Vonohen Rezultatet e Zgjedhjeve Në Veri, Pavarësisht Premtimit të Dakës (TV)

Gjatë ditës së sotme, do t’i kemi rezultatet për katër komunat veriore”, tha Daka të enjten në emisionin Jeta në Kosovë, ku u diskutua për zgjedhjet.

 Ajo tha” se fletëvotimet nga komunat veriore janë në proces të numërimit, sepse ato nuk janë numëruar në vendvotime, për shkak të nivelit të sigurisë”.

“Numërimi është bërë në prezencë të komisionerëve dhe të vëzhguesve të subjekteve politike dhe sonte deri në orët e vona do të kemi një rezultat”, tha Daka.

Por rezultati preliminar i zgjedhjeve për katër komunat e veriut, nuk u publikua deri të premten pasdite.

“Mbrëmë ka përfunduar numërimi i të gjitha fletëvotimeve të 4 komunave Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut. Pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve do t’i bëjmë publike rezultatet”, tha zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Daka po ashtu përmendi incidentet  dhe nivelin e sigurisë në veri të Kosovës.

“Duke pasur parasysh të gjithë situatën, niveli i sigurisë në veri është dashtë me qenë më shumë i organizuar,  duke marrë parasysh faktin se në vazhdimësi ka pas kërcënime të qytetarëve”, tha ajo.

Daka procesin në veri dhe në pjesët tjera të vendit e vlerësoi të suksesshëm, pavarësisht incidenteve. Gjatë ditës së zgjedhjeve, një grup i njerëzve të maskuar hyri në tri qendra votimi në Shkollën Sveti Sava, atë të mesme teknike dhe të mesmen mjekësore.

Si pasojë e kësaj në këto tri qendra votimet janë shpallur të pavlefshme, ndërsa parashikohet rivotimi më 17 nëntor.

“Ky sulm nuk e ka dëmtuar tërë procesin zgjedhor në komunat veriore, por vetëm në këto tri qendra të votimeve”, tha Daka, gjatë emisionit për zgjedhjet lokale 2013.

Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani i cili ishte i pranishëm në emision, foli për planin e sigurisë në komunat veriore.

Ai tha se urdhri operativ i Policisë së Kosovës është hartuar në nivel qendror dhe u është dërguar të gjitha drejtorive rajonale, duke përfshirë edhe Drejtorinë Rajonal në Mitrovicën e Veriut”.

Kelani deklaroi se për sigurinë në veriun e Kosovës kanë qenë përgjegjëse edhe institucionet ndërkombëtare, si EULEX dhe KFOR-i.

Por këto institucione ndërkombëtare sigurie, të pranishme në Kosovë, në një komunikatë të përbashkët, të lëshuar katër ditë pas zgjedhjeve, thanë se më 3 nëntor në veri Policia e Kosovës e ka pasur rolin kryesor, duke u përcaktuar si forca e parë intervenuese.

Kelani foli edhe për sulmin në shkollën Sveti Sava.

“Në qendrën Sveti Sava, një grup prej 30 personave të maskuar, kanë ndërhyrë në këtë qendër dhe kanë sulmuar dhe dëmtuar materialin zgjedhor”, saktësoi ai..

“Reagimi i zyrtarëve policorë ka qenë konkret në momentin që është përkeqësuar gjendja në Sveti Sava , është arritë të shpëtohet jeta e njerëzve të cilët kanë qenë prezentë aty, duke filluar prej qytetarëve, vëzhguesve të OSBE-së etj”, shtoi Kelani.

 Sipas Kelanit, Policia e Kosovës në pjesën e veriore ka hapur 8 raste dhe ka arrestuar 3 persona, dy me tre nëntor dhe një person në ditën e nesërme.