KFOR-i dhe EULEX-i: Policia e Kosovës Kishte Rolin Kryesor në Veri

“Atë ditë Policia e Kosovës e kishte rolin kryesor, si intervenuese e parë. EULEX-i ishte intervenuesi i dytë dhe KFOR-i ishte intervenuesi i tretë”, shkruajnë në një njoftim të përbashkët KFOR-i dhe EULEX-i.

Në komunikatën e titulluar “Fakte lidhur me sigurinë gjatë zgjedhjeve” këta dy organizma më përgjegjësi sigurie në Kosovë, shkruajnë se janë në dijeni që shumë komentues kanë ofruar mendime përkitazi me sigurinë në pjesën veriore të Kosovës në lidhje me zgjedhjet komunale të atjeshme, të dielën e kaluar. 
 
“Në pajtim me përgjegjësitë e tij, EULEX-i menjëherë i ka ofruar PK-së ndihmë shtesë, pas një sulmi të kryer në vendvotimin në veri të Mitrovicës, për t’i ofruar siguri personelit të OSBE-së dhe të Misionit Mbikëqyrës të BE-së që ishin dërguar atje”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, personeli i KFOR-it i dislokuar në veri intervenoi gjithashtu, duke dërguar personel shtesë, përfshirë Forcën për Reagim të Shpejtë, për t’i siguruar urat në lumin Ibër dhe për ta parandaluar kështu përkeqësimin e situatës.

Në të njëjtën kohë, mbi atë zonë u dërgua një kompani tjetër e KFOR-it me helikopterë, duke i dërguar dy togje në Zveçan dhe dy togje tjera në Zubin Potok. Po ashtu u angazhua edhe helikopteri i EULEX-it, i cili e vërejti grupin e kryerësve të sulmit dhe i shpërndau ata.
 
“Qëllimi ynë strategjik ishte që t’i ndalim keqbërësit nga sulmimi i vendvotimeve të tjera në komunën veriore të Mitrovicës dhe në vendet tjera në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it dhe EULEX-it. 

Sipas këtij njoftimi, kjo strategji pati sukses në veçanti në Zveçan ku personeli i KFOR-it dhe i EULEX-it reaguan ndaj një trazire dhe shumë shpejt e siguruan rendin dhe qetësinë.
 
Duke arsyetuar më tutje rolin e vet në ditën e zgjedhjeve, në njoftim thuhet se, personelin e OSBE-së bashkë me kutitë e votimit nga qendrat e votimit në komunën e Zveçanit, të Leposaviqit dhe të Zubin Potokut, EULEX-i i përcolli në mënyrë të sigurt deri në qendrën e numërimit në jug, ndërsa KFOR-i e mbështeti EULEX-in duke e siguruar lirinë e lëvizjes përgjatë rrugëve nëpër të cilat u bart materiali i votimit deri në qendrën e numërimit.
 
Sipas këtij njoftimi, bashkërendimi ndërmjet EULEX-it dhe KFOR-it ishte i shkëlqyeshëm dhe se ky bashkërendim mundësoi veprimin dhe reagimin e menjëhershëm dhe e parandaloi përshkallëzimin e veprimeve ekstremiste.
 
“Sikur ndodh me çdo operacion policor, mësimet do të nxirren gjatë procesit të analizimit të tij dhe ato do të zbatohen në operacionet e ardhshme të kësaj natyre”, përfundon njoftimi i EULEX-it dhe KFOR-it.