Firma “Albright...” Konfirmon Tërheqjen

Firma “Albright Capital Menagment” e kryesuar nga sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright konfirmoi të enjten se është tërhequr nga gara për blerjen e aksioneve të ndërmarrjes më të madhe publike në Kosovë.

ACM, ku ka aksione “Albright Stone Bridge Group” një kompani tjetër e themeluar nga ish-sekretarja amerikane e shtetit në gusht të këtij viti, ishte parakualifikuar nga Qeveria e Kosovës për të marrë pjesë në tenderin për privatizimin e PTK-së.

ACM u parakualifikua bashkë me katër konzorciume tjera.

Nelson Oliveira, drejtor dhe këshilltar i Përgjithshëm i “Albright Capital Management”, konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se tërheqja nga tenderi në Kosovë është bërë në tetor të këtij viti.

“Ne rregullisht bëjmë vlerësimin e transaksioneve në tërë botën dhe duhet të vendosim në mes të shumë mundësive interesante, bazuar në burimet dhe kapitalin tonë, të cilat nuk janë të pakufizuara”, tha ai.

“Në tetor, ne vendosëm të ndjekim disa mundësi të tjera të cilat ne besojmë se ofrojnë më shumë mundësi suksesi për investitorët tonë”, shtoi Oliveira.

Sipas tij, ACM që nga viti 2007 kur ka nisur të punojë, nga 100 mundësi transaksionesh ka investuar në vetëm 13 prej tyre.

Zyrtari i kësaj kompanie deklaroi se tërheqja nuk është bërë për shkak të ndonjë parregullsie në tenderin e udhëhequr nga Qeveria e Kosovës.

Por, blerja e aksioneve të PTK-së nga Albright Capital Menagment do të ishte rast shqyrtimi për Komisioni Kosovar i Konkurrencës pasi që kishte rrezik potencial për krijim monopoli.

Madeleine Albright kishte aksione në operatorin privat të telefonisë mobile në Kosovë “IPKO Telecomunications”, një konkurrent i PTK-së, raportoi Gazeta Jeta në Kosovë në gusht të këtij viti.