Milionat e Rrugëve Shpërndaheshin Pa Kontroll

Ministria e Infrastrukturës nuk posedonte projekt për ndërtimin e urës mbi lumin Drenica në Komoran por nënshkroi kontratë publike me një kompani nga Skenderaj. 

Hartimi i projekteve bazuar në rregullat e prokurimit bëhet para se të hapet tenderi por Ministria e Infrastrukturës projektoi ndërtimin tek në mars të vitit 2012, dy muaj pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë N.N. Rukolli nga Skenderaj. 

“Hartimi i projekteve i paraprinë inicimit të aktiviteteve të prokurimit te ndërtimet e reja, duke qenë se projekti është një dokument bazë i ndërtimit ku përcaktohet paramasa e punimeve, parallogaria financiare dhe karakteristikat tjera të ndërtimit”, thuhet në raportin e veçantë të auditimit të bërë nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm për prokurimin e investimeve kapitale të Ministrisë së Infrastrukturës, botuar këtë muaj. 

ZAP auditoi 11 kontrata publike të lidhura vitin e kaluar e në vlerë totale prej 9 milionë e 250 mijë eurove – që është 50 për qind e totalit të kontraktimeve të nënshkruara më 2012. 

Tek kontrata e lidhur me kompaninë N.N Rukolli auditorët gjetën edhe se mungonin dëshmitë që kërkoheshin në dosjen e tenderit, që kompania duhet të ketë një inxhinier të diplomuar të ndërtimtarisë në cilësinë e menaxherit të projektit si dhe një gjeodet. 

Po ashtu auditorët raportuan se në këtë kontratë, që kishte vlerën e 97 mijë e 816 eurove, ishin aprovuar punë shtesë nga ministria e infrastrukturës pa u aprovuar nga zyrtari kryesor administrativ që në ministri është sekretari i përgjithshëm. 

Në raportin e auditmit thuhet se Ministria e Infrastrukturës është pajtuar me gjetjet dhe se është zotuar se do të zbatojë rekomandimet e dhëna. 

Ministria e Infrastrukturës nuk komentoi gjetjet e audimit kur u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë. 

Pronari Rrustem Rrukolli thotë se konstatimet e auditorit janë të paqëndrueshme.  

“Është e vërtet që MI-ja nuk ka pasur në fillim projekt por më vonë e ka bërë dhe kemi punuar sipas atij projekti. Rrustem Rrukolli

Sipas tij, vetëm gjetja për mungesë projekti është e qëndrueshme por nuk përbën kurrfarë problemi. 

“Është e vërtet që MI-ja nuk ka pasur në fillim projekt por më vonë e ka bërë dhe kemi punuar sipas atij projekti”, thotë Rrukolli. 

Një kontratë tjetër e lidhur pa pasur projekt ndërtimi është ajo për asfaltimin e rrugës Vitomiricë-Pejë.

Auditorët konstatojnë se as më vonë nuk u bë projekti. Ky tender i është dhënë kompanisë “Çlirimi” nga Prizreni dhe peshon afro 180 mijë euro.

“Përkundër që kjo rrugë ishte e re dhe kërkohej hartimi i projektit me ligjin për ndërtim, MI nuk e kishte bërë këtë”, thuhet në raport. 

Salih Dakajt, pronar i kompanisë, iu dërguan pyetjet nga Gazeta Jeta në Kosovë por ai nuk komentoi këto gjetje të audimit. 

Kompania nga Prizreni sipas auditorëve nuk ka përfunduar punimet bazuar në planin dinamik të punëve. 

“…Përfundimi i punimeve sipas planit dinamik ishte paraparë të realizohet për 39 ditë. Kontrata ishte nënshkruar më 20.07.2012. Deri më 25.02.2013 kur ne ishim në auditim, punët nuk kishin përfunduar ende. Vlera totale e punimeve të realizuara ishte 66,882 euro apo 37% e vlerës së kontratës”, thuhet në këtë raport auditimi.

