Sheshet “Radioaktive” Kaos Tenderësh

Komuna e Prishtinës ka bërë ndryshime rrënjësore në ndërtimin e shesheve kryesore të kryeqytetit, “Ibrahim Rugova” dhe “Zahir Pajaziti”.

Gjatë muajve të fundit, për sheshin e parë ajo ka dhënë shpjegime kundërthënëse në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) në lidhje me ri-tenderimin e një pjese të tenderit prej mbi 4 milionë eurove, ndërsa në të dytin komuna e ka ndërruar kompaninë ndërtuese pa njoftuar fare KRPP-në.

Ndërtuesi është kompania “All Zone” e cila në sheshin “Ibrahim Rugova” nuk punon më me kompaninë që e kishte në konzorcium kur kishte fituar tenderin, ndërsa në sheshin “Zahir Pajaziti” nuk kishte qenë fitues i tenderit të parë.

Kjo kompani ka fituar tenderë në komunën e Prishtinës, prej shitjes së automjeteve speciale e deri në ndërtimin e shesheve – në kontrata që tashmë tejkalojnë 10 milionë euro.

Gazeta nuk ka gjetur sheshe tjera të ndërtuara më parë nga kjo kompani dhe kur pronari i saj ishte intervistuar më herët nga Prishtina Insight, ai nuk kishte mundur të japë shembujë të ndërtimeve të këtilla të kryera nga “All zone”.

Në të dy tenderët ka pasur rishpallje shkaku i gabimeve. Gabimet në sheshin e “Ibrahim Rugova” kishin të bënin me harresën e atesteve të shkallës së radioaktivitetit të pllakave, e në tenderin për sheshin “Zahir Pajaziti” ato nuk janë sqaruar.

Më 2007, kur ishin vendosur pllakat e mermerit në sheshin “Nënë Tereza” kishte pasur debate të shumta në lidhje me mungesën e kontrollit të radioaktivitetit dhe më pas me cilësinë e pllakave të cilat ishin shfaqur të dëmtuara vetëm brenda disa muajsh. 

Departamenti i prokurimit nuk është treguar i gatshëm të përgjigjet në kërkesat e Gazetës Jeta në Kosovë, por Agjencioni Kundër Korrupsion (AKK) po shikon nëse shefi i këtij departamenti, Ekrem Rexha, gjendet në konflikt të mundshëm interesi.

Shoqëria civile dhe opozita në komunë e kanë ngritur zërin pasi që mjetet e ndara për këto sheshe kanë sakrifikuar projekte vitale për qytetarët e Prishtinës.

Kompania ABC del nga konzorciumi

Fitues për ndërtimin e sheshit të pavarësisë “Ibrahim Rugova” ishte shpallur konzorciumi i “All Zone” nga Prishtina dhe “ABC” nga Podujeva, me datë 5 tetor 2011.

Ky konzorcium kishte ofruar çmimin prej 4.3 milionë eurove për të kryer të gjitha punët në këtë shesh në afat prej 5 muajsh apo 150 ditësh kalendarike.

Punimet në këtë shesh kanë filluar me 16 mars 2012 pasi që është marrë kohë për shqyrtimin e ankesës të një kompanie pjesëmarrëse.

Kompania ABC është tërhequr nga konzorciumi pas një kohe të shkurtër për shkak të disa mosmarrëveshjeve që ka pasur me udhëheqësin e konzorciumit, All Zone. 

Arben Jetullahu, nga kompania ABC, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ka disa javë që është tërhequr nga konzorciumi.

“Kemi pasur disa punime të dheut. Më kanë pyetur nëse mund të vazhdoj me punime tjera, unë iu kam thënë se nuk mund t’i kryej. Jemi larguar nga ky bashkëpunim për shkak të disa mosmarrëveshjeve. Kaq mund të ju them për këtë punë”, tha Jetullahu.

Ndërkohë, gazeta ka parë disa punëtorë duke punuar në sheshin “Ibrahim Rugova” të cilët mbanin emrin e kompanisë Steda Group, ish-fituesit të parë të tenderit për sheshin Zahir Pajaziti. Po ashtu, kjo kompani është duke rinovuar dhe ri-konstruktuar ish-Hotelin Union, e cila gjendet në shesh.

