Stafi Politik i UP-së Mund të Ngrijë Postet për Tri Mandate

Rektori i Universitetit të Prishtinës Ibrahim Gashi, tha se tashmë është finalizuar lista e atyre që kanë hequr dorë nga marrëdhënia e dytë e punës, për të qenë vetëm staf akademik në universitet.

 Ndërkaq stafi politik në Universitetin e Prishtinës, mund ta ketë privilegjin e ngrirjes së posteve në UP deri në tri mandate pasi që ligji u lejon një gjë të tillë, sipas rektorit Gashi.

“Ne nuk mund t’i shkëputim marrëdhëniet, se ligji i ruan këto marrëdhënie, nëse ligji ndërrohet ne respektojmë ligjin”, tha Gashi.

Ai po ashtu tha se universiteti nuk e ka luksin që të largojë profesorët e angazhuar në politikë.

 “Është nder përkundrazi për një universitet nëse një ministër i financave mban qoftë edhe një orë në muaj me studentët e drejtimit të financave, ose një ministër i jashtëm qoftë edhe një orë në vit me studentët e departamentit të marrëdhënieve ndërkombëtare”, tha ai.

Rektori Gashi tha se për këtë vit akademik asnjë student nuk është pranuar jashtëligjshëm, kur është pyetur nga gazetarët.

“Garantojmë që askush prej tyre s’është pranuar në forma çfarë po thoni ju, ose le të supozojmë që ka pas regjistrime të tilla në të kaluarën, ato praktika i takojnë të kaluarës në Universitetin e Prishtinës”, tha ai.

Gashi ka përmendur pranimin e një numri të studentëve në kuadër të një memorandumi me shoqatat e dala nga lufta që nuk ka shkuar sipas procedurave.

“…Hiç respektimin e një memorandumi me shoqatat e dala nga lufta që ne kemi qenë të shtrënguar ta zbatojmë”, shtoi Gashi.

Ndonëse tha se nuk dëshiron t’i komentojë kontestimet e punimeve akademike të tij që janë bërë nga një profesor universitar në media, ai mohoi se janë të vërteta.
.
“Ne jemi një vend demokratik ku e drejta e shprehjes së mendimit është e lirë. Unë jam rektor i universitetit dhe natyrisht është një pozicion i lartë që është nganjëherë atraktiv me sulmu pavarësisht motivet […] Nuk dua të komentoj më shumë, nuk ka asgjë nga ajo që thuhet të vërtetë”, tha ai.

 Ndër të arriturat e prezantuara nga rektori Gashi ishin rekrutimi i stafit akademik i 180 mësimdhënësve dhe asistentëve të rinj, rishikimi i kontratave të dyfishta, përmirësimi i ambientit fizik dhe miratimi i strategjisë për veprimtari shkencore dhe artistike të kërkimit dhe zhvillimit.