Limaj- Mbikëqyrësi i Akuzuar i Financave Shtetërore

Financat publike janë vënë nën mbikëqyrje parlamentare të Fatmir Limajt, kryetarit të Nisma Për Kosovës, i akuzuar për keqpërdorim të fondeve publike.

Ai është anëtar i këtij komisioni shtatanëtarësh që shqyrton raportet e të gjitha autoriteteve publike dhe u kërkon drejtuesve të tyre  llogari për shpenzimin e parasë së shtetit.

Anëtarët e komisioneve delegohen aty nga partitë politike që janë pjesë e parlamentit.

Por Limaj është vetë i akuzuar për keqpërdorim të tyre dhe një aktakuzë rëndon mbi të.

Një gjykatë e EULEX-it më 10 qershor të vitit të kaluar vendosi që t’i bashkojë lëndët e Fatmir Limajt të njohura si MTPT 1 dhe MTPT 2.

Në MTPT1 LImaj, Nexhat Krasniqi e Endrit Shala ngarkohen së bashku për krim të organizuar, shpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit dhe marrje të mitës.

Në rastin MTPT 2 Limaj së bashku me Nexhat Krasniqin ish-shefin e Prokurimit në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomit dhe Endrit Shalën, ish-shefin e kabinetit dhe këshilltarin politik të tij akuzohen se formuan një grup të organizuar kriminal i cili kreu veprat e rënda penale të shpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfeteve.

Në këtë rast përveç këtyre të treve, me akuza të njëjta ngarkohet edhe Shpëtim Telaku, ndërsa Ali Aliu dhe Beqir Deda akuzohen për keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit.

http://gazetajnk.com/?cid=1,1018,8494

Tomë Gashi, avokat i Limajt, thotë se rasti i tij ende nuk ka filluar të gjykohet.

“Ai është liruar në shkallë të parë për rastin tjetër, atë të krimeve të luftës.  Lënda gjendet në Gjykatë të Apelit, Ndërsa rasti i Ministrisë MTPT ende nuk ka filluar te gjykohet,” u shpreh ai .

Endrit Shala, që komunikon me media në emër të  Fatmir Limajt, kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë tha se akuzat ndaj Limajt janë të pabaza dhe nuk ka asgjë të keqe që Limaj prapë të jetë afër parasë publike.

“Fatmir Limaj është deputet i zgjedhur nga populli ai i ka marrë votat, të gjithë e dinë se çfarë janë akuzat ndaj tij, me kqyr ligjërisht ai është i pafajshëm, nuk ka asnjë vendim gjyqësor që i vërtetojnë akuzat, nuk ka asnjë problem në komisione. Në momentin që zgjedhesh deputet, normalisht që bëhesh edhe anëtar i komisioneve akuzat nuk dua t’i komentoj se edhe fëmijët e dinë që edhe ato akuzat ndaj tij nuk janë asgjë,” u shpreh Endrit Shala për gazetën “Jeta në Kosovë”.

Ndërkaq Tomë Gashi, avokati mbrojtës i Limajt, tha se ligjet nuk ndalojnë të akuzuarit që të bëhen pjesë  e organit ligjvënës.

 “Sipas dispozitave ligjore në Kosovë nuk është e ndaluar që një person qofte i akuzuar apo jo të garojë dhe të zgjidhet anetar i Parlamentit të Kosovës. Sa i perket z.Limaj kjo edhe ka ndodhur.  Ai si kandidat i partisë së tij ka fituar votat e mjaftueshme dhe është anëtar i Paralamentit të Kosovës,” tha Gashi.

Por, sipas tij,  çështja e konkurrimit për deputet është çështje etike e secilit person.

“Çështja etike është çeshtje vetëm personale dhe secili duhet të vendosë për vetëvehten duke i pasur parasysh standardet etike dhe morale në mënyren siç një person për veteveten i percepton,” thotë ai.

Gashi tha se fatkeqësisht Limaj nuk është i vetmi prej deputëtëve ndaj të cilëve rëndojnë akuza.

“Unë personalisht mendoj se askush nuk do të duhej te kandidonte në zgjedhje paralamentare dhe as lokale nëse është i akuzuar apo i dënuar per vepra të rënda penale. Kjo ka të bëjë me kredibilitetin dhe besueshmërinë e të zgjedhurve në paralament, por tani për tani kështu është situata”, tha Gashi.

Naser Osmani mbikëqyrës i buxhetit dhe financave

Situatë përafërsisht të ngjashëm me Limajn ka edhe deputeti Naser Osmani me të cilin kishte pasur një përplase në vitin 2008 në një prej seancave parlamentare.