Sipas Ligjit për Prokurim Publik (LPP), përkatësisht nenit 30 që flet për nën-kontraktim, “tenderuesi duhet të tregojë në tenderin e tij ndonjë pjesë të kontratës që ai ka për qëllim t’ia nënkontraktojë palëve të treta dhe secilin nënkontraktues të propozuar”.

Mirëpo, sipas dokumentit zyrtar të KRPP-së, “njoftimi për dhënie të kontratës”, në pjesën IV, pika 6, tenderuesi kishte rrumbullakuar JO-në kur është pyetur nëse kontrata ka gjasa të nënkontraktohet.

“Kompani tjera nuk guxojnë të punojnë në shesh nëse tenderuesi ka thënë me kohë se kontrata nuk do të nën-kontraktohet”, Abdyl Limani nga KRPP i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Steda Group është kompani nga Prishtina me pronar Dashmir Selmanin. Gazeta ka kontaktuar me kompaninë, por i është thënë se Selmani është në udhëtim e sipër jashtë vendit. Gazeta ka kërkuar sqarime nga Selmani përmes email-it të tij nëse është nënkontraktuar nga All Zone, por nuk ka pranuar përgjigje. 

Në këtë shesh është paraparë që të ngrihet busti i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, ndërsa shtatorja e Skenderbeut është vendosur më lartë.

Tender i Ri: Për atestet e harruara radioaktive

Departamenti i prokurimit i komunës së Prishtinës, kishte kërkuar nga KRPP që të hapë një tender të ri për këtë shesh. 

Dhe, më 21 qershor 2012, komuna e Prishtinës shpall fitues konzorciumin “All Zone & Zysken trans & Gërguri”, me shumë prej 2.279.120 euro për furnizim dhe montim me pllaka.

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, tha se shuma fillestare për ndërtimin e sheshit nuk ka ndryshuar pas tenderit të dytë.

“Shuma prej 2.2 milionë për tenderin e dytë, është përbrenda shumës që është ndarë prej 4.3 milionë eurosh për ndërtimin e sheshit Ibrahim Rugova”, tha Osaj.

Departamenti i prokurimit kishte dhënë shpjegim në KRPP për hapjen e tenderit të dytë me arsyen se kanë bërë gabim duke harruar “kërkimin e atestit për shkallën e radioaktivitetit të pllakave që do të shtrohen në këtë shesh”.

Abdyl Limani, ekspert i prokurimit në departamentin e rregullave në KRPP, tha se prokurimi i komunës ka parashtruar pyetjen nëse i lejohet hapja e tenderit vetëm për çështjen e granitit.

“Përgjigja jonë ka qenë nëse ndryshimi i këtyre pozicioneve nuk ndryshon radhitjen e operatorëve ekonomikë, atëherë mund të hapet tenderi. Nëse këto ndryshime ndikojnë edhe radhitjen e kompanive, atëherë nuk guxojnë të hapin tenderin”, Limani i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

“Nuk i shikojmë dokumentet tjera. Neve na shtrohet pyetja dhe ne interpretojmë atë pyetje”, tha Limani i pyetur se a është KRPP i bindur nëse ndryshimi i pozicioneve në tender ka ndikuar në radhitjen e operatorëve ekonomikë.

“Kërkoni lëndën nga autoriteti kontraktues (komuna e Prishtinës). Nga ne kërkohet vetëm interpretimi i pyetjeve nga palët”, tha Limani.  

 

 
   

Mirëpo, në dosjen e tenderit për sheshin Ibrahim Rugova, që e ka parë Gazeta Jeta në Kosovë vërehet se prej fillimit është kërkuar një atest i tillë nga kompanitë që kanë marrë pjesë në tender.

Në faqen 15 të dosjes së tenderit, pjesa e 4, pika 6 thuhet se kur kompanitë sjellin mostrat e granitit në hapje të tenderit e kanë të obligueshme të sjellin edhe atestet paraprake specifikat e të cilës përputhen me specifikimin e dhënë në paramasë dhe parallogari.

