Politika Prapa Privatizimit

Ish-gjiganti ekonomik i Kosovës, Fabrika e Tubave të Çelikut në Ferizaj, e cila është privatizuar më 2007, nga Arian Hasani, qytetar nga Ferizaj, i ka lënë pa punë 900 punëtorë të kësaj fabrike.

Shumë prej ish-punëtorëve, që dikur merrnin rroga nga 1 mijë marka gjermane, sot jetojnë në kushte shumë të vështira ekonomike.

Në vitin 2000, punëtorët e kësaj fabrike, të cilët ishin larguar me dhunë nga puna gjatë regjimit serb 1989-1999, e kanë paditur fabrikën në Gjykatën Komunale në Ferizaj për të kërkuar të drejtat e tyre. Gjykata kishte vendosur që atyre t’iu jepej kompensimi për 10 vjet sa nuk kishin marrë paga.

Vendimin e Gjykatës Komunale e konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por punëtorët paratë, në vlerë më shumë se 30 milionë euro, nuk i kanë marrë asnjëherë.

Njëri prej atyre punëtorëve është edhe Sefedin Abazi nga fshati Komogllavë i Ferizajt, i cili tash e sa vjet kërkon lëmoshë bashkë me djalin e tij të sëmurë. Dikur me këtë punë siguronte jetë normale për tërë familjen. Pas përjashtimit nga puna në fillim të viteve 90-të, ai shkoi në Gjermani për të punuar.

“Kam punu si punëtor fizik, e kam pas rrogën 1000 marka edhe shtesat e fëmijëve i kam marrë”, thotë Abazi.

Gjatë luftës në Kosovë, ai e mori edhe familjen në Gjermani. Mirëpo kur përfundoi lufta, ai kthehet pa hezitim, duke menduar se të gjithë do të kthehen në punë.

“U mashtrum e u kthyem tu mendu se ka me punu në fabrikë”, thotë Ziza, bashkëshortja e Sefedinit, e cila ankohet për kushtet e vështira me të cilat po përballen tani.

Drita Osmani është një ish-punëtore tjetër, e cila ka punuar plot 27 vjet në fabrikë. Ajo, në vend se ta vazhdojë punën në administratë, sot merret me punë sindikale duke kërkuar të drejtën e tyre.

Ajo thotë se mënyra e privatizimit të fabrikës nuk ka qenë në rregull dhe fabrika nuk u shit me çmimin real. “Si mundet me u privatizu një fabrikë me 30 hektarë tokë, kur vetëm një makinë që lakon gypa vlen 3 milionë e 600 mijë.. Falë ka shku Fabrika e Gypave”, thotë ajo.

Oferta e dytë vetëm 200 mijë euro

Fabrika e Gypave është privatizuar në vitin 2007 me metodën e “spin-off”-it special. Ofertues kanë qenë Arian Hasani dhe Driton Fetahi. Ky i dyti, në raundin e parë, ka konkurruar me 200 mijë euro, çmim ky me të cilin nuk mund ta blesh një shtëpi të mirë në Ferizaj, e lere më fabrikë.

Ndërsa në raundin e dytë, Arian Hasani e ka rritur ofertën nga 3 milionë e 650 mijë në 3 milion e 657 mijë euro, pra 7 mijë më shumë. Por kjo duket se nuk i ka bërë shumë përshtypje ofertuesit të dytë Driton Fetahi, i cili nuk e ka rritur ofertën fare.

 

Pronari i ri i ri i fabrikës, Arian Hasani, deri në atë kohë ishte punëtor i rëndomtë në kompaninë “Gama Electronics” në Ferizaj. Ai njihet se pasurinë e vetme e ka pasur një banesë 2-dhomëshe në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj.

Kjo ngre dyshime, si arriti ky qytetar që ta privatizojë fabrikën në vlerë prej 3,6 milionë euro.

Avokatit Fehmi Baftiu i janë zbardhur flokët duke luftuar për t’i realizuar të drejtat e punëtorëve të Fabrikës së Tubave, qe hiq më pak se 20 vjet.

