Gjetjet që Detyruan Bashotën të Japë Dorëheqje

Sokol Bashota mbante publikisht dy poste të rëndësishme në Klinë. Ishte kryetar i klubit futbollistik “Dukagjini” nga Klina si dhe kryetar i festivalit “I Këndojmë Lirisë”.

Edhe klubi edhe festivali kanë sponsor Komunën e Klinës që udhëhiqet nga Bashota i Partisë Demokratike të Kosovës.

Kur ekipi i auditorëve zbarkoi në Klinë për të shikuar zbatueshmërinë e ligjit në këtë komunë, zbuloi se pozitat që mbante Bashota përbënin konflikt interesi.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm publikoi në qershor të këtij viti raportin për Klinën ku konkludoi se Bashota duhet të jepte dorëheqje nga këto dy pozita drejtuese.

Klubi “Dukagjini” merr 48 mijë euro në vit nga Komuna e Klinës dhe sipas auditorëve të qenët e kryetarit Bashota në pozitën e kryetarit të këtij klubi rrezikon keqpërdorimin e mjeteve financiare.

“Prania e konfliktit të interesit në procesin e subvencionimit të klubit rrezikon ndarje subjektive të mjeteve, trajtim selektiv të klubeve dhe aktiviteteve sportive…,” thuhet në raportin e auditorëve.

Ndërkaq komuna e Klinës sponsorizon me rreth 20 mijë euro festivalin tradicional “I Këndojmë Lirisë”.
Edhe këtu Bashota ishte kryetar i festivalit.

“Të qenit kryetar dhe vetë drejtues i festivalit derisa në të njëjtën kohë edhe urdhërdhënës i shpenzimeve, në vetvete përmban elemente të konfliktit të interesit,” thuhet në raportin e auditorëve.

Këto gjetje të auditorëve kishin detyruar Bashotën që të rimendonte pozitat e tij në krye të klubit “Dukagjini” dhe festivalit “I Këndojmë Lirisë”. Ka dhënë dorëheqje nga këto dy pozita.

Skënder Behrami, asistent i kryetarit Bashota, konfirmoi për  Gazetën Jeta në Kosovë se dorëheqja u bë pas publikimit të raportit të auditimit.

“Pas publikimit të raportit të auditimit, më datë 31.07.2015, kryetari i komunës  zt. Sokol Bashota ka dhënë dorëheqje të parevokueshme jo vetëm  nga klubi i futbollit “KF Dukagjini”, por edhe nga posti i drejtorit te festivalit folklorik “I Këndojmë Lirisë,” tha Behrami.

Ai shtoi se kryetari me këtë veprim ka respektuar vërejtjet e Auditorit të Përgjithshëm dhe e ka ndier si obligim moral të evitojë çdo eventualitet lidhur me konflikt të mundshëm interesi.

Ky veprim i kryetarit, sipas tij, është bërë përkundër se ende nuk ka konstatim nga Agjencia Kundër Korrupsion se me këtë rast ka konflikt interesi.

Por përkundër dorëheqjeve nga këto dy poste, tash Bashotës i ka dalë problem me “Vetëvendosjen”, subjekt opozitar në Klinë.

Skënder Mërturi, asamblist i Lëvizjes “Vetëvendosje” në Klinë, deklaroi se ky subjekt kërkon edhe aktivizimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit që është e thirrur për interpretimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Lëvizja e ka marrë lëndën, e ka deponuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe mbetet që Agjencia Kundër Korrupsionit ta konstatojë,” tha Mërturi.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë përmes e-mailit, Hasan Preteni nuk ka kthyer një përgjigje konkrete, me arsyetimin se  i janë parashtruar shumë pyetje të cilat duhen vërtetuar më gjatë. 
Ai tha se i duhet kohë për të vërtetuar rastet dhe për të dalë me një përgjigje.