Deputeti I LDK-së kishte kundërshtuar propozimin për emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, në momentin kur në Kuvend kishte marrë fjalën Limaj.

Osmani kishte deklaruar se “Limaj nuk kishte të drejtë të flistë në emër të qeverisë”.

Përplasja verbale ndërmjet Osmanit dhe Limajt, kishte detyruar kryeparlamentarin Jakup Krasniqi të ndërprentë seancën.

Tash Osmani i cili dyshohet për keqpërdorime është është kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa që ka për detyrë të vendosë për buxhetet e të gjitha autoriteteve publike në vend.

Fuqia e Komisionit që kryeson Naser Osmani është shumë e madhe, pasi që edhe ligjet e ndryshme kalojnë nëpër Komisionin për Buxhet dhe Financa për t’u ditur se a janë të përballueshme për shtetin apo jo.

Ndaj Osmanit rëndojnë dyshimet se e ka keqpërdorur pozitën zyrtare kur ishte anëtar i Bordit të AKP-së, akuza këto që Osmani vazhdimisht i  ka hedhur poshtë.

Policia e Kosovës në prill të vitit të kaluar njoftoi se bastitisi pesë lokacione të ndryshme pas hetimeve disamujore lidhur me privatizimin e fabrikës “FAN”, në komunën e Podujevës.

Policia njoftoi se zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, anëtarë të bordit të kësaj agjencie si dhe punonjës të Kadastrës në Komunës së Podujevës kanë kryer vepra penale.

Në mesin e tyre ishte edhe Naser Osmani, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës që kishte mbajtur edhe postin e anëtarit të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Bazuar në njoftimin e policisë, të ndaluarit dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, mashtrim në detyrë, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim, shkaktim falimentimi dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Këto vepra sipas policisë dyshohet të jenë kryer në periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2012.

Dyshohet se dëmi i shkaktuar buxhetit të Kosovës lidhur me këtë rast të jetë disamilionësh.

http://gazetajnk.com/?cid=1,1018,8139

Naser Osmani, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, premtoi se një përgjigje nga ana e tij do të jepej të hënën. Ai ende nuk e ka bërë këtë.

Avokati i Naser Osmanit, Besnik Berisha thotë se rasti i klientit të tij nuk ka shkuar as në gjykatë.

 “Mbi të ka rënduar dyshimi për shpërdorim të pozitës zyrtare. Nuk është gjykuar rasti, sepse është në prokuori akoma dhe me gjasë prokuoria nuk ka pasur progres në hetimet e tyre. Prandaj edhe nuk ka ngritur akuzë,” tha Berisha për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai nuk deshi të komentojë për kryesimin e komisionit parlamentar për buxhet dhe financa nga deputeti Naser Osmani.

Pjesëmarrja në komisione për financa e deputetëve ndaj të cilëve rëndojnë dyshime vlerësohet si joetike edhe nga analistët politikë.

 Arben Ahmeti thotë se lufta e korrupsionit në Kosovë ka mbetur në fazën e promovimeve përmes aktakuzave dhe raportimeve në media, e gjitha kjo për shkak të brishtësisë së sistemit të drejtësisë pa veprime të prera të gjykatave.

Por Ahmeti mendon  se ka edhe më keq sesa rasti i Limajt dhe Osmanit.

“Derisa z. Limaj dhe z. Osmani mund të jenë vetëm të dyshuar për keqpërdorimin e parasë publike, ne e kemi një kryetar komune i cili është dënuar nga gjykata për keqpërdorim të detyrës nga shkalla e parë e gjykatës. Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, përkundër faktit se është i dënuar, vazhdon ta qeverisë qytetin e dytë më të rëndësishëm në vend,” thotë ai.

Ai po ashtu thotë se klasa politike në Kosovë është e papërgjegjshme.

“Nuk ka as klasë politike të përgjegjshme, gjë që nënkupton se i gjithë angazhimi ynë për të ndërtuar shtetin në shërbim të qytetarëve ka shkuar huq,” thotë Ahmeti.

 Analisti Naim Rashiti thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se pjesëmarrja në komisione është me më pak rëndësi sesa fitimi i mandatit të deputetit si i dyshuar për korrupsion.

“Në komisione nuk kanë qasje në buxhet, shpenzime, apo kontrata. Çështja është se a janë të përgatitur dhe a kanë vullnet për të monitoruar financat publike, si detyrë kryesore e komisionit. Si do të sillen ata ndaj raporteve të auditorit, dhe raporteve të shpenzimeve mbetet të shohim,” tha ai.