Pika 9 thotë: “9.Deklarata mbi shkallën e radioaktivitetit nga prodhuesi për ambiente të hapura të pllakave të granitit”.

Pastaj ishte paraqitur një ankesë nga kompania Paradiso, me zyrë në Shkabaj, Prishtinë, e cila theksonte se komuna e Prishtinës ka bërë përzgjedhje të gabuar.  

Fadil Uka, pronar i Paradiso, thotë se ka qenë për 500.000 euro më i shtrenjtë por është ankuar pasi që komuna ka përzgjedhur pllakat e kompanisë fituese të cilat janë nga betoni.

“Është lojë e madhe e tyre. Dëshirojnë të shtrojnë sheshin me pllaka që janë nga betoni dhe nuk janë të atij çmimi që kanë ofruar”, tha Uka.

Ai shtoi se komuna e Prishtinës ka lënë anash granitin që ata kanë ofruar dhe që është me qëndrueshmëri deri në 5,000 vjet.

Uka shton se këtë e kishte dërguar mostrën në kohën e konkurrimit dhe se e gjitha i ka kushtuar mbi 20.000 euro. Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka arritur të konfirmojë këtë pasi që Organi Shqyrtues i Prokurimit, OSHP, është ende duke e shqyrtuar ankesën e kompanisë Paradiso.

Paradiso kishte kryer ndërtimet në sheshin “Nënë Tereza”, më 2007.

Në të vërtetë, Gazeta JnK ka vërejtur ndryshimet në njoftimet për hapje të tenderëve për sheshin Ibrahim Rugova në lidhje vetëm me granitin e më pastaj edhe për sheshin Zahir Pajaziti.

Në njoftimet e para, komuna e Prishtinës ka cekur se variantet nuk pranohen kështu që është cekur në mënyrë të qartë se vetëm granit natyral do të shtrohet në sheshe.

Mirëpo, në njoftimet e dyta, komuna ka vendosur që të pranohen variantet, që përveç pllakave të granitit natyral mund të pranohen edhe pllakat me dy komponente.

“Ndërsa, përzgjedhja e furnizimit do të bëhet në varshmëri me buxhetin e destinuar për këtë projekt nga autoriteti kontraktues”, thuhet në njoftimet e përgatitura nga departamenti i prokurimit. 

“All Zone” edhe në sheshin Zahir Pajaziti

Kompanitë “Steda Kosova” dhe “Conex Group” ishin përzgjedhur fitues për ndërtimin e sheshit Zahir Pajaziti me çmim prej 4.5 milionë eurosh.

Punimet nuk kanë nisur ende edhe pse komuna e Prishtinës pati premtuar se punimet do të nisnin në mars 2012. 

Tek në qershor, komuna ka ndarë paratë për ndërtimin e sheshit, duke thënë se punimet do të fillojnë së shpejti.    

Mirëpo komuna kishte anuluar ndërkohë tenderin dhe ka hapur tender të ri për këtë shesh.

Për anulimin e tenderit komuna iu ka dhënë shpjegime të pakta, thotë kompania Conex Group nga Prishtina.

“Na kanë thënë se kanë bërë disa gabime në projekt dhe kaq”, Veton Fetahu, pronar i kompanisë Conex Group, i tha Gazetës JnK duke shtuar se nuk kanë aplikuar për herë të dytë.

 
   

Mirëpo, për anulimin e tenderit për ndërtimin e sheshit “Zahir Pajaziti” nuk ishte njoftuar as Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, KRPP, i cili obligon gjithë autoritetet kontraktuese, në këtë rast komunën e Prishtinës, të japë shpjegime në detaje për anulime.

Në ueb-faqen e KRPP-së nuk ka të dhëna për anulimin e tenderit.

“Nuk kam kohë të merrem me këto pyetje. Çdo informacion që dërgojnë autoritetet kontraktuese, gjenden në ueb-faqe”, tha Basri Dedinca nga KRPP, në funksion të zyrtarit për futje të dhënave në ueb-faqe.

Dhe më 4 korrik, komuna e Prishtinës njofton se ndërtuesit e rinj të sheshit Zahir Pajaziti janë konzorciumi “All Zone, Zysken Trans dhe Gërguri”.

