Zbatimi i TVSH-së Krijon Kaos me Arkat Fiskale

Disa biznese kanë filluar zbatimin e dy niveleve të TVSH-së në pajtim me ligjin ndërsa disa të tjera nuk kanë filluar ta bëjnë diçka të tillë.

Ekipi i KALLXO.com ka gjetur në terren se për produktin e njëjtë në njërin nga marketet është aplikuar norma e TVSH-së prej 8% kurse në marketin tjetër për të njëjtin produkt është aplikuar norma e TVSH-së prej 18%.

Për këtë problem KALLXO.com kontaktoi Administratën Tatimore të Kosovës. Rexhep Krasniqi ushtrues detyre për menaxhimin e arkave fiskale tha përmes telefonit se kompanitë e licencuara për shitjen e arkave fiskale kanë përgjegjësi edhe për ndryshimet e nevojshme në to.

“Administrata Tatimore e Kosovës ka licencuar kompanitë që merren me shitjen e arkave fiskale, të cilët kanë ekipin teknik për menaxhimin e pajisjeve. Ata janë të obliguar të merren me çdo ndryshim të pajisjes edhe kur ndërrohet ligji mbi tatimet”, tha Krasniqi.

KALLXO.com kontaktoi edhe kompaninë Enternet n.t.sh., e cila ofron shërbime të shitjes dhe mirëmbajtjes së pajisjeve elektronike fiskale dhe pajisjeve përcjellëse të tyre për territorin e Kosovës.

Përmes telefonit kompania shpjegoi se bizneset të cilat nuk janë pjesë e pakos së garancionit duhet që pajisjen fiskale ta sjellin zyrat e tyre për ta rregulluar.

“Jemi shumë të ngarkuar kemi shumë punë, bizneset të cilat janë pjesë e pakos së garancionet për pajisje fiskale ekipet tona në teren dalin dhe i rregullojnë ato pajisje, përndryshe pajisjen fiskale bizneset duhet ta sjellin në objektin tonë që gjendet në Veternik për ndryshime”, tha një zyrtare e kësaj kompanie e cila nuk deshi të identifikohej.

KALLXO.com kontaktoi edhe bizneset për t’i pyetur për problemet që ata kanë pasur për implementimin e pakos së re fiskale dhe ndryshimin e të dhënave në pajisjen fiskale.

Ata treguan se kanë qenë të detyruar t’i dërgojnë pajisjet në objektet e autorizuara për menaxhimin e tyre.

“Jemi duke i dërguar arkat fiskale për t’i rregulluar te kompania e autorizuar, arkat jemi duke i dërguar pjesë-pjesë sepse është e pamundur t’i rregullojmë të gjitha në një kohë”, tha Heset Grainca, menaxheri i marketit Super Viva.

“Arkat fiskale i kemi dërguar te servisi i autorizuar, përndryshe gjithçka është në rregull, nuk kemi pasur probleme”, tha menaxheri i marketit Interex, Besnik Kida.

KALLXO.com konstatoi edhe në një restorant në Prishtinë se stafi e kishte të pamundur të dorëzonte një faturë fiskale duke u arsyetuar që kishin dërguar pajisjen për ta rregulluar sipas normave të reja të TVSH-së.

Bizneset kanë qenë të detyruara sipas ligjit që ndryshimet fiskale t’i pasqyronin në pajisjet e tyre para datës 1 shtator, por është e qartë se për një pjesë prej tyre, diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe ndryshimet kanë nisur pas ditës së hyrjes në fuqi të ndryshimeve.

Ndërkaq, konsumatorët mbajnë barrën e pagesës së TVSH-së, ku dikush paguan 8% e dikush 18% për të njëjtin produkt.