Ai shpreh dyshime se si është shitur fabrika me 30 hektarë tokë në zonën urbane të qytetit, kur në afërsi të rrugës sot vetëm 1 ari kushton 13 mijë euro.

“Mustafë Bucaliu e ka ble fabrikën për nipin e vet”, thotë avokati Baftiu, por sipas tij, prapa krejt kësaj pune qëndrojnë politikanët aktualë.

Arian Hasani është nip i Ibrahim e Mustafë Bucaliut, të dy këta biznesmenë të njohur në Ferizaj. Hasani ka punuar si menaxher i shitjes në “Gama Electronics”, te daja i tij Mustafë Bucaliu, dhe në atë kohë u bë edhe ofertues për blerjen e fabrikës.

Hasani nuk ka pranuar të flasë për gazetën. Kurse Ibrahim Bucaliu, pronari i vetëm Hotel Emerald dhe i HIB-it, tha se nuk di asgjë për privatizimin e kësaj fabrike dhe nuk ka asnjë involvim as personal, e as përmes kompanive të tij, në Fabrikën e Tubave në Ferizaj.

Ndërkohë një zhvillim tjetër ka ndodhur muajt e fundit. Pronari për të cilin nuk dihet se nga “i pikën” të hollat, në qershor të 2011 ia shet aksionet firmës “Mabetex”, pronar i të cilës është Selim Pacolli, vëllai i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Behxhet Pacolli.

Derisa fabrika është blerë me çmim prej 3 milionë e 657 mijë euro në vitin 2007, dhe sipas AKP-së në të janë bërë investime në vlerë prej 13 milionë e 200 mijë euro, ajo i shitet “Mabetex”-it për vetëm 3 milionë e 69 mijë euro.

E për sindikalistët e Fabrikës së Tubave, kësaj pune po i vjen era.

Yzeir Qorrolli, kryetar i sindikatës, thotë se ka pasur shumë të interesuar për ta blerë Fabrikën e Tubave, por kur ka ardhur koha nuk ka konkurruar asnjë prej tyre.

“Vizita ka pasur edhe prej Behxhet Pacollit, edhe prej të huajve…Kanë qenë gjermanë, bullgarë e të tjerë”, thotë Qorrolli.

“Personi që fshihet pas Arian Hasanit, Mustafë Bucalia, në praninë time e ka thirrur në telefon Sami Lushtakun [kryetar aktual i Komunës së Skenderajt], e i thotë: ‘Gjeneral ku je, kur po e hajmë një kingj në Brezovicë; merre edhe kryeministrin Hashim Taçin’, për me ba një lloj presioni ndaj meje”, tregon Qorrolli. “I thashë, zotni thirre kë të duash, por ne nuk heqim dorë nga borxhi ynë ligjor”.

Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së,  tha se Agjencia ka bërë verifikimin e historikut të blerësit; në atë kohë verifikimi është bërë nga organet e UNMIK- në, dhe ka rezultuar se ai i ka përmbushur kushtet për të ofertuar.

Ndonëse është pyetur disa herë nëse dihet historiku i parave të Arian Hasanit për blerjen e fabrikës, Kaloshi ka kthyer përgjigjen e njëjtë. “Ne nuk e dimë nga i ka marrë mjetet, por Agjencia e ka bërë verifikimin e historikut të blerësit”.

Adem Metushi, ish-drejtori i Fabrikës së Tubave në Ferizaj, nuk e di se nga i ka marrë paratë Arian Hasani për ta blerë fabrikën. “Ka qenë kusht me u deklaru prejardhja e pasurisë, por me sa di unë nuk është deklaruar…Unë e njoh Arian Hasanin, është djalë i mirë, por nuk i ka pas ato mjete”, tha Metushi.

Ai rikujton se Qeveria e kishte emëruar drejtorin e privatizimit, kurse Ahmet Shala në atë kohë ishte zëvendësdrejtor i AKM-së. “Politika përmes atyre njerëzve ka vendosur me e privatizu fabrikën”, shprehet Metushi.

