UP-ja Regjistron Qindra Studentë Jashtë Kritereve

Universiteti i Prishtinës ka pranuar edhe sivjet qindra studentë të rinj, duke u thirrur në një memorandumi që nuk ka mbështetje në ligjet e arsimit dhe në vet Statutin e këtij institucioni publik të arsimit të lartë. 

Ishin përfshirë në konkurrencë, por kishin treguar rezultate të pamjaftueshme në dy provime pranuese që sivjet ka organizuar Universiteti.

Këtë veprim për pranimin e studentëve që nuk arrijnë të tregojnë rezultate të mira në teste, universiteti më i madh publik në Kosovë e ka bërë që nga pas lufta duke u thirrur në një memorandum që është ripërtërirë përvitshëm e që është arritur me organizatat e dala nga lufta.

Rektoratit të UP-së për vitin akademik 2013/2014 iu dorëzua një listë me 649 emra nga shoqatat e dala nga lufta, numër ky i cili është derguar vetëm në afatin e dytë. 

UP ka publikuar në faqën zyrtare të saj listat me emrat e personave që duhet të regjistrohen në universitet bazuar në memorandumin e lidhur mes palëve. 

Bazuar në praktikën e zbatimit të memorandumit aplikantët hyjnë në teste pranuese. Përkundër që nuk tregojnë rezultate të mira emrat e tyre dërgohen në rektorat për regjistrim në fakultetet ku i janë nënshtruar testeve. 

Zbatimi i një memorandumi të tillë ishte ndërprerë vetëm gjatë periudhës 2007-2009. Por, praktika është vënë sërish në jetë, me t’u bërë rektor Mujë Rugova në korrik të 2009-ës. 

Ai kishte firmosur më 2009 memorandumin e  bashkëpunimit me tri organizatat e dala nga lufta: Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UCK-së, Organizatën e Veteranëve të Luftës dhe Shoqatën e Familjarëve të Dëshmorëve të UCK-së. Memorandumi nuk ishte kufizuar vetëm në qëllimin për krijimin e lehtësive për studime për familjarët e këtyre kategorive.

 

“Kur e kemi lidhur memorandumin jemi mbështetur në listat e organizatave të dala nga lufta. Arsim Bajrami

 

Përveç lehtësimeve financiare, UP-ja ua ka mundësuar atyre të pranohen si studentë të rregullt apo me korrespodencë edhe nëse këta të fundit nuk i përmbushin kriteret në Statutin e Universitetit. 

“Universiteti i Prishtinës merr për obligim për të ndihmuar kategoritë e lartcekura në çështjet me sa vijon: në regjistrimin si student të rregullt dhe me korrespodencë, në lirimin nga pagesa e semestrave, mbështetjen me bursa, sigurimin e literaturës falas dhe ndihma të tjera sipas nevojës”, thuhet në memorandumin e UP-së me tri organizatat e dala nga lufta.

Kjo praktikë është aplikuar që nga paslufta, ndërsa ajo ishte stopuar në kohën kur Enver Hasani ishte rektor i UP-së. Hasani, që tash është kryetar i Gjykatës Kushtetuese, atëkohë e kishte konsideruar të jashtëligjshëm dokumentin dhe njëkohësisht diskriminues.

Kishte deklaruar se nuk duhet bërë kompromis me dijen, e në anën tjetër kishte shprehur gatishmëri për të krijuar të gjitha lehtësirat e mundshme për studentët e kategorive sociale të dala nga lufta, me kushtin që paraprakisht ata vet të fitonin statusin e studentit, mbështetur në kriteret e parapara me konkurs.

“Kërkesa për të regjistruar në atë mënyrë studentët është kundër çdo ligji dhe kundër çdo etike. Vetëm ne nuk kemi pasur luftë: kanë pasur edhe kroatët, edhe boshnjakët, edhe britanikët, edhe Vietnami, dhe në asnjë rast dhe në asnjë ligj, as këtu e as atje, nuk lejohet regjistrimi i 500 njerëzve me listë, pa respektuar procedurat ligjore”, kishte deklaruar Hasani për Kohën Ditore më 10 korrik të vitit 2007.

