A Është Herët që Bizneset e Serbisë të Vijnë të Investojnë në Kosovë?

Gërxhaliu, gjithashtu i kishte këshilluar kompanitë serbe që të fillojnë të mendojnë për hapjen e vendeve të punës në Kosovë ku pjesëtarët e grupeve të ndryshme etnike mund të punojnë së bashku

Megjithë qarkullimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ekspertët e ekonomisë në Kosovë thonë se janë barrierat politike ato që pengojnë raportet Kosovë- Serbi në ekonomi.

Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për rritje dhe fuqizim të bashkëpunimit ekonomik, e në këtë drejtim edhe të eliminimit të barrierave të ndryshme të cilat shtete të caktuara të këtij rajoni e posaçërisht ato që janë nënshkruese të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) i vendosin njëra tjetrës.

Zeka shtoi se eliminimi i barrierave do të ndihmonte edhe në lehtësimin e qarkullimit të mallrave brenda shteteve të rajonit.

Megjithatë, sipas tij, kompanitë serbe të cilat eksportojnë një sasi të konsiderueshme të produkteve të tyre në Kosovë duhet ta trajtojnë Kosovën si shtet.

“Kur flasim për kompanitë serbe dhe eksportimin e mallrave të tyre në Kosovë, fillimisht duhet thënë që ka një numër të konsiderueshëm të tyre që në deklaracionet e tyre të mallit duhet të fillojnë të trajtojnë Kosovën si shtet, edhe atë si shtet në të cilin ata eksportojnë një sasi të konsiderueshme të produkteve të tyre dhe në të cilin gjenerojnë një aktivitet të madh afarist”, tha Zeka.

Ndërkaq, presidenti i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Samir Krasniqi, ka konsideruar se nuk është e nevojshme që t’u bëhet ftesë e veçantë duke pas parasysh që, sipas tij, Republika e Kosovës mbështetet në treg të hapur dhe të lirë.

“Kjo paraqet mundësi për të gjithë ndërmarrësit që të investojnë në Kosovë, pavarësisht se prej nga mund të jenë ata. Duke qenë kështu, nuk e konsiderojmë të nevojshme që dikujt të caktuar t´i bëjmë një ftesë të veçantë. Sidomos jo, ndokujt që një ftesë eventuale të sinqertë, mund ta vlerësojë në forma të tjera. Vendi ynë ka nevojë për investimet e huaja”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa Arian Zeka u shpreh se asociacionet nacionale të biznesit por edhe institucionet si në Kosovë ashtu edhe në Serbi duhet të angazhohen më tepër në eliminimin e barrierave, në qarkullimin e lirë të mallrave dhe në aspekt të trajtimit të barabartë të shteteve dhe tregjeve përkatëse.

“I njëjti parim duhet të vlejë edhe kur flasim për investimet e bizneseve nga shtetet fqinje, e në këtë rast edhe të Serbisë, pavarësisht faktit sa shumë mund të kemi nevojë për investime të huaja”, tha Zekaj.

Sipas tij, trajtimi i njëjtë do të duhej të vlente edhe për investitorët potencialë të Kosovës të cilët do të synonin shtrirjen e operacioneve të tyre në Serbi ose edhe në vende të tjera të rajonit.

“Duke i ditur vështirësitë me të cilat përballen prodhuesit kosovarë në përpjekjet e tyre për eksportim në Serbi, atëherë dyshoj që edhe investitorët potencial kosovarë do të trajtoheshin më ndryshe”, u shpreh Zeka.

“Këtu natyrisht një mundësi e mirë do të ishte investimi në Kosovë i kompanive të huaja multinacionale që tashmë ushtrojnë aktivitetetin e tyre prodhues në Serbi dhe që lehtazi do të mund të bartnin një pjesë të prodhimit në Kosovë. Përndryshe, në rrethana kur një shtet mund të vihet në pozitë inferiore ose jo të barabartë karshi shteteve të tjera të rajonit, retorika për fuqizim të raporteve ekonomike ndërshtetërore mund të jetë e kotë”, pohoi Zeka.

Ndërkaq, Krasniqi i Odës Gjermaner theksoi se Kosova ka nevojë për investime të huaja, të cilat vënë në funksion zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik.

Por, ai u shpreh se janë të interesuar në radhë të parë që ato të jenë investime të bizneseve nga shtetet e Bashkimit Evropian, me theks të posaçëm nga Gjermania.

“Ç´është e vërteta, bizneset e Serbisë nuk është se janë tërësisht të shkëputura apo të izoluara në vendin tonë. Ndryshe, kjo dëshmon se çdo investim i nesërm i ndërmarrësisë nga fqinjët tanë, mund të operojë në Kosovë. Ajo çfarë nuk do të ishte e pranueshme për ne, por edhe për qytetarët e Kosovës, është ideja nacionaliste që mund të bartin me vete këto biznese”, tha Krasniqi.

Në aspektin politik, është Lëvizja Vetëvendosje ajo që vazhdon të kundërshtojë çdo përfshirje të biznesit serb brenda territorit të Kosovës.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi, thotë se Kosovës nuk i duhen investitorë nga Serbia.

“Kosovës i duhet mbrojtja e tregut dhe e prodhimeve vendore”, tha Çaushi për KALLXO.com.

Ai theksoi se raportet aktuale tregtare mes Kosovës dhe Serbisë janë thellësisht të padrejta dhe shumë të dëmshme për Kosovën dhe ekonominë e saj.

Sipas Çaushit, produktet e subvencionuara në Serbi vijnë e shiten me çmim shumë më të lirë në Kosovë, duke i dëmtuar kështu prodhuesit vendorë, përderisa “produktet kosovare nuk mund të futen fare brenda territorit të Serbisë, as si transit”.

Milan Kovacevic, një ekonomist nga Beogradi, kishte thënë se ftesa e Gërxhaliut ishte një lëvizje e mirë dhe është turp që bashkëpunimi ekonomik është anashkaluar për një kohë të gjatë.