Mbikëqyrësi i financave lyp hetim për tenderët e rrugëve 

Ali Sadriu, kryetar i komisionit për mbikëqyrje të financave publike në kuvendin e kosovës, prej gjetjeve të auditimit për MI-në përmend dy rastet që kontratat janë nënshkruar pa u hartuar projekti për ndërtim. 

“Nëse tenderët janë zhvilluar pa projekt, atëherë qysh e ka ditur Ministria e Infrastrukturës sa kanë kushtuar?”, thotë Sadriu. 

Sadriu shpreh dyshime që çmimi ka mundur të jetë i caktuar nga vetë kompanitë fituese.  

Përveç këtyre dy gjetjeve ZAP konstatoi parregullsi në 11 kontrata publike që kanë një vlerë prej 9.2 milionë eurosh.  

“Nëse tenderët janë zhvilluar pa projekt, atëherë qysh e ka ditur Ministria e Infrastrukturës sa kanë kushtuar. Ali Sadriu

Raporti konstaton se prokurimet në Ministrinë e Infrastrukturës përshkruheshin me parregullsi duke nisur nga shpërblim me tenderë i kompanive që nuk i plotësojnë kriteret, tenderë pa projekt, punë shtesë pa aprovim si dhe mospenalizmi i kompanive që shkelin afatet. 

“Këto gjetje janë të asaj natyre që më nuk i përkasin vetëm raportit të auditimit. Ato patjetër që duhet t’i nënshtrohen një hetimi penal”, thotë  Sadriu. 

Sipas tij, kjo bëhet edhe më e domosdoshme për faktin se shkeljet e të njëjtës natyrë po përsëriten si në vitin 2011.

Të njëjta vërejtje nga ZAP ishin dhënë edhe në raportin që i referohet vitit 2011 të punës së Ministrisë së Infrastrukturës. 

“Ministria, gjatë vitit 2012 kishte bërë progres të vogël në krahasim me vitin paraprak sa i përket procesit të prokurimit për investime kapitale”, thuhet në raport. 

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm thotë që gjetjet në MI nuk i ka dorëzuar tek Prokuroria e Shtetit.  

“Ne nuk kemi iniciuar ndonjë çështje në prokurori.  Gjetjet e prezantuara në raport kryesisht kanë të bëjnë me devijime nga rregullat dhe procedurat e prokurimit për të cilat janë dhënë rekomandime për hapat që duhet të merren nga ana e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës për t’i përmirësuar proceset”, thotë Qëndresa Mulaj zëdhënëse e ZAP.  

“Ne nuk kemi iniciuar ndonjë çështje në prokurori. Qëndresa Mulaj

Gazeta Jeta në Kosovë ka pritur për një javë për një koment nga Ministria e Infrastrukturës por ajo nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetës. 

Në këtë ministri gjatë viti 2012 në pozitën e drejtorit të zyrës së prokurimit kanë qëndruar tre persona. 

Në fillim të viti kishte qëndruar Bekim Gojani, që ka nënshkruar një nga nëntë kontratat për të cilat ka gjetur shkelje ZAP-i. 

Ai është larguar nga kjo pozitë dhe pas tij është emëruar Arif Zhushi. Para largimit, Gojanit ia morri licencën e punës në sektorin prokurimit Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), siç thuhej në vendim, për shkelje të vazhdueshme të Ligjit të Prokurimit.

Arif Zhushi, i cili ka qëndruar më pak se gjysmë viti si shef i prokurimit në MI, ka nënshkruar 5 nga 9 kontratat për të cilat ZAP gjeti shkelje, derisa në këtë pozitë me një vendim të Këshillit të Pavarur për Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë u rikthye, pas një suspendimi, Nexhat Krasniqi.

Gazeta u ka dërguar pyetje Gojanit, Zushit e Krasniqit për të dhënë përgjigje rreth konstatimeve të ZAP-it. Asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur. 

Shpërblehen kompanitë e papërgjegjshme 

Raporti i auditorëve pohon se Ministria e Infrastrukturës gjatë vitit të kaluar ka nënshkruar kontrata me 7 tenderues të papërgjegjshëm që nuk plotësonin kriteret për të lidhur kontrata publike. 