Por, Arsim Bajrami, rektori që ka iniciuar këtë memorandum menjëherë pas luftës ende e mbron atë. 

E konsideron të drejtë dhe obligim institucional për t’i  ndihmuar kategorive të dala nga lufta. 

“Kur e kemi lidhur memorandumin jemi mbështetur në listat e organizatave të dala nga lufta. E kemi pasur obligim shtetëror që ta përkrahim këtë kategori”, deklaroi Bajrami për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Ai pranon se nuk kishte bazë ligjore që mundësojnë pranimin e studentëve pa e kaluar provimin pranues. 

“Atëkohë në Kosovë nuk ka pasur ligje pasi ka qenë periudha e pas luftës”, deklaroi Bajrami. 

Studentët pranohen pa e kaluar provimin

Mbështetur në memorandumin që në emër të UP-së e ka firmosur ish-rektori Mujë Rugova,  Rektorati nuk bën verifikimin nëse vërtet studentët u përkasin familjeve të kategorive që përfaqësojnë tri shoqatat e luftës. I vetmi verifikimin që u bëhet këtyre listave nga ana e rektoratit është dëshmia nëse këtë emra kanë kanë konkurruar në konkursin e rregullt për provimin pranues.

Mjafton lista që organizatat e dala nga lufta ia dërgojnë rektoratit të UP-së, dhe këta të fundit t’i regjistrojnë si studentë të rregullt përkundër që të gjithë ata emra nuk e kanë kaluar provimin pranues.

Për këtë vit akademik, nga lista e organizatave kanë shkuar në Rektorat mbi 800 emra, prej të cilëve 649 emra janë dërguar në afatin e dytë në shtator dhe rreth 200 të tjerë në afatin e parë në korrik të këtij viti.

Fakulteti i Edukimit është fakulteti të cili i janë shtuar më së shumti studentë nga kjo kategori. Gjithsej 191 studentë. Pas tij është fakulteti Ekonomik me 112 studentë, i pasuar nga ai i Mjekësisë me 97, të cilët i takojnë vetëm listave të afatit të dytë, pa u përfshirë edhe afati i parë.

Rektorati i Universitetit të Prishtinës nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës Jeta në Kosovë se cila është baza ligjore e këtij memorandum.

 

“Ne e kemi bërë çdo gjë transparente moti. Në web faqen tonë e keni listën që e kanë dërguar shoqatat dhe ne e kemi publiku. Rektorati

 

“S’ka memorandum që pranon studentë jashtë konkursit. Ka memorandum që i referohet familjeve të kategorive që sjellën nga shoqatat e luftës, por të cilat duhet paraprakisht të konkurrojnë në konkurs. Ky memorandum është nënshkruar nga menaxhmenti i kaluar (jo nga ne), kurse aktualisht bordi i UP-së është duke e rishqyrtuar këtë memorandum”, thuhet në përgjigjen e zyrës së informimit në rektoratin e UP-së.

Ndryshe nga kjo, konkursi i shpallur nga UP-ja për regjistrimin e studentëve në vitin akademik 2013-2014, saktësonte se “të drejtë radhitjeje përkatësisht pranimi kanë vetëm kandidatët që arrijnë 30 për qind nga numri i pikëve të parapara për provim pranues”.

Përkundër që këta studentë janë pranuar pa përmbushur këtë kusht, apo pa marrë pikë të mjaftueshme për të hyrë brenda kuotës së paraparë për fakultetin ku kanë konkurruar, në rektorat kanë thënë që ata nuk janë pranuar jashtë konkursit. 

“Ne e kemi bërë çdo gjë transparente moti. Në web faqen tonë e keni listën që e kanë dërguar shoqatat dhe ne e kemi publiku. Ne vetëm i kemi verifiku ata emra se a kanë konkuru në konkurs të rregullt”, kanë thënë nga rektorati.

Edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, në hapje të vitit të ri akademik, kur është pyetur se a ka pasur regjistrime të jashtëligjshme këtë vit, është deklaruar që nuk ka ndodhur kjo por ka përmendur pranimin e një numri të studentëve në kuadër të një memorandumi me shoqatat e dala nga lufta që nuk ka shkuar sipas procedurave.

“…Hiç respektimin e një memorandumi me shoqatat e dala nga lufta që ne kemi qenë të shtrënguar ta zbatojmë”, kishte thënë Gashi, kur kishte folur për rregullësitë në regjistrime.

Kërkesat e shoqatave nuk refuzohen nga UP-ja

Shoqatat e dala nga lufta, kanë deklaruar se janë pranuar të gjithë studentët nga listat me emra që ata kanë dërguar në Rektorat.

“Asnjë problem deri më tash nuk e kemi pasur. Të gjithë emrat që ja kemi dërguar pa problem janë regjistruar në UP, dhe asnjë ankesë nuk e kemi pas nga rektorati”, ka thënë Muharrem Xhemajli nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Sipas tij mjafton që aplikantët të futën në provime pranuese në fakultetete përkatëse dhe organizatat e dala nga lufta e dërgojnë në rektorat listën e personave që duhet të regjitrohen.

Prej të gjitha kategorive në afatin e dytë u pranuan 649 veta. Xhemajli deklaroi se prej tri kategorive në afatin e parë u pranuan rreth 200 veta. 

Edhe Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Deshmorëve të UÇK-së, ka mohuar të ketë pasur probleme me emrat e nxënësve që kjo shoqatë i ka derguan në rektorat. 

“Universiteti i Prishtinës nuk na ka refuzuar për pranim asnjërin nga emrat që ua kemi dërguar me lista, pasi ne nuk kemi lejuar asnjë emrë të jetë në listë e që nuk i përket familjarëve të dëshmorëve të UÇK-së”, ka thënë Jashari.

Shoqata e Familjarëve të Dëshmorëve dërgoi në afatin e dytë listë të përbashkët me Shoqatën e Invalidëve të UÇK-së. Lista e përbashkët përbehet prej 207 vetash. 

Jashari deklaroi se në afatin e parë vetëm nga Shoqata e Familjarëve të Dëshmorëve u pranuan një numër prej 47 vetash. 

Ndërkohë Fadil Shurdhaj, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së ende nuk ka dhënë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë lidhur me këtë çështje. 

 

“Asnjë problem deri më tash nuk e kemi pasur. Të gjithë emrat që ja kemi dërguar pa problem janë regjistruar në UP. Muharrem Xhemajli

 

Por, megjithatë ka anëtarë të familjeve që janë pjesë e shoqatave të dala nga lufta, e që nuk  e shfrytëzojnë memorandumin për tu regjistruar në UP.

Kosovare Thaçi nga Drenasi, është njëra prej studentëve që nuk e ka shfrytëzuar këtë mundësi, ani pse ajo është vajza e një invalidi të luftës.

Studentja e cila aktualisht është në vitin e tretë në Fakultetin Juridik, ka treguar suksese të larta në studime ndërsa shprehet  kundër regjistrimeve pa merita.

“Nuk bëhen diskriminime në dije, sepse të gjithë duhet regjistruar me merita. Unë jam për tu ndihmuar familjarët e deshmorëve, veteranëve, apo invalidëve të luftës në aspekte të tjera, sidomos për tu pajisur me literaturë falas apo pagesa të semestrit sepse kemi nevojë, por jo edhe me regjistrime në këtë formë”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë një studente tjetër Adelina Kurrumeli është prej atyre që u regjistrua në Fakultetin Ekonomik, falë mundësisë që ja ka dhënë memorandumi i lidhur mes organizatave të dala nga lufta dhe Universitit të Prishtinës. 

Kurrumeli pasi kishte rënë nga provimi pranues, kishte zgjedhur mënyrën tjetër për tu bërë studentë e marketingut, rrugë kjo e cila doli me e lehtë për të sesa provimi pranues. Ajo ka treguar për Gazetën Jeta në Kosovë se si për fare pak pikë kishte rënë nga provimi, dhe pastaj e kishte dreguar emrin e saj në Organizatëne e Veteranëve të Luftës së UÇK, që më pas ky emrë të dergohej në rektorat për tu pranuar. 

