Fushatë për "Vetëdijesimin" e Pushtetarëve

Agjencioni Kundër Korrupsion (AKK), në bashkëpunim me EULEX-in dhe RTK-në, përmes një fushate mediale, po ua sjell ndërmend zyrtarëve të lartë obligimin ligjor për deklarimin e pasurisë.

Kreu i agjencisë, Hasan Preteni, tha se fushata ka për qëllim rikujtimin për atë që ligji i obligon zyrtarët. Kurse, Agron Demi, nga shoqëria civile, thotë se një fushatë e tillë vë në pah se shkelësit më të mëdhenj të ligjeve janë vetë ata -zyrtarët.

Agjencioni Kundër-Korrupsion ka njoftuar se procesi i deklarimit të obliguar vjetor të pasurisë së zyrtarëve te ky institucion ka filluar nga data 1 deri më 31 mars 2013.

AKK-ja, EULEX-i dhe RTK-ja kanë lansuar një video-spot sensibilizues i cili është duke u transmetuar në televizionin publik.

Njoftimi për publikimin e këtij spoti është dhënë edhe në faqen zyrtare të EULEX-it, i publikuar në gjuhën shqipe dhe serbe.

Kreu i AKK-së Hasan Preteni i tha Gazetës Jeta në Kosovë se fushata mediale ka për qëllim rikujtimin e të gjithë zyrtarëve për obligimin ligjor që e kanë rreth deklarimit të pasurisë.

Në bazë të Kodit të Ri Penal, që ka hyrë në fuqi nga 1 janari i vitit 2013, mosdeklarimi i pasurisë dhe deklarimi i rrejshëm konsiderohen vepra penale që mund të sanksionohen nga 6 muaj deri në 5 vjet burg.

“Fushata e organizuar ka për qëllim rikujtimin e zyrtarëve për obligimet që i kanë si dhe njoftimi për risinë që tani e tutje mosdeklarimi i pasurisë dhe deklarimi i rrejshëm do të sanksionohen penalisht”, i tha Preteni gazetës.

Por drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi, një fushatë të tillë e ka cilësuar si të panevojshme.

Sipas Demit, derisa AKK-ja është e obliguar me ligj që në fillim të muajit mars t’ua dërgojë në adresë të gjitha institucioneve zyrtare formularët për plotësim dhe të presë pastaj një muaj grumbullimin e formularëve të plotësuar, “një fushatë e tillë do duhej të ishte e panevojshme”.

“Gjetja e mundësive alternative, siç është fushata mediale, për të bindur zyrtarët publikë që të   deklarojnë pasurinë, edhe një herë tregon se shkelësit më të mëdhenj të ligjeve në fuqi janë vetë ata të cilët janë përgjegjës për bërjen dhe zbatimin e ligjeve”, tha Demi.

Sipas Demit, reklamimi i tillë vjen si përpjekje e EULEX-it dhe AKK-së për të ndërruar bindjen për punën që bëjnë këto institucione duke marrë parasysh kritikat që po u adresohen.

“EULEX-i dhe AKK-ja, duke parë se po përballen me kritika të shumta për punën e tyre, si zgjidhje po shohin reklamimin. Nuk është kjo reklama e vetme që EULEX-i ka ndërmarrë për të ndërruar bindjen e qytetarëve për misionin dhe punën e tij”, tha Demi.

Por kreu i AKK-së , HasanPreteni, i tha gazetës se bërja e fushatës-spotit televiziv ishte ide e agjencisë, derisa EULEX-i dhe RTK-ja janë vetëm ndihmës në realizimin e saj duke bërë punën teknike rreth spotit.

Zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi i tha Gazetës Jeta në Kosovë, se “EULEX-i i ka ndihmuar Agjencisë Kundër Korrupsion për prodhimin e spotit me qëllim të informimit të zyrtarëve të lartë publikë për deklarimin vjetor të pasurisë”

Kreu i AKK-së Preteni tha se nuk është paguar asgjë për spotin.

“Është televizion publik dhe këtë e bën për çështje të interesit të përgjithshëm”, tha Preteni.

Drejtori ekzekutiv i GAP-it, Agron Demi, si shqetësim për deklarimin e pasurisë ka konsideruar deklarimin e rremë dhe gjobat e ulëta për ata që nuk e deklarojnë.

“Problemi më i madh me deklarimin e pasurisë nuk ka qenë mosdeklarimi, por deklarimi i rremë i pasurisë dhe gjobat e ulëta për ata që nuk e deklarojnë pasurinë. Për shkak se AKK-ja nuk ka kapacitete të verifikojë pasurinë e zyrtarëve”, tha Demi.

Sipas tij, duke parë neglizhencën e gjykatave dhe shumat e ulëta të dënimeve, disa zyrtarë publikë nuk kanë deklaruar pasurinë, ngase kanë preferuar me mirë të marrin një gjobë simbolike se sa të publikojnë pasurinë.

Në raportin e publikuar të AKK-së për vitin 2010 numri i zyrtarëve të lartë të cilët nuk e kishin deklaruar pasurinë ishte 67.

Në vitin 2011 numri i zyrtarëve publikë të cilët nuk deklaruan pasurinë ishte 84, kurse, në vitin 2012 ky numër qe trefishuar duke çuar në 261 numrin e atyre që nuk e deklaruan pasurinë.

Në tre vjetët e fundit Agjencia Kundër Korrupsion ka dërguar në gjykatë rreth 150 zyrtarë për mosdeklarim të pasurisë nga të cilat rreth 70 lëndë janë kryer. Krahas këtyre agjencia ka dërguar edhe dhjetëra raste të tjera të lëndëve ku pretendohej se zyrtarë të caktuar janë përfshirë në korrupsion.