“Politika po i realizon qëllimet e veta, jo në emër të vet, por në emra të dytë e të tretë”, vazhdoi ai.

Informatat “rridhnin” nga njerëzit e afërt me PDK-në

Haki Shatri, ish-anëtar i Bordit të AKM-së, i cili ishte emëruar me automatizëm në bord, pasi ishte ministër i Ekonomisë dhe i Financave në vitin 2007, ka deklaruar se nuk i kujtohen detajet rreth privatizimit të kësaj ndërmarrjeje.

Por ai shprehet se menaxhmenti i atëhershëm i AKM-së ka pasur lidhje me politikën.

“Ka pasur një rast kur Bujar Dugolli ka kërkuar që Ahmet Shala mos me ardhë në takim, për shkak se po rrjedhin informata nga njerëzit e afërt me PDK-në”.

“Informata vlen për çdo aspekt të jetës, sidomos në privatizim, pasi e dëmton konkurrencën e lirë”, shprehet Shatri.

Avokati Fehmi Baftiu tha se i ka mbi 10 kërkesa që ua ka dërguar Dino Hasanajt, Jakup Krasniqit e Ahmet Shalës, por të drejtat e punëtorëve nuk janë realizuar kurrë. “Pra vetvetiu po del se kush janë mbrapa kësaj”, tha Baftiu.

 

Në aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Komunale në Ferizaj të vitit 2002, thuhet se gjykata ka vendosur për kompensim dëmi në vlerë 25 milionë euro për 900 punëtorët e larguar dhunshëm, prej vitit 1990 deri më 2001.

Ky aktgjykim u konfirmua më pas edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Me këtë, vendimi final dhe i detyrueshëm i Gjykatës Komunale në Ferizaj duhej të ekzekutohej nga autoritetet kompetente, Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, pasardhëse ligjore e AKM-së.

Rasim Maloku, gjyqtar për ekzekutime, thotë se gjykata komunale është e pafuqishme ta ekzekutojë vendimin për dhënien e kompensimeve punëtorëve. “Përgjegjësinë për ekzekutimin e këtij aktgjykimi e ka AKP-ja”, tha Maloku.

Por në vitin 2008, Gjykata në Ferizaj nxjerr një aktvendim tjetër me të cilin ndërpret procedurën e ekzekutimit pas njoftimit nga AKM-ja se ka filluar procesi i likuidimit të Fabrikës së Gypave.

Avokati Fehmi Baftiu thotë se ky vendim është antiligjor. Sipas tij, Gjykata Komunale është kompetente për aktgjykimin. “Në arsyetim thuhet se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të ekzekutohet pa pikë problemi”.

“Kjo ndërmarrje është privatizur dhe AKP-ja është në trajtim e sipër të kërkesave të kreditorëve të kësaj ndërmarrjeje, në përputhje me ligjin e AKP-së”.

Ndërsa punëtori Sefedin Abazi tregon se si kanë festuar në Ferizaj kur është marrë vendimi për dhënien e parave. “Por paret nuk na i kanë dhanë. Hajduka ka në Kosovë, i kanë vjedhë”, shprehet Abazi.

Drita Osmani thotë se 900 familje të punëtorëve janë pa asistencë sociale dhe pa kurrfarë ndihme tjetër. “200 punëtorë kanë vdekur duke i pritur gjykimet e drejta, me i marr ato pare. Por shpresoj që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të bëhet realitet”.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i ka dërguar një letër Qeverisë së Kosovës dhe AKP-së, nga të cilët ka kërkuar që ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, më së largu deri më 17 dhjetor.

AKP-ja duket se nuk ka ndërmend ta respektojë atë. Sipas zëdhënësit Ylli Kaloshi, AKP-ja i ka kryer të gjitha obligimet që ka pasur ndaj punëtorëve dhe kjo çështje është e mbyllur.

Kurse Qeveria ende nuk është përgjigjur nëse do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Shih emisionin e plotë në Drejtësia në Kosovë (linku)