“Për pakë pikë kam rënë nga provimi, pastaj vendosa të regjistrohem nëpërmjet shoqatës se veteranëve, pasi e kamë këtë të drejtë”, ka thënë Kurrumeli. 

Regjistrime në UP pa bazë ligjore

Dukagjin Popovci, njohës i çështjeve të arsimit, e vlerëson si diskriminues Memorandumin në mes të Universitetit të Prishtinës dhe organizatave të dala nga lufta, nëpërmjet të cilit, përveç tjerash, lejohet edhe pranimi i studentëve pa e dhënë provimin pranues, ndonëse kjo nuk parashihet me Statut të UP-së e as me Ligjin për arsimin e lartë në Kosovë.

Popovci, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se është e papranueshme që një mekanizëm i tillë të kalojë nëpërmjet UP-së dhe organizatave të dala nga lufta. Sipas tij familjarët e dëshmorëve apo invalidëve mund të ndihmohen nëpërmjet formave të tjera si me financa apo diçka tjetër, por kjo nuk duhet lejuar edhe në regjistrim.

“Janë 14 vjet që nga përfundimi i luftës dhe se kjo dukuri për këtë kohë është tërësisht e papranueshme”, ka thënë Popovci i cili ka shtuar më tej që ky memorandum duhet shfuqizohet.

“Sinqerisht Universiteti i Prishtinës nuk ka të drejtë të bëjë memorandum për pranimin e studentëve të cilët nuk i plotësojnë kërkesat pa marrë parasysh cfarë kategorie i përkasin, dhe se kjo duhet të shkojë vetëm nëpërmjet vendimeve qeveritare”, ka shtuar ai.

E më të ashpër në deklaratat e tyre sa i përket këti memorandumi dhe mënyrës së regjistrimit të studentëve të kësaj kategoria kanë dalur përfaqësuesit  e Parlamentit Stuentor të Universitetit të Prishtinës. 

Rilind Berisha, nënkryetar i këtij parlamenti thotë se ky memorandum po ua humb perspektiven e më të mirëve.

 

“Janë 14 vjet që nga përfundimi i luftës dhe se kjo dukuri për këtë kohë është tërësisht e papranueshme. Dekagjin Popovci

 

 “E di që në mesin e këtyre studentëve që janë pjesë e kategorisë së memorandumit në mes të UP-së dhe organizatave të dala nga lufta ka edhe talente në profile të caktuara, të cilëve do të duhej t’u jepej ndihma, por jo duke i favorizuar jashtë çdo kriteri të vlefshëm në drejtime ku ata s’kanë asnjë aftësi, se kështu UP-ja nuk po i ndihmon aspak ata, aq më keq po i dëmton ata”, ka thënë Berisha.

Sipas tij mënyra e regjistrimit të këtyre studentëve nuk përfill asnjë kriter të paraparë me statut të universitetit e as me ligjin për arsimin e lartë.

Statuti i universitetit publik specifikon mënyrën e regjistrimit të studentëve, pa bërë përjashtime. 

Ai i jep të drejtë konkurrimi secili kandidat që e kalon testin e maturës. 

Në nenin 103 të statutit përshkruhen kriteret për pranimin e studentëve të rinj në UP, por ato kritere ndërlidhen vetëm me kushtin për kryerjen e shkollimit paraprak fillor e të mesëm. Në të precizohet se Senati nxjerr rregullore, të cilat përcaktojnë në hollësi kushtet dhe kriteret për regjistrim në studimet themelore – bachelor.

Nuk është vetëm statuti i universitetit publik ai cilin nuk bënë përjashtime për studentët që regjistrohen në UP. Pothuajse kritere të njëjta për pranimin e studentëve të rinj në UP, parashihen edhe në Ligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë. Ligji kërkon që Universiteti të bëjë regjistrimet “në bazë të meritave”.