Nisja e Qetë e Votimeve në Mitrovicën e Veriut

Te gjitha vendvotimet në pjesën veriore u hapën saktësisht në orën 7:00 të mëngjesit.
 
Në Mitrovicën Veriore gara po zhvillohet në mes te kandidatit të Listës “Srpska”, Krstimir Pantiq, dhe atij të Iniciativës Qytetare “SDP” Oliver Ivanoviq.
 
Pas votimit në shkollën e mjekësisë, Pantiq tha para gazetarëve se pret nga qytetarët të tregojnë mbështetje për politikën e Qeverisë së Serbisë.
 
“Pres që qytetarët edhe sot të tregojnë mbështetje për politikën e Qeverisë së Serbisë, ndërsa ata që janë përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit, pres që të tregojnë seriozitet dhe përgjegjësi maksimale që procesin zgjedhor në asnjë moment të mos e sjellin në dyshim”, theksoi kandidati, subjekti politik i të cilit gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtur më 3 nëntor dhe pas përsëritjes së votimeve në tri qendra votimi në veri të Mitrovicës më 17 nëntor, Pantiq u votua nga 37.26 për qind e qytetarëve, ndërsa Ivanoviq mori mbështetjen e 28.45 përqindëshit.

Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, numërimi i votave për zgjedhjet në Mitrovicën Veriore nuk u pat bërë nëpër vendvotime, por ishte kryer në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Fushë Kosovë.
 
Kandidati për kryetar të komunës së Mitrovicës Veriore nga radhët e Iniciativës Qytetare “SDP”, Oliver Ivanoviq, tha se nuk është aspak e rëndësishme se ku do të ndodhë numërimi i votave.
 
“Nuk është me rëndësi se ku do të numërohen votat, sinqerisht dua që të parandaloj farëdo spekulimi dhe kjo është edhe arsyeja përse kemi rënë dakord që votat të numërohen këtu dhe në këtë mënyrë te zvogëlojmë mundësinë që të spekulohet në këtë temë”, tha Ivanoviq para gazetarëve.
 
Paqartësitë për lokacionin  se ku do të bëhet numërimi i votave i hoqi shefi i misionit te OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger.
 
“Edhe pse ekzistojnë debate te ndryshme, OSBE-ja është e qartë, votat do te numërohen në vendvotime, në  përputhje me vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor”, tha Schlumberger, pas vizitës së tij në vendvotimin në shkollën e mjekësisë.
 
Për të pamundësuar përsëritjen e incidenteve që penguan zgjedhjet në raundin e parë, veriu është vërshuar nga pjesëtarë të mekanizmave të sigurisë që veprojnë në vend.

Në një deklarim për agjencinë e lajmeve Tanjug shefi regjional i operativës se Policisë së Kosovës, Zeljko Bojiq tha se votimin e sotëm po e sigurojnë më shumë se 300 policë të Kosovës, dhe se ata sipas nevojës do të jenë të gatshëm që të reagojnë menjëherë.

Po ashtu edhe Nikola Gaon, zëdhënës i OSBE-së tha për Gazetën Jeta në Kosovë se “gjithçka ka shkuar në rregull që kur janë hapur qendrat e votimit në orën 7”.

“Janë 33 qendra votimi në Mitrovicën e Veriut dhe tri në Zveçan”, shtoi ai.

Por, Gaon tha se nuk ka vërejtur “ndonjë tubim jashtë qendrave të votimit”, duke iu referuar grupit të personave që më 3 nëntor kishin kërcënuar qytetarët serbë, kur ata po dilnin për të hedhur votën e tyre.