ngurta, ndërsa ndërtuesi i fabrikës së çokollatave, sipas tij i ka hequr ato.

Rexhaj, gjatë dëshmisë e quajti të qëlluar këtë investim në Korishë. Po ashtu të martën u lexua edhe deklarata e dëshmitarit Hazër Duja, i cili për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të jetë prezent në seancë.

Seanca e ardhshme zhvillohet të mërkurën.