Ish-punëtorët: Mbi Njëqind Protesta Në Kërkim Të Pagave (TV)

Pas protestës gati tri orëshe ish- punëtorët e fabrikës së Gypave, janë takuar të hënën pasdite me zëvendësministrin e financave Ramadan Avdiu.

Ali Azemit kryetar i sindikatës së ish-punëtorëve të IMK-së  thotë se Avdiu i’u ka premtuar punëtorve zgjidhjen e këti problemi, ku me që rast ai u ka thënë që do të bisedojë me kryetartin e bordit të AKP-së  Blerim Rexha.

“Ky është problem direkt mes Qeverisë dhe AKP-së prandaj ne kërkuam që me u marrë vesh dy palet dhe me zgjidh problemin tonë”, thotë Azemi t’i ketë thënë Ramadan Avdiut.

Zëvendësministri Avdiu konfirmoi se u kishte premtuar ish-punëtorëve të IMK-së që do të takohet me kryetarin e bordit Blerim Rexha për të biseduar për zgjedhjen e këtij problemi.

Avdiu thotë se vendimet e gjykatave nuk kontestohen nga Qeveria por sipas tij mungojnë paratë për të bërë kompensimin.

Sipas tij  këtë obligim duhet ta kryejë vetë AKP-ja pasi ka mbi 500 milionë euro të grumbulluara në fondin e mirëbesimit i krijuar nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore.

“Ministria e Financave mund të kompensojë me mbi 30 milionë euro punëtorët vetëm atëherë kur do t’i ketë në dispozicion fondet e mirëbesimit”, thotë Avdiu.

Në anën tjetër zëdhënësi i AKP-së Kaloshi thotë se nuk mund të preket ky fond derisa të mos përfundoj tërësisht procesi i privatizimit dhe paratë të transferohen tek Qeveria e Kosovës.

Agjencia Kosovare e Privatizimit pohon  se nuk mund të kompensojë punëtorët në shumën që kërkojnë edhe përkundër vendimeve të gjykatave.

“…nuk ka mjete të gatshme dhe AKP-ja nuk ka të drejtë për të marrë mjete nga ndërmarrjet e tjera shoqërore për të bërë kompensimin e kësaj shume që pretendojnë punëtorët”, thotë Ylli Kaloshi Zyrtar për Komunikim në AKP.

Protestojnë çdo të hënë

Ish -punëtorët e kësaj fabrike përveq kësaj proteste tubohen çdo të hënë në qendër të Ferizajit duke protestuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që në emër të dëmshpërblimit obligon qeverinë e Kosovës t’u paguaj këtyre punëtorëve rreth 26 milion euro.

Kryesindikalisti Ali Azemi thotë se deri më tash nga punëtorët janë mbajtur  mbi 100 protesta.

Punëtorët, po ashtu,  kanë protestur edhe më herët para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, Gjykatës Komunale në Ferizaj e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Për protestën e të hënës së 13 majit sindikalisti kishte paralajmëruar radikalizim, nëse nuk merren parasyshë kërkesat e tyre.
 
“Të hënën do të mbajmë protesë para Qeverisë se Kosovës.  Në rast se nuk i pranojnë kerkesat tona për një takim me kryeministrin do te hyjmë në greve urie”, i tha Azemi Gazetës Jeta në Kosovë më herët.

Shpërfillet vendimi i Kushtetuesës

As AKP-ja dhe as Qeveria nuk kanë kompensuar punëtorët edhe përkundër që një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2010 i obligon që të ndajnë mjetet për punëtorët.

Po ashtu Kushtetuesja pati vendosur se vendimi final dhe i detyrueshëm i Gjykatës Komunale në Ferizaj duhet të ekzekutohet nga autoritetet kompetente, në veçanti nga Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, si pasardhës ligjor i AKM -së.

“Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit duhet të dorëzojnë në Gjykatë, brenda një periudhë gjashtë mujore, informata lidhur me masat e ndërmarra për ekzekutimin e këtij aktgjykimi”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Asnjëra prej dy institucioneve nuk ka marrë masa për ekzekutimin e këtij vendimi.

Gjykata Komunale kishte vendosur në vitin 2002 që punëtorët kanë të drejtë të kompensohen.

Vendimi parashihte që 900 punëtorë të kompensoheshin me një shumë totale prej 26 milionë eurosh për shkak të largimit të padrejtë nga puna për një përiudhë dhjetëvjeqare prej vitit 1989 deri më 1999.

Azemi pohon se punëtorët nuk kanë pranuar nga AKP-ja ofertën që punëtorët të marrin 20 përqindëshin që i’u takon nga shitja e ndërmarrjës.

Sipas tij fabrika është shitur me ’’spin off special’’ për  3.6 miljon ndërsa vlera  e kompensimit që kërkojnë punëtorët është shumëfish më e lartë dhe peshon rreth 26 milionë euro.

Fabrika e Tubave të Gypave të Çelikut në Ferizaj IMK ishte privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe ishte blerë nga një qytetarë ferizajas.

Punëtorët pohojnë se blerësi  Arian Hasani nuk ka pasur biznes dhe as të holla për ta bërë privatizimin e fabrikës.

Hasani , sipas tyre, i’a kishte shitur aksionet firmës “Mabetex”, pronar i të cilës është Selim Pacolli, vëllai i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Behxhet Pacolli.

Hasani nuk kishte pranuar te fliste per Gazeten Jeta ne Kosove në nëntor të vitit 2011 kur ishte raportuar se ai i’a kishte shitur fabriken Selim Pacollit.