Infiltrohen në Shërbimin Sekret

Policia ka arrestuar dy persona nën dyshimet se kanë falsifikuar kartat e identitetit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Në krye të këtyre mashtruesve ishte Maksim Ferra, një shtetas shqiptar, ish-pjesëtar i Shërbimit Informativ Shqiptar. Ferra dyshohet se ka “rekrutuar” 52 persona, të cilëve ua ka marrë nga 2 mijë euro.

Gazeta Express sjell rrëfimin për “James Bondin” shqiptar, tashmë i kërkuar nga Policia e Kosovës, i cili e shpalli veten agjent të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Policia ka arrestuar dy prej këtyre “të rekrutuarve”, kurse për Ferrën është vënë në kërkim.

Për më shumë se gjashtë muaj, ata kanë vepruar në tërë Kosovën duke pretenduar se janë agjentë të AKI-së.

Të njëjtit kanë qenë të pajisur me karta identiteti, njësoj sikurse ato që i kanë pjesëtarët e këtij shërbimi, por me një dallim thelbësor – ishin false.

Megjithatë, ata i kanë shfrytëzuar mirë ato “dokumente”, së paku për gjashtë muaj.

Secili prej tyre, sa herë që kanë pasur ndonjë telashe me organet e rendit, ia ka treguar dokumentin, duke u prezantuar si agjentë të AKI-së. Dhe kanë kaluar pa telashe, deri më tani.

Të 52 “anëtarët” e AKI-së kanë pretenduar se punojnë në luftë kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.