Nga një deklarim pasurie në Agjencinë Kundër Korrupsion | Foto: KALLXO.com

Mosdeklarimi i Pasurisë Nuk Gjen Ndjekje të Vendosur

Këshilltarin e Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Dragisha Kërstoviq, e ka irrituar dënimi për mosdeklarim të pasurisë i Gjykatës për Kundërvajtje në Prishtinë, më 21 dhjetor 2011.

Ai thotë se gjoba prej 500 eurove që ia ka vënë gjykata nuk do t’i dukej punë e madhe po mos të kishte parë vendimin ndaj zëvendësministrit në të njëjtën ministri, Basri Musmuratit, të datës 11 nëntor 2011. Këtë të fundit, për të njëjtën arsye, gjykata e ka dënuar me 200 euro.

Mllefi i Kërstoviqit nuk ka të bëjë me atë se përse është dënuar, por përse nuk është marrë për bazë fakti që një zëvendësministër ka post më të lartë dhe ka përgjegjësi më të madhe.

“Unë jam ankuar për një fakt të vetëm: jo që vendimi përfshin ndonjë diskriminim, por thjesht nuk është dhënë në mënyrë të drejtë në raport me pozitat”, thotë Kërstoviq për Gazetën Jeta në Kosovë. “Nuk besoj që është në rregull që zëvendësministri të dënohet më pak se këshilltari. Megjithatë, pyeteni gjykatën”.

Zëvendësministri Musmurati thotë se nuk i ishte kujtuar koha e dorëzimit të formularit për të bërë deklarimin e pasurisë.

Ai shton se Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) “po tallet” me mënyrën e veprimit të saj. “Ata nuk po e shikojnë se si fitohet pasuria dhe nuk po e kontrollojnë prejardhjen e saj”, thotë ai.

 “Ata nuk po e shikojnë se si fitohet pasuria dhe nuk po e kontrollojnë prejardhjen e saj” Dragisha Kërstoviq

Një dallim me po kaq shpërputhje në vendimet e gjykatës është bërë edhe për dy profesorët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Zejnullah Gruda dhe Nuri Bexheti.

Për mosdeklarim të pasurisë Gruda, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, është dënuar me 300 euro në cilësinë e këshilltarit të zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, në nëntor 2011. Një muaj më herët, Nuri Bexheti e kishte marrë dënimin prej 1000 eurove për shkak se nuk ka deklaruar pasurinë si këshilltar i Ministrit të Arsimit, Ramë Buja.

AKK nuk ushtroi kurrë të drejtën e ankesës për dënimet 

Vendimet e gjykatës duket se nuk kanë ndikuar në nivelin e deklarimit të pasurinë këtë vit sado që me ndryshimin e ligjit për deklarimin e pasurisë, të bërë në shtator të vitit të kaluar, zyrtari i lartë dënohet për kundërvajtje prej 1000 deri në 2500 euro për mosdeklarim të rregullt të pasurisë, për mos deklarim të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës, për mosdeklarim të saj me rastin e largimit nga funksioni ose përmirësimit të deklaratës kur janë vërejtur gabime si dhe prej 1500 deri në 2500 për mos deklarim nëse këtë ia kërkon AAK-ja. Me ligjin paraprak, gjobat silleshin mes 150 deri në 1500 euro.

Bazuar në një raport të AKK-së, të prillit 2012, formularët e pasurisë nuk i kanë dorëzuar deri në afatin e përcaktuar, më 31 mars, 261 zyrtarë kosovarë. Ky numër është trefish më i lartë se ai i vitit të kaluar ku 84 nga 1863 zyrtarë nuk e kishin deklaruar pasurinë.

Kreu i Agjencisë, Hasan Preteni, këtë e arsyeton me faktin se këtë vit është rritur numri i zyrtarëve që përfshihen në listën e të obliguarve për ta deklaruar pasurinë. “Këtë vit kemi 3354 zyrtarë që është dashur të deklarojnë pasurinë”.

Preteni thotë se dënimet e gjykatave kanë qenë deri diku siç i parasheh ligji. “Megjithatë, konsideroj se format e ndëshkimit ose gjobat nuk janë aq të rënda”, është shprehur ai.

Kryetari i Gjykatës për Kundërvajtje në Prishtinë, Mustafë Selimi, thotë se me disa përjashtime vendimet për dënimet e shqiptuara zyrtarëve që nuk kanë respektuar ligjin për deklarimin pasurisë janë reale. “Secili gjykatës ka qenë i pavarur në punën e tij. Mendoj që vendimet që janë dhënë kanë ndikuar pozitivisht”, ka thënë Selimi.

Biljana Rexhiq, kryetare e Gjykatës së Lartë për Kundërvajtje, ka thënë se Preteni dhe AKK kurrë nuk kanë deponuar ankesë në vendimet e gjykatës për mosdeklarim të pasurisë.

“Ne kemi pasur ankesa të palëve, pra të zyrtarëve që kanë qenë të pakënaqur me vendimet që u ka dhënë gjykata, në disa raste kemi vërtetuar vendimet e shkallës së parë e disa të tjera i kemi kthyer në shqyrtim, por paditësi ose në këtë rast Agjencia Kundër Korrupsionit kurrë nuk është ankuar në vendimet e gjykatës”, i ka thënë Rexhiq gazetës. “Ata mund t’i konsiderojnë vendime të buta, megjithatë kanë mundur të ankohen”.

“Paditësi ose në këtë rast Agjencia Kundër Korrupsionit kurrë nuk është ankuar në vendimet e gjykatës” Biljana Rexhiq

AKK nuk është ankuar as kur prokuroritë kanë hedhur poshtë si të pabaza informatat e dërguara për hetime nga ana e saj. As atje nuk figuron të jetë dërguar ndonjë ankesë.

Preteni pranon se nuk ka pasur ankesa nga AKK, por thotë se shumica e rasteve të saj janë gjykuar ndërkohë që ka kërkuar hetime dhe gjykime më të vendosura.

Ai thotë se tash po forcohen edhe mekanizmat, jo vetëm i detyrimit të deklarimit të pasurisë, por edhe të hetimit të prejardhjes së saj dhe deklarimit të rremë.

Me draft-kodin e ri penal të Kosovës, mosdeklarimi i pasurisë është vepër penale për të cilën ekziston dënimi me burg. Neni 437 i kodit saktëson se çdo zyrtar që e ka për obligim të deklarojë pasurinë dhe nuk e bën këtë mund të dënohet prej 1deri në 3 vjet burg. Ndërsa për deklarim të rremë të pasurisë, sipas nenit 438, një zyrtar mund të dënohet prej 3 deri në 5 vjet burg.

Vetëm diku 30 raste kanë paguar gjobat
 
As Agjencia Kundër Korrupsionit dhe as Gjykata Komunale për Kundërvajtje nuk e dinë se sa përqind e zyrtarëve që janë dënuar me të holla i kanë paguar gjobat.

Sipas ligjit, ata duhet të paguajnë dënimet që u ka shqiptuar gjykata në llogarinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Por, në administratën e këtij të fundit nuk kanë pasur shifra të sakta se sa zyrtarë kanë paguar deri më tash. Ata kanë dhënë një shifër të përafërt që, sipas tyre, përfshin diku rreth 30 raste.

Në tri vitet e fundit Agjencia Kundër Korrupsionit ka dërguar në gjykatë rreth 150 zyrtarë për mosdeklarim të pasurisë nga të cilat rreth 70 janë kryer. Krahas këtyre agjencia ka dërguar edhe dhjetëra raste të tjera të lëndëve ku pretendohej se zyrtarë të caktuar janë përfshirë në korrupsion.