Tenderi i dytë rrit shumën e ndërtimit për afër 200.000 euro apo në 4.772.150 euro.

“Akoma nuk e di se cilat punë do t’i kryejë kompania ime. Kam makinerinë për këto punë”, tha Zymer Gashi, pronari i kompanisë Zysken Trans. 

Departamenti i Prokurimit Preferon të jetë i Mbyllur

E vetmja përgjigje që departamenti i prokurimit i komunës së Prishtinës i ka dhënë Gazetës Jeta në Kosovë ishte në lidhje me tenderin e dytë për sheshin “Ibrahim Rugova”.

Drejtori i prokurimit, Ekrem Rexha, tha se komuna ka parë se në tenderin për sheshin Ibrahim Rugova ka vërejtur se vlera për pllakat është më e vogël se sa është paraparë. Ai ka refuzuar të japë më shumë informacione.

“Nuk kam kohë që të merrem me OJQ-të. Nuk kam kohë për takim”, është shprehur Rexha.

Gazeta JnK ka parashtruar kërkesë me 25 qershor në departamentin e prokurimit që të ketë qasje në dokumentet zyrtare për dosjen e tenderit për sheshin Ibrahim Rugova dhe qasje në dokumentet e tenderit të dytë, po ashtu për këtë shesh.

Departamenti i prokurimit, në përgjigjen e datës 29 qershor, thotë se nuk mund të ketë qasje në dosjen e tenderit “Furnizimi dhe Montimi i Pllakave në sheshin Ibrahim Rugova” pasi që është në proces të ankimimit. 

Mirëpo prokurimi nuk jep përgjigje për dosjen e tenderit të parë për sheshin.

Tenderët Fitohen nga Kompania “Rrjepëse”

Gazeta Jeta në Kosovë ka publikuar kohë më parë një hulumtim që ka të bëjë me kompaninë “All Zone” me seli në Prishtinë, e cila kishte arritur t’ia shes një kamion zjarrfikës komunës së Prishtinës për 30 herë më shtrenjtë.

Sipas regjistrit të bizneseve të ministrisë së tregtisë, “All Zone” ka pronar Valon Zymberin dhe dy partnerët, Besnik Zymberi e Bekim Idrizi, por që të tretë ka qenë e pamundur që të kontaktohen.

Gazeta Jeta në Kosovë ka tentuar të bie në kontakt me Zymberin edhe përmes numrave tjerë telefonikë të kompanive ku ai është pronar, si në Gold Benz dhe bashkëpronar në Koseng Group.

Hulumtimi i atëhershëm pati treguar se “All Zone” në fakt kishte blerë dy kamionë, një transportues dhe një të zjarrfikësve me shkallë të vitit 1985, dhe kishte bërë montimin në Kosovë në një kamion të vetëm, duke shfrytëzuar shkallët e kamionit të vjetër dhe duke i montuar në kamionin transportues,  i cili në fund u vlerësua i pasigurt nga zjarrfikësit.

Ndonëse nuk është gjetur se kompania ka ndërtuar sheshe tjera, bashkëpronari Valon Zymberi i kishte thënë më herët gazetës Prishtina Inisght se kompania e tij kishte përvojë në ndërtim “brenda dhe jashtë Kosovës” por ai nuk kishte pranuar të japë asnjë emër të projekteve. 

Në përgjithësi, kompanitë All Zone dhe Pro Trade, ku figurojnë si pronarë Valon dhe Syzana Zymberi, kanë fituar tenderë në shumë prej më shumë se 10 milionë eurove nga komuna. 

Fakte: Tenderët e fituar nga komuna e Prishtinës:

Furnizimi me dy automjete për Brigadën e Zjarrfikësve, 427.200 euro. Këtë tender e ka fituar kompania Pro Trade, me pronar Syzana Zymberin, e cila është bashkëshortja e Valon Zymberit.

Furnizimi me automjete për Brigadën e Zjarrfikësve – Pro Trade, dy kamionë me çmim 177.500  Pastaj, në këtë tender ka fituar edhe All Zone, për shitjen e një kamioni prej 298.440 euro.