Në dy raste përmendet kompania “Tali” nga Gjilani pronë e Florim Zukës pjesë e rastit “Limaj dhe të tjerët” , që akuzohen nga një prokuror i EULEX-i për përfshirje në një grup të organizuar. 

Florim Zuka akuzohet për hyrje në kontrata të dëmshme, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe dhënie të ryshfetit 

Vitin e kaluar kompania “Tali”, fitoi tenderin për rehabilitimin e rrugës “Batllavë-Orllan” në vlerë prej 750 mijë eurosh. 

ZAP gjeti se kompania u shpërblye edhe pse nuk kishte pasur në dosje referencat e obligueshme për menaxherin e këtij projekti si dhe kompania kishte ofruar garancion të tenderit vetëm për 90 ditë, derisa ishte kërkuar me kritere obligative në dosje që kjo vlefshmëri të jetë 120 ditë. 

Kompania po ashtu doli fitues edhe në tenderin për rikonstruktimin e rrugës Prekofc-Marevc-Flotacioni i VI-të-Krilevë. 

Vlera e kontratës peshonte mbi 1.7 milionë euro dhe ZAP konstatoi se Ministria e Infrastrukturës kishte shpërblyer këtë kompani përkundër faktit se nuk kishte arritur të dëshmonte me dokumente se posedon pesë eskavatorë por ka sjellë dëshmi vetëm për dy. 

Kompanisë po ashtu i mungonin dëshmitë për cisternat e ujit dhe naftës që ishin obligative të dorëzoheshin në Ministrinë e Infrastrukturës.  

Pronari i kësaj kompanie Florim Zuka thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se kompania ka kryer punët bazuar në kontratë dhe se është përzgjedhur ligjshëm nga MI-ja. 

“Ne e dimë që tenderin e kemi fituar duke i plotësuar kërkesat e dosjes së tenderit. Për këtë besojmë që ka vendosur një komision profesional. Edhe punët i kemi kryer sipas kontratës. Sa i përket raportit të auditimit do ta shohim ditëve në vazhdim”, tha ai. 

“Ne e dimë që tenderin e kemi fituar duke i plotësuar kërkesat e dosjes së tenderit. Për këtë besojmë që ka vendosur një komision profesional.Florim Zuka

ZAP po ashtu ka gjetur se në një rast tjetër Ministria e Infrastrukturës kishte shpërblyer Operatorin Ekonomik me kontratë në vlerë prej mbi 700 mijë eurosh për ndërtimin e rrugës regjionale “Gjakovë-Prizren deri te kyçja në Autostradë”, përkundër që nuk kishte dorëzuar dokumentacion për përvojën e menaxherit të projektit. Auditorët nuk kishin gjetur dëshmi që kompania kishte dorëzuar kopjet e kontratave që i ka realizuar në tri vitet e kaluara. 

Po ashtu auditorët kanë gjetur se kontrata për asfaltimin e rrugës në fshatin Suriganë në Skenderaj në vlerë prej 488 mijë eurosh nuk ishte respektuar dhe punimet nuk ishin kryer me kohë përkundër që punimet duhet të përfundonin brenda 68 ditësh. 

Në një rast tjetër, te kontrata për “Asfaltimin e rrugës lokale Lutogllavë – Sferkë e Thatë” , në vlerë prej  189 mijë eurosh, auditorët gjetën punimet nuk ishin kryer brenda afatit ligjor. 

Përkundër se nëpër kontrata ishte paraparë zbatimi i penaleve, auditorët nuk kanë gjetur që MI kishte penalizuar ndonjërën prej këqyre kompanive.

Tek tenderi për “Ndërtimin e rrugës Majac – Lupç i Epërm – Popovë”, në vlerë prej afro 800 mijë eurove, ishte kërkuar që tenderuesit të posedojë kapital që ka vlerën e 50 për qind të shumës së ofertës.

“Vlera e ofertës fituese ishte 799,000 euro ndërsa kapitali i kompanisë në bazë të pasqyrave të dorëzuara, të cilat ishin të audituara ishte 181,428 euro ose rreth 23%”, thuhet në raport.