Ndërtimi i shesheve Ibrahim Rugova dhe Zahir Pajaziti – All Zone, vlera 9.137.864 euro.

– Ndërtimi me koncesion i nënkalimit në rrugën Bill Klinton (te KEK-u) – Pro Trade, komuna e Prishtinës fiton 160 euro qera mujore 

A ka konflikt interesi?

Drejtori i prokurimit Ekrem Rexha e ka shoqe (Friends) në Facebook, Syzana Zymberin, bashkëshorten e Valon Zymberit, bashkëpronarin e kompanisë, All Zone. 

Rexha ka vetëm 88 “Friends” në Facebook. Ai nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës për të shpjeguar nëse është në lidhje familjare apo shoqërore me Zymberin. 

Në ndërkohë, Syzana Zymberi, pronare e lokalit “Beauty Secret” në Prishtinë, thotë se Rexhën nuk e ka familjar. “Jo, e kam vetëm si ‘friends’ në facebook”, Zymberi i tha Gaztës JnK.

Agjencioni Kundër Korrupsion, AKK, ka marrë rastin përsipër për të konstatuar nëse kjo lidhje mund të konsiderohet si konflikt interesi.

Deklarimi i pasurisë se Rexhës ende nuk figuron në ueb-faqen e AKK-së ndërsa zyrtarët e këtij agjencioni pohojnë se së shpejti një numër i madh i deklarimeve të zyrtarëve do të paraqiten në këtë faqe. 

Sheshet Lënë Anash Shumë Projekte

Kohë më parë, organizata jo-qeveritare INPO ka kritikuar veprimet e komunës së Prishtinës për orientimet e saj në investimet kapitale.

INPO e cila ka monitoruar qeverisjen e komunës së Prishtinës për vitin 2011 duke thënë se komuna ka sakrifikuar shumë projekte vitale për kryeqytetasit për hir të shesheve.

Organizata thekson se ka monitoruar proceset e shesheve që nga fillimi duke shprehur pakënaqësinë në mënyra të ndryshme duke shtuar se projektet janë të paplanifikuara dhe janë zhvilluar në mënyrë ad-hoc.

“Për shkak të mos planifikimit, Komuna e Prishtinës ka qenë e detyruar të shkurtojë linja buxhetore për projektin e ‘Zahir Pajaziti’ për shkak të mos planifikimit me kohë”, Avni Bytyqi, drejtor ekzekutiv i INPO-së i tha Gazetës Jeta në Kosovë. 

Për më shumë, ri-tenderimi për sheshin “Zahir Pajaziti” ka ngritur shpenzimet e komunës për 185.000 euro më shumë. Të dy sheshet sot i kushtojnë komunës së Prishtinë mbi 9 milionë euro.

Bytyqi tha se 4.3 milionë euro për njërin shesh janë ri-destinuar nga këto projekte: 300 mijë euro – Administrata Komunale (Mallra dhe Shërbime), 3 milionë nga projektet: Unaza Qendër – Arbëri deri tek rreth rrotullimi, vazhdimi i rrugës “Enver Maloku”, faza 1 dhe 2, ndërtimi i rrugës “Ndue Perlleshi” dhe ndërtimi i rreth-rrotullimit në rrugën magjistrale në fund të Veternikut. 

Pastaj, 700 mijë euro janë marrë nga linja buxhetore për fond të urbanizmit, 600 mijë euro nga fabrika e ujit ne Shkabaj dhe 100 mijë euro nga veshmbathja “Dimër – Verë” për zjarrfikës. 

“Këto janë vetëm disa nga projektet që komuna i ka sakrifikuar për dy sheshe. INPO shpreh shqetësimin se Komuna ka dëmtuar projekte me rëndësi vitale për qytetarët e kryeqytetit. Këto dy sheshe nuk kanë qenë prioritet i domosdoshëm. Para se gjithash është mirëqenia e qytetarëve që është dëmtuar në momentin kur këto mjete janë ri-orientuar për këto sheshe”, Bytyqi i tha Gazetës Jeta në Kosovë.